Close Menu
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Lajme
      • Kosovë
      • Rajon
      • Lindja e Mesme
      • Botë
      • Politikë
      • Kronikë e Zezë
    • OP-ED
      • Analiza
      • Ese
      • Opinione
      • Kolumna
    • SCI-TECH
      • Teknologji
      • Shkencë
    • Biznes
      • Investimi
    • Evente
    • Histori
    • Jetesë
      • Shëndeti
      • Këshilla
      • Ushqyerja
    • Sociale
    • Besimi
      • Edukim
      • Lutje (dua)
      • Qendrime
      • Studime në besim
      • Të ndryshme
      • Tema
    • SPORT
    Facebook X (Twitter) Instagram Pinterest
    Dija Online
    • Lajme
    • Evente
    • OP-ED
    • Të rekomanduara
    Dija Online
    Ju jeni në:Home»OP-ED»Ese»KËRKOHET PËRGJIGJE PARA SE TË NDODHË (Rreth një ëndrre që ende nuk ka ndodhur) – Fatmir Baçi
    Ese

    KËRKOHET PËRGJIGJE PARA SE TË NDODHË (Rreth një ëndrre që ende nuk ka ndodhur) – Fatmir Baçi

    Dija OnlineBy Dija Online24-04-2026010 Mins Read
    Share Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    ASKETIZMI I VËRTETË NË DISA FJALI - Fatmir Baçi
    ASKETIZMI I VËRTETË NË DISA FJALI - Fatmir Baçi
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp LinkedIn Copy Link Pinterest Email Telegram

    Nga Fatmir Baçi

    (Rreth një ëndrre që ende nuk ka ndodhur)

    Ka disa pyetje që lindin nga thellësia e të menduarit, siç ka dhe disa të tjera që lindin nga thellësi të ndryshme, të lloj-llojshme, dhe secila ka mistikën e vet. Thellësia e detit, fjala vjen, nuk dihet se si, por në shqip, ndërmjet të tjerave, përzihet edhe me bardhësinë e kosit. Dhe mbetet enigmë që shqiptarët, nuk dihet se prej kur, me breza ndoshta, janë në vorbullën e një pritjeje të ankthshme që deti të bëhet kos. Dhe kjo enigmë, apo mistikë le të themi, herë veç e veç, herë të gjithë bashkë, duket se për shqiptarët është dhe mbetet më e afërt në grafikun e dëshirave ekzotike.

    “E çfarë rëndësie ka e gjithë kjo diçka – mund të thotë dikush, i cili është disi më kurnac në dëshira – dhe çfarë do të thotë se përkundet në ëndrra, kur ajo që pret me zhuritje nuk ka ndodhur asnjëherë?”

    Po, por pikërisht aty është i gjithë lezeti; para se të ndodhë, gjëja gardhohet me ëndrra, preket me dëshira, e si e tillë, edhe kur nuk duket kurrkund, ajo gjithsesi është. Pastaj, është zakon i lashtë të kërkojmë përgjigje për të pandodhurën, duke e bërë të pritshme në mundësi, madje edhe kur ajo gjë është në rangun e përrallave dhe nuk ka asnjë gjasë të ndodhë. Dhe sa më pak gjasa të ketë, aq më shumë nevojë ka për strategji, për analiza dhe për thashetheme.

    Gjithsesi, mbetet ta shikojmë seriozisht faktin se përse disa e rrethojnë me dyshim çështjen e kosit. Andaj, le ta vendosim një gur themeli; a ka ndonjë rast në historinë e shqiptarëve kur deti është bërë kos? Nëse po, ku janë dokumentet? Nëse jo, ç’të keqe ka që të bëhet? Arkivat dhe njerëzit që merren me arkivat heshtin me një dinjitet që të bën të dyshosh se dinë diçka, por nuk duan të përfshihen, apo edhe se ndoshta nuk e dinë, andaj rrinë të shushatur për një kauzë kaq të rëndësishme. Kronikat nuk përmendin asnjë dallgë të thartuar, asnjë breg që të jetë rregulluar me lugë apo garuzhde. Gjithashtu, edhe gojëdhënat, që zakonisht janë bujare me fantazi, këtu tregohen të kursyera; heshtin sikur duan të na thonë se edhe imagjinata ka një kufi. Pra, për momentin, deti ka qenë det dhe mbetet det, një fakt ndoshta i përkohshëm, pasi nuk e dimë se çfarë na pret pas shtegut të mistershëm “nesër”.

    Gjithsesi, mungesa e dokumentacionit nuk ka pse të jetë pengesë për dëshirën e shqiptarëve që deti të bëhet kos.

    Dëshira është dëshirë; edhe pse mund ta ketë ndonjë kleçkë të vogël, ajo ta zhurit gjoksin. Madje, mund të themi me siguri se shqiptari nuk e do transformimin e detit në kos ashtu kot, badihava, paçka se ka zëra që i quajnë të tilla dëshira si broçkulla. Le ta themi midis nesh; realiteti në formën aktuale kërkon përpjekje për ta përballuar, duhet mund për ta mbajtur dhe vëmendje për ta ruajtur, gjë që njerëzit e bregut perëndimor të Ballkanit nuk para e pëlqejnë, ndërkohë që mistika e kosit kërkon vetëm bindje në lidhje me pritshmërinë dhe, sigurisht, edhe një pritje stoike në lidhje me bindjen.

    Sekreti i kësaj dëshire është tejet i ruajtur dhe nuk mund ta dijë kushdo, sepse është sekret dhe pikë. Pastaj, ç’kuptim do të kishte të qarkullonte si sekret po qe se do ta dinin të gjithë? Madje, aq sekret është, sa nuk dihet as kush janë ata që e dinë. Ti mund të jetosh ndërmjet shqiptarëve, por po qe se nuk je shqiptar, nuk mund ta kuptosh sekretin, edhe sikur të ta tregojnë nga fillimi në fund. Disa që i shikojnë nga jashtë ngjarjet janë të mendimit që dëshira që deti të bëhet kos ka karakter ekonomik, mirëpo dihet nga të gjithë që këtu ia fusin kot. Ka të tjerë që ngulin këmbë se thelbi i kësaj dëshire është i natyrës kulturore, gjë që s’i vjen as afër; kjo do të thotë se as këta të kulturës nuk i afrohen të vërtetës, vetëm ia mysin në tym.

    Nuk e teprojmë aspak po qe se themi se dëshira që deti të bëhet kos është një lloj talenti i rrallë i shqiptarëve për ta kthyer të pamundurën në temë diskutimi, ndërsa vetë temën e diskutimit e projektojnë në një projekt serioz.

    Sepse, në momentin që fillon ta analizosh një dukuri absurde me tone serioze, ajo me kohë, pak nga pak, hollohet dhe, për një periudhë fare të shkurtër, pushon së qeni absurde. Zakonisht do duhej që për pak të vendosej në lëkundjet e dilemës, por jo; absurdi i djeshëm fiton një legjitimitet të çuditshëm dhe të shpejtë.

    Ndërkohë që i gjithë ky proces ka edhe përfitim afatgjatë. Po. Populli shqiptar që pret buzë një kauze kaq abstrakte, përveç faktit se ushqen shpresën e vet të pamatë, njëkohësisht, me motivet e larta, me ushtrimin e durimit duke pritur që deti të bëhet kos, kryen një detyrë të lartë fisnike në lidhje me brezat e ardhshëm.

    Domosdo që, me një standard kaq të lartë dhe përkushtim të tillë, është e sigurt që, në mos sot, nesër, me siguri pritet të arrihen nivele të tilla pjekurie sa, në një të ardhme të afërt, mund të priten gjëra edhe më të mëdha se kthimi i detit në kos. Le ta themi midis nesh; projekti i kthimit të detit në kos është aq madhështor dhe aq largpamës, sa mundet fare mirë që shumë shpejt, ndoshta para realizimit, të pritet një pajtim afatgjatë për shkak se shqiptarët do t’i thërrasin mendjes dhe mendja, me shumë mundësi, do t’i përgjigjet pozitivisht; paskëtaj ndoshta do të zgjohet edhe një mendësi imperiale.

    Por prisni, të përqendrohemi pak, sepse si çdo projekt madhor, edhe ky kërkon pjekuri dhe qartësi strategjike; duhet të studiohet se cili det duhet të bëhet kos(?). Nga trashëgimia e begatë që ruhet në kujtesën e shqiptarëve, nga përkujdesja e të parëve rreth këtij projekti, paçka se bëhet fjalë për breza e breza, deri tani nuk ka një përcaktim të qartë dhe nuk dihet me saktësi nëse synohet Adriatiku apo Joni të kthehet në kos.

    Dakord, ka disa që argumentojnë se Adriatiku është më i përshtatshëm, sepse është më i qetë, më i butë dhe, në njëfarë mënyre, të krijon përshtypjen e një transformimi më të harmonishëm, më bashkëpunues, gjë që mund të ndikojë që edhe kosi të jetë me thartinën e pranueshme për të gjithë. Por nuk duhet lënë në harresë se ka të tjerë që këmbëngulin për Jonin, duke theksuar se thellësia e tij i jep kosit një dimension filozofik, pasi, siç dihet, kosi i mirë nuk është vetëm i trashë, por edhe me karakter.

    Ndërkohë, ndërmjet dy deteve ka një mori ekspertësh, disa të shpallur nga tarafet dhe lobet lokale, siç ka edhe të tjerë të vetëshpallur, por që rrëmojnë dhe kërkojnë nëpër studime ndërkombëtare për mënyrën se si duhet të transformohet deti në kos. Ka fonde për pilot-projekte të punuara deri në imtësi, ka udhëtime studimore në vende ku deti ende nuk është bërë kos, por që i kanë të gjitha të dhënat dhe premisat që diçka e tillë të ndodhë.

    Unë do të guxoj dhe do ta them; nëse, në rrethana të posaçme, ndodh që shqiptarët e bregut të Adriatikut ia arrijnë kësaj ëndrre shekullore, këtu lind menjëherë një problem i cili nuk mund të bësh sikur i pate sytë mbyllur dhe nuk pe asgjë. Dhe sa më e madhe të jetë fama e kësaj arritjeje, aq më i rreptë qëndrimi i shqiptarëve përgjatë bregut të Jonit. Dikush mund të thotë; a nuk do të ishte padrejtësi që kjo arritje të mbetet vetëm banorëve të Adriatikut, kur ëndrrën që deti të bëhet kos e kanë përkundur të gjithë së bashku?

    A nuk do të kërkonin shqiptarët e Jonit, ndoshta me të drejtë, një status barazie në gjithë atë arritje me përmasa botërore? A do të tolerohej një vend me dy standarde, që një breg i detit të ishte me kos, duke i rrëmbyer të gjitha meritat, ndërsa bregu i detit tjetër të mbetej me ujë, siç ka qenë prej shekujsh e shekujsh? Diçka e tillë, me siguri, do të trondiste unitetin kombëtar, e mundet që situata do të kërkonte edhe ndërhyrje urgjente institucionale, duke bërë të pamundurën që të qetësohen gjakrat. E gjithë kjo që thamë për Adriatikun, të njëjtën vorbull do të shkaktonte edhe po qe se banorët e bregut të Jonit do të arrinin të parët transformimin e detit në kos.

    Në këtë pikë, vijmë te pyetja më delikate: a janë të gjitha shtresat e popullit shqiptar dhe grupet e interesit në një mendje për këtë çështje? Jo domosdoshmërisht. Madje, ka nga ata që e duan detin kos, sepse u duket sikur situata mund të prodhojë oshilacione gallate, por ka nga ata që mendojnë se, nëse deti bëhet kos, atëherë jeta e shqiptarëve në përgjithësi ndryshon rrënjësisht, aq sa bëhet e denjë për pallë ariu. Ka të tjerë që përpiqen të integrojnë konceptin e absurdit (këtë e theksojnë intelektualët dhe nuk dihet përse), sepse, sipas tyre, edhe absurdi duhet të ketë standardet përkatëse dhe t’i respektojë ato.

    Sigurisht, ka edhe një kategori më pragmatike, e cila, si gjithmonë, do ta nxjerrë kokën për të treguar se aty është; e kjo nuk shqetësohet nëse deti bëhet kos apo jo. Për ta mjafton që të ketë komisione, strategji, tryeza të rrumbullakëta dhe raporte, ku ata duhet të jenë pjesëmarrësit dhe interpretuesit e domosdoshëm për aq sa është e nevojshme dhe, sidomos, edhe të paguar.

    Ndërkohë, është edhe një pakicë e heshtur, në fakt vetëm duket si e heshtur, hajde mund të themi pothuajse e dyshimtë, e cila insiston që deti është mirë kështu siç është. Në dukje, këta janë ata që nuk kërkojnë që deti të bëhet kos, por, kur u është ofruar ndonjë sektor i rëndësishëm, menjëherë kanë pranuar. Në pamje të parë, ata nuk kërkojnë as analiza për dëshirat e kthimit të detit në kos dhe, në mënyrë të çuditshme, duket se jetojnë pa asnjë projekt madhor në mendje, megjithëse njërin vesh dhe njërin sy e mbajnë hapur. Ata janë dëshmi e gjallë se realiteti mund të pranohet si oponencë, një ide kjo që, në rrethana normale, do të konsiderohej radikale në lidhje me gjithpranimin që gëzon dëshira e kthimit të detit në kos.

    Në fund, mbetet një e vërtetë e thjeshtë; askush deri në ditën e sotme, për gjithë këtë shpresë dhe nismë kombëtare të kthimit të detit në kos, nuk ka bërë pyetjen që normalisht duhet bërë para çdo fillimi: “Për çfarë u duhet shqiptarëve që deti të bëhet kos?”. Kjo pyetje duhet të marrë përgjigje jo nga tipa konservatorë që nuk japin shpjegime, vetëm mbahen në të tyren, as nga pragmatistët e qelbur, as nga idealistët që fluturojnë pa krahë.

    Përgjigjja duhet të vijë ndoshta nga njerëz të thjeshtë që dihet se nuk e duan kosin, ose dikush nga diaspora.
    “Ça diaspore thu ti, mor plak, ato janë deri në fyt me pica dhe paidhaqe, nuk duan me ditë për kosin”, e ngre zërin komshiu im karrocijer që ndoshta ka të drejtë.

    Deri atëherë, le të vazhdojmë të kërkojmë përgjigje para se të ndodhë diçka që, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ndodhë. Sepse, në fund të fundit, kjo është ndoshta aftësia më e zhvilluar e shqiptarëve; të jenë seriozë për gjërat që nuk janë dhe as pritet se do të jenë, dhe të qeshin haptazi dhe fshehurazi me ato që janë, apo që, sipas të gjitha gjasave, do të jenë.

    Fatmir Baçi fatmir baçi ese
    Share. Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    Previous ArticleBrenda një dite, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar dhjetë ligje
    Next Article ASKETIZMI I VËRTETË NË DISA FJALI – Fatmir Baçi
    Dija Online

    Related Posts

    Përgjegjësia fetare dhe verifikimi i informacionit në epokën digjitale – Festim Rizanaj

    12-06-2026

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    31-05-2026

    Mungesa e integritetit dhe guximit tek intelektualët: Dr. Justinian Topulli vjen në “Prishtina Talks”

    31-05-2026
    Add A Comment

    Comments are closed.

    • Të Fundit
    • Të popullarizuara

    Përgjegjësia fetare dhe verifikimi i informacionit në epokën digjitale – Festim Rizanaj

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    Mungesa e integritetit dhe guximit tek intelektualët: Dr. Justinian Topulli vjen në “Prishtina Talks”

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    Çmenduritë e Qeverisë së Erdoganit

    Çfarë e bën kamatën kaq mëkat të madh?

    SISTEMI BANKAR ISLAM, FITIMPRURËS PËR TË GJITHË

    A lejohet eksperimenti me kafshë, sikurse minjtë?

    OP-ED

    Përgjegjësia fetare dhe verifikimi i informacionit në epokën digjitale – Festim Rizanaj

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    • Besimi

    Mustafa Terniqi: Dituria në Islam, mes diturisë fetare dhe diturisë së dobishme

    Modeli zviceran: Ushtria që lejon Ramazanin dhe praktikat fetare të ushtarëve

    Kriza e aktivizmit mysliman – Tom Facchine

    Rëndësia e të bërit të Ramazanit një “ngjarje të madhe” (BIG DEAL) për familjen tuaj

    Reklamoni në Dija Online
    NËSE JENI SOCIAL, NA NDIQNI
    • Facebook
    • YouTube
    • TikTok
    • WhatsApp
    • Twitter
    • Instagram
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    20-05-20263 Mins Read

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    08-03-20262 Mins Read

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    07-03-202631 Mins Read
    Reklamoni në Dija Online
    Më të popullarizuarat

    Jordania përballet me një zgjedhje ekzistenciale për mbrojtjen e Al-Aksasë Peter

    10 Mins Read

    Avokati Asdren Bytyqi ngre padinë e radhës ndaj ekstremistit tjetër katoliko-cionist të Lëvizjes së Deçanit

    3 Mins Read

    Forexi “islam” dhe vendimi i Ligjit islam mbi të

    5 Mins Read
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    Abonohuni

    Merrni lajmet, analizat, temat sociale, politike dhe ekonomike më të fundit nga DijaOnline

    © 2026 Dijaonline. Designed by Ars of Arts.
    • Ballina
    • Politika e privatësisë
    • Rreth nesh
    • Kontakti

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.