Nga Fatmir Baçi
“Asgjë nuk ia vlen të përmendet dhe të vihet në dukje si asketizëm i sinqertë, si pendim i vërtetë dhe sakrificë e vërtetë, përveç një largimi vendimtar nga pushteti, një braktisjeje të përgjegjshme të pozitave politike kur ajo bëhet e nevojshme. Kam pasur disa herë rast të takoj njerëz që ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga ushqimi dhe pija, që ishin të vendosur të hiqnin dorë nga pasuria dhe rehatia, që vishnin rroba të vjetra dhe jetonin në modesti ekstreme, por nëse ishin në ndonjë post të lavdëruar politik, dhe në lojë fati, apo në disa rrethana të veçanta, u ofrohej domosdoshmëria dhe nevoja për të lënë atë pozicion, ata nuk dorëzoheshin dhe nuk pranonin të largoheshin. Madje, përveç refuzimit të largimit, ata mbronin postin e tyre politik me të gjitha mjetet e mundshme, shpesh me pasoja jashtëzakonisht të përgjakshme. Për shkak të pushtetit, ata i trajtonin njerëzit brutalisht dhe armiqësisht.” – Sufjan el-Theuri
Këto fjali nuk janë vetëm vërejtje morale, por diagnozë e thellë antropologjike e njeriut, një vështrim që depërton poshtë sjelljes dhe kap vetë format e lidhjes së brendshme. Me kaq pak fjalë, ne flasim për pushtetin si një gjendje të brendshme; si një strukturë të shpirtit që lidh, zgjerohet dhe në fund të fundit kërkon të ruhet me çdo kusht.
Kjo strukturë nuk mbetet e fshehur; ajo formëson perceptimin, përcakton kufijtë e asaj që është e lejueshme dhe ngadalë bëhet njësi matëse e realitetit.
Në shikim të parë, asketizmi përjetohet si heqje dorë nga materia; nga ushqimi, pija, rehatia, pasuria… Këto janë forma të dukshme të disiplinës, dhe pikërisht për shkak të qartësisë së tyre ato fitojnë lehtësisht njohje dhe respekt. Këtu luan një rol vendimtar edhe mënyra si na vështrojnë të tjerët. Ajo që është e dukshme nga jashtë konfirmohet, dhe ajo që konfirmohet lehtë kuptohet. Në këtë shkëmbim midis heqjes dorë dhe konfirmimit, shfaqet një rrezik delikat. Asketizmi fillon ta ushqejë në mënyrë aktive imazhin e vetes, anipse duket se distancohet prej tij.
Njeriu që agjëron, që jeton modestisht, që refuzon luksin, shihet si fitimtar mbi veten, si dikush që ka vënë rregull mbi stimujt e vet dhe i ka heshtur kërkesat e tij. Në këtë imazh ekziston tashmë një njohje e heshtur e mjedisit, një konfirmim pothuajse i pathënë i forcës së tij. Sufjan al-Theuri e prezanton këtu një dallim radikal. Ai e hap horizontin e një shtrese më të thellë të lidhjes që nuk prek trupin, por është e rrënjosur te pushteti. Ngase trupi pyet, por pushteti e konfirmon, dhe ai konfirmim gdhendet më thellë se çdo nevojë.
Uria është kalimtare, mirëpo ndjenja e dominimit e krijon iluzionin e përhershmërisë si dhe e zgjat përvojën e vet personit përmes ndikimit te të tjerët. Ai që heq dorë nga ushqimi mbetet ende i njëjtë në sytë e të tjerëve, dhe madje mund të ngrihet lart, dhe atë pikërisht përmes këtij mohimi që bëhet i dukshëm dhe i njohur. Në atë ngritje qëndron zëvendësimi; humbja e një mbështetjeje kompensohet nga një tjetër, më delikate dhe e përhershme.
Por ai që heq dorë nga pushteti rrezikon të bjerë, të harrohet dhe madje të poshtërohet, të hyjë në një hapësirë ku nuk ka më mbështetje nga të tjerët. Korniza që e mbante të dukshëm zhduket, dhe bashkë me të edhe ndjenja e sigurisë që e nxirrte nga ajo kornizë. Këtu asketizmi pushon së qeni një akt estetik dhe bëhet një thyerje ekzistenciale, një përvojë që ia humb identitetin mbi të cilin mbështetej. Në atë thyerje vjen zbulesa; ajo që mbetet pas tërheqjes tregon thellësinë e vërtetë të lirisë së brendshme. Në këtë kuptim, pushteti, përveçse është fuqi dhe pozitë, është gjithashtu pasqyrë në të cilën egoja zmadhohet, një xham që kthen një imazh më të madh seç është.
Një njeri me pushtet, përveçse sheh botën dhe shoqërinë; ai e sheh veten si një masë të asaj bote dhe asaj shoqërie, si një pikë referimi të heshtur sipas së cilës gjërat harmonizohen. Vendimet e tij kanë peshë, zëri i tij prodhon pasoja, prania e tij formëson rrjedhën e jetëve të tjera. Ky konfirmim i përsëritur i veprimit e forcon ndjenjën e rëndësisë, e shndërron atë në një ligj të brendshëm nga i cili është gjithnjë e më e vështirë të shpëtosh.
Dhe pikërisht këtu lind iluzioni më i rrezikshëm; besimi se pushteti është një zgjatim i vlerës personale, një bashkim i heshtur në të cilin roli dhe qenia nuk dallohen më. Ky iluzion depozitohet përmes përsëritjes, përmes konfirmimit të vazhdueshëm të ndikimit që kalon në një ndjenjë të së drejtës natyrore, domethënë, një proces të gjitha ngjarjet, pavarësisht faktit se krijohet përshtypja sikur imponohet papritur. Prandaj, braktisja e pushtetit nuk mund të reduktohet në një akt të thjeshtë administrativ; përkundrazi, është një prerje ontologjike, një ndërprerje e vazhdueshme përmes së cilës një njeri e përjeton veten. Është shumë e vështirë për dikë që është vërtet i kapur pas pushtetit të arguemtojë se po e braktis vetëm një funksion. Për më tepër, ai po e braktis identitetin e tij. Ai po largohet nga imazhi që i ka shërbyer prej kohësh si fortesë e brendshme, të cilës ia ka besuar veten, pavarësisht se ajo është vetëm një reflektim.
Dhe kjo është arsyeja pse shumica e njerëzve mund ta durojnë urinë, varfërinë dhe madje edhe dhimbjen fizike, por nuk mund ta durojnë humbjen e pozitës që u jep atyre ndjenjën e rëndësisë, sepse në këtë humbje shpërbëhet edhe konfirmimi i rëndësisë së tyre. Këtu zbulohet ajo që Sufjan el-Theuri e tregon pamëshirshëm; asketizmi i trupit është më i lehtë sepse nuk i trazon thellësitë; vetëdijen e shtrembëruar, bindjen e rreme për meritën dhe imazhn e plotë për veten. Vetëm në kontakt me këtë imazh fillon mohimi i vërtetë, ajo që e rrëmben qendrën nga e cila një person e interpreton dhe justifikon veten.
Kjo është arsyeja e paradoksit që ai përshkruan: njerëz që mund të jetojnë në modesti ekstreme, por nuk janë në gjendje të tërhiqen kur drejtësia e kërkon, sikur kjo kërkesë ua hap para një hapësirë në të cilën disiplina e tyre humbet forcën e saj. Në këtë pikë, identifikohet kufiri i heqjes dorë të tyre, vijën përtej së cilës gatishmëria e brendshme nuk e tejkalon. Heqja dorë e tyre është selektive, e drejtuar drejt asaj që nuk prek qendrën nga e cila ata nxjerrin ndjenjën e vetërëndësisë.
Ata e disiplinuan periferinë e qenies së tyre, por e lanë të paprekur qendrën, të mbrojtur nga çdo ndërhyrje që mund t’ua ndryshonte atë. Dhe ajo qendër; egoja e lidhur me pushtetin, bëhet një kala që ata e mbrojnë me të gjitha mjetet, një hapësirë rreth së cilës organizohet çdo sjellje. Çdo presion mbi atë pikë përjetohet si një kërcënim që kërkon një përgjigje. Këtu fillon transformimi i asketit në një tiran, pothuajse në mënyrë të padukshme, përmes një sërë justifikimesh që e ruajnë të njëjtin pozicion të brendshëm.
Sepse kur pushteti kërcënohet, individualiteti dhe identiteti bashkohen me të. Kushdo që e vë në dyshim atë pushtet bëhet kërcënim për vetë qenien, gjoja se sfida që i bën postit e shkel vetë ekzistencën. Kufiri midis sfidës që vjen nga jashtë dhe kërcënimit që vjen nga brenda zhduket, ndërsa çdo kritikë e merr peshën e sulmit personal. Prandaj armiqësia, brutaliteti, madje edhe gjaku, bëhen shoqëruese si një sërë reagimesh që e shoqërojnë ndjenjën e mbrojtjes së diçkaje më të thellë se vetë posti.
Kështu, dhuna, përveçse është një mjet për të ruajtur pushtetin, bëhet edhe refleks i vetëmbrojtjes, një reagim pothuajse automatik ndaj shkeljes së sigurisë së brendshme. Në një gjendje të tillë, veprimi humbet distancën dhe masën, shndërrohet në një lëvizje që nuk kërkon justifikim jashtë vetes. Një njeri që e mbron pushtetin nga jashtë, në thelb, nuk është në lartësinë e pushtetit, ai mbron veten ashtu siç e imagjinon veten, imazhin që është bërë mbështetja e tij dhe kufiri i të kuptuarit të tij të botës.
Në këtë kontekst, mendimi i Sufjan el-Theurit fiton një dimension edhe më të thellë; sakrifica e vërtetë e përfshin etikën si ndërtim i brendshëm të individualitetit dhe estetikën si përfaqësim të jashtëm të identitetit. Në fakt, ajo lidhet kryesisht me atë që në thelb e përcakton një person në sytë e të tjerëve, ndërsa përligjja kërkohet te ajo që e kërkon trupi ose egoja. Këtu vjen momenti që e ndan disiplinën sipërfaqësore nga transformimi i brendshëm i vërtetë.
Është një heqje dorë nga pushteti për një arsye themelore; të qëndrosh sipër, të menaxhosh energjinë dhe qëllimet e komunitetit, të qëndrosh në qendër të vëmendjes, një akt në të cilin çlirohet nevoja për ta konfirmuar veten përmes sundimit. Është një kthim në një gjendje ku njeriu ekziston pa nevojën për të sunduar, ku prania varet nga stabiliteti i tij i brendshëm dhe qetësia, pa pasur nevojë për reflektimet e syve të të tjerëve, pa intonacionin e dëgjimit të të tjerëve.
Një heqje dorë e tillë është e rrallë sepse kërkon guxim të dyfishtë; guximin për të braktisur pushtetin dhe rehatinë, si dhe guximin për t’u bërë “askushi” pa rezistencë, sepse të dy aktet atë e çarmatosin nga etika që e kalit individualitetin dhe manifestimi që e shpreh identitetin, ato që e bëjnë një person të fortë brenda, dhe të dallueshëm në komunitet. Në një botë ku vlera shpesh vjen përmes dukjes, ndikimit dhe kontrollit, heqja dorë nga pushteti do të thotë të pajtohesh me vetminë, të biesh dakord të tërhiqesh në heshtje, një hapësirë ku konfirmimet zhduken dhe egoja lihet rehat.
Ndërsa vetmia dhe heshtja e heqin velon, ato po ashtu i largojnë të gjitha konfirmimet nga jashtë dhe e lënë njeriun vetëm me veten, duke hapur një pasqyrë në të cilën reflektohet forca e brendshme e tij e vërtetë. Këtu dëshmohet nëse asketizmi ishte i vërtetë apo thjesht një rol, një akt që ushqehej nga vëmendja e të tjerëve. Prandaj, ky mendim delikat, përveçse është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj politikanëve; është gjithashtu një paralajmërim për këdo që zotëron ndonjë formë pushteti, qoftë në familje, në shoqëri, në rreth apo ndikim, sepse çdo pushtet mbart të njëjtin tundim; ta njohësh momentin kur të jesh sipër do të thotë ta braktisësh, e jo ta mbash.
Sepse pushteti, përveçse ndodh në institucione; është i pranishëm edhe në çdo marrëdhënie ku dikush mund ta kontrollojë tjetrin, në të gjitha situatat e vogla dhe të mëdha në të cilat pushteti krijon kufij dhe formëson sjelljen. Dhe i njëjti rregull vlen kudo; liria më e madhe vjen nga aftësia për ta hequr dorë prej saj. Ajo vjen nga një siguri e brendshme që nuk kërkon konfirmim përmes pushtetit, ndërsa dobësohet ndjeshëm gjatë zotërimit të tij. Në fund, Sufjan el-Theuri e çon çdo njeri në një të vërtetë të ashpër, por çliruese – një asketizëm që nuk është në gjendje ta përfshijë pushtetin është i paplotë, sepse ai mund ta fisnikërojë sjelljen në publik, por thellë brenda do ta lëndojë zemrën, sepse zemra mbetet e lidhur me reflektimet e pushtetit.
Në momentin kur një njeri arrin të largohet nga pushteti pa mërzi, pa frikë dhe pa nevojën për t’u kthyer; vetëm atëherë heqja dorë e tij bëhet e vërtetë, duke pushuar kështu së kërkuari konfirmim të vlerës së tij. Vetëm si i tillë ai fillon të jetojë midis njerëzve, me veten dhe botën në një ekuilibër të qetë që nuk varet më nga kornizat e jashtme, pa pasur nevojë të imponohet mbi të tjerët.
