Close Menu
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Lajme
      • Kosovë
      • Rajon
      • Lindja e Mesme
      • Botë
      • Politikë
      • Kronikë e Zezë
    • OP-ED
      • Analiza
      • Ese
      • Opinione
      • Kolumna
    • SCI-TECH
      • Teknologji
      • Shkencë
    • Biznes
      • Investimi
    • Evente
    • Histori
    • Jetesë
      • Shëndeti
      • Këshilla
      • Ushqyerja
    • Sociale
    • Besimi
      • Edukim
      • Lutje (dua)
      • Qendrime
      • Studime në besim
      • Të ndryshme
      • Tema
    • SPORT
    Facebook X (Twitter) Instagram Pinterest
    Dija Online
    • Lajme
    • Evente
    • OP-ED
    • Të rekomanduara
    Dija Online
    Ju jeni në:Home»OP-ED»Ese»KURBANI I IBRAHIMIT A.S. – FATMIR BAÇI
    Ese

    KURBANI I IBRAHIMIT A.S. – FATMIR BAÇI

    RedaktoriBy Redaktori18-10-2025057 Mins Read
    Share Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    KURBANI I IBRAHIMIT A.S. - FATMIR BAÇI
    KURBANI I IBRAHIMIT A.S. - FATMIR BAÇI
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp LinkedIn Copy Link Pinterest Email Telegram

    FATMIR BAÇI

    I.

    Shumë e rëndësishme është të rikujtojmë se termi “kurban” nuk lidhet thjesht me veprimin fizik të therjes, por përmban në thelb kuptimin e flijimit dhe sakrificës, të cilat janë dimensione të ndërgjegjshme dhe të thella të ekzistencës njerëzore. Ky theksim nuk është thjesht formal, por ka të bëjë me kuptimin më të gjerë të jetës së njeriut, i cili nuk është tjetër veçse një rrugëtim i pandërprerë përmes sakrificave të vazhdueshme dhe të ndërgjegjshme; sakrificave që shtrihen nga ato më personale, si përkushtimi ndaj familjes dhe dashurisë, te ato më të larta dhe universale, si ndjekja e idealeve, ruajtja e vlerave morale dhe ndërtimi i një të ardhmeje më të drejtë dhe më të plotë.

    Çdo hap që ndërmerr njeriu në këtë rrugëtim është një provë për të lënë pas një pjesë të asaj që posedon, për të fituar diçka më të madhe dhe më të qëndrueshme në horizontin e së ardhmes; qoftë koha e kushtuar për edukimin e vetvetes ose të të tjerëve, qoftë mundi dhe sakrificat e përditshme të dhëna për realizimin e një ëndrre të madhe, apo sfidat që përballojmë për të ruajtur integritetin tonë moral dhe shpirtëror. Në këtë mënyrë, kurbani nuk mbetet thjesht një akt ritual, por ngrihet në rangun e një simboli të fuqishëm të përkushtimit dhe ndërgjegjësimit; një kujtesë e përjetshme se vetëm përmes sakrificës së vetëdijshme, përmes heqjes dorë nga të mirat e përkohshme, mund të arrihet një harmoni e vërtetë midis njeriut dhe Zotit, midis brendësisë së vet dhe botës që e rrethon.

    Në gjithë strukturën e reflektimit mbi kuptimin e sakrificës, ekziston një pikë kyçe që mund të quhet guri themelor, pikë ku duhet të vendoset baza e kuptimit të veprimit njerëzor; kjo është ndarja e qartë dhe konceptuale ndërmjet konceptit “therjes” dhe “flijimit”, e cila e orienton njeriun drejt thelbit të sakrificës si akt i ndërgjegjshëm dhe kuptimor, dhe jo thjeshtë si një veprim fizik apo ritual formal. Nëse Kurbani reduktohet në veprimin mekanik të therjes, i shoqëruar pa reflektim dhe pa vetëdije, ai humbet dimensionin e tij moral dhe shpirtëror, duke degraduar në një ritual të zbrazur, pa thellësi dhe pa rezonancë etike. Por kur ai qartësohet në kuptimin e tij origjinal si “afrim” (nga rrënja arabe  قرب   –  k-r-b), ai bëhet një udhëtim shpirtëror drejt Zotit, një përpjekje e vetëdijshme për të hequr dorë nga çdo pengesë që na ndan nga lidhja me të Vërtetën, nga çdo element që e deformon qartësinë tonë shpirtërore dhe ekuilibrin moral.

    Akti i Ibrahimit (alejhi selam) na përkujton një të vërtetë themelore të Islamit; sakrifica nuk është kurrë qëllim në vetvete, por mjet për arritjen e pastërtisë shpirtërore, qartësimin e vetëdijes së moralit, në mynyrë që përmes saj t’i afrohemi kënaqësisë së Zotit. Allahut (subhanehu ue teala) nuk i nevojitet ky akt, sepse Ai është i Përkryer dhe i Vetëm; ai i nevojitet njeriut për të pastruar shpirtin e vet nga iluzionet, mashtrimet dhe egoizmat që ai vetë ka ndërtuar rreth vetes. Prandaj, pedagogjia e Kurbanit na mëson se vetë jeta nuk është një vijë e drejtë pa sfida, por një spirale shkallësh e ndërtuar mbi sakrificat e përditshme, një udhëtim i vazhdueshëm ku çdo akt vetëdorëzimi dhe heqjeje dorë është një hap për t’u afruar me të Vërtetën dhe me dimensionin e lartë moral të ekzistencës.

    Në kuadrin e një reflektimi të thelluar, kjo pikë na fton të ngremë pyetje që depërtojnë në thellësitë e vetëdijes njerëzore: Çfarë sakrifikojmë dhe për çfarë arsye? A sakrifikojmë vetëm për hir të të përkohshmes, për rehati, prestigj ose pozita të momentit, apo për të ndërtuar diçka që ka ndikim të përhershëm, që depërton tek e vërteta dhe që ruhet në kohë? A heqim dorë nga diçka që na ka shërbyer për t’u shndërruar në një version më të pranueshëm shoqërisht të vetvetes, apo për të arritur një nivel më të lartë reflektimi dhe integriteti moral, që është i paprekshëm nga vlerësimet e kaluara dhe pritshmëritë e të tjerëve?

    Vetë akti i flijimit nuk ka nevojë për zhurmë apo dukje; ai është i brendshëm dhe i heshtur, por njëkohësisht i fuqishëm në ndikimin që ushtron mbi ndërgjegjen e njeriut. Ai ndez një dritë të brendshme që i fton të gjithë të shohin me vëmendje vetveten dhe të reflektojnë mbi atë çka janë të gatshëm të lëshojnë për hir të diçkaje më të madhe dhe më të lartë; për hir të së vërtetës, të drejtësisë, ose të lidhjes së pastër me Zotin. Në këtë kuptim, Kurbani nuk është thjesht një ditë kalendarike apo një ritual formal; ai përfaqëson një gjendje të brendshme të zemrës që është e gatshme të sakrifikojë jo vetëm të dashurit, por edhe rehatinë, komoditetin dhe egon, gjithçka që mund të pengojë përkushtimin ndaj së Vërtetës. Kjo është shprehja më e qartë e një flijimi të pastër, i cili e bën çdo njeri të bashkohet me shembullin e Ibrahimit (alejhi selam), që ka kuptuar se sakrifica e vërtetë lind nga bindja e pakushtëzuar dhe nga vetëdija e thellë për domosdoshmërinë e dhënies.

     

    II.

    Në dimensionin më të thellë të ekzistencës, njeriu sakrifikon jo vetëm gjërat materiale, por edhe idetë e fituara me mund dhe me përpjekje intelektuale, bindjet që kanë ndërtuar rrugëtimin e tij deri në këtë moment, duke i zëvendësuar ato me perspektiva të reja që, megjithëse të ndryshme, nuk bien ndesh me parimet themelore, por harmonizohen me dinamikën e përparimit dhe e jetës që vazhdon. Ne i kushtojmë orët tona të lira pritjes së një sigurie virtuale që imagjinojmë se do të vijë në të ardhmen, duke sakrifikuar ato çaste që mund të kishin qenë të përqendruara në rritjen personale dhe realizimin e projekteve konkrete. Sakrifikojmë gjithashtu atë çka kemi fituar me përpjekje të mëdha, për diçka që mbetet ende e paqartë, e ardhshme dhe e paparashikueshme, duke i dhënë prioritet besimit se përpjekja jonë do të ketë një kuptim të thellë.

    Në mënyrë po aq simbolike, netët tona sakrifikohen para gjumit, duke lënë pas ëndrra të qarta dhe projekte të definuara, për t’u zhytur në thellësitë e gjumit, ku ndeshim imazhe dhe mendime që nuk i zotërojmë plotësisht dhe nuk mund t’i parashikojmë, por që formojnë një dimension të pavetëdijshëm të qenies sonë. Çdo ditë, sakrifikojmë nga një gabim i vogël për t’u afruar një hap më pranë së vërtetës, duke e përpunuar dhe rafinuar kuptimin e saj në udhëtimin tonë të vazhdueshëm. Kështu, sakrifica nuk mbetet thjesht një koncept teorik, ajo bëhet përvojë dhe mënyrë jetese, një kod ekzistencial që e bashkon Kurbanin me të gjitha aspektet e jetës, duke e vendosur atë si një orientim themelor për të gjitha veprimet dhe përpjekjet e njeriut.

    Në këtë kuptim, mund të dallohen dy boshtet themelore të sakrificës, të cilat, duke u zhvilluar si modalitete ekzistenciale, reflektojnë jo vetëm sfidat e individit, por edhe tensionet dhe nevojat e botës moderne:

    1. a) Boshti i dijes dhe ideve: Në jetën e njeriut, idetë dhe bindjet nuk janë thjesht mjete njohjeje, por gjithashtu pasqyra e vetëdijes dhe e integritetit të tij moral. Ide të fituara me mund dhe përpjekje të vazhdueshme, me reflektim dhe sprovë, bëhen pjesë e rrugëtimit të individit, por ato nuk janë të palëkundura në mënyrë të verbër, njeriu i hedh në peshore dhe, nëse i shikon të papërshtatshme ndaj një dinamikë të re që harmonizohet me principin themelor, ai i lë pas jo nga dobësia, por nga guximi për të vënë më së pari të vërtetën mbi egon dhe rehatinë. Ky është një akt fisnik, sepse nuk ka të bëjë me tradhtinë e vetes, por me përkushtim ndaj kuptimit të jetës dhe rritjes së ndërgjegjes, ku çdo heqje dorë është një lartësim mbi inercinë e njohurive të pakuptueshme ose të vjetruara.
    2. b) Boshti i kohës dhe pritjes: Njeriu është e vetmja krijesë që jeton me ndërgjegjen e së ardhmes, duke vendosur vetveten përballë një pasqyre që shpesh quhet “siguri virtuale”. Kjo siguri nuk është premtim i garantuar, por projeksion i aspiratës dhe shpresës, një vend i brendshëm ku njeriu mat momentet e sakrificës, durimin dhe qëndrueshmërinë e vet. Ai e përmend atë me zë të ulët, ose e mban brenda vetes si një shqetësim të vazhdueshëm, duke kuptuar se çdo akt që sakrifikon tani ka një peshë që mund të shfaqet vetëm në të ardhmen. Këtu, sakrifica bëhet vlerë ekzistenciale, një mënyrë për të investuar kohën dhe energjinë në mënyrë të vetëdijshme, duke pranuar se njeriu nuk kontrollon të ardhmen, por përpiqet ta përballojë atë me integritet dhe drejtësi, duke e shndërruar pritjen dhe sakrificën në një formë të lartë autonomi shpirtërore.

    Siç e përmendëm edhe më lart, jetojmë duke flijuar të tashmen për një siguri që nuk është reale, por që ekziston vetëm si projeksion i qartë i vetëbesimit dhe i iluzioneve që njeriu ndërton mbi të ardhmen e panjohur, ky është parakushti i sakrificës më të përhapur në epokën tonë, ku humbja e atij që ka aktualisht shpesh justifikohet për një iluzion që ndjehet si i garantuar. Çdo natë, për shembull, shndërrohet në poezi ekzistenciale, ne sakrifikojmë fragmentet më të qarta të ëndrrave dhe projekteve tona, ato që kemi vizualizuar dhe për të cilat kemi punuar, për t’u zhytur në thellësitë e gjumit, ku ndodhin imazhe dhe mendime që nuk i kemi formuluar me ndërgjegje, nuk i kontrollojmë dhe shpesh as nuk mund t’i njohim plotësisht.

    Kjo situatë shërben si metaforë e dorëzimit të ndërgjegjes në zonën e pavetëdijshme, çdo natë humbim kontrollin mbi një pjesë të vetes, duke sakrifikuar qëllime të vetëdijshme në emër të një udhëtimi të panjohur dhe misterioz të shpirtit. Në këtë kuptim, edhe gjumi bëhet një kurban, një akt i heshtur sakrifice, që mbart me vete reflektimin mbi të tashmen dhe lidhjen me të ardhmen.

    Në fund të këtij procesi vjen një kuptim më i thellë; sakrifikojmë çdo ditë ndonjë gabim, ndonjë pengesë që na ka bërë shtëpi dhe shtrihet në rutinën tonë të të qenit. Braktisja e një gabimi, sidomos e atyre që i kemi mbrojtur për vite, është një nga aktet më të vështira të lirisë, sepse kërkon njohjen e vetvetes dhe përballimin e dhimbjes së brendshme. Kjo lloj sakrifice nuk është ndëshkim, por lëvizje drejt së vërtetës, një formë e hollë e pjekurisë, ku njeriu mëson se jeta kërkon heqje dorë të ndërgjegjshme, jo vetëm nga të mirat që zotëron, por edhe nga ato që e kanë formuar dhe kufizuar për një kohë të gjatë.

    Në frymën e Ibrahimit (alejhi selam), kjo pikë merr një kuptim të jashtëzakonshëm dhe shumëdimensional; sakrifica që kërkohet nga njeriu nuk mund të reduktohet thjesht në një akt fizik, por duhet kuptuar si një proces konceptual dhe ekzistencial, ku individi përballet me thelbin e vet dhe me lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me të Vërtetën. Ibrahimi nuk i nënshtrohet thjesht një urdhri apo një zakoni të kohës së tij, por i përkushtohet një ideje që tejkalon çdo kufi të mendimit kolektiv, duke sfiduar kështu zakonet, gjuhën dhe perceptimet e përbashkëta të shoqërisë. Ky është akti i bindjes që nuk është i imponuar, por i zgjedhur, një lëvizje e ndërgjegjshme drejt lartësisë shpirtërore.

    Edhe kur urdhri hyjnor e kërkon flijimin e të birit, Ismailit (a.s.) “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O babushi im, vepro ashtu siç je urdhëruar!Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” (Safat:102), ky akt nuk ka të bëjë fillimisht me instrumentin fizik (thikën), por me vendimin brenda vetes për t’i dorëzuar tërësisht vetëdijen, dëshirat dhe të ardhmen në dorë të Zotit. Flijimi i Ibrahimit është një shembull i qartë i një sakrifice ku pesha e së ardhmes, e asaj që njeriu e koncepton si më të dashur dhe të çmuar, nuk është pengesë, por një dimension ku lind vërtetësia e bindjes. Ky akt fiton përkujdesje mbi vetëdijen dhe mbi atë çka individi është gati të lërë për hir të së Lartës, duke e bërë sakrificën një akt të plotë të ndërgjegjshëm dhe jo vetëm një akt fizik.

     

    III.

    Natyrisht, çdo flijim i drejtë gjendet në kontrast të fortë me flijime të gabuara, të cilat shfaqen si hije të devijimit të njerëzimit dhe që në mënyrë të vazhdueshme rrezikojnë të shtrembërojnë kuptimin e sakrificës. Flijimi i Ibrahimit (alejhi selam) përfaqëson kulminacionin e të gjitha flijimeve, jo vetëm për shkak të madhështisë së aktit fizik, por sepse ai reflekton shkallën më të lartë të zbatimit të betimit personal, betimit të familjes së tij dhe, në mënyrë të pacënueshme, betimit të brezave që do të vijnë. Në këtë mënyrë, ky akt nuk është vetëm histori personale apo ngjarje e izoluar, por një simbol universal që përmbledh peshën e të gjitha sakrificave për mbarë njerëzimin, duke u shtrirë në të gjitha kohët, nga e tashmja deri te Ditët e Gjykimit, si një pasqyrë ku çdo gjendje dhe çdo zgjedhje e individit është reflektuar dhe gjykuar brenda harmonisë së ligjit hyjnor.

    Kjo bëhet vizion për sakrificën brenda një skeme diferencimi ontologjik; nuk është çdo sakrificë fisnike, dhe pikërisht kjo dallimësi shënon edhe tragjedinë e shpeshtë, në mos edhe shkarjen e përhershme të njerëzimit. Përgjatë historisë, dhe po ashtu në realitetin tonë të tanishëm, ekzistojnë aktet e dorëzimit të gabuar, që, në vend të pastrimit të shpirtit dhe rritjes së ndërgjegjes, prodhojnë devijim, degradim dhe humbje kuptimi. Këto sakrifica të errëta lindin nga nënshtrimi ndaj iluzioneve, nga kulti i vetes, nga frika ndaj të tjerëve, nga dogma që shteron dhe nga pushtete që kërkojnë vetëm nënshtrim, duke e kthyer lirinë shpirtërore dhe aftësinë për të vepruar në përputhje me të Vërtetën në një mallkim të heshtur dhe të përhershëm.

    Në këtë ndarje të sakrificave lind nevoja e pashmangshme për të kuptuar se përse sakrifica e Ibrahimit (alejhi selam) është e veçantë dhe kulmore në historinë e njerëzimit, ajo nuk është vetëm një akt i jashtëzakonshëm fizik, por kulminacion i bindjes së pastër, që nuk buron nga frika, nga interesat vetjake, apo nga presionet e shoqërisë, por ekskluzivisht nga lidhja intime dhe absolute me Krijuesin, dhe nga besimi se çdo e ardhme është në dorën e Tij. “Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!” (Safat:103-106)

    Akti i tij shkon përtej thjeshtësisë së veprimit, ai është zbatim i betimit të shpirtit, një zotim që shtrihet përtej kufijve individualë, përfshin familjen dhe pasardhësit, dhe kjo përfshirje nuk matet me numra, por me intensitet dhe cilësinë e përkushtimit të secilit që merr pjesë.

    Për të kuptuar thellësinë e këtij akti, mjafton të vërejmë se secili protagonist i përfshirë është pyetur dhe ka dhënë përgjigje të ndërgjegjshme. Ibrahimi (alejhi selam) kërkon konsensusin e djalit të tij, Ismailit (alejhi selam), “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?”, ky i fundit konfirmon vendosmërinë e tij të patundur, “O babushi im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!. Ibrahimi merr edhe mendimin e gruas së tij, Haxheres (alejhi selam), e cila bashkëpunon dhe jep miratimin e saj, duke përforcuar dimensionin etiko-emocional të aktit.

    Në këtë mënyrë, sakrifica e Ibrahimit nuk është vetëm histori individuale, por shndërrohet në simbol universal për të gjitha sakrificat e mundshme njerëzore, për çdo shpirt që ka përjetuar dilemat mes vetes dhe Lartësisë, mes të dashurve dhe detyrës, dhe që e kupton se sakrifica nuk është e pamundur, edhe kur kërkon të dhurosh atë që ke më të çmuar në emër të së ardhmes dhe të së vërtetës.

    Ne nuk mund ta shohim sakrificën e Ibrahimit (alejhi selam) thjesht si një episod historik apo si një ngjarje arketipale që përmblidhet në një kohë të caktuar, ajo mban brenda saj tensionin e të gjitha kohëve, duke u shtrirë në përjetësinë e dilemave njerëzore dhe në sfidën e përjetshme mes të tashmes dhe të ardhmes. Në thellësinë e saj, bëhet e qartë se sakrifikimi i të tashmes në favor të së ardhmes është i kuptueshëm dhe shpesh i domosdoshëm, por kur njeriu përballet me detyrimin për të sakrifikuar të ardhmen, logjika e ndërgjegjes dhe ekuilibri i arsyeve njerëzore tronditen, këtu lind tensioni i vërtetë moral dhe ekzistencial. Muslimanët e perceptojnë këtë sakrificë jo si një episod të izoluar, por si një pasqyrë të gjithë udhëtimit njerëzor drejt Zotit, ku çdo akt i vetëdorëzimit ripërfaqëson jehonën e kulmimit profetik të Ibrahimit, dhe ku çdo e ardhme njerëzore është lidhur në mënyrë simbolike me dijen dhe urtinë e Zotit të së ardhmes.

    Në këtë kuptim, Ibrahimi (alejhi selam) paraqitet si njeriu që e realizon veten përmes testit më të rëndë të lirisë, ai ka mundësinë të mos veprojë, por zgjedh të veprojë, pikërisht për hir të bindjes absolute ndaj Zotit. Kjo bindje nuk është verbëri, por njohje e vetë cilësisë së Zotit; si më i Dituri, më i Drejti dhe më i Mëshirshmi, dhe e drejtësisë së veprimit të Tij. Kur sakrifica rrjedh nga kjo kuptimësi, ajo shndërrohet në një fjalë hyjnore të mishëruar në aktin njerëzor, duke përfshirë gjithë peshën e të gjitha flijimeve të mundshme. Kjo është arsyeja pse flijimi i Ibrahimit përmban simbolikisht tërësinë e sakrificave, sepse në të nuk peshojnë vetëm veprimet e tij, por historia e të gjithë njerëzimit dhe ardhmëria e çdo shpirti, pasi ai zgjedh t’i thotë jetës se nuk jam unë që vendos se çfarë ka vlerë, por Ai që më ka dhënë vlerë.

     

    IV.

    Vetë fakti që e gjithë jeta njerëzore, në thelb, ndërtohet mbi mënyrën se si njeriu është i gatshëm të flijojë, mbi atë se çfarë sakrifikon dhe për cilën arsye, e vendos flijimin në qendër të eksperimentit ekzistencial të qenies njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, flijimi ka një ditë të veçantë, që shquhet si dita e madhe festive dhe universale, kushtuar vetë aktit të dhënies së vetvetes në emër të së lartës. Për secilin individ, është thelbësore të kuptojë dimensionin kohor dhe ritmik të sakrificës, jo vetëm aktin në vetvete, por edhe mënyrën se si ai kryhet, momentin kur ndodh dhe qëllimin që e justifikon. Nuk mjafton të dimë çfarë po japim, duhet të dimë gjithashtu pse e japim, si e japim dhe kur është koha më e përshtatshme për të bërë këtë akt, sepse sakrifica që ndodh pa vetëdije, reflektim dhe orientim, në rastin më të mirë është një gjest i kotë, ndërsa shpeshherë mund të jetë edhe i rrezikshëm, duke krijuar pasoja të papritura për vetë dhënësin, siç edhe për të tjerët.

    Prandaj, vlera e njeriut nuk matet vetëm nga gatishmëria për të dhënë, por nga aftësia për të dalluar me saktësi se çfarë duhet dhënë dhe në cilin moment, nga perceptimi i thellë që çdo akt sakrifice duhet të harmonizohet me rendin moral dhe me kuptimin e jetës. Vetëm ai që arrin të veprojë me ndërgjegje dhe maturi, kupton se dhënia nuk është thjesht një akt fizik, por një reflektim i qetë, i thellë dhe i përgjegjshëm mbi marrëdhënien e vet me të Lartin dhe me botën që e rrethon. Në këtë kuptim, dita e Kurbanit nuk është thjesht një përkujdesje rituale, por një rikujtim etiko-ekzistencial, një thirrje për të rifilluar çdo vit udhëtimin e vetëdijes mbi bazën e sakrificës dhe të dhënies tërësore.

    E pikërisht për këtë, në kuadrin e dijes dhe traditës islame, ekziston një ditë e caktuar që mban emrin Dita e Kurbanit, jo për të kufizuar sakrificën në një kohë të vetme, por për të përqendruar çdo vit, në mënyrë rituale dhe simbolike, ndërgjegjësimin mbi thelbin e saj, duke na rikujtuar se e tërë jeta njerëzore është një udhëtim i pandërprerë i sakrificave të qëllimshme, një ftesë e vazhdueshme për të dhënë të përkohshmen në emër të përhershmes. Kjo ditë, përtej ritualit të dukshëm, është një kronikë etike e përjetshme, një sublimitet që na thërret të vëmë në ekuilibër brendësinë tonë me rendin hyjnor dhe të rikujtojë se madhështia e njeriut qëndron pikërisht në aftësinë për të hequr dorë nga vetja, për të shpërndarë egoizmin në rrjedhën e kalimtares dhe të përkushtohet ndaj së Vërtetës.

    Nga perspektiva e mendimit mysliman, çdo ditë është një fushë sakrifice, ku çdo veprim, çdo zgjedhje, çdo dorëzim i vetëdijshëm ose i pavetëdijshëm, mund të shndërrohet në një akt të thjeshtë apo sublim flijimi. Por Dita e Kurbanit funksionon si thirrje universale, një rikallëzim i vazhdueshëm i misionit profetik të Ibrahimit (alejhi selam), duke na kujtuar se sakrifica nuk është një akt mekanik apo i verbër, por një shenjë lidhjeje të thellë dhe të vetëdijshme me Krijuesin. Ajo na mëson të kuptojmë se dhënia e vetvetes, qoftë në aspektin fizik, emocional apo intelektual, është gjithmonë një udhëtim drejt afërsisë me Zotin, ku çdo akt i vërtetë sakrifice është reflektim i matur dhe i pastruar nga çdo motiv egoist.

    Në këtë kuptim, vetë ekzistenca e një dite të tillë përbën një pohim të fuqishëm për natyrën e jetës njerëzore, ajo na kujton se jeta nuk është thjesht një rrjedhë konsumi, por një ndërtim i vazhdueshëm përmes dhënies dhe vetëflijimit të vetëdijshëm. Kjo ditë vepron si një moment kur koha, për një çast të përvitshëm, ndalet jo për rehati apo zbavitje, por për përqendrim dhe kujtesë; për të krijuar hapësirë brenda vetes, ku njeriu mund të vështronte me sinqeritet se çfarë po mban ende dhe nuk i përket më, se çfarë duhet të lërë pas për të pastruar zemrën dhe mendjen, duke u afruar më shumë me atë që është e përhershme dhe e vërtetë.

    Ky çast nuk është festë zbavitjeje, por ngritje kuptimore, një harmoni reflektimi ku secili individ, çdo vit, bashkë me gjithë umetin dhe njerëzimin, thirret të përjetojë pyetjen themelore që iu drejtua Ibrahimit (alejhi selam): “A do ta japësh më të dashurin për hir të Më të Dashurit?” Kjo pyetje nuk është vetëm për dhënien e një jete fizike, por për dhënien e vetvetes në nivel ekzistencial, përkushtim ndaj së Vërtetës dhe njohje e rolit të njeriut si qenie e lirë, e aftë të zgjedhë aktin e vetëflijimit mbi rehati, komoditet apo ndjenja egoiste.

     

    V.

    Ndoshta kjo që themi mund të duket sfiduese ose radikale, por historia e mendimit njerëzor tregon se njeriu gjithmonë ka synuar, në mendimet, qëndrimet dhe vendimet e veta, të mbetet sa më larg bindjeve kolektive, përfundimeve të përbashkëta dhe kënaqësive masive, duke mos u dorëzuar pa reflektim ndaj shtytjeve të jashtme. Në një botë ku masa shpesh bëhet streha më e rehatshme e mediokritetit, njeriu përballet me dilema të vazhdueshme dhe sfidën e përballjes me mendimin e përbashkët, duke e shqyrtuar me kujdes dhe vlerësuar me dyshim çdo premtim të zakonshëm. Në fakt, ky distancim nuk është vetëm për të qenë ndryshe nga të tjerët, por kryesisht për të ruajtur pastërtinë dhe integritetin e mendimit të tij, për të mos lejuar që zhurma e përbashkët, e ndërtuar mbi lehtësinë dhe paqëndrueshmërinë e opinionit publik, ta shurdhojë reflektimin dhe të errësojë gjykimin.

    Në këtë kuptim, akti i të qenit i veçuar nuk është egoist, as mohim i bashkësisë; është një akt ekzistencial, një kërkesë themelore e lirisë njerëzore. Ai është domosdoshmëri për të pohuar një individualitet të përgjegjshëm, një identitet që nuk dorëzohet pa marrë parasysh presionin e masës dhe ilaritetin e saj, por që zgjedh të mbetet i vetëdijshëm, i kujdesshëm dhe i përkushtuar ndaj së vërtetës që e shndërron mendimin në një proces të gjallë, etiko-estetik, dhe jo thjesht në një opinion të rastësishëm.

    Nuk është fjala për egoizëm epistemologjik, as për një qëllim personal që kërkon privilegje mbi të tjerët, por për autonomi të ndërgjegjes, për aftësinë e njeriut që të mos dorëzojë vetveten në tryezat ku merren vendime të sheshta, të shpejta, të buta ndaj presionit të masës, por të forta ndaj të vërtetës, të orientuara nga një ligjësi e brendshme që nuk i nënshtrohet rastësisë apo komoditetit. Njeriu në thelbin e vet e njeh rrezikun e gabimit që mund të lindë nga kjo vetmi; madje, e pranon dhe e integron atë si pjesë të pandashme të lirisë së vet, si një akt kur njeriu e përvetëson përgjegjësinë për çdo zgjedhje të tij. Ky vetëdijim e shndërron mendimin e tij në një proces të gjallë etiko-estetik, duke e ngritur atë përtej nivelit të thjeshtë të një opinioni, dhe duke e bërë çdo vendim një formë të artit të jetës, të reflektimit dhe të integritetit.

    Kurbani i Ibrahimit nuk ndodh në shesh, nuk ndodh në treg, nuk ndodh para syve të masës së njerëzve, nuk ka veshë të huaj, as sy të huaj që ta gjykojnë. Ai ndodh në heshtje, në një shpat mali, i vetëm me djalin, në dy vetmi dhe në një marrëveshje të përbashkët e të palëkundur të ndërgjegjes. Ibrahimi nuk ka kërkuar konfirmim nga autoritetet e qytetit, nga fqinjët, apo nga turma, por vetëm nga Ismaili a.s., i cili përmes bindjes së tij të patundur bëhet bashkëautor i sakrificës në kushtet e të panjohurës, dhe nga nëna e tij, Haxherja a.s., e cila merr pjesë dhe jep miratimin e saj të plotë, duke e bërë aktin të plotë dhe të harmonizuar brenda kornizës familjare dhe shpirtërore, si referencë për gjithë njerzit në ardhmëri. Në këtë mënyrë, sakrifica e Ibrahimit bëhet një shembull i qartësisë së ndërgjegjes, i autonomisë së moralit dhe i lidhjes intime me të Vërtetën, larg çdo presioni të jashtëm apo manipulimi të opinionit publik.

    Kësisoj, Ibrahimi a.s. nuk kërkoi konfirmim as nga turma, as nga njerëzit e qytetit, as nga ndonjë autoritet tokësor, qoftë i afërt apo i largët. Jo, ai dhe familja e tij iu përgjigjën vetëm thirrjes që erdhi me ëndrrën-lajm nga i Gjithpushtetshmi, një thirrje e padukshme, por që ushtronte një fuqi më të madhe se çdo zë turme, çdo ndikim njerëzor, çdo pushtet tokësor. Ky udhëzim hyjnor ishte më i fortë se të gjitha strukturat e botës dhe i kërkonte një përgjigje të pastër, pa kompromis dhe të përkushtuar.

    Në këtë mënyrë, njeriu që nuk dorëzohet për shkak të rehatisë apo frikës, por që zgjedh të distancohet nga çdo kompromis kundër së vërtetës, ai që ndalet mes pasivitetit dhe pritjes, mëson të presë në heshtje daljen, vazhdimësinë dhe prosperitetin. Në këtë heshtje lind kurbani i ndërgjegjes, jo vetëm sakrifica e dukshme, që bëhet me thikë, por edhe sakrifica e brendshme, e cila konsiston në largimin nga rrjedhat e buta të zakonshmërisë, në rezistencë ndaj rutinës që shteron mendimin, ndjenjën dhe dëshirën. Këtu njeriu mëson të mos e humbasë drejtimin e vet të brendshëm nëpër zërat që i thonë çfarë duhet të mendosh, si duhet të ndihesh dhe çfarë duhet të duash. Kjo është forma më e thellë e flijimit, një akt vetëdijësie që formon karakterin dhe ndërgjegjen, duke e bërë njeriun të lirë dhe të lidhur vetëm me të vërtetën hyjnore.

     

    VI.

    Njeriu gjithmonë tërhiqet nga ideja që gjithçka me përmasa të mëdha; qoftë dije, përvojë, njohuri apo vlera, duhet të jetë në harmoni me kuptimin më të ngushtë personal, me botën e brendshme shpirtërore dhe interesat e tij të ndërthurura. Për këtë arsye, çdo zbulim apo kuptim që i bëhet i dukshëm, synon të jetë i vlefshëm dhe i qëndrueshëm; ai dëshiron të jetë pjesë e asaj që di se është shumë e rëndësishme, dhe që mund t’ua përcjellë të tjerëve, fëmijëve, shokëve, bashkëpunëtorëve, ose të gjithë atyre që kërkojnë të kuptojnë dhe njohin të vërtetën.

    Ky proces kërkon kohën e vet të vetmisë. Vetmia nuk është thjesht izolim, por një rrugëtim mes ëndrrave dhe pagjumësisë, mes ashpërsisë dhe brishtësisë, ku njeriu përjeton dhe përpunon me thellësi njohuritë dhe zbulimet e tij. Vetëm kur ky përfundim arrin në amplitudën e pjekurisë, ai mund të rritet dhe të shtrihet në fushën e përbashkët, ku ndërtohen marrëdhënie të sinqerta ndërnjerëzore. Kjo është mënyra se si lind një kulm i madh i përbashkët për të gjithë ata që duan të ndajnë edhe një rreze të vogël të së vërtetës, një akt shpirtëror që fillon brenda vetes dhe më pas depërton në botën e jashtme.

    Njeriu nuk e ndjek me dëshirë një manifestim të thjeshtë të pjekurisë shpirtërore sepse ai e di se nuk mund të njohë shpirtin në tërësi. Për këtë arsye, ai nuk vendos peshën tek përmasat e dukshme apo madhështia e jashtme, por tek përshtatja dhe përputhshmëria e së vërtetës me jetën dhe qenien e tij. Ai tërhiqet nga madhështia që është e vërtetë dhe e thelluar, që harmonizohet me rrënjët e qenies së tij, me përjetimin më të pastër personal dhe me përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm, ndaj fëmijëve dhe atyre fëmijëve që ende nuk kanë lindur.

    Në këtë kontekst lind një etikë e zbulimit; njohuritë dhe të vërtetat nuk kërkohen për t’u mburrur, por për t’u ndarë me ata që janë të etur për të kuptuar. Fjala “harmoni” merr një kuptim të veçantë, sepse bëhet filtër për çdo të vërtetë të madhe; nëse ajo e vërtetë nuk lidhet me zemrën, me përvojën e brendshme dhe me vazhdimësinë ndaj të tjerëve, atëherë ajo nuk ka vlerë.

    Pra, madhështia shpirtërore nuk është spektakël, por një harmoni e brendshme që lidhet me jetën, përvojën dhe përgjegjësinë. Pikërisht ajo është baza për të kuptuar flijimin dhe kurbanin si akt ekzistencial dhe të ndërgjegjshëm.

    Çdo njeri ndjen nevojën për vetmi, por jo për një vetmi që e izolon dhe e largon nga jeta, por për atë vetmi që pjek dhe zgjon brenda tij një reflektim të vërtetë. Nuk është largim nga bota, por një përqendrim i thellë ku njeriu përballet me pasigurinë, me shpresën, me dyshimet, me ëndrrat e pagjumësisë së natës. Në këtë hapësirë të heshtur, mes mjegullës së pasigurisë dhe dritës së intuitës, lind një përfundim i rrallë, një mendim që nuk ka vlerë të plotë përderisa nuk është provuar brenda vetes. Vetëm kur ky mendim ka kaluar përmes vetmisë së thellë dhe sfidës së introspeksionit, ai fiton peshë të brendshme dhe është i gatshëm të ndahet me të tjerët.

    Ky është një nga parimet më të thella të përgjegjësisë që shënon; mos e shpërndaj atë që ende nuk e ke testuar në vetvete. Njeriu i pjekur e kupton se çdo ide, çdo bindje, çdo udhëzim ka nevojë për kohën dhe vetminë e vet për t’u formësuar dhe pjekur në diçka të qëndrueshme, të vërtetë dhe të besueshme.

    Në frymën e Kurbanit më të madh në historinë njerëzore, Ibrahimi veproi pikërisht mbi këtë parim, ai nuk u shty nga madhështia e jashtme, nga opinioni i njerëzve, apo nga dëshira për famë dhe vlerësim. Ai veproi mbi një bindje të brendshme, mbështetur pa mëdyshje mbi një ëndërr që e dinte të vërtetë. Nuk kërkoi shpërblim, nuk shikoi parajsën apo ferrin, nuk shfrytëzoi asnjë element të jashtëm për të justifikuar veprimin e tij. U përqendrua te urdhri hyjnor dhe konfirmimi i tij brenda vetes. Ky është thelbi i Kurbanit, sakrifica nuk është spektakël për sy të tjerëve, por akt i ndërgjegjshëm, testuar dhe i miratuar brenda shpirtit.

    Vetmia e Ibrahimit nuk ishte thjesht heshtje, ajo ishte laborator i shpirtit, vend ku lind përkushtimi i vërtetë dhe ku maturia arrin dimensionin e sakrificës sublime. Kjo vetmi e pjekur e bën njeriun të aftë të dallojë mes atij që duhet të lërë dhe asaj që duhet të mbajë, mes bindjes për të ndjekur të vërtetën dhe tundimit për të zgjedhur rehati të përkohshme. Vetmia bëhet kurban i ndërgjegjes, një flijim i vazhdueshëm që shërben si themel i çdo akti fisnik në jetë.

    Në këtë kuptim, Kurbanin nuk e vendos një thikë, një ritual apo një spektakël publik, ai lind brenda njeriut, në heshtje, në përballjen me të panjohurën, në sfidën e brendshme për të mos u dorëzuar para rehatisë, ndaj frikës, apo presionit shoqëror. Ai lind kur njeriu zgjedh të mos humbasë drejtimin e vetvetes, kur distancohet nga rrjedhat e zakonshme që shpesh e çojnë në mediokritet dhe zgjedh të ndjekë të vërtetën e vetme që ka peshë.

    Në këtë mënyrë, çdo reflektim i vërtetë, çdo ide që merret me përgjegjësi, çdo vendim që ndikohet nga ndërgjegjja e pjekur është pjesë e traditës së Kurbanit brenda njeriut. Vetmia e përjetuar si përkushtim dhe përgjegjësi është laboratori i kuptimit, ku çdo akt fisnik formësohet dhe merr drejtim, duke e lidhur individin me dimensionin më të lartë të jetës; të dhënit jo për veten, por për të vërtetën, për të ardhmen dhe për atë që është më e madhe prej çdo interesi të përkohshëm.

    Dhe kjo përputhje e plotë e urdhrit hyjnor me thelbin e karakterit të tij, me besimin e formuar gjatë një jete të tërë sprovash, marrëdhëniesh dhe vetmie, është ajo që e shndërroi Ibrahimin (alejhi selam) në shembull të përjetshëm për të gjitha brezat. Kur ai vendosi të flijojë birin e vet, nuk e bëri këtë për t’i treguar botës një akt madhështor, nuk e bëri për lavdi ose njohje, jo, ai veproi ashtu sepse ajo kërkesë ishte plotësisht në harmoni me bindjen e tij ndaj të Gjithdijshmit, me njohjen e tij të së drejtës së Zotit dhe besimin se çdo urdhër hyjnor përmban urtësi absolute dhe drejtësi të pakufizuar.

    Kur Ismaili (alejhi selam) iu përgjigj: “O babushi im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” lind një harmoni që kalon përtej kohës dhe brezave. Harmonia midis të zbuluarës dhe të trashëguarës, midis udhëzimit hyjnor dhe përgjegjësisë njerëzore, krijon një lidhje të pafundme midis atij që ndjek të vërtetën dhe atij që e pranon dhe e mbështet atë.

    Kjo është edhe dëshira më e thellë e çdo njeriu, që për gjithë çfarë i zbulohet atij, të mund të mbijetojë dhe të lulëzojë te të tjerët, jo me intrigë, jo me detyrim apo dhunë, por me dritë, me shembull të pastër, me një trashëgimi që ndërton, që edukon dhe që frymëzon. Ky është theksi i vërtetë i çdo flijimi të madh, të dhurosh atë që ke kuptuar dhe provuar në vetvete, të lësh të trashëgohet pa kompromis ndaj të vërtetës, dhe të lehtësojë rrugën për ata që vijnë pas teje.

    Në këtë mënyrë, Kurbani i Ibrahimit nuk është thjesht një akt historik, por një udhërrëfyes ekzistencial dhe moral; çdo njeri mund të lidhet me të përmes përkushtimit të ndërgjegjes, bindjes ndaj së drejtës dhe guximit për të sakrifikuar atë që është e përkohshme në emër të së përhershmes.

     

    VII.

    Si veçim nga të tjerët, vetmia është një shpatë me dy tehe: për shumëkënd, ajo duket si anë e trishtuar e realitetit, si boshllëk që frikëson dhe shkakton ndjenja vetmie apo izolimi. Por duhet të theksohet se mungesa e të tjerëve nuk është domosdoshmërisht vetmia e vërtetë. Vetmia, në formën e saj më të lartë, nuk është thjesht një zbrazësi, por një hapësirë e ndriçuar shpirtërisht, ku njeriu ballafaqohet me veten, me mendimet, emocionet dhe dëshirat e tij më të thella, dhe ku lind mundësia për të kuptuar të vërtetën.

    Sigurisht, vetmia mund të jetë edhe e keqe, shkatërruese, kur rrënjët e saj janë mbushur me pasione të papërmbajtura, prirje shtazore ose kur e gjithë hapësira e brendshme është e zënë nga iluzione dhe egoizëm. Në këtë rast, vetmia bëhet helm që ushqen izolimin dhe moskuptimin, por, kur është e ndriçuar nga vetëdija dhe reflektimi, ajo shndërrohet në një mjet shërimi shpirtëror, një terren ku njeriu ka mundësinë të analizojë, të harmonizojë dhe të rritet.

    Vetmia nuk është vetëm mungesë e njerëzve, por një mjet dialektik i vetë-ndërgjegjësimit, si e tillë ajo mund të bëhet ose burim i shkatërrimit, ose katalizator i rritjes dhe i pjekurisë. Ajo çfarë e bën ndryshimin është përmbajtja që njeriu vendos brenda vetes, duke përfshirë mendimet, bindjet, reflektimet dhe aspiratat e tij. Vetmia e vërtetë është ajo që i hap dritë brenda vetes, larg zhurmave të botës, dhe që lejon që aktet dhe vendimet e mëvonshme të lidhen me thelbin e së drejtës dhe të së vërtetës.

    Kur themi se mungesa e dikujt nuk është domosdoshmërisht vetmi, njeriu hedh poshtë konceptin sentimental ose shoqëror të vetmisë si një gjendje negative, si diçka që ka të bëjë thjesht me izolim apo mërzi. Në kuptimin e tij thelbësor, vetmia është hapësira ku njeriu përpunohet, një laborator i qetë shpirtëror ku mendimet, emocionet dhe aspiratat përballen me vetëdijen e individit. Është pikërisht ai vendi ku lind reflektimi, ku njeriut i krijohet mundësia për të parë veten në dimensionet më të thella, për të kuptuar motivet, dëshirat dhe dobësitë e veta.

    Por këtu ekziston një paralajmërim thelbësor, duhet pasur parasysh që vetmia nuk është një mjet i ndriçimit për të gjithë. Nëse njeriu është i përbërë dhe i ndikuar vetëm nga instinkte, prirje të papërmbajtura dhe dëshira kafshërore, vetmia nuk do të jetë kurrë një vend i ndriçimit, por një terrën shkatërrues, që zbulon dhe amplifikon shtazërinë e brendshme. Në këtë kuptim, vetmia nuk e formon njeriun; ajo e shfaq atë që ai është në thelb.

    Kështu, vetmia bëhet një pasqyrë brutale që nuk të fal, ajo nuk e shtrembëron, nuk e butëson realitetin e brendshëm. Nëse pasqyra reflekton instinktet më të ulëta, nuk ka hapësirë për dimensionin njerëzor të shpirtit. Për këtë arsye, vetmia është akt i rrezikshëm për ata që nuk janë të përgatitur të përballen me zbulesat e saj. Ajo është provë, një lloj testimi i brendshëm, vetëm ai që është i gatshëm të përballojë vetveten në thellësi mund të shndërrohet nga vetmia në një mjet pjekurie dhe ndriçimi shpirtëror.

    Vetmia e Ibrahimit nuk ishte kurrë një izolim i imponuar, një tërheqje nga bota që lind nga frika apo paaftësia për t’u përballur me realitetin. Ajo ishte vetmi e zgjedhur, e vetëdijshme, e orientuar drejt lartësimit shpirtëror. Ai largohej nga idhujtaria, nga zakonet shterruese të shoqërisë, nga padrejtësia e turmës, por gjithmonë për të qenë më afër Zotit, për të kuptuar dhe përjetuar thelbin e udhëzimeve hyjnore. Kjo vetmi është kërkuese, reflektuese, një terren lutjeje dhe vetëpërballjeje, jo vetëkënaqësie apo arrogancë shpirtërore.

    Ky është dallimi thelbësor mes vetmisë shpirtërore të njeriut dhe vetmisë së egos; e para është shteg drejt lartësimit, drejt ndriçimit dhe harmonisë me të Vërtetën; e dyta, e mbushur me ego, është greminë drejt shkatërrimit, drejt shtazërisë së brendshme dhe humbjes së orientimit.

    Në momentin kulmor të sakrificës, Ibrahimi është sërish vetëm, edhe pse pranë tij janë biri dhe miratimi i gruas së tij. Kjo vetmi është ekzistenciale, sepse akti është përballë Zotit dhe askush tjetër nuk mund ta përmbushë ose të ndihmojë atë përtej mbështetjes morale të familjes. Ai e përballon këtë me dinjitet të lartë, sepse brenda tij nuk ka asgjë prej instinkteve të ulëta; ka vetëm besim të pastër dhe bindje të kulluar.

    Këtu qëndron thelbi i këtij akti, vetmia nuk është problem kur përmbajtja e njeriut është dritë, kur dinjiteti, karakteri dhe ndërgjegjja janë të ndërtuara mbi drejtësi, integritet dhe devotshmëri. Kur kjo ndodh, vetmia shndërrohet në praninë më të thellë të Zotit, në një dialog të heshtur por të fuqishëm midis krijesës dhe Krijuesit, ashtu siç ndodhi me Ibrahimin a.s., duke e bërë aktin e sakrificës jo vetëm një flijim fizik, por një manifestim të thellë ekzistencial dhe hyjnor.

     

    VIII.

    Kurabani është një gëzim i madh për njerëzimin; është hare e pamasë, jo vetëm për shkak të ritualit të thjeshtë të aktit të therjes, por pikërisht për atë se ai përçon një mesazh të jashtëzakonshëm, na bëhet e qartë se nuk ka flijim pa sakrificë të vërtetë të zemrës dhe të ndërgjegjes. Tek ne, pika fillestare shpesh është dashi, për Ibrahimin, pika fillestare ishte vendimi i brendshëm, përballja me dilema të thella të njeriut, dilema ndërmjet dashurisë për të birin dhe bindjes ndaj Zotit.

    Për këtë, tek ai nuk ekzistonte implikimi i dashit derisa iu soll dashi si zgjidhje përfundimtare, gjë që na bën ne të kuptojmë se dashi ishte vetëm rezultati, jo nisja e flijimit. Fillimi ishte një akt i brendshëm, një përballje e tmerrshme me dilemat më themelore të shpirtit; me dashurinë, me frikën e njeriut të ndjeshëm, dhe thirrjen hyjnore.

    Ky fragment na rikujton një paradoks të thellë pedagogjik dhe shpirtëror, se shpesh mësimi i flijimit dhe përgjegjësisë tek ne reduktohet në aktin e therjes së dashit, duke lënë mënjanë dimensionin edukativ dhe moral të Kurbanit. Tek Ibrahimi, flijimi fillonte me vendimin të dorëzojë atë që i ishte më i shtrenjtë, në përballjen me vetveten dhe me instinktet natyrore, dhe vetëm më pas zgjidhja hyjnore e sjellë nga Zoti, dashi, kompletonte aktin.

    Kjo na bën të kuptojmë se Kurbani nuk është thjesht ritual, por një udhëtim i përhershëm i ndërgjegjes, i cili fillon me flijimin e egoizmit, të frikës, të posedimit dhe të instinkteve njerëzore, dhe kulmon në dorëzimin e vërtetë, të pastruar, për hir të së Vërtetës. Përmes këtij procesi, çdo njeri mund të mësojë se vlera e flijimit nuk qëndron te madhësia e dashit, por tek sakrifica e brendshme, e formuar nga bindja, dashuria dhe përgjegjësia shpirtërore.

    Si i tillë, Kurbani nuk është vetëm mish dhe gjak; ai është miratim i bindjes në pikën më ekstreme të saj, një test i karakterit, i dinjitetit dhe i ndërgjegjes. Frika aktuale e njerëzimit, dhe e myslimanëve në veçanti, është se shpesh njeriu e redukton këtë flijim në një akt ritual të shurdhër, duke e hequr thelbin e vërtetë të sakrificës dhe duke transferuar të gjithë peshën tek kafsha. Është pikërisht kjo që e bën secilin njeri të mendojë se; “Kam frikë kur mendoj se ne jemi mësuar ta lirojmë veten nga përgjegjësia me fokusin tek dashi…”, a mos duhet ta mendojmë dhe përjetojmë sipas radhës që i ndodhi Ibrahimit (alejhi selam), thjeshtë, vetëm ta mendojmë.

    E vështruar nën këtë dritë, mendoj se është e nevojshme një kritikë e qartë ndaj komoditetit fetar, kur njeriu nuk përballet me momentin e sakrificës, kur më së paku nuk e mendon më të dashurën si flijim, atëherë ai humbet mundësinë për të edukuar karakterin, për të ushtruar durim, për të kultivuar vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë. Në këtë mënyrë, Kurabani bëhet thjesht një zakon i trashëguar, pa drithërimën e dramës, pa përpjekjen shpirtërore, pa forcën morale që e bën aktin të domethënës.

    Dhe çështë më e keqja, të gjitha këto njerzit i bëjnë, duke lënë pas dore edukimin e fëmijëve. Kjo edhe pse mund të duket si një vërejtje paradoksale, ka kuptim të thellë në kontekstin modern, sepse, sistemi arsimor global, me gjithë mjetet dhe teknologjitë e tij, jo shpesh, por përjashtimisht merret vetëm me arsimin e fëmijëve për interesa të jashtme, nuk merr përsipër edukimin e tyre, pra i arsimojnë jo për t’i përgatitur për jetën shpirtërore, jo për sakrificën dhe për vlerat morale, jo për të qenë njerëz.

    Kur nuk i mësojmë fëmijëve të kuptojnë arsyen dhe thelbin e Kurbanit, kur u tregojmë vetëm aktin e thikës mbi dashin, ne e kemi shndërruar pedagogjinë hyjnore të Ibrahimit në një teatër ritual. Atëherë humbet dimensioni më i rëndësishëm i këtij akti, aftësia për të patur dinjitet, për të ndërtuar karakter, për të mësuar përgjegjësinë dhe për të kuptuar lidhjen e vërtetë me Zotin.

    Në thelb, Kurbani duhet të mbetet shkollë e jetës, ku fëmijët mësojnë se bindja, sakrifica dhe dorëzimi tek e Vërteta nuk janë gjëra të thjeshta, por udhëtime të thella të ndërgjegjes dhe shpirtit. Vetëm kështu, dashi bëhet simbol i asaj që Ibrahimi (alejhi selam) na la si trashëgimi të përjetshme; flijimi i brendshëm, edukimi i karakterit dhe ndërtimi i përgjegjësisë shpirtërore.

    Në frymën e Ibrahimit (alejhi selam), Ismaili nuk ishte thjesht një fëmijë, ai u shndërrua në mësues dinjiteti, bindjeje dhe karakteri, duke treguar se pjekuria shpirtërore dhe edukimi fillojnë shumë përpara aktit të Kurbanit. Fjalët e tij: “O babushi im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm! ” janë shembull i një edukimi të thellë moral, ku vetëdija dhe përgatitja për flijim nuk imponohen nga frika, por kultivohen në kuadrin e besimit të ndërsjellë dhe të respektit.

    Në këtë perspektivë, Ibrahimi nuk është thjesht baba që kryen një akt ritual, por udhëheqës shpirtëror dhe pedagog. Ai ndërton marrëdhënie me fëmijën, ku zëri i bindjes nuk është presion, por udhëzim, ku akti i dorëzimit nuk imponon, por ushqen pjekurinë dhe forcën morale.

    Ndryshe nga kjo, ne shpesh kemi fokusuar vetëm dorën që ther, duke harruar të edukojmë zemrën që pranon, atë pjesë të brendshme që është e gatshme të kuptojë, të besojë dhe të flijojë me vetëdije. Pikërisht kjo mungesë ka bërë që në epokën tonë Kurbani na paraqitet thjeshtë si zakon, por jo si pedagogji e jetës, ku sakrifica shpërfaqet vetëm në pjesën e jashtme, ndërsa dimensioni i brendshëm i përgatitjes, bindjes dhe edukimit shpirtëror humbet.

    Në këtë kuptim, Kurbani i Ibrahimit është model për çdo edukim të qëndrueshëm, sepse ai na mëson që sakrifica fizike dhe ajo morale nuk mund të ndahen, edukimi i fëmijës fillon nga ndërtimi i besimit, respektit dhe ndërgjegjes, që më pas mund të shprehet në çdo akt të madh të jetës.

     

    IX.

    Ndodh shpesh që njeriu të gjendet në rrethana margjinale, ku çdo vendim nuk është thjesht një zgjedhje ndërmjet alternativave, por një përballje me thelbin e vetë identitetit dhe karakterit. Në këto momente, qëndrimi i tij ndaj situatës nuk matet me nuancat e zakonshme apo lehtësinë e zgjedhjeve të përditshme, ai preket nga guximi për t’u përballur me kundërshtimin e gjithkujt përreth, dhe ky guxim kërkon shpesh një flijim sublim, një akt që nuk shihet, por që përforcon unitetin ndërmjet ndërgjegjes dhe veprimit.

    Vendosmëria e qëndrimit në përputhje me parimet mbi të cilat bazohet një akt, apo një mori aktesh, është tregues i dinjitetit të njeriut. Por kur ky akt nuk është thjesht instrument, por shprehje e një parimi të brendshëm që përcakton qëllimin, ai shndërrohet në simbol të karakterit, në një etalon moral për vetëdijen njerëzore.

    Në këtë kuptim, “rrethanat margjinale” nuk janë vetëm një hapësirë fizike apo një kufi shoqëror; ato janë hapësirë shpirtërore, ku njeriu e sheh veten të ekspozuar, të vetëm, dhe përballë një thirrjeje që kërkon flijim të heshtur, flijim të brendshëm. Në këtë zonë, vendimi nuk matet më me pëlqimin e të tjerëve, me komoditetin apo pritshmëritë sociale, por me përputhjen me një parim të brendshëm, të heshtur, vigjilent dhe të patundur.

    Kështu, vendimi moral në periferi të normës nuk është një privilegj apo një luks, por një provë e thellë e lirisë dhe përgjegjësisë, ku njeriu mëson të dallojë mes dhimbjes së humbjes së përkohshme dhe forcës së fitimit të integritetit. Në këtë mënyrë, flijimi sublim nuk është thjesht dhe vetëm sakrificë, por edhe një akt themelor i afirmimit të vetvetes dhe përforcimit të lidhjes me të Vërtetën, ashtu siç e ilustron shembulli i Ibrahimit (alejhi selam) në çdo hap të tij.

    Kjo spikat dhe thellon një parim të rëndësishëm; karakteri nuk krijohet nga pajtimi me të tjerët, por nga qëndrimi i guximshëm në mbrojtje të dinjitetit, përballë presionit të rrethit dhe izolimit të vetmisë morale. Vetmia këtu nuk është thjesht mungesë shoqërie, por laborator ku provon veten dhe thelbësinë e parimeve që mbron.

    Andaj edhe vendimi që duhet të marrë njeriu, prek jo vetëm nuancat apo thelbin e qëllimeve të tij, por njëkohësisht vjen në kontakt edhe me guximin për të pranuar sfidën e kundërshtimit të të gjithëve përreth tij, ku të gjitha janë një paralajmërim serioz. Kjo është arsyeja pse vetëm vendimet që kërkojnë vetmi dhe përballje me kundërshtimin, ato që nuk mund të aprovohen nga masa, janë ato që vërtet forcojnë dinjitetin dhe karakterin si mbrojtje. Karakteri lind në konfliktin me rrethin, jo në komoditetin e pajtimit të verbër.

    Në përditshmëri, kjo përkthehet në një përgjegjësi të dyfishtë, ku dinjtiteti shfaqet në vendosmëri për të qëndruar pranë parimeve, pavarësisht presionit, ndërsa karakteri shfaqet kur secili akt i ndërtuar mbi parime duhet mbrojtur duke i qëndruar deri në fund, gjë që e bën të lidhet me qëllimin më të lartë të njeriut, qoftë në këtë botë, qoftë në Ahiret. Pra, vendimi individual nuk është thjesht zgjedhje praktike; është flijimi i vetmisë për të ruajtur vërtetësinë e vetes, si një akt i vazhdueshëm i Kurbanit, ku çdo përballje me presionin e jashtëm bëhet test për integritetin dhe pjekurinë shpirtërore.

    Ka një ngatërresë që e hasim shpesh në përditshmërinë tonë; shpesh vendoset karakteri në qendër, ndërsa dinjiteti mbetet në periferi. Mirëpo karakter kanë edhe piratët dhe gangsterët, madje karakter të fortë dhe të vendosur, por kjo nuk garanton shpirtin e pastër. Dinjiteti vjen nga përputhja e qëndrimit me parimin dhe nga mënyra se si jeton sipas këtij parimi, ndërsa karakteri vjen nga përkushtimi për të mbrojtur këtë përputhje pa hezitim dhe pa frikë, edhe kur ajo përballet me rrezikun ose izolimin.

    Ky është një zgjerim i qartë i konceptit të sakrificës së Ibrahimit, sepse ai qëndroi në margjinë të çdo norme njerëzore dhe vetëm bindja e tij ndaj parimit hyjnor e bëri të durueshëm, të lavdëruar dhe shembull; në dritën e Islamit dhe të vështrimit të imët të Kurbanit, na kujton se sakrifica nuk është vetëm akt fizik, por qëndrim i palëkundur ndaj Zotit në momente të izoluara, të panjohura dhe shpesh të pakuptueshme për të tjerët.

    Dhe në këto momente, dinjiteti i njeriut nuk matet nga rezultati i jashtëm, por nga brendësia e tij, nga përputhja me Urdhrin Hyjnor dhe bindja e qëndrueshme ndaj parimeve të larta. Ibrahimi a.s. shfaqet më dinjitoz pikërisht në çastin kur vendos të flijojë të birin, jo sepse thika e tij pret, por sepse karakteri i tij mbeti i pathyeshëm përballë dhimbjes, frikës dhe ndjenjave njerëzore që çdo prind i njeh dhe i ndjen. Kjo përvojë pohon një të vërtetë themelore: vetëm njeriu që posedon dinjitet të rrënjosur në parime dhe qëndron besnik ndaj tyre në vetmi, meriton të quhet me të vërtetë njeri me karakter.

     

    X.

    Pa një qëllim të vërtetë, që lind nga përputhja me parimet, njeriu nuk mund të ndërtojë dinjitetin e tij, e pa dinjitet nuk mund të lindë as karakteri i qëndrueshëm. Qëllimi është si një bosht që e mban rrotën e jetës në drejtim, ndërsa parimet janë si dhëmbët e kësaj rrote; pa këtë lidhje, lëvizja bëhet e çrregullt, rruga e pasigurt dhe çdo akt merr pamjen e një maske pa fytyrë.

    Një qëllim që nuk është i harmonizuar me parimin e brendshëm nuk e çon njeriun drejt ndërtimit dhe mbushjes, por drejt zbrazëtisë dhe shpërndarjes së energjisë në role të imponuara ose nga shoqëria, ose nga frika. Në këtë gjendje, konformizmi merr trajtën e një burgu të padukshëm, ku njerëzit jetojnë të pajtuar me rrethanat, por jo me ndërgjegjen e tyre. Frika nga inferioriteti, nga humbja e imazhit apo gjykimi i turmës, prodhon mbrojtje të rreme dhe justifikime të holla, që vetëm shtyjnë më tej shkatërrimin e brendshëm dhe humbjen e vetvetes.

    Ky është një paralajmërim i qartë për rrezikun e jetës pa busull të brendshme. Pa këtë busull, vlerat sipërfaqësore e privilegjet e përkohshme zëvendësojnë përmbajtjen e vërtetë, duke e kthyer njeriun në një qenie që funksionon, por nuk jeton. Vetëm kur qëllimi ushqehet nga parimi, dinjiteti fillon të formohet, të lartohet dhe vetëm mbi këtë bazë lind domosdoshmëria për karakterin e vërtetë, që nuk është rol i luajtur për sytë e të tjerëve, por është vetë fryma e qëndrimit të njeriut në të gjitha rrethanat; pra, edhe në vetmi, edhe në kundërshti me të padrejtën, edhe në sakrificë.

    Në këtë mënyrë, njeriu pa një qëllim të qartë dhe arritje të harmonizuar me parimet përjeton trishtimin e një drame të brendshme, një tension të pandërprerë mes sigurisë së rreme dhe integritetit të vërtetë. Kur qëllimi nuk buron nga bindja ndaj parimeve, nuk ka asnjë mundësi për të dëshmuar dinjitetin e vërtetë; e pa dinjitet, çdo përpjekje për karakter në mbrojtje të së drejtës bëhet iluzionare dhe e brishtë. Në këtë boshllëk, individi shpesh i nënshtrohet konformizmit, dorëzohet ndaj rrethanave të dyshimta dhe luan role të imponuara nga shoqëria, duke justifikuar veprime që shkelin parimet me një mbrojtje të rreme të vetes. Frika nga inferioriteti e përforcon këtë mekanizëm, duke krijuar një akt të shtrembëruar të qëndrimit, ku çdo veprim rrëshqet larg integritetit.

    Qëllimi, kur ekziston në përputhje me parimet, vendos një linjë të prerë dhe të heshtur: çdo kompromis apo devijim shpërfaqet menjëherë si mohues i thelbit të qenies. Pa këtë udhërrëfyes të brendshëm, njeriu shndërrohet në një aktor të rolit të vet të rremë; çdo akt bëhet shprehje e frikës, jo e karakterit të vërtetë, dhe drama e brendshme zëvendëson harmoninë e veprimit dhe pjekurinë e shpirtit.

    Kurbani i Ibrahimit (alejhi selam) nuk është vetëm një provë force, por mbi të gjitha një provë e qëllimit, dhe në këtë qëllim qëndron gjithë dinjiteti i njeriut përballë Zotit të botëve. Kur qëllimi nuk është i vërtetë, ai zëvendësohet me konformizëm; një përputhje e jashtme, një pajtim i heshtur me atë që nuk përputhet me bindjen. Njeriu fillon të luajë role, të duket se vepron me bindje, por në realitet jeton larg së vërtetës. Ai që nuk ka dinjitet e mbulon boshllëkun me një përfaqësim, një maskë ndërtuar mbi frikën e brendshme, një aktrim që ngjan me bindje por ushqehet me pasiguri. Në vend të karakterit lind frika e veshur me argumente, e mbrojtur me arsyetime, duke shtrembëruar thelbin e veprës.

    Ibrahimi (alejhi selam) nuk kërkonte justifikime, nuk aktronte, nuk përfaqësonte tjetër gjë përveç bindjes. Ai e njihte qëllimin dhe nuk e braktisi kurrë; për këtë qëndroi në lartësinë e dinjitetit, ndërsa karakteri i tij mbetet përjetësisht i pakontestueshëm. Sot, kur mungon ky ekuilibër mes qëllimit dhe parimit, shumë veprime që duken të larta janë vetëm manovra mbrojtjeje, dhe shumë që duken të drejta janë strategji të një inferioriteti të kamufluar. Kurbani i vërtetë është pikërisht ky; të mos pranosh të bëhesh aktor në një lojë pa qëllim, sepse aktori përshtat veten me skenën, ndërsa njeriu me karakter e përshtat skenën për të vërtetën.

     

    XI.

    Inferioriteti është më shumë se një ndjenjë pasigurie; ai është një boshllëk i brendshëm, një hapësirë e errët ku njeriu ndjehet i paqëndrueshëm dhe i ndarë nga vetvetja. Ai lind nga paaftësia për të pranuar realitetin e ekzistencës dhe përballjen me të vërtetën, sepse ekzistenca njerëzore nuk mund të konceptualizojë “asgjënë”, zbrazëtinë pa kuptim. Në këtë boshllëk, frika nga e vërteta shndërrohet në mohimin e vetes, shmangien dhe mbrojtjen e rreme të egos, takimi me të vërtetën sjell me vete dhimbje, poshtërim, vetëdije për përfundimtarinë dhe vdekshmërinë.

    Ky boshllëk e bën njeriun të jetojë në një skenar të huaj, ku çdo veprim është improvizim për të shmangur zbulesën e vetvetes. Pa rrënjën e thellë të qëllimit dhe parimeve, frika shndërrohet në një rob të pafuqishëm që mbyt potencialin dhe krijueshmërinë e brendshme. Inferioriteti është mungesa e qenies autentike; njeriu mbetet i burgosur nga frikërat dhe gënjeshtrat e veta, i paaftë të përballet me parimet universale të së vërtetës dhe dinjitetit. Ky konflikt i brendshëm mes frikës dhe guximit, mes errësirës dhe dritës, nuk është thjesht metaforik; ai është një skenë dramatike ekzistenciale që secili e mban brenda vetes, duke e bërë jetën një lloj improvizimi për të shmangur zbulesën e vetvetes.

    Në këtë situatë, njeriu shpesh sakrifikon të vërtetën për rehati të përkohshme, duke e zhvendosur flijimin tek të tjerët ose duke e zvogëluar jetën në rutinë dhe konformizëm. Në vend që të përballet me frikën e vetvetes dhe boshllëkun që e mbyt, ai jeton si aktor në një lojë të rreme, duke ecur pa udhërrëfyes në një terr që duket i pacaktuar. Inferioriteti bëhet kështu një forcë që e mbërthen njeriun, duke e larguar nga karakteri, nga ndershmëria dhe nga ndjenja autentike e përgjegjësisë për jetën e tij.

    Kurbani shfaqet si një rrugëdalje nga kjo errësirë. Ai nuk është vetëm një ritual jashtë njeriut, por një akt i zgjedhur dhe i heshtur që ndriçon boshllëkun e brendshëm, duke treguar rrugën për të marrë përgjegjësinë e vetes dhe për të përballuar të vërtetën me dinjitet dhe karakter të vërtetë. Sakrifica e vetëdijshme, ashtu si tregoi Ibrahimi (alejhi selam) në përballjen e tij me flijimin më të madh, është një akt që sfidon frikën dhe transformon boshllëkun e brendshëm në hapësirë të gjallë për vetëdije, forcë dhe liri shpirtërore.

    Çdo vendim i jetës, çdo akt i vogël ose i madh, bëhet një mundësi për të flijuar egoizmin, frikën dhe boshllëkun, duke u bërë kështu një kurban i heshtur dhe i përhershëm. Ky dimension i kurbanit na mëson se për të kapërcyer inferioritetin nuk mjafton të ndjekim zakonet ose të përputhemi me masën, duhet të ndërtojmë një marrëdhënie intime me vetveten dhe me të vërtetën, ku çdo flijim është një hap drejt emancipimit të shpirtit dhe ndriçimit të boshllëkut që e mbyt njeriun nga brenda.

    Në fund, inferioriteti nuk është një gjendje e pashmangshme, por një ftesë për të njohur vetveten dhe për të ndërtuar një qëllim të vërtetë. Kurbani, si metaforë dhe si praktikë e vetëdijshme, është feneri që ndriçon këtë hapësirë të errët dhe tregon rrugën drejt lirisë shpirtërore, përballjes me të vërtetën dhe jetës së dinjitetshme.

     

    XII.

    Etaloni i jetës nuk është vdekja, ashtu siç as jeta nuk është etalon për vdekjen. Jeta është hapësira ku njeriu vepron, ku çdo vendim, çdo flijim dhe çdo veprim i ndërgjegjshëm tregon karakterin, dinjitetin dhe lidhjen e tij me të vërtetën. Në këtë kuptim, jeta nuk matet nga kalimi i ditëve, por nga mënyra se si njeriu zgjedh të përballet me sfidat, të sakrifikojë egoizmin dhe të qëndrojë besnik parimeve të tij.

    Vdekja, nga ana tjetër, nuk është fundi, por një reflektim që i tregon njeriut pasqyrën e jetës së tij. Ajo nuk e gjykon për sasinë e ditëve, por për thellësinë e përkushtimit dhe përpjekjes për të jetuar me përgjegjësi dhe integritet. Ky dallim krijon një imazh të qartë; jeta është arena e dëshmisë, ku njeriu ndërton dinjitetin, kalit karakterin dhe manifeston vlerat e tij, vdekja është kompozimi i përfundimtar i atij ndërtimi, momenti kur shpaloset vlera e sakrificave dhe vendimeve të ndërmarra.

    Kurbani, në këtë kontekst, nuk është vetëm një akt simbolik, por një shprehje e vazhdueshme e përgjegjësisë ndaj jetës. Sakrifica e vetëdijshme tregon se çdo veprim, qoftë i vogël apo i madh, ka rëndësi dhe çdo flijim është një hap drejt ndërtimit të një jete të plotë dhe me kuptim. Ai na mëson se jeta është më shumë sesa ekzistencë fizike, ajo është mundësia për të pohuar vazhdimisht vlerat dhe parimet, për të qëndruar besnik së vërtetës dhe për të dhënë dëshmi të vetvetes.

    Në këtë sens, kurbani bëhet një metaforë e rrugës së jetës; çdo flijim, çdo përballje me frikën dhe çdo vendim që lidhet me përkushtimin ndaj së vërtetës, ndriçon rrugën dhe përforcon vetëdijen se jeta ka vlerë vetëm kur përdoret për të ndërtuar dinjitet dhe karakter. Vdekja nuk është një etalon, por një pasqyrë që rikthen sytë e njeriut tek zgjedhjet dhe flijimet që ai bëri, duke treguar se vetëm përmes veprave të ndërgjegjshme njeriu mund të lërë gjurmë të përhershme.

    Kurbani, pra, është një ftesë për të jetuar me përgjegjësi, për të përballuar të vërtetën dhe për të dhënë një kontribut të qëndrueshëm në jetën e vet dhe në botën përreth, duke treguar se jeta dhe vdekja, secila në mënyrën e saj, janë dimensione të ndërlidhura të ekzistencës ku vlera e veprave dhe flijimeve merr kuptimin e saj të plotë.

     

    XIII.

    Nga ky këndvështrim, frika që nuk mbështetet në parime bëhet pengesë e vazhdueshme për jetën dhe dinjitetin e njeriut. Kur njeriu refuzon të përballet me të vërtetën dhe me përgjegjësitë e tij, ekzistenca e tij reduktohet në mbijetesë të zhveshur nga kuptimi. Ai vdes shumë herë përpara vdekjes së tij fizike, duke jetuar në një realitet të huaj, ku çdo lëvizje është improvizim dhe çdo hap drejt së vërtetës pengohet.

    Në këtë boshllëk të frikës, vullneti për të vepruar drejt së vërtetës dhe për të ndjekur parimet shndërrohet në të pamundur. Njeriu ngec në hijet e frikërave të veta, dhe çdo mundësi për rritje dhe zhvillim shpirtëror duket e mbyllur. Jeta bëhet një thirrje e heshtur për çlirim që nuk realizohet, dhe ekzistenca e tij humbet dimensionin e saj të plotë.

    Kurbani, si akt i vetëdijshëm dhe i zgjedhur, ofron një rrugë për të thyer këtë robëri. Ai është një metaforë e guximit të vërtetë, i cili lind nga rrënjosja në parime të forta dhe përkushtimi ndaj së vërtetës. Përmes flijimit, njeriu mëson të përballet me frikën, të ndalojë shpërqendrimin pas shqetësimeve të kota dhe të rimarrë kontrollin mbi jetën dhe zgjedhjet e tij.

    Sakrifica e Ibrahimit (alejhi selam) nuk është thjesht një ngjarje historike; ajo është shembulli i përjetshëm se guximi lind kur frika shndërrohet në instrument të dinjitetit dhe parimeve. Vetëm përmes këtij përballimi njeriu mund të dalë nga errësira e brendshme, të shohë kuptimin e jetës dhe të ndërtojë një ekzistencë të lirë, ku veprimet dhe vendimet nuk dominohen nga frika e paarsyeshme, por udhëhiqen nga karakteri dhe bindja ndaj së vërtetës.

    Kurbani tregon se liria e brendshme dhe forca e shpirtit nuk arrihen me shmangie apo pasiguri, por përmes përballjes me realitetin dhe përmes aktit të sakrificës të ndërgjegjshme. Ai është feneri që ndriçon rrugën për të dalë nga hijet e frikës, duke transformuar vdekjen e brendshme në lindje të një vetëdije të plotë dhe të lirë.

     

    XIV.

    E vetmja dalje nga boshllëku i brendshëm, nga “asgjëja” që i shtrëngon shpirtin dhe vullnetin, është flijimi personal, kurbani; një akt i ndërgjegjshëm dhe i thellë, që shpreh përkushtimin ndaj së vërtetës dhe drejtësisë. Pa këtë akt, njeriu mbetet i bllokuar në zbrazëtinë e brendshme, në errësirën ku çdo veprim humbet kuptimin dhe çdo zgjedhje bëhet e pasigurtë.

    Flijimi personal shfaqet si një fener në këtë errësirë, një udhërrëfyes që tregon rrugën e lirisë dhe të vetëdijes. Ai është akti i guximit që i lejon njeriut të heqë dorë nga siguritë e rreme, nga dobësitë dhe nga vetëkënaqësia që e pengon të rritet shpirtërisht. Ky akt zhvillohet në heshtje, brenda njeriut, si një përballje dramatike me vetveten, ku çdo sakrificë bëhet dritë që ndriçon rrugën drejt qëllimit të jetës dhe drejt takimit me të vërtetën.

    Kurbani, si metaforë e flakës që djeg individualitetin e rremë dhe rrjedhimisht edhe identitetin e rremë, zbulon thelbin e vërtetë të njeriut dhe e çliron nga inferioriteti dhe frika e brendshme. Ai nuk është thjesht akt sakrifice; është pedagogji ekzistenciale që mëson njeriun të marrë përgjegjësinë për jetën e tij, të përballet me të vërtetën, dhe të ndërtojë karakter të fortë dhe të qëndrueshëm. Ky akt i ndërgjegjshëm tregon se çdo sakrificë e heshtur, çdo dorëzim i vullnetshëm për një të vërtetë më të madhe, është një hap drejt çlirimit të shpirtit dhe përmbushjes së potencialit njerëzor.

    Flijimi nuk është vetëm për t’u kuptuar në moment; ai përfaqëson një rrugëtim të përhershëm brenda vetes, ku njeriu mëson se çdo zgjedhje, çdo heqje dorë, çdo përballje me pasigurinë dhe frikën është pjesë e ndërtimit të vetëdijes dhe lirisë shpirtërore. Në këtë kuptim, kurbani është akt universal; çdo njeri, në çdo kohë dhe kulturë, mund të identifikohet me këtë sakrificë, sepse ajo shpreh nevojën e përjetshme për të dalë nga boshllëku dhe për të jetuar me dinjitet dhe kuptim.

    Ky akt i heshtur dhe dramatik është thelbi i çdo rrugëtimi të brendshëm, duke treguar se vetëm përmes flijimit të ndërgjegjshëm njeriu mund të dalë nga errësira e mos-ekzistencës dhe të hyjë në një ekzistencë autentike, ku liria, kuptimi dhe dinjiteti bëhen të pathyeshëm. Kurbani i heshtur i brendshëm i njeriut, ashtu si flijimi i Ibrahimit (alejhi selam) është drita që i jep formë ekzistencës, duke ndriçuar rrugën për çdo individ drejt së vërtetës, përballjes dhe emancipimit shpirtëror.

     

    XV.

    Kurbani i Ibrahimit (alejhi selam) është dramatik në thelbin e tij, sepse pa intensitetin e këtij konflikti të brendshëm dhe të jashtëm, njerëzimi nuk do ta kishte ruajtur dhe kuptuar kurrë mësimin e përhershëm që bart; se vetëm Zoti i botëve meriton t’i kushtohet adhurimi i plotë, edhe në çmimin më të lartë, madje, edhe në çmimin e së ardhmes së një jete të dashur. Ky akt nuk është vetëm një histori e lashtë; ai është një pedagogji e fuqishme, një shembull i përjetshëm që tregon se bindja e vërtetë kërkon përballje dramatike me emocionet, dëshirat dhe lidhjet personale që na pengojnë të shohim të vërtetën.

    Dramatika e këtij kurbani qëndron në tensionin e pandërprerë midis dëshirave vetjake dhe detyrës morale, midis dashurisë për të birin dhe përkushtimit ndaj parimeve universale. Vendimi i Ibrahimit për të ndjekur urdhrin e Zotit dhe gatishmëria e tij për të flijuar të birin nuk është thjesht një akt literal; ai është shprehje simbolike e zgjedhjes së vazhdueshme që çdo njeri përballet brenda vetes, përpjekja e vazhdueshme të lirohet nga egoja, të kapërcejë frikën dhe të përballet me të vërtetën, pavarësisht çmimit që kërkohet.

    Ky kurban përmbledh idenë e besimit absolut në rendin hyjnor, të dorëzimit ndaj një kuptimi më të lartë, dhe të çlirimit nga lidhjet egoiste dhe iluzionet vetjake. Ai mëson se humbjet personale nuk janë fundi, por fillimi i një kuptimi të ri të jetës dhe vetëdijes; se çdo sakrificë e ndërgjegjshme mund të shndërrohet në një shkallë drejt lirisë shpirtërore dhe drejt një ekzistence më të thellë dhe më autentike.

    Dramatika e kurbanit të Ibrahimit tregon përplasjen midis dhimbjes njerëzore dhe mëshirës hyjnore, midis dimensionit tokësor dhe të përjetshmes, duke pasqyruar tragjedinë e brendshme të njeriut dhe transcendencën e zgjedhjes së tij të vetëdijshme. Ai nuk është vetëm akt historik, por një metaforë për çdo njeri që kërkon të jetojë me integritet, të përballet me frikën dhe inferioritetin e brendshëm, dhe të ndërtojë një jetë të ndërtuar mbi parime dhe dinjitet.

    Në këtë sens, kurbani i Ibrahimit është më shumë se një ngjarje e së kaluarës: ai është një fener që ndriçon rrugën e brendshme të njeriut për të kapërcyer egoizmin, për të zgjedhur të vërtetën përkundrejt komoditetit dhe për të bërë nga sakrifica personale, një mësim universal për çdo brez dhe kulturë. Dramatika e tij mbetet e gjallë, sepse çdo njeri mund të gjejë në këtë histori pasqyrën e përballjes së vetes, të zgjedhjes dhe të lirisë së vërtetë shpirtërore.

     

    NË VEND TË EPILOGUT

    Pse duhej të ndodhte kurbani i Ibrahimit (alejhi selam)?

    Pas përfundimit të detyrave madhore; ndërtimit të Qabes, themelimit të qytetit të Mekës dhe thirrjes universale për pelegrinazh, jeta e Ibrahimit dhe familjes së tij dukej se kishte hyrë në një stinë stabiliteti. Nga jashtë, gjithçka dukej e përmbushur, sikur nuk kishte më sfida të reja. Por në natyrën e qenies njerëzore qëndron rreziku i qetësisë së tejzgjatur; rutina, kur ngurtësohet, kthehet në bllokim shpirtëror, në humbje horizonti dhe dritë përbrenda vetes. Kjo heshtje dhe siguri e rreme krijojnë hapësira boshllëku dhe inferioriteti, sepse njeriu, pa sfidë, humbet kontaktin me qëllimin e tij të vërtetë dhe me dimensionin universal të jetës.

    Kurbani i Ibrahimit është, pra, një tronditje ekzistenciale. Ai nxjerr profetin nga pasiviteti dhe e vendos sërish në tensionin krijues ndërmjet njeriut dhe Zotit. Tensioni nuk është aksidental; ai është vetë gjendja e njeriut, po, të jetosh do të thotë të jesh gjithmonë në lëvizje, i thirrur të zgjedhësh dhe të përballesh me të papriturën. Pa këtë tension, ekzistenca bëhet “zero pasive”, një ngrirje që shuhet nga rutina dhe nga frika e dobësive të brendshme. Sakrifica, kurbani, është mënyra për ta shndërruar këtë boshllëk dhe për ta rikthyer njeriun në ritmin e jetës së vet.

    Nga ky këndvështrim, kurbani i Ibrahimit është më shumë se një ngjarje historike, ai është simbol universal i nevojës së përhershme për kapërcimin e vetes, për përballjen me inferioritetin dhe përzgjedhjen e guximshme të së vërtetës mbi komoditetin. Ai mëson se asnjë arritje nuk është fundi; çdo themelim, çdo sukses dhe çdo stabilitet është vetëm një shkallë drejt sfidës tjetër, një mundësi për të përmbushur misionin shpirtëror.

    Në mënyrën më të thellë, sakrifica e Ibrahimit është pedagogji e përjetshme, sepse ajo na tregon që çdo njeri duhet të jetë gati të flijojë rehati, lidhje egoiste dhe siguri të rreme për të ndërtuar karakterin, për të mbrojtur dinjitetin dhe për të jetuar me integritet shpirtëror. Kurbani është guri që prish qetësinë e ujit të rutinës dhe rikthen lëvizjen, është flaka që ndriçon rrugën drejt së vërtetës, përtej frikës dhe të pazgjidhshmes, duke i dhënë jetës kuptim dhe drejtim.

    Prandaj, kurbani nuk është thjesht ritual jashtëm; ai është metafora e përjetshme e daljes nga boshllëku dhe inferioriteti, e kthimit në ritmin natyror të jetës shpirtërore dhe e afirmimit të vetës në përputhje me parimet universale. Ai tregon se vetëm përmes sakrificës dhe përkushtimit të ndërgjegjshëm njeriu mund të përballet me të vërtetën, të kapërcejë frikën dhe të jetojë një ekzistencë të plotë dhe të lartë.

    FATMIR BAÇI

    Fatmir Baçi
    Share. Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    Previous ArticleHBR: Workslops (puna e hedhur, puna llum) e gjeneruar nga IA po shkatërron produktivitetin
    Next Article Armëpushimi në Gaza: Bota duhet të sigurohet që Izraeli të mos rinisë një gjenocid të ngadaltë
    Redaktori
    • Website

    Related Posts

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    31-05-2026

    Mungesa e integritetit dhe guximit tek intelektualët: Dr. Justinian Topulli vjen në “Prishtina Talks”

    31-05-2026

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    31-05-2026
    Add A Comment

    Comments are closed.

    • Të Fundit
    • Të popullarizuara

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    Mungesa e integritetit dhe guximit tek intelektualët: Dr. Justinian Topulli vjen në “Prishtina Talks”

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    A po dëshmojmë një kryqëzatë të atdheut në shekullin e 21-të? Amina Shareef

    Çmenduritë e Qeverisë së Erdoganit

    Çfarë e bën kamatën kaq mëkat të madh?

    SISTEMI BANKAR ISLAM, FITIMPRURËS PËR TË GJITHË

    A lejohet eksperimenti me kafshë, sikurse minjtë?

    OP-ED

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    A po dëshmojmë një kryqëzatë të atdheut në shekullin e 21-të? Amina Shareef

    • Besimi

    Mustafa Terniqi: Dituria në Islam, mes diturisë fetare dhe diturisë së dobishme

    Modeli zviceran: Ushtria që lejon Ramazanin dhe praktikat fetare të ushtarëve

    Kriza e aktivizmit mysliman – Tom Facchine

    Rëndësia e të bërit të Ramazanit një “ngjarje të madhe” (BIG DEAL) për familjen tuaj

    Reklamoni në Dija Online
    NËSE JENI SOCIAL, NA NDIQNI
    • Facebook
    • YouTube
    • TikTok
    • WhatsApp
    • Twitter
    • Instagram
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    20-05-20263 Mins Read

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    08-03-20262 Mins Read

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    07-03-202631 Mins Read
    Reklamoni në Dija Online
    Më të popullarizuarat

    Avokati Asdren Bytyqi ngre padinë e radhës ndaj ekstremistit tjetër katoliko-cionist të Lëvizjes së Deçanit

    3 Mins Read

    Jordania përballet me një zgjedhje ekzistenciale për mbrojtjen e Al-Aksasë Peter

    10 Mins Read

    Forexi “islam” dhe vendimi i Ligjit islam mbi të

    5 Mins Read
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    Abonohuni

    Merrni lajmet, analizat, temat sociale, politike dhe ekonomike më të fundit nga DijaOnline

    © 2026 Dijaonline. Designed by Ars of Arts.
    • Ballina
    • Politika e privatësisë
    • Rreth nesh
    • Kontakti

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.