Ky artikull është shkëputur nga libri “Teoria e Artit Islam: Koncepti estetik dhe struktura epistemike”, me autor Idham Muhamed Hanash. Kapitulli: Njëshmëria Hyjnore si parim i bukurisë: Teoria e artit islam sipas Ismail R. El-Faruki.
Ismail R. El-Faruki (1921-1986) lavdëroi thellësinë, zgjuarsinë dhe ngulmimin e shfaqur nga dijetarët perëndimorë të artit islam, duke theksuar se shumica e veprave mbi artin islam në libraritë e botës janë shkruar nga hulumtuesit perëndimorë. Në të njëjtën kohë, gjithsesi, ai ka shprehur keqardhjen, kur ka parë vlerësime të pasakta të po këtyre studiuesve mbi natyrën e vërtetë të artit islam. Si pasojë e zbatimit të ngurtë të standardeve dhe kritereve artistike perëndimore, këta studiues mjerisht nuk ia kanë arritur “të dallonin frymën e këtij arti, rrjedhimisht, të përcaktonin karakterin e tij autentik islam”.
Kështu që El-Faruki vendosi të hedhë poshtë keqkuptimet e njëanshme dhe mendimet e diskutueshme të orientalistëve, me shpresën që të tregojë tiparet e vërteta estetike dhe praktike të artit islam.
El-Faruki shprehet:
Është më se e qartë për të gjithë ne, se pothuajse të gjithë studiuesit orientalistë të artit islam i kanë mbështetur teoritë e tyre në një hipotezë të gabuar – në të vërtetë, të njëanshme – sipas së cilës Islami jo vetëm që nuk i ndihmoi artit në shoqëritë myslimane përgjatë kohërave, por, në fakt, e pengoi përparimin artistik të myslimanëve, kufizoi prodhimtarinë e tyre krijuese dhe varfëroi trashëgiminë e tyre kulturore. Sipas këtyre hipotezave zhgënjyese, e vetmja ndjesë ndaj të bukurës që iu shtua bashkësisë myslimane, ishte mjeshtëria e artit të të shkruarit të vargjeve të Kuranit me një shkrim të bukur arab.
Më poshtë kemi renditur disa nga studiuesit kryesorë orientalistë të artit islam, punët e të cilëve El-Faruki i ka kritikuar në fushën e zbukurimeve, vizatimeve, arkitekturës, letërsisë, muzikës dhe teorisë së artit.
- Ernst Herzfeld (1879-1948): Herzfeld ishte i njohur për mendimin e tij, se arti islam është “anti-natyralist”. Mënyrat islame që, sipas tij, ishin veçanërisht në kundërshtim me natyrën, ishin ato që përfshinin përdorimin e zbukurimeve të përbëra nga dizajno bimësh. Ai vuri re që, ndryshe nga arti helenistik që shquhej për përshkrim të vërtetë të natyrës, arti islam anon drejt abstraktes, siç mund të shihet në llojet e formave të gjetheve dhe përqendrimi te kaligrafia arabe. Herzfeld e pa anën abstrakte të artit islam, si një pasqyrim të asaj që ai e kuptoi si “fanatizëm fetar” të artistëve myslimanë.
- M. S. Dimand (1892-1986) ngulmoi se “arti muhamedan” në thelb ishte vetëm ornamental në natyrë dhe se është një lloj arti që ka të bëjë me forma abstrakte më shumë sesa me përshkrimin e njerëzve, kafshëve etj. Si rrjedhim, Dimand e shikoi artin islam kryesisht si pa përmbajtje.
- Sir Thomas Walker Arnold (1864-1930) kishte mendimin se ndalimi i përfaqësimit pamor të njerëzve në artin islam ishte si përgjigje ndaj hebrenjve që ishin kthyer në myslimanë, gjë që çoi në vdekjen e përfaqësimit pamor të artit islam dhe përhapjen e tawrique – një zbukurim në formën e gjetheve të stilizuara.
- K. A. Creswell(1879-1965) nuk pranoi ta njihte ekzistencën e “artit të arkitekturës islame”, ndonëse ai e pranoi se në mesin e myslimanëve ishte i arti i arkitekturës, i frymëzuar nga kultura të tjera.
- Gustav Von Grunbaum (1909-1972) ngulmoi në mendimin se Islami kurrë nuk e kishte përkrahur bukurinë në ndonjë mënyrë gjallëruese dhe, si pasojë, nuk ka diçka të tillë si teori islame e bukurisë, qoftë artistike apo letrare.
- Henry George Farmer (1882-1965) i qëndroi mendimit se Islami kundërshton çdo lloj arti muzikor. Sipas Farmer, muzika u përhap në mjedisin islam, pavarësisht se ishte e ndaluar, ngaqë muzika është diçka aq e brendshme te qeniet njerëzore, saqë është e pamundur ta ndalosh.
Kritika e El-Farukit kundrejt pikëpamjeve të ngritura prej këtyre dhe orientalistëve të tjerë rreth temës së artit islam, është e mbështetur në një numër vëzhgimesh shkencore dhe metodike, më të shquarat prej të cilave, janë:
E para: Orientalistët kanë zhvilluar pikëpamje të gabuara, të njëanshme dhe të papajtueshme për natyrën estetike dhe praktike të artit islam. Ai ka shprehur keqardhje lidhur me faktin se, siç e përshkroi vetë ai, “asnjëri prej këtyre [studiues orientalistë] nuk e kuptoi që ishin duke e gjykuar artin islam përmes, standardeve dhe normave perëndimore. Në këtë mënyrë, sidoqoftë, këta studiues dështuan t’i shikonin veprat e artit islam si shprehje të kulturës islame dhe, në vend të kësaj, u kënaqën me hamendësime të tepruara, të cilat do të përbënin një çoroditje të madhe për çdo intelektual që e vlerëson vetveten”.
E dyta: Studimi dhe shtjellimi i artit perëndimor e kanë zanafillën te filozofia e lashtë greke dhe te konceptet estetike perëndimore bashkëkohore. Këto koncepte përfshijnë, fjala vjen: (1) realizmin – që është përshkrimi i vërtetësisë jetësore përmes vëzhgimit në veprat e artit; (2) “përmasa njerëzore” – si themeli i vlerësimit estetik; (3) pastrimi – si detyrë dhe qëllim parimor i artit; (4) Hyjnorja dhe lidhja e vet me Krijuesin, me natyrën dhe qeniet njerëzore nga këndvështrimi i besimit hebre, kristian, i filozofisë greke, si dhe me shkencëtarizmin bashkëkohor, si krahasim me këndvështrimin islam, rreth qenieve njerëzore, natyrës, artit e krijimtarisë. Kjo mbështetet te marrëdhënia gjithëpërfshirëse mes Krijuesit të gjithësisë dhe krijesave të Tij, më kryesorja mes tyre, qenia njerëzore.
E treta: Shumicës së hulumtimeve perëndimore rreth artit islam u mungon qendërzimi i baraspeshuar. Sipas pikëpamjes së El-Farukit, shumica e këtyre studimeve u përqendruan së tepërmi vetëm te një anë apo formë e artit islam, në kurriz të anëve të tjera, gjë e cila, nga ana e vet, prodhoi pikëpamje të paqëndrueshme në mesin e studiuesve orientalistë të artit islam. Shumica e studimeve perëndimore ka qenë gjithashtu e natyrës historike dhe renditëse, ndërkohë që fushat e teorisë së artit islam dhe vlerave estetike, ndonëse janë kryesoret sa i përket kuptimit të duhur të artit islam, vazhdojnë të lihen gjerësisht pas dore.
Ettinghausen dhe teoria e artit islam
Sipas El-Farukit, Ettinghausen kishte aftësi të veçanta për të shqyrtuar dhe teorizuar rreth veçorive të artit islam. Në të njëjtën kohë, sidoqoftë, El-Faruki vërejti se Ettinghausen kishte dështuar në kapjen e thelbit të natyrës së artit islam. Lidhur me këtë, El-Faruki u shpreh: “Ettinghausen i ka konsideruar personalizmin, evolucionizmin, realizmin dhe natyralizmin si mjete të pakundërshtueshme, përmes së cilave duhej matur çdo lloj arti. Për këtë arsye, ai e pa artin islam si të dështuar në idetë themelore”. El-Faruki vazhdoi të thoshte se “Ettinghausen këmbënguli në gjykimin e ndjeshmërisë estetike islame, mbështetur në vlerësime të cilave kjo ndjeshmëri nuk u përket”, duke përfshirë parime dhe rregulla të zbatueshme në teorinë e artit perëndimor në tërësi, si dhe artit kristian në veçanti. Si rrjedhojë, ai e keqkuptoi vetëdijen artistike islame, themelet kulturore, mendore dhe ato të teorisë së dijes, si dhe fuqinë e vet krijuese. Keqkuptimi i Ettinghausenit rreth artit islam është përshkruar në përcaktimin e tij, se “arabët, para Islamit ishin njerëz për të cilët nuk kishte vend për art”, ngaqë fesë së tyre “nuk i nevojiteshin gdhendje të shtatoreve të bukura për qëllime adhurimi e, për pasojë, feja nuk u ofroi ndonjë mundësi për krijimtari artistike”.
Sipas Ettinghausenit, arabët, para Islamit, nuk kishin forma përfaqësuese të artit pamor, si skulptura apo vizatime. Ai, madje, shkoi aq larg, sa të mendonte se “Islami nuk trashëgoi vlera estetike të jetës arabe”. Me këtë thënie, Ettinghausen nënkuptonte se arti islam nuk kishte prejardhje apo rrënjë arabe, ndonëse u shfaq në një mjedis arab.
Përkundrazi, sipas tij, arti islam kishte lindur “përkundrejt një prapavije me katër parime: frika nga Dita e Gjykimit, sjellja e njerëzishme e Profetit, nënshtrimi para Zotit të Plotfuqishëm dhe rëndësia kryesore e Kuranit në shpërfaqjen e brendshme të dijes hyjnore, të ruajtur përjetësisht (el-lauḥ el-maḥfūẓ)”. Sipas pikëpamjes së Ettinghausenit, këto katër parime çuan në përfundimet e mëposhtme:
- Kundërshtimi midis Islamit dhe artit “si shfaqje e një jete qejfi”.
- Shpartallimi i “çdo mundësie për të krijuar ikona që përshkruajnë Muhamedin, ashtu sikurse Krishti përshkruhet në Perëndim”.
- Besimi i myslimanëve në atë që Ettinghausen e përmend si “ndalimi rreptësisht i përfaqësimit të dikujt nga ana pamore”. Kjo, sipas mendimit të Ettinghausenit, është themeli i asaj që ai e emërtoi “mungesa e gjallërisë dhe natyralizmit që shfaq vetveten [tek artistët myslimanë] në përshkrimin e çdo gjëje të gjallë”. Sipas Ettinghausenit, ndalimi i kësaj gjëje ishte përgjegjës për atë që ai e shikonte si “njëtrajtshmëri e vrazhdë” e artit islam, dallimi i theksuar i ngjyrave të ndryshme; mungesa veçantë e të vetëshprehurit; përdorimi i një varg formash që u mungon një fillim dhe një fund i qartë dhe të vendosura në një mënyrë të diktuar e cila mundëson ndryshimin apo përmbysjen e mënyrës së vendosjes së ndonjërës, pa shkaktuar ndonjë ndryshim thelbësor; një mungesë tërheqjeje e ndërsjellë përgjatë njësive artistike.
- Të parit e Kuranit si shfaqje tokësore e Librit Hyjnor, që çoi në qëndrueshmërinë e formës së artit islam të bukurshkrimit arab. Kjo formë arti u krahasua nga Ettinghausen dhe orientalistët e tjerë me “ndalesat e kryqit” që lidhen me jetën e Krishtit. Mospajtimet e El-Farukit me pikëpamjet e Ettinghausenit për tiparet e artit islam u bënë pjesë e një kritike më të gjerë të ideve të paqarta dhe të shtrembëruara të orientalistëve rreth këtij arti. Megjithatë, mospajtimi i El-Farukit shkoi përtej së qeni një përgjigje e drejtpërdrejtë e këtyre pikëpamjeve dhe ideve të gabuara, duke përfshirë një parashtrim më të gjerë të asaj që ai e emërtoi “hyrje epistemologjike islame në shkencën e së bukurës” dhe, si vazhdim të saj, shkencën islame të artit dhe teorisë estetike.
Themelimi i zanafillës së teorisë së artit islam
El-Faruki e mbështeti përpjekjen e tij për themelimin e zanafillës së artit islam në një vegim të përmirësuar dhe veçanërisht në njohuritë e qasjes së orientalistëve të artit islam në Perëndim si dhe në kulturat islame. I parë nga këndvështrimi orientalist, nganjëherë, arti islam është në mospërputhje me Islamin dhe, si i tillë, përbën një shmangie prej mësimeve të tij, duke e renditur veten si diçka të dorës së dytë në skenën artistike të njerëzimit në tërësi. Qëllimi i El-Farukit ishte që të merrej me këtë gjendje, duke hulumtuar natyrën e vërtetë të këtij arti, në përpjekje për të shpalosur rrënjosjen e tij të mirëfilltë në Islam. Kjo përpjekje nga ana e El-Farukit prek në disa fusha të ndryshme: (1) Në ngrehinën intelektuale të teorisë së artit islam (mbështetur në doktrinën kuranore të Teuḥīdit, ose Njëshmëria Hyjnore), (2) në të ushtruarit e tanishëm të artit (mbështetur në format dhe stilin e veçantë islam), dhe (3) në epistemologjinë (mbështetur në rrjetin e veçantë të formave të artit që lidhen me Islamin dhe myslimanët, sesa me Perëndimin dhe perëndimorët).
El-Faruki e sqaroi qasjen e tij më tutje, duke thënë:
Një teori e pranueshme për artin islam është vetëm ajo që ndërtohet në hamendësime të rrënjosura në elemente që burojnë nga brendësitë e fesë [islame] dhe kulturës [islame], dhe jo nga të dhëna apo hamendësime të imponuara nga ndonjë traditë [filozofike, estetike dhe artistike] e huaj. Me fjalë të tjera, është ajo që nuk varet nga elemente të dobëta anësore të kësaj kulture, por në përbërësit më të fuqishëm dhe më qendror. Duke marrë parasysh kërkesa të tilla, Kurani na pajis me krijimtari estetike dhe një burim të gatshëm, të rëndësishëm dhe të arsyeshëm. Vërtet që Kurani ka pasur aq shumë ndikim tek artet, sa çka pasur në shpalosjet dhe shprehjet e tjera të kulturës islame.
Kultura islame, në thelb, është “kulturë kuranore”, që nga përcaktimet, ngrehina, qëllimet dhe mënyrat e përmbushjes së këtyre qëllimeve që rrjedhin nga Shpallja dhe që Zoti ia dhuroi Profetit të vet, Muhamedit, në shekullin e shtatë. Ajo çfarë myslimani nxjerr nga Libri i shenjtë i Islamit, nuk është vetëm njohja e së “vërtetës së përkryer”, por, në mënyrë po aq të vendosur, idetë rreth botës së qenieve njerëzore dhe natyrës, si dhe institucioneve politiko-shoqërore të nevojshme për drejtimin e shoqërisë, pa lënë pas dore vlerat e parimeve themelore. Shkurtimisht, Kurani na pajis me të dhëna në çdo fushë të dijes dhe veprimtarisë, duke përfshirë atë të artit dhe bukurisë.
Prandaj, aq sa vlen të shihen këto shpalosje të kulturës islame si kuranore për nga natyra, sa i përket themelit, nxitjes dhe qëllimit, po ashtu edhe artet që kanë buruar nga qytetërimi islam, duhet të shikohen si shprehje estetike që dalin nga i njëjti burim [kuranor] dhe ndjekin të njëjtin shteg [kuranor]. Me të vërtetë, artet islame janë arte kuranore të shkëlqyera.
Kurani: Kryevepra e artit islam
El-Faruki vlen të lavdërohet për pikëpamjen e tij rreth Kuranit, si shprehja e parë dhe më madhështorja e artit islam. Siç ka thënë edhe ai: “Kurani i shenjtë është vërtet art… në fakt, nuk ka asgjë të qenësishme që ky lloj përshkrimi t’i shkojë më shumë”.
Gojëtarët e kanë drejtuar vëmendjen nga veçoritë artistike të Kuranit, siç shihen, fjala vjen, në atë që është emërtuar “gojëtaria e mrekullueshme” e Kuranit. Duke qenë kështu, El-Faruki kuptoi se Kurani është “shembulli i parë dhe më i pastër i shprehjes artistike”, duke e përshkruar atë si “vepra e parë e artit islam”.
Vlen të përmendet që El-Faruki nuk e pa Kuranin vetëm si burimi kryesor i mendimit estetik. Ai gjithashtu, e pa atë, siç e kemi parë edhe ne, si veprën e parë dhe më kryesore të artit islam. Si i tillë, ai ka vazhduar të ushtrojë një ndikim të madh estetik në çdo mysliman. Siç thotë El-Faruki: “Nuk ka mysliman në botë që të mos jetë prekur thellë nga ritmi, përbërja dhe gojëtaria e Kuranit. Nuk ka mysliman në botë, qenia e brendshme e të cilit të mos jetë e vulosur me bukurinë e Kuranit dhe të mos jetë riformuar sipas modelit të tij”.
Mbështetur në ato që thamë më lart, Kurani duhet të shikohet si “shembullor për të gjitha shpalosjet e artit islam”, në të dy nivelet: ideor dhe estetik. Në të vërtetë, përbën themelin e shumicës së arteve islame, veçanërisht ato të bukurshkrimit arab, i cili, për nga lidhja e ngushtë me Kuranin, “është një përçues i pastër arti, drejt një ndjeshmërie të mrekullueshme”, në formën e një bukurie fizike. Si i tillë, Kurani është forma e artit islam që i jep shprehjen më të qartë ndjesisë së mrekullueshme të vërtetësisë hyjnore.
Mbi konceptin dhe teorinë epistemike të artit islam
El-Faruki e trajton përcaktimin e artit islam përmes dy disiplinave parimore: (1) shkencës së makāṣid, që është studimi i qëllimeve dhe synimeve më të larta të Ligjit Islam, dhe (2) shkencës xhemāl, ose estetikës. Ai shqyrton përshtatjen ligjore të makāṣid të disa dijetarëve të caktuar, mbështetur në idenë se arti është “një mënyrë kënaqësie e kësaj bote dhe një mjet zbukurimi”. Mandej, ai na çon përtej këtij kuptimi mbi artin, në atë të zejtarisë, prodhimet e së cilës “frymëzojnë pasqyrim estetik, sigurojnë kënaqësi psikologjike dhe mbështesin tërë ngrehinën e shoqërisë dhe mënyrën e të menduarit, duke shërbyer si kujtesë e parimeve mbi të cilat është themeluar”.
Në këtë mënyrë, El-Faruki e kapërcen sferën fetare, në përgjithësi, dhe fushën e drejtësisë, në veçanti, në kontekstin e të cilit arti diskutohet vetëm nëse është i lejuar ose i ndaluar, pa bërë përpjekje për të shquar rolin e artit si një hulli e dijes dhe së bukurës, dhe, si pasojë, nevojën e njerëzve për artin dhe vendin që zë ai në shoqëri. Arti vepron brenda një hapësire që feja dhe estetika e ndajnë bashkërisht, ku secila prej tyre zë një vend thelbësor në sferën e dijeve njerëzore.
El-Faruki e përkufizon artin islam si “një ngrehinë të pavarur, në përputhje me parimet estetike të mendimit islam”. Më i rëndësishmi prej këtyre parimeve, është ai i Teuḥīdit, që El-Faruki e shikon si pikënisja dhe prejardhja e bukurisë. Si i tillë, Teuḥīdi gjendet në qendër të teorisë së artit islam, duke qenë kështu, emëruesi i përbashkët për të gjithë artistët kudo që gjenden, pikë referimi i të cilëve është përfytyrimi i përgjithshëm islam mbi botën.
Si një ide e shtrirë dhe e gjerë, doktrina e Teuḥīdit përfshin të gjitha nivelet e ekzistencës, që nga shkëlqimi hyjnor, e deri tek imtësitë e prekshme të një vepre arti të caktuar. El-Faruki i gërsheton këto nivele të përshkallëzuara të ekzistencës, në atë që ai e emërton “bukuri e përsosur”. Në arsyetimin e tij, gjithësia në të cilën jetojmë, është sfera epistemike e asaj që ai e emërton “përjetim estetik” dhe që e përkufizon si “përmbushje përmes të dhënave të arsyes, të pranisë së një thelbi parësor, metafizik, i cili kapërcen gjithçka në natyrë dhe shërben si parim normativ që përcakton se çfarë është secila qenie. Sa më afër këtij Thelbi është një qenie e dukshme, aq më e bukur do të jetë.”
Ky “përjetim estetik” është shkaktari që e bën artin të jetë “një zbulim në vijimësi i thelbit metafizik brenda Natyrës. Arti është një proces i “leximit” të natyrës në kërkim të thelbit mbinatyror dhe dhënies së këtij thelbi formën e vet të përshtatshme nga ana pamore. Arti, për nga nevoja, është një kuptim i vetvetishëm i Natyrës, në kërkim të një diçkaje që nuk është pjesë e saj – në një kërkim që është “i Përsosuri”. Ky “i Përsosur” është Qenia e Lartësuar, e cila nuk mund të kapet nga të parit dhe të ndjerit. Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë. (Surja El-En‘Âm, 6:103); dhe “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij” (Surja Esh-Shûra, 42:11). “Ky përfundim nuk mund të përcaktohet siç duhet nga ndonjë përshkrim gojor; dhe as të përfaqësohet me ndonjë pamje nga bota e qenies njerëzore, apo të ndonjë fushe tjetër të Natyrës… Ideja e përbashkimit të padyshimtë hyjnor është ajo që njihet si Teuḥīd”.
Një vëzhgim i hollësishëm, për sa u tha më lart, na bën me dije se Teuḥīdi është:
- Një parim themelor i konceptit islam për artin, si kundërshtar i idesë perëndimore që e sheh artin si një lloj “përngjasimi fëmijëror fotografik të Natyrës, ose më mirë të themi, një përpjekje për të përfaqësuar një ide të nuhatur përmes ndjesisë; dhe shprehjen e pjesshme kalimtare të ideve të Natyrës dhe qenieve njerëzore, si shprehja më e lartë dhe më e ndërlikuar e Natyrës. Kështu që, kjo teori [perëndimore] e artit i shikon njerëzit si (matësin e të gjitha gjërave)”.
- Një veçori dalluese e artit dhe estetikës islame si “arti i pafundësisë”. Modele të përsëritura pafundësisht, të përdorura në artin islam, gjallërojnë një ndjesi madhështie të asaj që tejkalon kohën dhe hapësirën, megjithatë, pa kërkuar që vetë modelet të mishërojnë shkakun e tejkalimit. Duke arsyetuar rreth këtyre modeleve të përsëritura pafundësisht, mendimet e shikuesit anojnë për nga Zoti, “Një model që nuk ka as fund dhe as fillim (të ndjerë apo të përfytyruar) krijon përshtypjen e pafundësisë…, prandaj është mënyra më e mirë për t’i dhënë një shfaqje artistike parimit të Teuḥīdit”. Kjo është porosia dhe detyra parësore e artit islam – të na kujtojë vazhdimisht përbashkimin te Zoti i Plotfuqishëm.
- “Një e vërtetë e pakundërshtueshme, e shpallur në synimin e përbashkët të të gjithë artit islam, dhe kjo pa marrë parasysh shumëllojshmërinë e jashtëzakonshme dhe të dukshme në lëndën, materialet e stilin artistik, në bazë të ndryshimit gjeografik dhe periudhave historike”. Koha dhe hapësira kanë qenë vërtet dy ndryshoret që patën ndikimin më të madh në hamendësimin e orientalistëve, se deri në çfarë shkalle arti islam ishte i mirëfilltë, apo sa kishte huazuar ai nga burimet sasanide, bizantine, hebraike dhe kristiane.
Mbi natyrën e artit islam dhe themelet e tij epistemologjike
El-Faruki ka theksuar dallimin mes termit “vërtetësi” (ḥakīkah) dhe “natyrë” (ṭabī‘ah), në përputhje me atë që e bën artin islam të jetë “islamik”. Në këtë kuptim, ai ka dalluar thekshëm artin islam me “artet fetare” të tjera, atë hebre dhe kristian, si dhe me “artin simbolik”, si ai bizantin dhe hindu. “Artet fetare” merren me Zotin, Krijuesin e gjithësisë, për të cilin të gjithë njerëzit kanë brenda tyre një mendim. Ky mendim është i lirë nga çdo lloj mënyre të sjelljes njerëzore dhe çdo lloj mishërimi. Me fjalë të tjera, është një ide e të menduarit për qenien trupore dhe të vërtetën e shenjtë që kapërcen “Natyrën”, të mishëruar në qeniet e krijuara që mund të kuptohen përmes arsyes apo aftësisë së ndjeshmërisë.
Megjithatë, El-Faruki shquan dy lloj natyrash. Njërën prej tyre e emërton “Natyra mësimore” (el-ṭabī‘ah el-ṭābi‘ah), e cila i jep një qenieje veçorinë dhe njëjtësinë e vet, duke e bërë, në këtë mënyrë atë që është. Ndërsa e dyta, të cilën ai e emërton “Natyra e mësuar” (el-ṭabī‘ah el-maṭbū‘ah), është vërtetësia jetësore e qenies, pas përcaktimit të natyrës së saj. “Natyra mësimore” kuptohet përmes hamendjes, ndërsa “Natyra e mësuar” kuptohet përmes shqisave. E para është një qenie gjallëruese e cila nuk mund të matet apo kufizohet. Ndërsa e dyta është e palëvizshme, mund të matet dhe kufizohet.
Marrëdhënia midis këtyre dy ideve ndërton prapavijën e arsyetimeve të El-Farukit mbi veprat e artit fetar dhe simbolike të Judaizmit dhe Krishterimit, si dhe për kulturat greke e romake të periudhës para islame. Duke u mbështetur në këto arsyetime, ai nxjerr përfundimin, se këto kultura dhe besime fetare, në këtë mënyrë, “bënë përpjekje për të zvogëluar vlerën estetike të artit, duke e kthyer atë në asgjë më shumë, sesa përfaqësim të arsyeshëm që çdokush është në gjendje ta prodhojë”. Për shembull, në botën kristiane abstraksioni në art nuk shihet si diçka e përhumbur apo e shkëputur nga Natyra, por thjesht si një mundësi tjetër e përshkrimit të Natyrës, ndërkohë që formalizmi kuptohet thjesht si këshilla e një artisti në periudhë prove.
Vepra e artit kristian në trajtë ikonografie, për shembull, është një mishërim vetjak, punim i cili gërsheton të shenjtën me natyrën, veçanërisht në kremtimet fetare, ndërkohë që vepra arti të ngjashme nga hebrenjtë pothuajse mungojnë, si pasojë e kundërshtimit të idesë së përfaqësimit të vërtetësisë hyjnore në çfarëdolloj mënyre natyrore.
Ka një dallim të qartë midis qasjes hebraike dhe kristiane ndaj të bukurës. Pikëpamja e hebrenjve kundërshton çdo përzierje shqisore dhe shpirtërore në formën e një vepre arti, kurse qasja kristiane ndaj një vepre arti përfshin një shkrirje të tepruar të natyrales me të vërtetën e shenjtë. Një përzierje e ngjashme e natyrales me vërtetësinë e shenjtë gjendet në mitologjinë e Greqisë së lashtë, e shprehur përmes artit të poezisë, dramës, skulpturës, vizatimit, etj. Sipas grekëve të lashtë, dashuria dhe përjetimi i së bukurës varet nga përfaqësimi simbolik i vërtetësisë mendore, e mishëruar në atë që sipas tyre është emërtuar (el-ta’alluh), një qenie njerëzore e shfaqur në formë hyjnie, si një mënyrë e paraqitjes së një shembulli të përkryer të natyrës njerëzore. Kjo përputhet me besimin se puna themelore e një arti të tillë simbolik, është të shkaktojë pastrimin nga faji dhe mëkati.
Por, sidoqoftë, pyetja që shtrohet këtu, është: A u ndikua arti islam nga qasjet e mëhershme, apo u shfaq dhe mori formën e duhur prej këndvështrimit të tij të veçantë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje thelbësore, sipas El-Farukit, mund të gjendet në atë që ai e emërtoi “stilizim”, i cili ka të bëjë me përfaqësimin e qenieve natyrale në një mënyrë jorealiste, me qëllim që t’ua tërheqë vëmendjen shikuesve drejt faktit që “të qenit Natyral nuk është i barasvlershëm me të qenit i Vërtetë”. Kjo, sipas El-Farukit, është një mënyrë “madhështore” e shprehjes artistike që e zhvesh lëndën nga gjëra të parëndësishme, duke e shndërruar atë në një formë e cila nuk ka asnjë ngjashmëri realiste me mënyrën se si duket në Natyrë. Kështu që, në dallim nga përsosuria artistike perëndimore e përngjasimit ose kopjimit, ne zbulojmë se “format në dorën e një artisti fisnik s’janë gjë tjetër, veçse mënyra artistike të zbukurimit, më shumë sesa shprehje të natyrës së vet të brendshme”.
Artistët myslimanë kanë prodhuar një formë të re arti në përputhje me përfytyrimin e tyre ndaj Zotit që është vetëm një, gjë e cila gjendet në kushtin paraprak, se “nuk ka hyjni tjetër përveç Zotit” dhe nuk gjendet asgjë në Natyrë, përmes së cilës ne mund të përcjellim thelbin e Zotit, apo përshkrimin e hyjnores “në një mënyrë simbolike që t’i përngjajë Natyrës”. Duke u mbështetur në këtë, El-Faruki nxori në pah veçoritë e mëposhtme të artit islam:
- Stilizimi: Çdo pamje e marrë nga Natyra paraqitet në një mënyrë të stilizuar. Më fjalë të tjera, aq shumë është larguar tema e artistit nga veçoritë e saj natyrale, saqë bëhet pothuajse e panjohur.
- Anti-simbolizmi: Artistët myslimanë nuk e pranojnë simbolizmin si pikënisje. El-Faruki e vlerësoi këtë kundërshtim të simbolizmit, si “shenja më dalluese e epërsisë” së artit islam. Myslimanët janë krenarë për faktin që arti i tyre është i çliruar nga çdo shpirt pagan ose adhurues dhe, si pasojë, kjo shmang gjithë rrezikun e ngatërrimit të Krijuesit me krijimin.
Duke marrë parasysh ato që thamë më lart, del se arti islam ka përfshirë disa forma arti, por duke lënë mënjanë ato që janë të mbështetura në atë lloj botëkuptimi, i cili shërben si parim udhëzues. Arti islam përjashton, fjala vjen, skulpturën, dramën dhe, deri diku, edhe pikturën, ndërsa përfshin: (a) artet dëgjimore, duke përfshirë gjuhën dhe letërsinë, të tilla si poezinë dhe recitimin e vargjeve kuranore; (b) artet pamore, si modelet dhe vizatimet gjeometrike, bukurshkrimin, zbukurimin, etj.
Mbi themelet e artit islam
El-Faruki e mbështeti teorinë e tij të artit islam mbi dy themele; njëri shpirtëror dhe tjetri historik. Themeli shpirtëror përmban parimin islam të besimit te një Zot. Pohimi se “nuk ka hyjni tjetër përveç Zotit”, na çon te prania e vetëm dy sferave të vërtetësisë jetësore. E para është ajo e Krijuesit, të cilin nuk mund ta përshkruajë siç duhet asnjë krijimtari apo tipar njerëzor; e dyta është ajo e krijimit, duke përfshirë botën e Natyrës në tërësi dhe atë të qenieve njerëzore në veçanti. Ky themel monoteist ka udhëzuar artin pamor islam, i cili, në dallim të dukshëm nga Natyralizmi artistik, i stilizon temat e tij sipas mënyrës së lartpërmendur, duke u mbështetur në mendimin se nuk ka asgjë në sferën e krijuar, veçanërisht te qeniet njerëzore, që mund të shihet si një shenjë, vegël, këshillë, shprehje, mishërim, burim apo degëzim i Thelbit të Shenjtë. Për këtë arsye, Islami e përjashton çdo formë përfaqësimi vetor në art.
Sa për themelet historike të artit islam, ato mund të gjenden në atë që El-Faruki e emërton “mënyrë arabe e të menduarit” që gjallëroi mjedisin historik në të cilin doli dhe u formësua Shpallja Hyjnore. Në mënyrë të ngjashme, ishte “mënyra arabe e të menduarit”, e mishëruar te Profeti Muhamed, që shërbeu si mbartëse e Shpalljes Hyjnore dhe që do të përhapej te njerëzit në të gjitha vendet dhe kohërat. El-Faruki e shikon gjuhën arabe, me arsyetimin, qartësinë dhe strukturën e saj të saktë, si burimin e muzikalitetit të poezisë arabe. Ishin këto veçori të gjuhës arabe të cilat, sipas mendimit të El-Farukit, i bënë arabët të nuhasnin një përmasë “pafundësie” në artin islam që nuk gjendej në forma të tjera arti, tashmë të përmendura më lart.
Veçoritë dalluese të artit islam
Veçoritë kryesore të artit islam, të cilave El-Faruki u kushtoi vëmendje, ishin abstraksionizmi, monoteizmi dhe kinetika. Gjurmët e abstraktes në artin islam mund të ndjehen te modelet gjeometrike të përsëritura pafundësisht, që vulosin shumicën e zbukurimeve islame. Ndërsa monoteizmi është i dukshëm në mënyrën se si një vepër arti e caktuar përbëhet nga njësi të shumta që ndërveprojnë në harmoni, për t’u përbashkuar pastaj në formën e një ngrehine më të madhe. Lidhur me kinetikën, ajo e shfaq vetveten në vizatimet e një vepre arti, në një mënyrë të tillë, që përmasat hapësinore dhe kalimtare të veprës janë të bashkuara në një model formash dhe tingujsh, që t’i japin shikuesit apo dëgjuesit ndjesinë e gjallërisë së përparimit.
