Close Menu
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Lajme
      • Kosovë
      • Rajon
      • Lindja e Mesme
      • Botë
      • Politikë
      • Kronikë e Zezë
    • OP-ED
      • Analiza
      • Ese
      • Opinione
      • Kolumna
    • SCI-TECH
      • Teknologji
      • Shkencë
    • Biznes
      • Investimi
    • Evente
    • Histori
    • Jetesë
      • Shëndeti
      • Këshilla
      • Ushqyerja
    • Sociale
    • Besimi
      • Edukim
      • Lutje (dua)
      • Qendrime
      • Studime në besim
      • Të ndryshme
      • Tema
    • SPORT
    Facebook X (Twitter) Instagram Pinterest
    Dija Online
    • Lajme
    • Evente
    • OP-ED
    • Të rekomanduara
    Dija Online
    Ju jeni në:Home»Fokus»PATETIKA DHE FJALA E SHKRUAR – Fatmir Baçi
    Fokus

    PATETIKA DHE FJALA E SHKRUAR – Fatmir Baçi

    RedaktoriBy Redaktori21-01-2026016 Mins Read
    Share Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    PATETIKA DHE FJALA E SHKRUAR - Fatmir Baçi
    PATETIKA DHE FJALA E SHKRUAR - Fatmir Baçi
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp LinkedIn Copy Link Pinterest Email Telegram

    Nga Fatmir Baçi

    PATETIKA DHE FJALA E SHKRUAR

     

    I – Patetika dhe përvoja e menjëhershme

     

    Patetika lidhet me mënyrën se si qenia njerëzore përjeton realitetin në çastin e ekspozimit të plotë. Ajo shfaqet aty ku përvoja ndodh më shpejt se mundësia për ta menduar atë, në një hapësirë ku reagimi i paraprin çdo renditje konceptuale të kultivuar. Në këtë regjim përvoje, njeriu gjendet i prekur nga bota përpara se të mund të veprojë mbi të, i përfshirë në një reagim që ende nuk ka marrë formë të përpunuar.

    Nga ky këndvështrim, patetika i përket përvojës njerëzore si përjetim i drejtpërdrejtë, i lidhur me intensitetin e çastit dhe me ekspozimin e qenies ndaj të papriturës. Përshkrimi i ndjenjës, përkundrazi, përbën një rend tjetër të raportit me përvojën, ku artikulimi kërkon distancë dhe përgjegjësi ndaj asaj që është përjetuar.

    Kujdes…!
    Përjetimi i patetikës ndodh në një kohë që i paraprin gjuhës, sepse lidhet me befasinë e çastit dhe me mungesën e distancës reflektuese, duke mbetur i ngulitur në përvojën e drejtpërdrejtë. Ndërsa përshkrimi i përket një kohe tjetër, asaj në të cilën përvoja tashmë ka kaluar dhe ka lënë gjurmë të vëzhgueshme. Kalimi nga njëra formë në tjetrën shënon një ndryshim rendi, dhe jo një vazhdimësi të drejtpërdrejtë.

    Patetika i përket njeriut sepse lind në çastin e goditjes, kur qenia përballet me diçka që e tejkalon dhe arsyeja mbetet përkohësisht e pezulluar. Goditja, në këtë kuptim, shënon një përballje që nuk reduktohet në karakter fizik ose emocional, por shpreh një ekspozim ndaj realitetit pa ndërmjetësim. Patetika lind në këtë pezullim të përpunimit racional, si shprehje e drejtpërdrejtë e qenies së vendosur përballë asaj që ndodh.

    Ajo shfaqet si përgjigje e drejtpërdrejtë e qenies njerëzore ndaj furisë së realitetit dhe përbën një përjetim të menjëhershëm, të pambartur ende në formë artikulimi. Kjo përgjigje i paraprin strukturimit të kuptimit dhe komunikueshmërisë së tij, duke ndodhur para çdo shpjegimi dhe para çdo përpjekjeje për ta vendosur përvojën në rendin e gjuhës. Patetika mbetet kështu e lidhur me përvojën si ngjarje, në dallim nga përshkrimi i atij përjetimi, ku peshën kryesore e bart mendimi si formë e përpunuar.

    Nga ky këndvështrim, patetika shfaqet si element i pashmangshëm i jetës, ndërsa fjala e shkruar i përket një rendi tjetër, ku kërkohet përgjegjësi ndaj asaj që artikulohet. Jeta e pranon patetikën si reagim ndaj asaj që ndodh pa paralajmërim; shkrimi lind në një hapësirë ku përvoja ka kaluar, është bërë e ekspozueshme ndaj mendimit dhe e hapur për përpunim. Brenda kësaj hapësire, patetika humb funksionin e reagimit të drejtpërdrejtë dhe shfaqet si rrezik për qartësinë e përshkrimit.

    Kështu, dallimi mes përjetimit dhe përshkrimit shfaqet si çështje rendi ontologjik dhe epistemik, dhe jo si zgjedhje stilistike. Përvoja ndodh; shkrimi rafinon atë që ka ndodhur. Nga kjo ndarje lind nevoja për një formë shkrimi që ruan peshën e përvojës, duke e mbajtur larg rikthimit në tronditjen fillestare.

     

     

    II – Nga përjetimi te përshkrimi: kohë dhe përgjegjësi

    Kalimi nga përjetimi te përshkrimi shënon hyrjen e përvojës në një regjim tjetër kohe dhe përgjegjësie. Aty ku përjetimi shfaqet si intensitet i beftë dhe i pamenaxhuar nga reflektimi, përshkrimi hapet si proces i ngadaltë, i ndërgjegjshëm dhe i orientuar drejt përpunimit. Ky regjim i dytë kërkon aftësinë për ta ndarë përvojën nga tronditja që e shoqëron, duke i dhënë asaj një formë që mund të vëzhgohet dhe të mendohet. Kalimi mes këtyre dy rendeve nuk ndodh vetvetiu; ai përfshin një akt vetëpërmbajtjeje dhe një disiplinë të vazhdueshme të mendimit, përmes së cilës përvoja lirohet nga presioni i çastit.

    Fjala e shkruar në art merr kuptim pikërisht në këtë pikë kalimi. Ajo shfaqet si gjurmë e tronditjes, e përqendruar, e veçuar dhe tejet e saktë në përshkrimin e asaj që ka mbetur nga përvoja. Këtu, fjala e shkruar përkufizohet si hapësirë ku tronditja depozitohet dhe merr formë, duke u kthyer në material të mendueshëm.

    Gjurmët që ajo ruan janë forma të përpunuara të përvojës, të shkëputura nga intensiteti fillestar dhe të pastruara nga mbetjet emocionale. Ftohtësia që karakterizon këtë proces shfaqet si distancë e domosdoshme, e cila i jep përvojës kontur dhe e bën të vëzhgueshme pa e shpërbërë.

    Përjetimi mbetet i lidhur me befasinë, papërpunimin dhe përmasën personale të çastit; përshkrimi, ndërkaq, zhvillohet si veprim i menduar, i ngadaltë dhe i përgjegjshëm, i endur me fije të holla, ndonjëherë gati të tejdukshme. Këto dy mënyra të të qenit përvojë i përkasin rendeve të ndryshme dhe mbështeten mbi logjika të ndryshme funksionimi. Përjetimi lidhet me përjetimin e çastit dhe me përfshirjen totale të subjektit në të, ndërsa përshkrimi kërkon kohë, seleksionim dhe kujdes epistemik ndaj asaj që artikulohet. Përgjegjshmëria e tij shfaqet në faktin se përshkrimi tashmë i drejtohet një hapësire të përbashkët, ku kuptimi shkëputet nga përkatësia ekskluzive e subjektit që ka përjetuar.

    Në këtë proces, gjuha funksionon si mjet ndërtimi, ripërpunimi dhe rifreskimi ndjesor, duke mbajtur një tension të brendshëm që e ruan nga rrëshqitja në shkarkim emocional. Fijet e holla të përmendura shënojnë një punë të brendshme të kujdesshme, ku çdo zgjedhje fjalësh mbart peshën e asaj që është lënë jashtë po aq sa të asaj që është ruajtur. Përshkrimi synon ta bëjë përjetimin të mendueshëm dhe të komunikueshëm, pa krijuar kushtet për rikthimin e tij si ngjarje emocionale.

    Ky rend përpunimi e zhvendos përvojën nga sfera private drejt një forme të ndarë dhe të përbashkët, duke e mbajtur larg shndërrimit në spektakël emocional. Në këtë zhvendosje, fjala e shkruar fiton autonominë e saj dhe përvoja çlirohet nga detyrimi për t’u dëshmuar përmes intensitetit. Pikërisht këtu përgatitet terreni për një rrezik tjetër, atë të kërkesës për efekt, ku gjuha fillon të largohet nga rendi i mendimit dhe të afrohet drejt ekonomisë së vëmendjes.

     

    III – Rreziku i efektit: nga përshkrimi në performancë

    Kur përshkrimi humbet lidhjen me përgjegjësinë ndaj përvojës dhe orienton vëmendjen drejt reagimit të tjetrit, gjuha hyn në një regjim funksionimi të ndryshëm. Ajo ndalon së vepruari si mjet për të ruajtur dhe qartësuar gjurmën e asaj që ka ndodhur dhe bëhet instrument për të prodhuar efekt. Në këtë situatë ndryshon jo vetëm toni, por edhe vetë qëllimi i shkrimit, pavarësisht ndërgjegjësisë së autorit.

    Kur përshkrimi kërkon mëshirë, ai ndalon së dëshmuari dhe fillon të aktrojë, duke luajtur rolin e atij që kërkon të pranohet. Kërkesa për mëshirë shënon zhvendosjen e qendrës së gravitetit nga përvoja drejt audiencës, dhe si rrjedhojë, përshkrimi nuk mbështetet më mbi atë që është përjetuar, por mbi mënyrën se si dëshiron të pritet. Në këto kushte, gjuha ndërton skenë dhe krijon afrim artificial, duke humbur distancën e domosdoshme artistike.

    Akti i shkrimit ngjan me performancë, ku fjala synon të pranohet përmes intensitetit emocional, dhe jo përmes qartësisë dhe mendimit. Kjo zhvendosje e bën të dukshme tensionin mes veprimit estetik dhe përgjegjësisë ndaj përvojës.

    Kur tonaliteti ngrihet në vend të kuptimit, mendimi zëvendësohet nga efekti, duke cënuar seriozitetin e shkrimit.

    Ngritja e tonit përveç se nuk shton thellësinë e përvojës, diçka e tillë pëpiqet të mbulojë mungesën e saj duke e cektësuar edhe më tepër. Efekti emocional, i prodhuar nga dramatizimi dhe intensifikimi i zërit të fjalës, merr vendin e procesit të mendimit, duke e zhvendosur seriozitetin nga aftësia për të mbajtur peshën e përvojës, diku tek dukja e formës morale. Kjo sjell një kontrast të thellë mes përmbajtjes dhe mënyrës së shprehjes, duke e vendosur lexuesin në një pozicion ku emocionet perceptohen, por nuk mund të lidhen direkt me përvojën origjinale.

    Ky ndryshim e bën të dukshëm dallimin mes dëshmisë dhe aktrimit; dëshmia qëndron në raport me atë që ka ndodhur, ndërsa aktrimi ndërton një seri figurash me të shihet kërkon të shihet dhe të ndjehet. Përshkrimi humbet autoritetin e tij mbi përvojën dhe bëhet mjet i një ekonomi të vëmendjes, ku kuptimi dhe mendimi bëhen dytësorë, ndërsa intensiteti dhe efektet e dukshme marrin primatin. Kjo zhvendosje krijon hapësirë për reflektim mbi natyrën e seriozitetit dhe distancës në fjalën e shkruar, duke evidentuar tensionin mes përgjegjësisë ndaj përvojës dhe nevojës për vëmendje.

    Përtej këtij tensioni, shkrimi mund të shndërrohet në një performancë të plotë, ku fjala kërkon të pranohet përmes intensitetit emocional, ndërsa lexuesi bëhet pjesëmarrës pasiv i një skene të krijuar. Në këtë proces, çdo element i gjuhës përdoret për të manipuluar reagimin dhe për të prodhuar një efekt të menjëhershëm. Kjo sjell një rrëshqitje të qartë nga mendimi në spektakël, ku serioziteti i fjalës humb kapacitetin për të ruajtur peshën e përvojës, duke u transformuar në një imazh të dukshëm të emocioneve të përkohshme.

    Dallimi mes dëshmisë dhe aktrimit, mes përvojës autentike dhe shfaqjes teatrale, bëhet vendimtar. Dëshmia qëndron mbi faktin, mbi raportin me atë që ka ndodhur; aktrimi ndërton figurën, dramatizon dhe kërkon pranimin e tjetrit. Kur shkrimi hyn në këtë regjim, ai i përket ekonomisë së vëmendjes, ku kuptimi bëhet dytësor, duke dominuar perceptimin vizual-emocional. Kjo rrëshqitje shërben si paralajmërim për të kuptuar rëndësinë e distancës kritike dhe seriozitetit në çdo përpjekje për të ruajtur integritetin e fjalës së shkruar.

     

     

    IV – Serioziteti i fjalës së shkruar dhe distanca ndaj përvojës

    Serioziteti i fjalës së shkruar lidhet me qëndrimin e saj përballë përvojës, duke ruajtur një distancë të matur ndaj lëkundjeve emocionale të menjëhershme. Ky qëndrim nuk shpreh ftohtësi apo indiferencë ndaj përvojës; përkundrazi, ai shfaq aftësinë për ta mbajtur atë në një hapësirë ku mund të shihet, të mendohet dhe të përshkruhet në mënyrë të kontrolluar, pa u shpërndarë në reagime impulsive ose afektive. Fjala e shkruar nuk përjeton emocione së bashku me lexuesin; ajo ruan një autonomi të brendshme, duke mbajtur peshën e përvojës pa e shpërbërë atë në afekt dhe pa e shndërruar në spektakël emocional.

    Distanca që ruhet është një kusht i domosdoshëm për qartësinë, për integritetin e përvojës dhe për mundësinë që lexuesi të përjetojë ndjesinë pa ndërhyrje të imponuar, si e tillë, ajo refuzon të trajtohet si shmangie. Pa këtë hapësirë të distancuar, përvoja rrezikon të shndërrohet në një rrjedhë emocionale të pakontrolluar, ku intensiteti i menjëhershëm mbulon kuptimin dhe komprometon thelbin e saj. Fjala e shkruar vendos përvojën në një gjendje tensioni të qëndrueshëm, ku ajo as nuk zbehet, as nuk shpërthen, duke ruajtur ekuilibrin delikat mes pranisë dhe distancës.

    Forca e shkrimit buron nga dridhja e hollë mes pasigurisë ekstreme dhe saktësisë së kujdesshme, që do të thotë se s’mund të themi se është pasojë e presionit emocional. Kjo dridhje është shenjë e një ekuilibri të brendshëm, e kthjellët, që fshin çdo lloj paqartësie dhe orienton lexuesin drejt kuptimit të qartë. Pasiguria tregon ndërgjegjësimin për kufijtë e përshkrimit dhe për atë që mund të artikulohet; saktësia reflekton respektin për këto kufij dhe përpjekjen për të zgjedhur fjalët me maturi. Forca e shkrimit lind pikërisht nga bashkëprania e këtyre dy elementeve, ku gjuha nuk pretendon të thotë gjithçka, por ruan kërkesën për qartësi dhe besnikëri ndaj përvojës.

    Në këtë kuptim, fjala e shkruar përveç se është kanal komunikimi, është gjithëashtu edhe hapësirë ku rendi i gjërave, marrëdhëniet dhe pasojat bëhen tërësisht të perceptueshme. Ndjesia nuk prodhohet me qëllim apo nga nxitje të jashtme; ajo lind si pasojë e kuptimit, si një formë multidimensionale semantike e bashkëshoqëruar me perceptimin e të tashmes së përhershme. Edhe kur fjala e shkruar e shtyn lexuesin drejt emocioneve të caktuara, gjithsesi e shmang imponimin e tyre, duke i krijuar kushtet për të lindur natyrshëm, duke e lidhur reagimin e lexuesit me marrëdhëniet dhe tensionet e përshkruara në tekst.

    Serioziteti i shkrimit ruan kështu një ekuilibër të hollë mes përvojës dhe mendimit, duke e përgatitur lexuesin për një përfytyrim të qartë dhe të harmonizuar të raportit mes patetikës dhe gjuhës. Fjala e shkruar shfaqet si hapësirë e veçantë ku përvoja ruhet në formën e saj të plotë dhe ku kuptimi nuk komprometohet nga efektet emocionale të menjëhershme. Ajo krijon një mundësi për lexuesin të perceptojë thellësinë dhe kompleksitetin e përvojës, jo thjesht vetëm shfaqjen dramatike të saj. Në këtë mënyrë, serioziteti i fjalës së shkruar bëhet kusht i domosdoshëm për autonominë e tekstit, për forcën e tij reflektuese dhe për qëndrueshmërinë e gjurmës që lë në hapësirën e gjuhës.

     

    V – Patetika, klithma dhe gjurma e heshtur

    Raporti mes patetikës dhe fjalës së shkruar përmblidhet në figurën e kontrastit mes klithmës së beftë dhe gjurmës së heshtur, të vendosur në radhitjen e germave. Klithma shfaqet si reagim i menjëhershëm ndaj dhimbjes ose gëzimit të papritur, një shpërthim që i përket çastit dhe trupit, ndërsa gjurma ruhet si shenjë e qëndrueshme, e shkëputur nga momenti i shpërthimit, por e lidhur ende me të përmes kumtit dhe kuptimit. Patetika është klithma e atij që vuan ose gëzon befasinë; fjala e shkruar është gjurma e asaj klithme, vendosur në hapësirën e gjuhës dhe e trajtuar me kujdes për të qëndruar mbi kalimtaren.
    Ky dallim shfaqet si transformim i thellë; klithma kalon në një formë tjetër ekzistence që, edhe pse nuk kumbon më në vesh, nuk zhduket nga ndjesia. Fjala e shkruar ruan shenjën e riprodhimit të zërit, duke e vendosur atë në një rend ku mund të qëndrojë pa u shuar dhe pa u përsëritur si zhurmë e rastësishme. Ajo mund të kumbojë në forma të ndryshme, ku secila bart një kuptim të ri dhe të përpunuar, duke i dhënë mundësi lexuesit të përjetojë gjurmën pa u penguar nga intensiteti fillestar.
    Gjurma e lënë është heshtur dhe e qëndrueshme, e çliruar nga zhurma e tepërt dhe nga nevoja për të pëlqyer.

    Heshtja e saj shfaqet si përmbajtje e ngjeshur, ku fjala e shkruar ruan hapësirën për kuptim pa e mbingarkuar me intensitet të menjëhershëm. Qëndrueshmëria e gjurmës lidhet me shmangien e efekteve kalimtare dhe me një qëndrim të vetëdijshëm jashtë logjikës së pëlqimit të menjëhershëm, duke u harmonizuar me dimensionin e padukshëm që bart semantika.

    Në këtë figurë, gjuha shfaqet si hapësirë ku përvoja e dhimbjes apo e gëzimit, ruhet pa u zhdukur dhe pa u shndërruar në mjet dominimi. Ajo mbahet në një trajtë që i reziston konsumimit dhe mbetet e hapur ndaj leximit të përsëritur, duke i dhënë lexuesit mundësi të rikrijojë përvojën në mënyrë reflektive dhe të vetëdijshme. Fjala e shkruar nuk e imponon emocionin; ajo e mundëson përjetimin e tij, duke e vendosur në kontekstin e kohës dhe kujtesës.

    Në këtë kuptim, gjurma e heshtur lidh dy dimensione; përjetimin origjinal dhe reflektimin pasues. Ajo ruan të kaluarën e çastit, duke e vendosur atë në një perspektivë që mund të analizohet dhe perceptohet nga lexuesi. Ky proces krijon një marrëdhënie të veçantë mes autorit, tekstit dhe lexuesit, nga e cili lexuesi nuk merr vetëm informacione ose emocione, por hyn në një hapësirë ku mund të perceptojë, të krahasojë dhe të rimendojë përvojën e përshkruar.

    Autonomia e fjalës së shkruar lejon që përvoja të mos humbasë, duke i shpëtuar shpërbërjes së emocioneve dhe intensitetit të momentit. Fjala e shkruar kthehet në një mjet për të ruajtur kujtesën dhe për të dhënë formë mendimi; ajo lejon që lexuesi të ndjekë rrjedhën e përvojës, të shijojë nuancat dhe të vlerësojë raportin mes patetikës dhe reflektimit.

    Në këtë mënyrë, fjala e shkruar fiton autonominë e saj, mbron përvojën nga shpërbërja, dhe përgatit kalimin drejt një konceptimi të tekstit si formë mendimi, e cila ekziston përtej nevojës për konfirmim ose efekt të menjëhershëm. Ajo krijon hapësirë ku kuptimi dhe ndjesia bashkëjetojnë, ku lexuesi mund të përjetojë intensitetin e origjinalitetit pa u zhytur në spektakël emocional, dhe ku çdo gjurmë ka vlerën e vet të pavarur, duke i dhënë tekstualitetit një jetë të qëndrueshme dhe të reflektuar.

     

    VI – Autonomia e tekstit dhe distanca ndaj efektit

    Si rrjedhim, nga gjithë çfarë është trajtuar më sipër mund të themi, teksti që ruan peshën e përvojës dhe distancën ndaj efektit të menjëhershëm ekziston në hapësirën e vet autonome, jashtë çdo kërkese për njohje ose aprovime të jashtme. Ai qëndron larg duartrokitjes dhe shmang marrjen e vëmendjes përmes dramatizimit, në përputhje me parimet e brendshme të fjalës së shkruar. Edhe heshtja e dukshme e tij nuk tregon dobësi; përkundrazi, forca e tij manifestohet në mënyrën se si gjurma e përvojës mbahet e pranishme brenda rregullave të gjuhës dhe të mendimit.

    Teksti që i qëndron besnik kësaj mase ruan një distancë të vetëdijshme nga duartrokitja, pa kërkuar vëmendje për dobi të vetes ose të tjetrit dhe pa u mbështetur në asnjë formë konfirmimi zyrtar apo të zakonshëm. Ai nuk pretendon të imponojë emocionin; ekziston si formë mendimi, një përpjekje për të përshkruar pika të veçanta emocionale dhe njohëse, duke i mbajtur ato të fokusuar në përvojën e origjinës dhe jo si zgjatim të drejtpërdrejtë të emocioneve.

    Kjo autonomi vendos tekstin në një regjistër ku shkrimi funksionon si instrument i vetëdijshëm i ruajtjes dhe komunikimit të përvojës, i dalluar qartë nga reagimet e menjëhershme. Ai qëndron si dëshmi e një raporti të qëndrueshëm mes patetikës dhe fjalës së shkruar, duke ruajtur harmoninë midis ndjesisë dhe mendimit, ndërmjet intensitetit të përvojës dhe kontrollit të gjuhës. Fjala e shkruar shfaqet si hapësirë e veçantë ku përvoja lë gjurmë të qëndrueshme, të pavarura nga efektet spektakulare, të palidhura me miratimin ose vlerësimin e tjetrit, dhe të mbrojtura nga degradimi emocional.

    Në këtë kontekst, lexuesi pa qenë objekt i manipulimit ose i emocionit të imponuar, bëhet partner në reflektim. Ai hyn në hapësirën e tekstit dhe gjen mundësinë për të ndjekur gjurmën e përvojës, për ta kuptuar dhe për ta rimenduar në mënyrë të vetëdijshme. Fjala e shkruar e shmang shtyrjen e përvojës drejt spektaklit, duke i dhënë asaj formë dhe qëndrueshmëri. Ajo është e hapur ndaj leximit të përsëritur, duke ruajtur kompleksitetin e ndjesisë dhe peshën e kuptimit, ndërsa përvoja mbetet aktive dhe e reflektuar.

    Kështu, autonomia e tekstit nuk është vetëm çlirim nga efekti i menjëhershëm, por edhe afirmim i pavarësisë së tij artistike dhe mendimore. Fjala e shkruar shndërrohet në një hapësirë të vetëdijshme të reflektimit, ku përvoja ruhet, kuptimi lidhet dhe lexuesi ftohet të ndërtojë marrëdhënie të reja me atë që është përjetuar, pa u shndërruar në spektakël emocional. Autonomia e tekstit, pra, është kushti që i jep gjurmës së heshtur dhe të qëndrueshme forcën për të ekzistuar si pjesë e mendimit artistik dhe si formë e ruajtjes së përvojës përtej nevojës për konfirmim të menjëhershëm.

     

    Fatmir Baçi

    Fatmir Baçi
    Share. Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    Previous ArticleNDJESA E MËKATIT – Nga Fatmir Baçi
    Next Article FP: Fjalimi i Trumpit në Davos paralajmëron një çrregullim të ri botëror
    Redaktori
    • Website

    Related Posts

    Përgjegjësia fetare dhe verifikimi i informacionit në epokën digjitale – Festim Rizanaj

    12-06-2026

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    31-05-2026

    Mungesa e integritetit dhe guximit tek intelektualët: Dr. Justinian Topulli vjen në “Prishtina Talks”

    31-05-2026
    Add A Comment

    Comments are closed.

    • Të Fundit
    • Të popullarizuara

    Përgjegjësia fetare dhe verifikimi i informacionit në epokën digjitale – Festim Rizanaj

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    Mungesa e integritetit dhe guximit tek intelektualët: Dr. Justinian Topulli vjen në “Prishtina Talks”

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    Çmenduritë e Qeverisë së Erdoganit

    Çfarë e bën kamatën kaq mëkat të madh?

    SISTEMI BANKAR ISLAM, FITIMPRURËS PËR TË GJITHË

    A lejohet eksperimenti me kafshë, sikurse minjtë?

    OP-ED

    Përgjegjësia fetare dhe verifikimi i informacionit në epokën digjitale – Festim Rizanaj

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    • Besimi

    Mustafa Terniqi: Dituria në Islam, mes diturisë fetare dhe diturisë së dobishme

    Modeli zviceran: Ushtria që lejon Ramazanin dhe praktikat fetare të ushtarëve

    Kriza e aktivizmit mysliman – Tom Facchine

    Rëndësia e të bërit të Ramazanit një “ngjarje të madhe” (BIG DEAL) për familjen tuaj

    Reklamoni në Dija Online
    NËSE JENI SOCIAL, NA NDIQNI
    • Facebook
    • YouTube
    • TikTok
    • WhatsApp
    • Twitter
    • Instagram
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    20-05-20263 Mins Read

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    08-03-20262 Mins Read

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    07-03-202631 Mins Read
    Reklamoni në Dija Online
    Më të popullarizuarat

    Jordania përballet me një zgjedhje ekzistenciale për mbrojtjen e Al-Aksasë Peter

    10 Mins Read

    Avokati Asdren Bytyqi ngre padinë e radhës ndaj ekstremistit tjetër katoliko-cionist të Lëvizjes së Deçanit

    3 Mins Read

    Forexi “islam” dhe vendimi i Ligjit islam mbi të

    5 Mins Read
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    Abonohuni

    Merrni lajmet, analizat, temat sociale, politike dhe ekonomike më të fundit nga DijaOnline

    © 2026 Dijaonline. Designed by Ars of Arts.
    • Ballina
    • Politika e privatësisë
    • Rreth nesh
    • Kontakti

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.