Formësimi i identitetit intensifikohet me rritjen e fëmijëve, teksa ata fillojnë të pyesin: “Kush jam unë dhe ku përkas?”. Këto pyetje bëhen edhe më të mprehta për pakicat fetare ose etnike brenda shoqërive, kur praktika e dukshme, emri ose historia familjare e markon fëmijën si “ndryshe”. Kjo mund të krijojë një presion kronik në prapavijë: jo domosdoshmërisht rrezik konstant, por një ekspozim të vazhdueshëm ndaj keqkuptimeve, dyshimeve, stereotipave ose kërkesës për të shpjeguar veten.
Kërkimet bashkëkohore gjejnë vazhdimisht se diskriminimi i perceptuar lidhet me rezultate më të dobëta të shëndetit mendor dhe fizik, jo vetëm përmes dëmit të drejtpërdrejtë, por përmes konsumit që shkakton stresi i përsëritur. (1)
Në studimet e adoleshentëve muslimanë në veçanti, margjinalizimi fetar dhe klima shkollore lidhen me shqetësimet psikologjike, ndërsa mjediset mbështetëse dhe përkatësia kuptimplotë funksionojnë si faktorë mbrojtës. (2)
Prandaj, prindërit duhet t’i përgatisin fëmijët me një narrativë nderi, dhe jo me një narrativë frike. Kur’ani e bën të qartë se dinjiteti nuk dhurohet nga miratimi shoqëror, as nuk merret duke qenë pakicë, por rrënjoset fillimisht në nderimin që Allahu i bën qenies njerëzore si të tillë, e më pas lartësohet përmes besimit dhe bindjes.
Allahu thotë:
﴿وَلَقَدْ كَرَّمْنَا بَنِي آدَمَ﴾ “Ne vërtet i nderuam bijtë e Ademit.” (Sureja el-Isra, 17:70)
Ky nderim universal vendos një bazë morale: njerëzit e tjerë nuk janë armiq si parazgjedhje, as nuk janë nën dinjitetin njerëzor. Në të njëjtën kohë, Kur’ani sqaron se nderi shpirtëror ka një burim të veçantë:
﴿وِلِلَّهِ ٱلْعِزَّةُ وَلِرَسُولِهِۦ وَلِلْمُؤْمِنِينَ وَلَـٰكِنَّ ٱلْمُنَـٰfِقِينَ لَا يَعْلَمُونَ﴾ “I tërë nderi (fuqia) i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët (hipokritët) nuk e dinë.” (Sureja el-Munafikun, 63:8)
Të marra së bashku, këto vargje mësojnë baraspeshën në vend të armiqësisë. Ato nuk i fshijnë dallimet, as nuk i shkrijnë të gjitha rrugët në njëjtësi. Njerëzit janë të nderuar si qenie njerëzore, megjithatë ata nuk janë të gjithë të njëjtë në besim, përkushtim apo orientim moral.
Fëmija mëson:
“Unë nuk turpërohem nga bindja (ndaj Zotit). Unë nuk e mas vlerën time me faktin se sa i pranuar jam nga të tjerët. Unë e mas atë duke qenë i vërtetë me Allahun.”
Kur kjo bëhet pjesë e brendshme që herët, adoleshenti është më pak i cenueshëm ndaj dy ekstremeve të zakonshme: tretjes në kulturën dominuese nga etja për miratim, ose tërheqjes në hidhërim dhe armiqësi nga frika dhe dhimbja.
Në praktikë, kultivimi i një përkatësie dinjitoze kërkon që prindërit të bëjnë tre gjëra vazhdimisht:
-
Emërtoni realitetin pa e zmadhuar. Prindërit as nuk e mohojnë përvojën e fëmijës (“Nuk është asgjë”), as nuk e ndërtojnë identitetin e shtëpisë mbi lëndimin (“Ata janë gjithmonë kundër nesh”). Përkundrazi, ata mësojnë një gjuhë të qetë dhe të saktë, të bazuar në parimin kuranor se edhe brenda grupeve me të cilët ndryshojmë në besim, njerëzit nuk janë moralisht të njëjtë (Ali Imran, 3:113). Fëmija mëson të thotë: “Disa njerëz nuk i kuptojnë muslimanët. Disa njerëz veprojnë në mënyrë të padrejtë. Të tjerët jo. Ne përgjigjemi me të vërtetën, durimin, dinjitetin dhe hapat e duhur.”
-
Përgatitni fëmijën paraprakisht me një “skenar identiteti” të shkurtër. Një fëmijë të cilit nuk i jepen fjalët, do t’i huazojë ato nga bashkëmoshatarët. Prindërit mund të ushtrojnë fjali të thjeshta që fëmija mund t’i përdorë kur pyetet për Islamin; mjaftueshëm të shkurtra për t’u mbajtur mend, mjaftueshëm dinjitoze për të përfaqësuar besimin. Ky nuk është “trajnim për debat”. Është mbrojtje nga konfuzioni dhe turpi.
-
Trajtojeni përkatësinë si një faktor mbrojtës fetar. Përkatësia nuk është thjesht komoditet shoqëror. Është një nga kushtet që ndihmon besimin të mbetet i qëndrueshëm nën presion. (3) Kur një fëmijë ka lidhje të sigurta në shtëpi dhe lidhje kuptimplota me njerëz të mirë jashtë shtëpisë, pyetjet dhe presionet nuk kthehen lehtësisht në kriza.
Bullizmi nuk është thjesht “punë fëmijësh“. Është një padrejtësi e strukturuar që zakonisht përfshin përsëritjen, çekuilibrin e fuqisë dhe dëmin: psikologjik, social ose fizik. (4)
Për pakicat muslimane brenda shoqërisë, bullizmi mund të jetë i përgjithshëm (pamja, personaliteti, klasa shoqërore) ose specifikisht fetar (tallja me hixhabin, agjërimin, namazin, emrat ose etninë). Sido që të jetë, prindërit duhet ta trajtojnë bullizmin si një çështje të sigurisë dhe dinjitetit, jo vetëm si një mësim karakteri.
Ai duhet të adresohet, të dokumentohet dhe të përshkallëzohet në mënyrë të duhur kur është e nevojshme. (5)
Islami dënon thelbin moral të bullizmit: talljen, poshtërimin, përbuzjen dhe kënaqësinë nga dhimbja e tjetrit.
Allahu thotë:
﴿يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ لَا يَسْخَرْ قَوْمٌ مِّن قَوْمٍ عَسَىٰٓ أَن يَكُونُوا۟ خَيْرًا مِّنْهُمْ … وَلَا تَلْمِزُوٓا۟ أَنفُسَكُمْ وَلَا تَنَابَزُوا۟ بِٱلْأَلْقَـٰبِ﴾ “O ju që besuat! Asnjë popull të mos tallet me një popull tjetër, sepse mund të ndodhë që ata të jenë më të mirë se vetë ata… dhe mos e nënçmoni njëri-tjetrin, as mos e thirrni njëri-tjetrin me lëndime e me nofka (të këqija).” (Sureja el-Huxhurat, 49:11)
Dhe Profeti ﷺ e renditi përbuzjen dhe nënçmimin ndër shkeljet më të qarta morale:
“Muslimani është vëlla i muslimanit: ai nuk i bën padrejtësi, nuk e lë në baltë dhe nuk e përbuz… Mjafton si e keqe për një njeri që ta nënçmojë vëllanë e tij musliman.” (Muslimi)
Për prindërit, mesazhi drejtuar fëmijës duhet të jetë i balancuar: “Ne nuk i përgjigjemi poshtërimit me poshtërim, por as nuk e pranojmë poshtërimin si diçka normale.” Rezistenca (resilience) këtu nuk është durim pasiv. Është aftësia e trajnuar për t’u përgjigjur në një mënyrë që ruan besimin, sigurinë dhe dinjitetin.
Një metodë prindërore e shkurtër, e përsëritshme dhe e qartë, mund të përmblidhet në katër hapa: (6)
-
Validimi i menjëhershëm dhe mbledhja e informacionit. “Më trego çfarë ndodhi. Unë të besoj. Ti nuk do të ndëshkohesh pse më tregove mua.”
-
Trajnimi për reagim të shkathët. Fëmijët kanë nevojë për fjalë dhe veprime të ushtruara: refuzim i vendosur, largim nga situata, kërkim i ndihmës nga të rriturit herët dhe refuzim për të luajtur sipas skenarit të bullizuesit.
-
Përshkallëzimi pa panik. Prindërit dokumentojnë, komunikojnë me shkollën dhe insistojnë në mbrojtjen e duhur.
-
Riparimi shpirtëror dhe emocional. Bullizmi mund të mbjellë turp. Prindërit e shkulin atë në mënyrë aktive duke riafirmuar dinjitetin, duke sqaruar se padrejtësia nuk është një verdikt mbi vlerën e fëmijës dhe duke e rilidhur fëmijën me njerëz dhe vende mbështetëse.
Kërkimet bashkëkohore mbi rezistencën dhe qëndrueshmërinë (resilience) janë të dobishme këtu, jo për të zëvendësuar kuptimet islame, por për të sqaruar atë që familjet shpesh vërejnë: rezistenca nuk është një tipar i rrallë që e zotërojnë pak njerëz; ajo shpesh ndërtohet përmes proceseve të zakonshme mbrojtëse: kujdesit të qëndrueshëm, përkatësisë së sigurt dhe pranisë së të rriturve dhe bashkëmoshatarëve të besueshëm që e bëjnë fëmijën të ndihet i parë dhe i mbrojtur. (7)
Në punën e fokusuar te rinia e pakicave fetare, mbrojtja nga prindërit, komuniteti fetar dhe miqësitë mbështetëse shfaqen vazhdimisht si burime kyçe të përballimit. (8)
Kjo përputhet me këmbënguljen kuranore se besimtari nuk është menduar të qëndrojë vetëm.
﴿وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ﴾ “Besimtarët dhe besimtaret janë miq (mbrojtës) për njëri-tjetrin…” (Sureja et-Teube, 9:71)
Profeti ﷺ gjithashtu ka thënë:
“Andaj, qëndroni me xhematin (bashkësinë), sepse ujku e ha vetëm delen që ndahet nga kopeja.” (Ebu Davudi, hasen)
Në të njëjtën kohë, Kur’ani e ruan këtë parim që të mos keqkuptohet si izolim apo tërheqje e përhershme. Allahu adreson situatat në të cilat besimi tallhet, duke thënë:
﴿وَقَدْ نَزَّلَ عَلَيْكُمْ فِي الْكِتَابِ أَنْ إِذَا سَمِعْتُمْ آيَاتِ اللَّهِ يُكْفَرُ بِهَا وَيُسْتَهْزَأُ بِهَا فَلَا تَقْعُدُوا مَعَهُمْ حَتَّىٰ يَخُوضُوا فِي حَدِيثٍ غَيْرِهِ ۚ إِنَّكُمْ إِذًا مِثْلُهُمْ﴾ “Ai u shpalli juve në Librin (Kur’anin) se, kur të dëgjoni se po mohohen argumentet e Allahut dhe po bëhet tallje me to, mos rrini me ata derisa të hyjnë në bisedë tjetër. Përndryshe, ju do të jeni si ata.” (Nisa, 4:140)
Vargu nuk urdhëron shkëputjen e plotë të lidhjeve shoqërore. Përkundrazi, ai vendos një etikë të matur: largimi kërkohet gjatë kohës së talljes, por ndërveprimi normal mund të rifillojë sapo ajo të pushojë. Kjo njeh nevojën për të mbrojtur besimin dhe dinjitetin, si dhe nevojën njerëzore për vazhdimësi sociale dhe komunikim.
Profeti ﷺ e modeloi këtë ekuilibër në praktikë. Kur ai u fye publikisht nga Abdullah ibn Ubej në një tubim të përzier që përfshinte muslimanë, hebrenj dhe hipokritë, ai nuk u hakmor dhe nuk e ndezi situatën. Ai e trajtoi momentin me dinjitet, vetëpërmbajtje të qetë, qetësoi tubimin dhe më pas u tërhoq pasi tensionet u ulën. (Buhariu; Muslimi)
Përgjigja e tij ruajti dinjitetin, parandaloi përshkallëzimin dhe ruajti mundësinë e angazhimit të vazhdueshëm, në vend që ta kthente mospajtimin në një çarje sociale.
Mësimi për prindërit nuk është të rrisin fëmijë që e shohin botën si armike, por të sigurohen që ata të mos lihen të vetëm për t’u përballur me të.
Një ndjenjë e fortë e përkatësisë brenda besimit dhe familjes e pajis fëmijën që të angazhohet me shoqërinë e gjerë me besim, drejtësi dhe hapje, dhe jo me frikë apo mllef. Kur fëmijët janë të ankoruar sigurt, ata janë më të aftë të formojnë marrëdhënie të shëndetshme përtej komunitetit të tyre të ngushtë dhe të kontribuojnë pozitivisht për të mirën e përbashkët.