Close Menu
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Lajme
      • Kosovë
      • Rajon
      • Lindja e Mesme
      • Botë
      • Politikë
      • Kronikë e Zezë
    • OP-ED
      • Analiza
      • Ese
      • Opinione
      • Kolumna
    • SCI-TECH
      • Teknologji
      • Shkencë
    • Biznes
      • Investimi
    • Evente
    • Histori
    • Jetesë
      • Shëndeti
      • Këshilla
      • Ushqyerja
    • Sociale
    • Besimi
      • Edukim
      • Lutje (dua)
      • Qendrime
      • Studime në besim
      • Të ndryshme
      • Tema
    • SPORT
    Facebook X (Twitter) Instagram Pinterest
    Dija Online
    • Lajme
    • Evente
    • OP-ED
    • Të rekomanduara
    Dija Online
    Ju jeni në:Home»OP-ED»Analiza»FP: Fundi i aleancës SHBA-Izrael – Lufta e përbashkët kundër Iranit mund të shënojë pikën e saj kulmore
    Analiza

    FP: Fundi i aleancës SHBA-Izrael – Lufta e përbashkët kundër Iranit mund të shënojë pikën e saj kulmore

    Dija OnlineBy Dija Online19-06-2026013 Mins Read
    Share Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    FP: Fundi i aleancës SHBA-Izrael - Lufta e përbashkët kundër Iranit mund të shënojë pikën e saj kulmore
    FP: Fundi i aleancës SHBA-Izrael - Lufta e përbashkët kundër Iranit mund të shënojë pikën e saj kulmore
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp LinkedIn Copy Link Pinterest Email Telegram

    Një luftë e përbashkët kundër Iranit mund të shënojë pikën e saj kulmore.

    Nga Joshua Leifer, kolumnist i Haaretz, publikuar në Foreign Policy.

    15 qershor 2026

    Duket se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka arritur atë që paraardhësit e tij mund ta kishin parë vetëm në ëndërr: avionë luftarakë amerikanë dhe izraelitë që fluturojnë krah për krah mbi Teheran, si dhe oficerë izraelitë të rehatuar brenda selisë së Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) në Florida. Që nga koha e David Ben-Gurionit, udhëheqësit e Izraelit kanë kërkuar mbështetjen e superfuqisë më të madhe botërore, me shpresën se ajo do të garantonte mbijetesën e përhershme të shtetit të tyre. Asnjëri prej tyre nuk mund ta kishte imagjinuar nivelin e bashkëpunimit që po shohim aktualisht. Nëse dikush do ta zgjonte “Plakun”, siç njihej Ben-Gurioni, nga gjumi i tij i përtejbotshëm në rërat e Sde Bokerit, ai padyshim që do të ngazëllehej nga ky lajm.

    Sidoqoftë, aparencat mund të jenë mashtruese. Nga njëra anë, marrëdhënia SHBA-Izrael gjendet në apogjeun e saj. Por, e parë nga një këndvështrim tjetër, ajo tashmë ka hyrë në një periudhë rënieje pa kthim. Shtyllat politike, ideologjike dhe sociologjike mbi të cilat u mbështet e ashtuquajtura “aleancë speciale” për pjesën më të madhe të gjysmëshekullit të fundit, kanë filluar të shemben. Kompleksi i avokimit pro-izraelit — rrjeti i grupeve lobuese si Komiteti i Marrëdhënieve Publike Amerikano-Izraelite (AIPAC), organizatat komunitare hebraike si Liga Kundër Shpifjes (ADL) dhe grupet e krishtera zioniste si Të Krishterët e Bashkuar për Izraelin (CUFI) — dikur ishte një makineri e pandalshme në Capitol Hill. Por, në klimën e sotme të hiperpolarizimit, ai ka filluar të lëkundet, i sfiduar fillimisht nga krahu progresiv i Partisë Demokratike dhe tashmë, gjithnjë e më shumë, nga fraksioni neo-izolacionist i koalicionit MAGA.

    Opinion publik ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Më pak se gjysma e amerikanëve shprehen sot se mbështetja e SHBA-së për Izraelin është në interesin e tyre kombëtar; dhe për herë të parë, amerikanët ushqejnë më tepër simpati për palestinezët sesa për izraelitët. Për më tepër, nuk merret më e mirëqenë se amerikanët dhe izraelitët ndajnë një grup të përbashkët vlerash kulturore dhe fetare. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë bërë më pak të krishtera dhe më të larmishme, shoqëria izraelite është bërë më tradicionaliste dhe kultura e saj publike më e izoluar. Si në të djathtën ashtu edhe në të majtën amerikane, antisemitizmi ka filluar të depërtojë nga margjinat drejt rrymës qendrore politike, i parë nga një numër në rritje njerëzish — sidomos mes të rinjve dhe të zhgënjyerve — si një tregues i pastër antikonformizmi ndaj establishmentit në këto kohëra populiste.

    Këto ndryshime kishin nisur me kohë, shumë përpara sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023. Por shkatërrimi pasues i Gazës nga Izraeli, bllokada dhe zhytja në uri e këtij territori të rrënuar, si dhe dhuna në rritje spirale e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar — të gjitha këto të transmetuara drejtpërdrejt në rrjetet sociale për më shumë se dy vjet — i përshpejtuan ato ndjeshëm, duke gjeneruar një reagim të ashpër kundër Izraelit, reagim i cili është kthyer në një tipar të kudogjendur të politikës bashkëkohore amerikane. Nëse lufta e përbashkët SHBA-Izrael kundër Iranit përbën me të vërtetë apogjeun e aleancës speciale, atëherë ajo që do të pasojë, do të jetë rënia e saj.

    Aleanca speciale nuk ka qenë gjithmonë aq speciale. Megjithëse ishte Presidenti amerikan Harry Truman ai që e njohu Izraelin, pasardhësi i tij Dwight D. Eisenhower u tregua dukshëm i ftohtë ndaj këtij shteti, duke u ruajtur nga prishja e llogaritjeve strategjike amerikane në fillimet e Luftës së Ftohtë. John F. Kennedy theu embargon e armëve të vendosur nga Eisenhower-i dhe ishte i pari që e furnizoi Izraelin me armatime amerikane; Richard Nixon, apo më saktë këshilltari i tij Henry Kissinger, e shpëtoi Izraelin në vitin 1973, duke inxhinieruar urën e rëndësishme ajrore të ndihmës ushtarake që parandaloi disfatën në luftën arabo-izraelite. Sidoqoftë, marrëdhënia kishte kufijtë e saj. Jimmy Carter, Ronald Reagan dhe George H.W. Bush dinin të gjithë se si t’u thoshin “jo” udhëheqësve izraelitë — ndonjëherë fuqishëm dhe me terma që sot do të shkaktonin tronditje, e ndonjëherë përmes kërcënimit me sanksione materiale — dhe nuk i druheshin fort kompleksit të avokimit pro-izraelit, i cili në atë kohë nuk gëzonte ende peshën dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që do të ushtronte nga mesi i viteve 1990.

    Fundi i Luftës së Ftohtë i solli Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në një linjë shumë më të afërt. Marrëdhënia nuk zbutet më nga konsideratat e gjera amerikane rreth ekuilibrit global të fuqive të mëdha. Kështu nisi të zhvillohej ajo që studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare e quajnë “një komunitet interesash strategjike”. Izraeli mori rolin e zbatuesit dhe mbrojtësit të rendit të ri ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja në Lindjen e Mesme. Me fillimin e luftës globale kundër terrorizmit, interesat e SHBA-së dhe Izraelit u duk se konvergjuan edhe më shumë. Përmes një gjuhe të cilës media e dëgjueshme amerikane i bënte jehonë në mënyrë refleksive, udhëheqësit amerikanë dhe izraelitë i kornizuan interesat e vendeve të tyre si identike, ndërsa armiqtë e tyre — qoftë Osama bin Laden dhe al-Kaeda, apo Yasser Arafat dhe PLO-ja — si dy anë të së njëjtës monedhë terroriste e radikale.

    Kjo mbivendosje e interesave strategjike, nga ana e saj, u përforcua nga një ndjenjë e gjerë e ndarjes së vlerave të përbashkëta. Pikërisht atëherë kur Shtetet e Bashkuara nisën fushatën e tyre për promovimin e demokracisë jashtë vendit, udhëheqësit izraelitë u mburrën me unikalitetin e vendit të tyre si i vetmi shtet demokratik i rajonit. Për ata që e shihnin luftën kundër terrorizmit në terma të përplasjes mes qytetërimesh, Izraeli ishte mbrojtësi i vijës së parë në luftën midis Perëndimit judeo-kristian dhe armiqve të tij islamikë. Liberalët amerikanë, ndërkohë, ishin të prirur të shihnin tek Izraeli një shoqëri të hapur shembullore mes një deti të zi regjimesh autoritare arabe, teokracish konservatore dhe militantësh islamikë. Që nga Bill Clinton e deri te George W. Bush, politika e SHBA-së në Lindjen e Mesme u dominua në mënyrë alternative nga intervenuesit liberalë atlantistë dhe kushërinjtë e tyre më të ashpër, neokonservatorët.

    Për kompleksin në rritje të avokimit pro-izraelit, ky ishte një terren i favorshëm manovrimi. AIPAC mund të mobilizonte mbështetje pothuajse unanime për Izraelin në të dyja partitë, ndërkohë që institutet kërkimore (think tanks) të lidhura me të mbanin një “derë rrotulluese” (revolving door) të hapur me administratat republikane dhe ato demokratike. Avokatët e të drejtave të palestinezëve, nga ana e tyre, nuk kishin asnjë aparat të krahasueshëm mbështetës, dhe pak shkrimtarë palestinezë publikoheshin në mediat qendrore, krejt ndryshe nga ç’ndodh sot. Ndërkohë, ankesat rreth fuqisë së lobit izraelit u deleguan kryesisht në periferitë konspirative, aty ku kufijtë mes të majtës ekstreme dhe të djathtës ekstreme mjegulloheshin me njëra-tjetrën. E ndërsa kultura e kujtesës së Holokaustit gjendej në apogjeun e saj — Muzeu Përkujtimor i Holokaustit në SHBA u hap në vitin 1993 — akuza për antisemitizëm mbartte ende ashpërsinë e mjaftueshme për t’i dhënë fund karrierës së kujtdo.

    Por ishte e djathta pro-izraelite, dhe jo e majta pro-palestineze, ajo që e theu konsensusin dypartiak në Uashington. Viti kyç ishte 2015-ta. Asokohe, njësoj si tani, çështja ishte Irani. Ndërsa administrata Obama po përpiqej të shtynte përpara një marrëveshje bërthamore, kompleksi i avokimit pro-izraelit i shpalli luftë presidentit mjaft popullor demokrat. AIPAC derdhi rreth 40 milionë dollarë në fushata lobimi kundër marrëveshjes. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, ftoi Netanyahun të fliste në një seancë të përbashkët të Kongresit pa njoftuar paraprakisht presidentin, një lëvizje kjo e parë gjerësisht si një shkelje e thellë e procedurës dhe e mirësjelljes institucionale për arsye politike. Pas foltores, Netanyahu goditi ashpër marrëveshjen në përgatitje të administratës Obama, duke paralajmëruar se ajo “do ta ndryshonte Lindjen e Mesme vetëm për keq”.

    Fushata rrufe e kompleksit të avokimit pro-izraelit dështoi ta ndalte marrëveshjen bërthamore. Por në vend të kësaj, ajo shkatërroi vetë fasadën e saj të mbetur të mbështetjes dypartiake. Së shpejti, grupet pro-izraelite filluan të funksiononin haptazi si një krah i Partisë Republikane, veçanërisht atëherë kur organizatat komunitare hebraike e hoqën maskën e gjoja përfaqësimit të pikëpamjeve të shumicës së hebrenjve amerikanë, për t’u rreshtuar pas prioriteteve të megadonatorëve të krahut të djathtë. Mandati i parë i Trumpit e thelloi edhe më tej këtë proces polarizimi partiak rreth Izraelit. Ai përqafoi një linjë thellësisht të ashpër pro-izraelite, shumë më djathtas se çdo administratë e mëparshme: mbylli zyrën e PLO-së në Uashington, zhvendosi ambasadën e SHBA-së në Jerusalem dhe njohu sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e Golanit. Argumentohet gjerësisht se Trumpi ka bërë më shumë për t’i larguar demokratët e thjeshtë nga Izraeli sesa çdo aktivist i vetëm pro-palestinez.

    Viti 2015 shënoi gjithashtu një pikë kthese në trajektoren e vetë Izraelit. Gjatë një fushate të ashpër zgjedhore, Netanyahu u duk se u radikalizua. Ai hoqi dorë nga imazhi i të rriturit të përgjegjshëm të së djathtës izraelite dhe përqafoi plotësisht stilin e populizmit autoritar që po merrte vrull kudo në botë. Ndërkohë që më parë Netanyahu kishte mbështetur, të paktën me fjalë, një zgjidhje të negociuar me palestinezët, ai u orientua asokohe drejt maksimalizmit të hapur territorial. Pas ngritjes së akuzave ndaj tij për korrupsion në vitin 2019, Netanyahu u bë gjithnjë e më i dëshpëruar në përpjekjet e tij për të mbajtur pushtetin. Ai krijoi aleanca elektorale me forcat më ekstreme të jetës politike izraelite, duke mos u mjaftuar vetëm me normalizimin e ndjekësve të rabinit kuazi-fashist Meir Kahane dhe kolonëve të linjës së ashpër mesianike, por duke i fuqizuar ata me poste ministrore në qeverinë e tij.

    Në sfondin e një rënieje demokratike brenda vetë Izraelit, të thellimit të pushtimit të Bregut Perëndimor dhe rrethimit të Gazës, tashmë gjenden jashtëzakonisht pak liberalë amerikanë që mund të pretendojnë se ndajnë të njëjtat vlera me homologët e tyre izraelitë. Ndërkohë, një gjeneratë e re progresistësh u rrit duke njohur vetëm Izraelin e Netanyahut. Kjo gjeneratë ishte më e larmishme se çdo brez i mëparshëm, e përbërë, në një masë të konsiderueshme, nga fëmijë emigrantësh me origjinë nga Azia Jugore e Juglindore dhe Lindja e Mesme. Shumë prej tyre e hodhën poshtë traditën amerikane të politikës pro-izraelite, ishin të prirur ta shihnin Izraelin me antipati dhe nuk ndienin kurrfarë lidhjeje ndaj meta-narrativës së Holokaustit që ishte kthyer në një spirancë të kulturës politike të SHBA-së. Një numër në rritje të rinjsh hebrenj amerikanë filluan po ashtu të sfidonin idenë se mbështetja për Izraelin duhej të ishte shtyllë e identitetit të tyre; disa prej tyre do të ktheheshin në udhëheqës të spikatur të një lëvizjeje antizioniste në ringjallje e sipër.

    Gjatë po këtyre viteve, midis vrasjeve të Michael Brown në Ferguson (Mizuri) dhe George Floyd në Mineapolis, progresistët amerikanë përjetuan një “zgjim racial” (racial reckoning) që rimodeloi në mënyrë dramatike kuptimin e tyre mbi identitetin dhe pushtetin — një ndryshim ky që do të kishte pasoja thelbësore për debatin rreth Izraelit brenda krahut të majtë të Partisë Demokratike. Në vitin 2016, shumë kohë para 7 tetorit, Lëvizja për Jetët e Zezakëve (Movement for Black Lives) publikoi platformën e saj politike, ku i cilësonte politikat e Izraelit ndaj palestinezëve si gjenocid.

    Së fundmi, një segment i së djathtës MAGA i është bashkuar të majtës progresive në refuzimin e saj ndaj marrëdhënies SHBA-Izrael. Por termat e kritikës janë të ndryshëm. Përtej moçalit të konspiracionizmit antisemitik që ka gllabëruar një pjesë të së djathtës rinore dhe asaj në internet, ata që identifikohen me fraksionin e orientuar drejt “vetëpërmbajtjes” (restraint) brenda koalicionit MAGA kanë filluar të bëjnë thirrje për një rivlerësim të mbështetjes së SHBA-së ndaj Izraelit. Ata akuzojnë se midis dy aleatëve nuk ekziston — ose të paktën nuk ekziston më — asnjë komunitet interesash të përbashkëta dhe se Izraeli, bashkë me avokatët e tij, ushtrojnë një ndikim të stërmadh dhe të pajustifikueshëm në politikëbërjen e jashtme amerikane. Ata mbrojnë idenë e shkurtimit të ndihmës së SHBA-së për ish-aleatët, si pjesë e asaj që ata shpresojnë se do të jetë tërheqja e Uashingtonit nga menaxhimi imperial i botës, dhe nuk shohin asnjë arsye pse marrëdhënia me Izraelin duhet të mbetet një përjashtim.

    Nëse i vjetri konsensus dypartiak pro-izraelit ka rënë, një konsensus i ri anti-izraelit po merr formë në periferitë e të dyja partive, asaj Demokratike dhe asaj Republikane. Për demokratët, zgjedhjet paraprake përpara atyre presidenciale të vitit 2028 pothuajse me siguri do të jenë një referendum mbi Izraelin. Tashmë, aktivistët kanë bërë hapa të rëndësishëm në ushtrimin e presionit mbi kandidatët për t’u distancuar nga AIPAC dhe grupet e tjera të lidhura me kompleksin e avokimit pro-izraelit. Nëse “kujdesi shëndetësor universal” ishte kryefjala e zgjedhjeve paraprake të vitit 2020; kushtëzimi, ose ndërprerja e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Izraelin, ka shumë gjasa të luajë po atë rol në vitin 2028. Në të majtë, armiqësia ndaj Izraelit — sa më e ashpër aq më e mirë — po kthehet me shpejtësi në një provë barometri si tregues besueshmërie për çështje të tjera të interesit progresiv.

    Te republikanët, shumëçka do të varet nga pasojat e luftës me Iranin. Nëse pasojat e dhimbshme ekonomike dhe diplomatike të vuajtura nga amerikanët do të lënë gjurmë të thella, faji do t’i hidhet Izraelit dhe avokatëve të tij. Ky skenar ka shumë gjasa të fuqizojë neo-izolacionistët dhe ata që kërkojnë tërheqjen nga bota, kampioni i të cilëve, të paktën për momentin, është Zëvendëspresidenti J.D. Vance. Por, nëse ai njolloset nga debakli i Iranit, ka figura të tjera që presin në prapaskenë, duke përfshirë komentatorin konservator Tucker Carlson, ambiciet presidenciale të të cilit aktualisht vetëm pëshpëriten. Edhe në të djathtë, ndihma ushtarake për Izraelin do të vihet pavarësisht gjithçkaje në gijotinë, si një pozicion bazë që pjesa më e madhe e lëvizjes MAGA mund ta përqafojë.

    Ku e lë e gjitha kjo Netanyahun? Kryeministri izraelit tashmë ka filluar ta shesë reduktimin përfundimtar të ndihmës ushtarake nga SHBA-ja si një propozim të tijin, në vend që të përballet me një betejë politike për një paketë të re ndihme të cilën Izraeli nuk është në pozitë ta fitojë. Netanyahu është zotuar ta shkëpusë Izraelin plotësisht nga ndihma amerikane gjatë dekadës së ardhshme. Fondacioni Heritage ka hartuar një propozim që përshkruan se si mund të funksionojë diçka e tillë, duke e zëvendësuar modelin aktual të ofrimit të zbritjeve ndaj Izraelit për blerjen e armatimeve amerikane, me përpjekje të përbashkëta në fushën e teknologjisë ushtarake — gjë që vështirë se mund të quhet një rikthim tek embargoja e armëve e SHBA-së ndaj Izraelit si në vitet e para të Luftës së Ftohtë.

    Sidoqoftë, Netanyahu mbase po tregohet tepër optimist rreth së ardhmes së Izraelit pas përfundimit të kësaj aleance speciale. Duke e marrë atë për të mirëqenë, ai është ndoshta më përgjegjës se kushdo tjetër për rënien e saj të rrufeshme. Kur ai të largohet nga skena politike, ai do ta lërë Izraelin në një gjendje shumë më të rënduar për shkak të kësaj.

    fundi i botes ashtu sic e njohim
    Share. Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    Previous ArticleFP: Irani është një disfatë më e madhe se Vietnami
    Next Article FP: Fundi i neoliberalizmit
    Dija Online

    Related Posts

    FP: Fundi i neoliberalizmit

    19-06-2026

    FP: Irani është një disfatë më e madhe se Vietnami

    18-06-2026

    Si po përballen fëmijët myslimanë me bullizmin? Fushëbetejë globale apo kënd lojërash?

    17-06-2026
    Add A Comment

    Comments are closed.

    • Të Fundit
    • Të popullarizuara

    FP: Fundi i neoliberalizmit

    FP: Fundi i aleancës SHBA-Izrael – Lufta e përbashkët kundër Iranit mund të shënojë pikën e saj kulmore

    FP: Irani është një disfatë më e madhe se Vietnami

    Si po përballen fëmijët myslimanë me bullizmin? Fushëbetejë globale apo kënd lojërash?

    Çmenduritë e Qeverisë së Erdoganit

    Çfarë e bën kamatën kaq mëkat të madh?

    SISTEMI BANKAR ISLAM, FITIMPRURËS PËR TË GJITHË

    A lejohet eksperimenti me kafshë, sikurse minjtë?

    OP-ED

    FP: Fundi i neoliberalizmit

    FP: Fundi i aleancës SHBA-Izrael – Lufta e përbashkët kundër Iranit mund të shënojë pikën e saj kulmore

    FP: Irani është një disfatë më e madhe se Vietnami

    • Besimi

    Mustafa Terniqi: Dituria në Islam, mes diturisë fetare dhe diturisë së dobishme

    Modeli zviceran: Ushtria që lejon Ramazanin dhe praktikat fetare të ushtarëve

    Kriza e aktivizmit mysliman – Tom Facchine

    Rëndësia e të bërit të Ramazanit një “ngjarje të madhe” (BIG DEAL) për familjen tuaj

    Reklamoni në Dija Online
    NËSE JENI SOCIAL, NA NDIQNI
    • Facebook
    • YouTube
    • TikTok
    • WhatsApp
    • Twitter
    • Instagram
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    20-05-20263 Mins Read

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    08-03-20262 Mins Read

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    07-03-202631 Mins Read
    Reklamoni në Dija Online
    Më të popullarizuarat

    Jordania përballet me një zgjedhje ekzistenciale për mbrojtjen e Al-Aksasë Peter

    10 Mins Read

    Avokati Asdren Bytyqi ngre padinë e radhës ndaj ekstremistit tjetër katoliko-cionist të Lëvizjes së Deçanit

    3 Mins Read

    Forexi “islam” dhe vendimi i Ligjit islam mbi të

    5 Mins Read
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    Abonohuni

    Merrni lajmet, analizat, temat sociale, politike dhe ekonomike më të fundit nga DijaOnline

    © 2026 Dijaonline. Designed by Ars of Arts.
    • Ballina
    • Politika e privatësisë
    • Rreth nesh
    • Kontakti

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.