Fundi i neoliberalizmit
Virtytet që ai lartësoi — kozmopolitizmi dhe konkurrenca — sollën edhe rënien e tij.
15 qershor 2026
Nga Branko Milanovic, profesor kërkues në CUNY Graduate Center, Foreign Policy
Nëse dikush do të duhej të përkufizonte globalizimin neoliberal gjatë periudhës 40-vjeçare, nga fillimi i viteve 1980 e deri rreth vitit 2020, mund të thuhej se ai u nxit nga dy ide: kozmopolitizmi dhe konkurrenca. Gjithashtu, mund të thuhet se pikërisht këto tipare kanë çuar tashmë në zhbërjen e vetë neoliberalizmit.
Kozmopolitizmi ka qenë një ide thelbësore neoliberale që i ka rrënjët që në takimet e Kolokiumit “Walter Lippmann” në Parisin e viteve 1930 dhe në fillimet e Shoqërisë Mont Pèlerin. Kozmopolitizmi nënkuptonte se çdo individ në botë duhej parë si njëlloj i rëndësishëm dhe po aq i aftë për përmirësim ekonomik nëse do t’i ofroheshin kushte optimale ekonomike — gjë që nënkuptonte sigurinë e pronës private, tregtinë e lirë, taksat e ulëta dhe një “administrim të tolerueshëm të drejtësisë”. Sipas fjalëve të ekonomistit Adam Smith, nevojitej shumë pak tjetër për të përmbushur dëshirën universale të çdo njeriu për “të përmirësuar gjendjen e tij” dhe që bota të arrinte nivele të paimagjinuara prosperiteti.
Kozmopolitizmi ishte njëherazi edhe ideja politike që mbështeste një botë neoliberale, ku qeveria kombëtare si e tillë do të tërhiqej në prapaskenë dhe do t’i linte individët të lirë të ndiqnin interesat e tyre personale. Në rrafshin ideal, kjo ishte një botë me një qeveri të vogël ose thuajse të padukshme. Në gjuhën e mbrojtësve të hershëm të neoliberalizmit, imperium-i — pra flamujt, himnet, gjuhët dhe rekuizitat e tjera të shtet-kombit — do t’u liheshin politikanëve (dhe votuesve, nëse qytetarët ngulmonin të votonin), ndërsa bota me më tepër rëndësi e dominium-it do të përbëhej nga lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, teknologjisë dhe njerëzve.
Që kozmopolitizmi të krijonte pasuri dhe prosperitet global, bota duhej të ishte gjithashtu konkurruese. Jo vetëm që njerëzit do të lejoheshin të konkurronin me (ose kundër) njëri-tjetrit pavarësisht kufijve kombëtarë, por ata gjithashtu duhej të stimuloheshin për të konkurruar, duke iu ekspozuar të gjitha të mirave materiale që mund të bëheshin të tyret, si dhe miratimit shoqëror që do të gëzonin nëse do të dilnin fitimtarë në atë garë.
Konkurrenca prodhoi rritje globale: Midis viteve 1980 dhe 2020-2021, PBB-ja (Produkti i Brendshëm Bruto) mesatare për frymë në botë u rrit me më shumë se dyfish, duke kërcyer nga 7,700 dollarë (në dollarë ndërkombëtarë të vitit 2005, të rregulluar për barazinë e fuqisë blerëse) në gati 17,000 dollarë. Kjo do të thotë se norma mesatare vjetore e rritjes globale për frymë ishte 2.1 për qind, një normë kjo jashtëzakonisht e lartë për një periudhë 40-vjeçare. (Dhe kjo ndodhi pavarësisht se popullsia e botës u rrit nga 4.4 miliardë në vitin 1980, në 8.3 miliardë aktualisht). Më shumë se dyfishimi i të ardhurave për frymë, i kombinuar me thuajse dyfishimin e popullsisë së botës, nënkupton se sasia totale e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në botë u katërfishua gjatë epokës së globalizmit neoliberal.
Por kjo normë “anonime” rritjeje, e realizuar kryesisht falë ritmeve të larta të rritjes në vendet aziatike, e në veçanti në Kinë, nuk u shërbeu kauzës së neoliberalëve në vendet e pasura. Ajo çka ra në sy politikisht nuk ishte norma globale prej 2.1 për qind, por fakti që në Shtetet e Bashkuara dhe në shumicën e vendeve të pasura perëndimore, pjesa dërrmuese e popullsisë regjistroi një rritje reale (të rregulluar për inflacionin) me një normë prej afërsisht 1 për qind në vit, ndërkohë që të ardhurat e të pasurve u rritën dy deri në tre herë më shpejt.
Për më tepër, periudha neoliberale (e cila llogaritet nga presidenca e Ronald Reagan-it e në vazhdim) nuk ishte thjesht e favorshme për të pasurit, në kuptimin që të ardhurat e tyre u rritën më shpejt se ato të shtresës së mesme dhe të të varfërve. Ajo përfaqësoi gjithashtu një ngadalësim të përgjithshëm të rritjes ekonomike krahasuar me periudhën pararendëse. Në fakt, në çdo pikë të shpërndarjes së të ardhurave në SHBA — me përjashtim të majës absolute të piramidës — rritja gjatë epokës neoliberale ishte më e ngadaltë sesa gjatë një dekade e gjysmë më parë.
Bota, të paktën për pak kohë, u duk se u bë uniforme, e ndarë jo nga kufijtë e shtet-kombeve, nga raca apo gjinia, por nga dallimet në aftësitë, kualifikimet dhe përpjekjet e vetë njerëzve. Ajo po i afrohej idealit neoliberal të një bote pa kufij, të mbushur me individë thellësisht konkurrues, dëshira e të cilëve për konkurrencë stimulohej akoma më tej nga aftësia për të komunikuar me çdo cep të globit, për të mësuar se çfarë mund të bënin konkurrentët e tyre të mundshëm — e më pas, për t’u përpjekur t’i mposhtnin ata.
Por kozmopolitizmi dhe konkurrenca, sado tërheqëse të ishin në vetvete, përbënin një kombinim të paqëndrueshëm.
Kozmopolitizmi u përplas ashpër me kufijtë politikë kombëtarë. Konkurrenca e tepruar krijoi një botë lakmie, amoraliteti dhe komercializimi të të gjitha veprimtarive njerëzore, madje edhe të atyre që dikur ishin më privatet. Në thelb, ajo kërcënoi ta bënte institucionin e familjes të panevojshëm.
Fituesit e globalizimit neoliberal në vendet e pasura — të frymëzuar pikërisht nga kozmopolitizmi i tyre, të cilin e konsideronin si një virtyt moral (duke qenë të lirë nga nacionalizmi helmues) — u treguan të shpejtë jo vetëm për ta trajtuar mirëqenien e bashkatdhetarëve të tyre më pak të favorizuar me po atë rëndësi sa ajo e një të huaji apo e një të panjohuri, por gjithashtu për të besuar se dështimi i bashkatdhetarëve të tyre në një konkurrencë kaq të hapur ishte tregues i një të mete morale. Suksesi ekonomik nënkuptonte të qenit i virtytshëm, ose siç nuk e mohoi as udhëheqësi kinez Deng Xiaoping, ngritja në pushtet e të cilit përkoi thuajse përsosmërisht me atë të Reagan-it në SHBA dhe Margaret Thatcher-it në Mbretërinë e Bashkuar: “Të jesh i pasur është e lavdishme.”
Megjithatë, sistemi politik është i organizuar brenda shtet-kombeve. Bashkatdhetarët më pak të favorizuar u ndien të harruar dhe të shpërfillur, dhe u mbushën me inat për mënyrën se si u trajtuan. Gatishmërinë, e madje padurimin, e të pasurve për të investuar në vende të largëta ata e panë si një pandjeshmëri e thatë ndaj punëtorëve vendas. Premtimet për vende të reja pune, të cilat do të zëvendësonin ato të humbura për shkak të importeve më të lira ose punës online jashtë shtetit, rezultuan të vështira për t’u materializuar.
Pakënaqësia që rrodhi prej kësaj krijoi turbulenca politike në demokracitë më të pasura. Kriza globale financiare e viteve 2007-2008 bëri të dukshme atë që më parë ishte vetëm e nënkuptuar. Të pasurit nuk u bëheshin merak për ata që kishin mbetur pas, dhe kur erdhi dita për të paguar kostot e krizës, ata u siguruan që fatura të mos u dërgohej atyre.
Të pakënaqurit, të cilët në kohët e shkuara do të kishin mbushur njësoj radhët si të partive të ekstremit të majtë, ashtu edhe të atyre të ekstremit të djathtë — siç bënë gjatë Depresionit të Madh në vitet 1930 — tani kishin shumë më pak zgjedhje. Partitë e majta ishin ose të diskredituara nga dështimi i “socializmit real-ekzistues”, ose, përmes politikave të tyre akomoduese të “rrugës së tretë” (third-way), shiheshin si bashkëpunëtore të partive të qendrës së djathtë në promovimin e po atij lloj globalizimi neoliberal që zhgënjeu kaq thellë klasën punëtore dhe të mesme perëndimore. Në fakt, kulmi i globalizimit neoliberal u arrit pikërisht nën qeveritë e vetëshpallura të majta të Bill Clinton-it në Shtetet e Bashkuara, Tony Blair-it në Mbretërinë e Bashkuar dhe François Mitterrand-it në Francë.
Kështu, masat e zhgënjyera u kthyen drejt partive të krahut të djathtë që promovonin solidaritetin kombëtar, dhënien fund të trajtimit të barabartë (ekonomikisht) të popullsisë vendase dhe të huajve, e madje edhe kthimin e vendeve të punës industriale. Rrjedhimisht, në arenën ndërkombëtare, globalizimi neoliberal nisi të zëvendësohej gjithnjë e më shumë nga neomerkantilizmi, i cili përdori shtrëngimin ekonomik, sekuestrimin e aseteve të huaja, ndalimin e importeve dhe politikat e ekzagjeruara tarifore për të ndërprerë, ose të paktën kontrolluar, qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve. Lëvizja e lirë e fuqisë punëtore u pre akoma më lehtë, pasi popullariteti i saj politik kishte qenë i vogël edhe në kulmin e globalizimit neoliberal.
Pjesa e dytë e ekuacionit neoliberal — konkurrenca brenda shoqërisë, përgjatë kufijve dhe zonave kohore — me ndihmën e përparimeve teknologjike krijoi një botë ku mirëmbajtja e shtëpive dhe makinave, e madje edhe punët e përditshme të shtëpisë, që nga gatimi e deri te kujdesi për të moshuarit dhe fëmijët, iu deleguan pikërisht atyre njerëzve që nuk kishin më punë të qëndrueshme dhe që ishin pjesë e klasës së të pakënaqurve. Normat morale që më parë i mbanin të bashkuara shoqëritë dhe familjet dhe që do ta kishin parandaluar këtë lloj nënkontraktimi (outsourcing), ishin zbehur nga dëshira për të qenë të “lavdishëm” — pra, për të qenë të pasur. Ai amoralitet i perceptuar ndihmoi po ashtu në ngritjen e partive të djathta anti-sistem. Ato morën hov duke u premtuar të pakënaqurve jo vetëm rikthimin e vendeve të humbura të punës, por edhe të vetërespektit të tyre, si dhe një rikthim te vlerat e supozuara tradicionale për mbarë shoqërinë.
Me pak fjalë, neoliberalizmi është dorëzuar për t’u zëvendësuar nga një kombinim barrierash mbrojtëse për mallrat dhe njerëzit e huaj, si dhe nga përpjekjet e kota për t’u rikthyer në një botë më tradicionale brenda vendit. Ashtu si në një tragjedi greke, pikërisht ato tipare që i siguruan suksesin globalizimit neoliberal për dekada të tëra, prodhuan dhe rënien e tij të pashmangshme.
