Nga: Fatmir Baçi
Kur diçka shndërrohet në zakon, ajo humbet shkëlqimin, pushon së pulsuari dhe të zbulohet në vazhdimësi; mbyllet në parashikueshmëri, në funksionin mekanik të privuar nga habia. Zakonet, nga natyra e tyre, nuk janë krijim, por qetësim i tensionit midis qenies dhe gjërave; ato janë amputim i padukshëm i entuziazmit, zhdukje e qetë e dritës që dikur dridhej në sytë e zbulesës.
Ajo që dikur e përjetonim si festë të papërsëritshme të njohjes, me kalimin e kohës reduktohet në sfond, në diçka që ekziston, por nuk rrezaton më. E shohim, por nuk e vështrojmë. Marrim pjesë, por nuk angazhohemi. E ndiejmë, por nuk drithërojmë. Ky është gjurma që lë zakoni, rruga që çon nga ekstaza te indiferenca, nga zbulimi te rutina.
Si ndodh kjo? Zakoni nuk njeh origjinalitetin; për të është më e rëndësishme këmbëngulja. Si uji që pa nxitim gdhend gurin, ashtu edhe zakoni pandërprerë gdhend ndjenjën e misterit. Shenjtëria e përjetimit zhduket, thellësitë e tij shndërrohen në praktikë të thjeshtë, unikësia mbështillet në formën e përsëritjes. Bota pak nga pak reduktohet në përdorim, në një matje që nuk mat vlerën sipas së vërtetës së brendshme, por sipas kërkesës së jashtme, sipas vlerësimit të tregut.
Dhe pastaj arrijmë te momenti kyç: vlera nuk është më ajo që është, por ajo që mund të përdoret. Bukuria humbet nëse nuk ka aplikim, sekreti shfuqizohet nëse nuk është menjëherë i dobishëm. Arti, mendimi, ndjenja; të gjitha iu nënshtrohen kriterit të efikasitetit, ndërsa bota përreth nesh bëhet katalog gjërash që kanë çmim, por humbasin shpirtin e tyre.
Megjithatë, ekziston diçka që i reziston zakonit, diçka që i shmanget rregullave të përsëritjes dhe mbetet gjithmonë e freskët. Kjo është mistika. Kjo është ajo që refuzon të jetë e burgosur në formën e funksionit, ajo që nuk mund të reduktohet në dobishmëri, ajo që pulson përtej kufijve të rutinës. Mistika është ajo që gjithmonë vjen në mënyrë të papritur, që nuk mund të konsumohet, sepse gjithmonë rinovohet dhe tejkalon vetveten. Në të, zbulimi vazhdon. Në të, shenjtëria mbijeton. Në të, jeta nuk është vetëm një seri veprimesh të përsëritura, por një lumë që nuk rrjedh dy herë në të njëjtin drejtim.
Përvojat mistike vijnë si drita e papritur në muzg, sikur të lindnin për herë të parë, pa lënë gjurmë të së kaluarës pas vetes. Është një vështrim që nuk plaket, një fjalë që nuk vyshket, një prani që nuk bëhet rutinë, sepse ajo që është mistike nuk përsëritet kurrë. Vlera e tyre nuk matet me shifra, nuk mund të zëvendësohet, të shitet ose të shkëmbehet për ndonjë dobi. Ato nuk konsumohen. Ose, të paktën, njeriut nuk i është dhënë mënyra për t’i shndërruar në formë të përdorshme. Prandaj tregu nuk mund t’i kapë, sepse do t’i shkatërronte, do t’u thante freskinë e tyre origjinale, do t’u vriste lirinë.
Pikërisht për këtë arsye, përvojat mistike nuk i përkasin kohës, por zgjasin në hapësirën e së tashmes së përhershme; në to nuk qëndrohet si mysafir, por si banor që nuk e zotëron kurrë hapësirën, por vazhdimisht e zbulon. Njeriu i njeh këto fenomene nga mënyra si e zënë gjithmonë të papërgatitur. Nga fakti që nuk janë kurrë plotësisht të shpjeguara, kurrë të “përpunuara” deri në fund, kurrë të shteruara. Mistika nuk bëhet kurrë plotësisht e njohur, sepse ajo që mund të njihet deri në fund, pushon së qeni mistike.
Dhe këto përvoja nuk janë të mëdha, monumentale, të largëta. Jo, ato shfaqen në diçka dukshëm të thjeshtë; një aromë e papritur që zgjon një kujtim, një heshtje aq e thellë sa që në të kumbon mendimi i vetë njeriut, një fjali e ndritshme që gdhendet në thelbin e qenies.
Mistika nuk konsumohet. Madje edhe kur preket me fjalë, ajo mbetet e paprekur, e padëmtuar nga çdo përpjekje për ta shpjeguar. Prandaj poezia, dashuria, vdekja i përkasin kësaj sfere; ato mbijetojnë jashtë rrezes së dobisë, jashtë mundësisë së atyre që do të donin t’i kapnin, t’i katalogizonin, t’u caktonin një çmim. Ato janë ajo që nuk mund të konsumohet, sepse ajo që është mistike gjithmonë i shmanget prekjes që do të përpiqej ta pushtonte.
Gjithmonë ka qenë një enigmë e madhe si të ruhet ajo që nuk mund të shterohet; ajo vlerë që refuzon të shndërrohet në zakon, ndoshta do të ishte shumë më e madhe dhe më e fuqishme se ndarja e atomit. Por kjo nuk është atom, që njeriut i është dhënë për përdorim, kjo është pronë e të Gjithëfuqishmit. Një e tillë e paprekshme i është dhënë vetëm njeriut, por që të hyjë aty, si një mysafir i nderuar në një dhuratë të fshehtë. Një dhuratë si hapësira midis dijes dhe misterit, midis asaj që mund të kuptohet dhe asaj që mund të ndjehet vetëm. Që të furnizohet me të dhe të vazhdojë. Njeriu nuk është pronar.
Për çdo pyetje rreth misterit, përgjigjja nuk është as e thjeshtë as përfundimtare. Ndoshta fillon me refuzimin për ta reduktuar jetën tonë në një funksion, në një seri hapash të përcaktuar paraprakisht, të cilët ndjekim pa vetëdije mbi kuptimin e tyre. Ndoshta fshihet në guximin për të mos ditur gjithçka paraprakisht, për t’ia lejuar vetes të jetë i befasuar, për të qëndruar përpara asaj që nuk mund të shpjegohet; dhe ta respektojë. Jo si diçka të zakonshme, jo si të dobishme, por si të shenjtë, si një prani që nuk është aty për t’u kuptuar, por për të paralajmëruar një burim më të thellë, për të lidhur njeriun me të pashprehurën.
Por përditshmëria e trajton një qëndrim të tillë si rebelim, si një mosbindje të papranueshme. Sepse në një botë që mat gjithçka, rezistenca më e thellë është të mos matësh. Në një botë ku vlera është e lidhur me shifrat, me çmimet, me shkëmbimin, misteri perceptohet si tepricë. Por ai nuk mund të jetë tepricë. Sepse kur nuk mund të përcaktohet kur është e mjaftueshme, nuk mund të bëhet as e tepërt.
Poezia bëhet luks, heshtja ose një pëshpëritje e lehtë bëhen të dyshimta, festat fetare përbuzën; jo sepse e kanë humbur thelbin e tyre, por sepse tregu nuk mund t’i kapë, t’i formësojë, t’i shesë. Nuk mund të shndërrohen në produkt, nuk mund të paketohen në shifra, prandaj bota i refuzon nga frika e tyre e pakapshme. Por pikërisht kjo pamundësi për t’u konsumuar, për t’u shteruar, i bën ato të vetmen liri të vërtetë në një botë që regjistron, vlerëson dhe çmon gjithçka.
Misteri nuk mund të blihet, nuk mund të zotërohet; ai vetëm mund të jetohet. Dhe pikërisht për këtë arsye, ai është oaza e fundit kundër botës që dëshiron të robërojë çdo gjë në përdorim.
Pavarësisht se çfarë pranon tregu, me çfarë dinamike vlerëson, sa përpiqet sistemi të reduktojë gjithçka në shifra, prapëseprapë ekzistojnë dhoma brenda njeriut që mbeten të paprekura nga këto matje; hapësira ku banojnë më të thellat, më seriozet dhe më të vërtetat. Ato janë të përbëra nga drejtësia, dinjiteti, nderi; nga marrëdhënie që janë të padukshme për syrin, por të pranishme në shtresën më të thellë të qenies.
Sepse ajo që i përket të vërtetës nuk mund të jetë aktrim. Aktrimi ndodh para syve të të tjerëve, para gjykimit të botës, para auditorit që mat reagimet, por e vërteta mbetet e paprekshme nga kjo lojë.
Poezia? Po, poezia ka një fije aktrimi, por vetëm në fazën e saj të fundit; kur tashmë është dëshmuar, kur është formësuar në fjalë, por jo në marrëdhënien mes poetit dhe poezisë. Ky raport është gjithmonë mistik, sepse poezia mbetet përpjekja e fundit për të thënë atë që nuk mund të reduktohet në një përkufizim.
Dashuria e vërtetë? Nuk është thjesht një ndjenjë, nuk është një emocion i çastit, por një “po” e madhe drejtuar Krijuesit të universit dhe njeriut. Kjo “po” nuk është vetëm përkushtim; është një formë adhurimi, një njohje ndaj atij që i vetmi meriton të jetë i dashur në formën e tij të plotë, të pastër, të papërkufizueshme.
Mendimi i vërtetë? Nuk është një rrugë e sigurt, nuk është një shteg i qartë i shënuar. Është një ecje nëpër mjegull, por me besim, me bindje; një kërkim për dritën që ndoshta nuk do të bëhet kurrë diell, por që ngroh ndryshe, më butë, më thellë, me një ngrohtësi që nuk kërkon ndriçim, por prani.
Të gjitha këto dukuri ekskluzivisht njerëzore—dashuria, mendimi, arti—nuk mund të programohen, as të sistematizohen, as të shndërrohen në zakon. Ato vijnë papritur: si frymëmarrje, si pulsim, si rrufe në natë. Dhe kalojnë shpejt, por në atë shkëlqim të shkurtër zbulojnë më shumë sesa njëqind vite rutinë. Sepse ajo që nuk mund të shterohet, që refuzon të bëhet e përdorshme, gjithmonë mbetet e freskët, gjithmonë mbetet e shenjtë.
Ajo që i shpëton zakonit nuk është dobësi, por forcë. Nuk është mungesë rregulli, por prania e thellësisë, hapësira ku çdo rend i vërtetë gjen mbështetjen e tij. Sepse fenomene të tilla nuk vijnë që të zgjasin brenda kohës lineare, por për të na shkëputur nga ritmi i saj, për të na futur në atë që nuk njeh kufijtë e sekondave, ditëve, viteve. Ato nuk kërkojnë të zotërohen, nuk kërkojnë të kontrollohen; kërkojnë që t’u dorëzohemi.
Mistika nuk është çështje forme, as zbukurim stili. Nuk është ikje, por zhytja më e thellë, zbritja përmes shtresave të qenies deri në pikën ku nevoja për përkufizim pushon, ku kuptimi nuk është diçka që shpjegohet, por diçka që përjetohet. Këtu qëndron konflikti kyç: një botë që dëshiron të zotërojë gjithçka, së pari duhet të gjejë një mënyrë për ta matur. Sepse ajo që nuk mund të matet, ajo që i shmanget shifrave, tabelave, çmimeve, automatikisht shpallet e pavlerë.
Por vlera nuk gjendet në shifra, as në mundësinë e shkëmbimit; vlera gjendet në ekzistencën vetë. Ajo është në heshtjen që nuk kërkon justifikim, në dritën që nuk varet nga reflektorët, në ndjenjën që nuk mund të katalogohet. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo që është vërtet e pakapshme mbetet e pamundshme për t’u shndërruar në përdorim, në sistem, në treg.
Këto janë fenomene që nuk mund të kapen, sepse veçoria e tyre nuk është të jenë të burgosura; por që të vijnë gjithmonë përsëri, të paparalajmëruara, të papritura, të befasishme. Dhe në atë shkëlqim të shkurtër, në atë shpërthim të paplanifikuar, ato zbulojnë më shumë sesa njëqind vite rregulli mund të sjellin.
Ekziston një botë tjetër; një botë që ende mban mend pëshpëritjet, që ende di të ngrejë pëllëmbët drejt qiellit përballë të pashprehshmes, që di të mos kërkojë të gjitha përgjigjet, sepse e di që jo gjithçka që ekziston është e shpjegueshme për njeriun dhe për njerëzimin. Kjo botë nuk tregton kuptimin, ajo e kërkon; nuk e shndërron realitetin në funksion, por në praninë. Nuk jeton në zakon, por në vigjilencë.
Prandaj çdo krijim që nuk buron nga dobia, por nga nevoja e brendshme, është një akt rezistence kundër sistemit që dëshiron ta kthejë çdo gjë në përdorim. Poezia nuk shkruhet vetëm për t’u pëlqyer, por për të thënë të vërtetën. Adhurimi i Zotit të botëve nuk formohet për të qenë i pranueshëm nga sytë dhe veshët e të tjerëve, por për të qenë i përjetuar brenda njeriut, që ai të njohë veten. Çdo heshtje që njeriu zgjedh mbi zhurmën, çdo lutje drejtuar me mall ose gëzim, çdo çast i lidhjes së sinqertë të brendshme—të gjitha këto janë gjurmë të një bote që i reziston logjikës së tregut, sepse vlera e saj nuk mund të reduktohet në shifra.
Ndoshta këtu qëndron vlera e fundit dhe më e fshehur e asaj që refuzon të bëhet zakon; ajo na kujton se njeriu nuk është mall, nuk është një seri nevojash, nuk është thjesht një sistem funksionesh. Njeriu, edhe kur hesht, është më i madh se përkufizimet e tij. Dhe e padukshmja, ajo që nuk mund të shitet ose të zotërohet, mbetet shtresa më e rëndësishme e ekzistencës; sepse në të fshihet ajo që zgjat, ajo që nuk njeh kufijtë e dobisë, ajo që pulson me dritën e së vërtetës së brendshme.
Tregu dhe vetëdija e tij nuk e durojnë boshllëkun. Gjithçka që nuk mund të reduktohet në funksion, në dobishmëri, në numër, bëhet një pengesë e rrezikshme për logjikën e tij. Ai kërkon përgjigje të sakta: sa vlen(?), çfarë ofron(?), sa zgjat(?). Sepse ajo që i shmanget këtyre pyetjeve, ajo që refuzon të renditet në sistemin e përdorimit, bëhet e huaj, e padëshiruar, e tepërt.
Ekzistojnë dukuri që vijnë nga sfera e së pakapshmes; mistika, poezia, heshtja. Ato nuk mbërrijnë me marrëveshje, nuk kërkojnë të racionalizohen, nuk shfaqen sipas rregullave të parashikuara. Ato nuk mund të maten, sepse nuk lindin nga pyetje të këtij lloji, as nuk i shërbejnë nevojave të tilla. Fenomenet mistike nuk janë aty për të dhënë përgjigje, por për t’u përjetuar, për t’u ndjerë në praninë e tyre. Ky është një botë që e njohim, por nuk mund ta kuptojmë plotësisht.
“Pse”-ja e tyre nuk është racionale, por e thellë. Ekzistenca e tyre nuk është funksionale, por e domosdoshme, sepse ajo që nuk mund të paketohet dhe të shitet përfaqëson rezistencën më të thellë kundër logjikës së tregut. Ato nuk janë mall, nuk janë vlera të konsumueshme, nuk janë objekte shkëmbimi. Prandaj bëhen të dyshimta në sytë e një sistemi që dëshiron ta reduktojë çdo gjë në përfitim, në përdorim, në numër.
Dhe pikërisht për këtë arsye, prania e tyre nxjerr në pah boshllëkun themelor të sistemit që tregu pretendon të jetë. Mistika, poezia, heshtja—ato mbijetojnë si liria e fundit, si hapësira që nuk mund të futet në tregti, si pika e nisjes së kundërshtimit, refuzimi për të pranuar logjikën e numrave, sistemin e përdorimit, një botë ku vlera barazohet me konsumimin.
Tregu thotë: “Ekzistoj sepse mund të shkëmbehem.” Ndërsa poezia përgjigjet: “Ekzistoj sepse tingëlloj brenda teje, që ti të bëhesh Ti.”
Tregu kërkon matje: “Vlen aq sa është kërkesa, sa të duan.” Ndërsa mistika pëshpërit: “Vlen aq sa mund të dridhesh përpara Krijuesit të botëve, të Padukshmit.”
Në këtë diferencë shtrihet e gjithë drama e njeriut modern; një qenie që ditën lufton për të mbijetuar, ndërsa natën pyet veten pse ndien zbrazëti. Lidhja ekzistenciale e qenies njerëzore qëndron në faktin se bota e arsyeshme gabimisht mistifikon, ndërsa bota mistike përpiqet të racionalizohet. Pamundësia është e dyfishtë, dhe kaosi është i përgjithshëm.
Në vend që të jetonte në rregull dhe kënaqësi, njeriu zgjodhi të aktrojë. Pse? Sepse hapësirat më të thella të qenies së tij—ato ku banojnë heshtja, parandjenja, e pashpjegueshmja—të gjitha janë shtyrë në cep, të shkelura nën rrotën e efikasitetit.
Por pikërisht në këto hapësira të fshehura, në atë që nuk mund të sistematizohet, njeriu banon vërtet. Jo në rol, jo në punë, jo në komunikimin e ngurtë; por në çastet kur nuk di kush është, por e di që ekziston. Kur nuk është i sigurt se çfarë dëshiron, por e di që dëshiron diçka që nuk mund të emërtohet, diçka që është e paçmueshme. Kur hesht, por ndjen praninë.
Këto janë dritaret përmes të cilave frymon shpirti i tij. Këto janë momentet kur ekzistenca rrezaton. Ky është thelbi që refuzon të reduktohet në shifra, në dobishmëri, në funksion. Kjo është ajo që nuk mund të kapet, ajo që mbetet e lirë.
Ajo më e rëndësishmja tek njeriu nuk është çështje e një vendimi të vetëdijshëm, por rezultat i një harmonie të thellë me parimet që burojnë nga Zoti i botëve. Dashuria për të Gjithëfuqishmin, poezia, frymëzimi, mendimi i vërtetë—të gjitha janë dhurata që vijnë nga hapësira që nuk janë pronë, që nuk janë objekt i logjikës njerëzore.
Ato nuk mund të mësohen, nuk mund të planifikohen sipas parimit “nëse-atëherë”; nuk fitohen, ato ndodhin. Ekzistenca e tyre nuk buron nga vullneti, por nga prania.
Pikërisht për këtë arsye, ajo që është vërtet e vlefshme tek njeriu gjithmonë vjen si befasi; dhe në çdo shfaqje të saj të përsëritur duket e freskët, e re, pothuajse e papritur. Pavarësisht këtij cilësimi, ajo gjithmonë shmanget nga emërtimet.
Poezia është përpjekja për të thënë atë që i shpëton gjuhës, dhe për pasojë, arsyes.
Dashuria është takimi me të Gjithëfuqishmin, të Panjohurin, por atë që është e qartë në njohjen tonë; atë që nuk duam ta ndryshojmë, sepse e dimë që është më e bukur dhe më madhështore se imagjinata jonë.
Mendimi i vërtetë? Është ecja drejt së padukshmes, mall për të prekur konturet e një bote që i shpëton kuptimit tonë përfundimtar, duke e ditur se, pavarësisht përpjekjes, do të mbetemi pa përgjigje.
Por ndoshta pikërisht aty qëndron fuqia e saj. Mistika nuk kërkon shpjegim; ajo kërkon prani. Dukuri që sjellin dritë në të çarat e jetës nuk vijnë me ftesë, por kur ndalojmë së prituri; kur dorëzohemi ndaj të paqartës, kur pranojmë se nuk mund të kuptojmë gjithçka. Ato nuk lindin nga nevoja për t’i zotëruar, por nga çastet e heshtjes së brendshme, nga hapësira ku ndalojmë së mbrojturi nga e pashprehshmja. Nuk zgjasin shumë; si vetëtima në mes të një nate të errët, ndriçojnë peizazhin për një çast, dhe ai çast ndryshon gjithçka.
Sepse në ndjenjën nuk mbetet vetëm drita, por edhe gjurma e saj; kujtesa e formave që nuk dinim t’i shihnim, e thellësive që përditshmëria i harron vazhdimisht, e vetëdijes se nuk është vetëm drita ajo që zgjat, por jehona e saj që pulson brenda nesh.
Ajo që nuk mund të sistematizohet, që nuk mund të përsëritet në mënyrë artificiale, që nuk mund të shndërrohet në zakon, nuk është e tillë për shkak të kaosit, por për shkak të gjallërisë së saj. Dukuri të tilla nuk janë statike, nuk u nënshtrohen një rendi, nuk paketohen në parashikueshmëri. Ato mbeten të freskëta jo sepse ndryshojnë, por sepse gjithmonë zbulohen sërish. Prandaj dashuria për Krijuesin e botëve nuk mund të bëhet rutinë; sepse atëherë pushon së qeni dashuri. Prandaj poezia nuk mund të bëhet punë; sepse atëherë pushon së qeni pasion, entuziazëm, flakë e brendshme. Prandaj mendimi i vërtetë nuk mund të bëhet produkt; sepse atëherë nuk është më një udhëtim, por një rezultat, i mbyllur dhe i ngrirë.
E njeriu? Njeriu që ende di të habitet, të befasohet, të njohë një rrugë që nuk është e shtruar paraprakisht—ai nuk është i humbur. Ai merr frymë përmes dritareve të shpirtit të tij, ndjen një prani që nuk lidhet me funksionin, nuk kufizohet nga dobia. Sepse ajo që vërtet mbetet nuk është vetëm drita kalimtare, por jehona e saj brenda nesh, hija e saj në vetëdijen tonë, heshtja e saj që nuk zhduket.
Ajo që nuk mund të blihet, nuk mund të përdoret, nuk mund të ruhet në shifra; mbetet e lirë. Mbetet e paçrrënjosur. Mbetet si hapësira e fundit e rezistencës ndaj një bote që përpiqet ta fusë çdo gjë në kornizat e konsumit.
Zakoni mund të kthejë mrekullinë në sfond. Mund të bëjë që lindja e diellit të mos magjepsë më, që zëri i të dashurit të bëhet vetëm një tingull mes mijëra të tjerëve, që prania e një fjale të bukur të mos shkaktojë një dridhje në zemër; sepse merret si e mirëqenë. Por ajo që merret si e mirëqenë, gradualisht di edhe të zhduket.
Heshturazi, në mënyrë të pavërejtshme, pa një lamtumirë zyrtare, humbet në rutinën e debateve të përditshme dhe përmbledhjeve, ku emocionet bëhen algoritme rutinore, dhe bukuria bëhet diçka që nuk meriton vëmendje të veçantë.
Zakoni fik entuziazmin. Brenda kornizave të tij nuk ka hapësirë për habi, sepse çdo gjë është parë tashmë, çdo gjë është thënë tashmë, çdo gjë është e njohur; dhe ajo që është e njohur nuk kërkon një shikim të ri. Atje ku nuk ka habi, shpirti nuk ndjen më lartësitë, nuk ka nevojë të rritet, nuk ka arsye të zgjerohet përtej kufijve të tij.
Diçka e tillë ndodh sepse zakoni anon kah mesatarja, siguria, e njohura, ndërsa habia kërkon sinqeritet, ndjeshmëri, hapje. Këto dy forca rrallë mund të ndajnë të njëjtën hapësirë, sepse zakoni është një formë kontrolli, ai thotë: “E di çfarë vjen më pas.” Por habia? Ajo nuk vjen sipas një rendi të caktuar. Nuk kërkon leje. Hyn pa trokitur. Sjell të panjohurën.
Pikërisht për këtë arsye, njeriu përballet me konflikte të brendshme, në tension të vazhdueshëm. I shtrirë mes dy kundërshtive. Nga njëra anë, dëshiron paqe, stabilitet, përsëritshmëri, siguri në strukturën e botës. Nga ana tjetër, në mënyrë të vërtetë ai lakmon atë që e tejkalon, atë që e kapërcen, atë që e prek deri në thelb, atë që e rrëzon dhe e ngre sërish; ai lakmon përjetimet që nuk janë të parashikueshme, por që i japin ndjenjën se është gjallë.
Sepse ajo që është e vërtetë nuk mund të burgoset në zakon. Ajo gjithmonë pulson. Vetëm duhet të mësojmë sërish si të shohim.
Po, ndodh. Ndonjëherë, në një çast të heshtur të botës, diçka e rastësishme hap një dritare që ka qenë e mbyllur për vite. Një aromë, një ngjyrë, një pyetje; dhe papritur ajo që ka qenë e fshehur bëhet e dukshme. Jo si diçka e re, por si diçka e parë sërish. Kjo është mrekullia. Jo zbulimi i panjohurës, por ribashkimi me atë që ka qenë aty gjatë gjithë kohës. Jo largimi nga përditshmëria, por hyrja në të me një zemër të zgjuar.
Këtu fillon detyra e lidhjes mistike me Krijuesin e botëve. Çdo herë kur paraqitesh, i afrohesh i zbrazët dhe i lodhur, por largohesh i mbushur dhe i çlodhur. I afrohesh në hapësirën e poezisë, për të ndier se ajo nuk do të lejojë që zakoni ta mbytë dritën. Për të ruajtur hapësirën për habinë, për atë dridhjen e papritur që rrëzon sigurinë mekanike të ditës. Sepse habia është gjuha e shpirtit, ajo që i mundëson të rritet.
E zakoni? Zakoni e zbut realitetin që nuk befason më, që nuk lejon që jeta të pulsojë me çaste të papritura njohjeje.
Dhe për aq kohë sa shpirti ka diçka për të thënë, njeriu nuk është i harxhuar. Për aq kohë sa brenda tij ekziston diçka që nuk mund të zbutet nga zakoni, ai nuk është i humbur; ai është i pranishëm, i ndjeshëm ndaj asaj që nuk mund të blihet, as të programohet, as të parashikohet.
Njeriu nuk mund të dorëzohet dhe të mbrohet njëkohësisht. Nuk mund të mbajë armën ndërsa përpiqet ta flakë atë, nuk mund të kërkojë lirinë ndërsa vazhdon të mbahet fort pas zinxhirëve. Nuk mund të mendojë dhe të tregtojë në të njëjtën kohë; sepse mendimi kërkon sinqeritet, ndërsa tregtia kërkon kalkulim.
Dashuria, sidomos ajo për Krijuesin, poezia, mendimi i sinqertë, filantropia; nuk janë ekonomi. Ato ecin në një drejtim të vetëm, nuk kërkojnë shkëmbim, por dorëzim. Sepse gjithçka që njeriu përpiqet ta zotërojë, pushon së transformuari atë. Mrekullia nuk mund të kihet, ajo vetëm mund të përjetohet.
Por zakoni kërkon që çdo gjë të jetë e kapshme; mjaftueshëm e njohur, krejtësisht e parashikueshme, saktësisht e paketuar. Kështu ajo që është më e vlefshme shndërrohet në neutrale, dhe ajo që është më e shenjtë bëhet një mjet i konsumit, diçka që nuk njihet, por vetëm përdoret.
Ky është thelbi i jetës në këtë botë; kur diçka bëhet “e dhënë”, njeriu ndalon së ndjeri atë si dhuratë. Pa vetëdije mbi dhuratën, nuk ka mirënjohje. Pa mirënjohje, nuk ka habi. Pa habi, nuk ka njohje të gjuhës së shpirtit.
Zakoni, në këtë kuptim, është një harresë shpirtërore; nuk fshin faktet, por fshin thellësinë e tyre. Në të, shikimi mbetet i njëjtë, por nuk sheh më.
Dhe këtu fillon beteja; për të ruajtur të pashprehshmen nga harresa, për të mos lejuar që e shenjta të reduktohet në zakonshmëri, për të mbrojtur atë që pulson nga shuarja në rutinë.
Në ekonomi, vlera përcaktohet nga oferta dhe kërkesa. Numrat negociojnë, shkëmbimet diktojnë, çdo vlerë duhet të ketë një kundërvlerë. Por në dashuri, poezi, mendim të sinqertë dhe filantropi; vlera nuk matet, ajo ndihet, shkon për të të pritur në pragun e përjetësisë.
Ekonomia pyet: “Nëse dëmtohem, çfarë marr në këmbim?” Poezia pyet: “Çfarë mund të jap që ti të zbulosh veten, pa kërkuar shpërblim?” Dhe pikërisht në atë thjeshtësi, në atë “nuk pres asgjë”, krijohet një hapësirë ku njeriu nuk është më konsumuesi i botës, por bashkëfajtor i saj.
Por si njihet kjo në përditshmëri? Si mund të zbatohet diçka që nuk shitet, që nuk ka çmim, që nuk mund të këmbehet për ndonjë përfitim tjetër? Duke kuptuar se dashuria, poezia, mendimi i sinqertë dhe filantropia jetojnë në atë që nuk është e leverdishme; në atë që nuk llogaritet, që nuk analizohet përmes prizmit të tregut.
Lehtë mund të dallohen, sepse ato mbartin peshën e dinjitetit, dritën e nderit njerëzor, shkëlqimin e një diamanti të tejdukshëm që pulson në kraharor.
Edhe më lehtë është t’i zbatosh; në atë që nuk mund ta shesësh as ta blesh, në mënyrën se si një fëmijë të shikon, duke pritur një buzëqeshje. Në aromën e gjethes së dafinës mbi pëllëmbët. Në heshtjen mes dy njerëzve që kuptohen edhe pa fjalë.
Këto janë çastet ku vlera nuk ka nevojë për shpjegim.
Aty ku zakoni kërkon automatizëm, dashuria, poezia, mendimi i sinqertë dhe filantropia kërkojnë vëmendje.
Aty ku zakoni kërkon efikasitet, dashuria, poezia, mendimi i sinqertë dhe filantropia kërkojnë ngadalësim. Aty ku zakoni kërkon rezultat, dashuria, poezia, mendimi i sinqertë dhe filantropia kënaqen me praninë.
Pikërisht për këtë arsye, dashuria, poezia, mendimi i sinqertë dhe filantropia nuk janë të përhershme; jo sepse zhduken, por sepse nuk i përkasin një bote që vijon në intervale të rregullta. Ato janë çaste, shkëlqime, lëvizje të zemrës që dëshmojnë se gjërat më të bukura janë shumë të çmuara për t’u lidhur pas kohës.
Shfaqen jo për të zgjatur, por për t’i treguar njeriut se plotësia e këtyre ndjenjave i përket përjetësisë. Asaj hapësire të “tashmes”, që nuk njeh kalendar, nuk numëron ditë, nuk ndjek rregullat e përsëritjes.
Prandaj dashuria, poezia, mendimi i sinqertë dhe filantropia nuk mund të bëhen kurrë zakon. Sepse ato nuk jetojnë në përsëritje, por në zgjim. Nëse përpiqesh t’i përsëritësh, nëse i mbyll në formë, nëse i bën të parashikueshme, vdesin në duart e tua; si një flutur.
Por nëse i lë të ikin, ndoshta kthehen tek ti. Jo të njëjtat, por ndryshe. E ti? Nuk do të jesh më i njëjti.
Zakoni është përpjekja për ta reduktuar përjetësinë në një model. Për ta përkthyer misterin e jetës në dobishmëri, për ta zgjidhur enigmën me një formulë që mund të përsëritet. Por ajo që vërtet prek shpirtin, ajo që prek thelbin e njeriut; nuk mund të përsëritet. Nuk mund të mësohet përmendësh, nuk mund të paketizohet në rutinë. Sepse për një takim të vërtetë, për një pyetje të vërtetë, për një varg të vërtetë; çdo herë është hera e parë.
Shpirti është i përjetshëm, i endur brenda një trupi kalimtar. Pikërisht për këtë arsye, nuk habitet lehtë nga gjërat sipërfaqësore, përveç nëse ato prekin njohjen, nëse depërtojnë më thellë se një ngjarje e zakonshme. Përvoja shpirtërore, nga natyra e saj, nuk është kurrë identike; ajo nuk përsëritet, por vjen si befasi.
Nuk është çështje nëse diçka ka ndodhur, por nëse ka qenë e gjallë, e vërtetë, në harmoni me të tashmen e përhershme. A ka qenë prania e vërtetë në atë çast, a është ndjerë dridhja që nuk i përket përsëritjes, por asaj që pulson brenda. Sepse ajo që është vërtet e çmuar, gjithmonë vjen papritur; nuk ndjek rregulla, por i kapërcen ato, nuk vjen me thirrje, por në momentet kur nuk e presim.
Po, ndodh. Një çast diçka dridhet brenda teje, diçka që zakonisht është e qetë, e padëgjueshme, por papritur zemra rreh më shpejt. Zakoni nuk e vret gjënë vetë; ai vret aftësinë tonë për ta përjetuar.
Prandaj nuk mund të shohësh dy herë të njëjtin qiell. Sepse as ti nuk je më i njëjti. Nuk mund të ndjesh dy herë të njëjtin moment. Sepse ai nuk është më i njëjti.
Dashuria, poezia, mendimi i sinqertë dhe filantropia ekzistojnë pikërisht për të na rikthyer në ndjenjën e “herës së parë”; për të na risjellë në vetëdijen e mrekullisë së ekzistencës. Detyra e tyre nuk është të na argëtojnë, as të na shpjegojnë diçka. Qëllimi i tyre është të na zgjojnë. Të na detyrojnë të ndiejmë atë që kemi filluar ta marrim si të mirëqenë. Të mos e supozojmë botën.
Të kuptojmë se nuk ka asgjë në univers që është “thjesht e dhënë”; çdo gjë është dhuratë, çdo gjë është një mundësi për të parë, për të njohur, për ta përjetuar sërish.
Dhe në atë çast, njeriu nuk pyet “çfarë tani?”, por “si është e mundur që ekzistoj?”. Dhe kjo pyetje nuk ka çmim, sepse nuk lind nga nevoja, por nga mirënjohja. Sepse mirënjohja është hapësira e fundit e lirisë; momenti kur njeriu e di se nuk zotëron asgjë, por ka gjithçka.
Gjithë kurora e jetës manifestohet pikërisht përmes dashurisë, poezisë, mendimit të sinqertë dhe filantropisë; ato krijojnë hapësirën ku bota nuk funksionon sipas ligjeve të përsëritjes, por sipas ligjeve të pranisë. Ku është më e rëndësishme si shikon, sesa çfarë sheh. Ku fjalët nuk janë vetëm për komunikim, por për zbulesë.
Në gjuhën e zakonit, ndjenjat, fjalët dhe veprimet konsumohen; zhduken në automatizëm, në përsëritje, në pritjen e të njohurës. Por në gjuhën e dashurisë, poezisë, mendimit të sinqertë dhe filantropisë, fjalët çlirohen.
Ata nuk shpikin të reja, por ndriçojnë atë që ishte harruar. Prandaj i dashuruari, poeti, mendimtari i sinqertë dhe filantropi nuk e shpikin botën; ata thjesht e shikojnë më thellë. Ata nuk janë pronarë të kuptimit, por shërbëtorë të heshtjes nga e cila lind kuptimi.
Dhe kjo nuk është e mundur nëse i qasesh botës si diçkaje të njohur. Nuk është e mundur nëse mendon se e di çfarë është një pemë, çfarë është dashuria, çfarë është vdekja; sepse ato nuk janë terma, nuk janë përkufizime, nuk janë fjalë që mund të mbyllen brenda kuptimit.
Njerëzit që e shohin këtë si për herë të parë nuk janë ndryshe; ata janë të zgjuar. Ndjenja e tyre, fjala e tyre, veprimi i tyre nuk përsëritet mekanikisht. Ata nuk e krijojnë botën nga zakoni, por nga prania.
Por zgjuarsia është ajo që zakoni e duron më vështirë. Sepse ajo rrëzon sigurinë, sjell të papriturën, hap dritare drejt të panjohurës.
Në fund, mbetet ai mendim i lashtë, i lidhur me fijet e të gjitha fjalive të mëparshme:
“Ne çastin kur diçka bëhet zakon, humb fuqinë e mistikës dhe vlerësohet sipas çmimit më të zakonshëm të tregut.
Gjithçka që nuk mund të bëhet zakon, ruan fuqinë e befasisë dhe vlerësohet vetëm nga mistika; dhe për këtë arsye, nuk mund të vlerësohet mbi ndonjë bazë të shkëmbimit tregtar.”
