Në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë përuruar akseleratori i tretë linear dhe bunkeri me hapësirat përcjellëse, investime që, sipas institucioneve, shënojnë një avancim të madh në trajtimin e sëmundjeve malinje në vend.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Klinika e Onkologjisë ka përjetuar një transformim rrënjësor gjatë mandatit të qeverisjes së tij, duke u shndërruar në një shembull jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin e Ballkanit. Sipas tij, janë përmirësuar ndjeshëm trajtimi i pacientëve, kushtet e punës për mjekët, specialistët dhe infermierët, si dhe infrastruktura në përgjithësi.
Kurti theksoi se akseleratori i tretë, me vlerë prej 1.6 milionë eurosh, është i pajisur me sistem të avancuar që mundëson rrezatim me saktësi maksimale, duke goditur tumorin pa dëmtuar indet përreth. Po ashtu, ai bëri të ditur se është përfunduar ndërtimi i bunker-it me hapësirat përcjellëse, një investim në vlerë të gjithëmbarshme prej 2.7 milionë eurosh, i realizuar për vetëm pesë muaj – kohë që, sipas tij, është dukshëm më e shkurtër krahasuar me shtetet më të zhvilluara evropiane.
Kryeministri shtoi se gjatë këtij mandati është rritur ndjeshëm edhe kapaciteti i klinikës, nga 45 shtretër sa kishte më herët në 110 shtretër aktualisht. Gjithashtu, buxheti për barnat esenciale për pacientët me sëmundje malinje është rritur nga 8 milionë euro në vitin 2019 në 19 milionë euro këtë vit.
Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se me instalimin e akseleratorit të tretë në Klinikën e Onkologjisë nuk do të ketë më lista të pritjes për trajtim me rrezatim. Ai theksoi se investimet do të vazhdojnë si në këtë klinikë ashtu edhe në klinika të tjera të QKUK-së, me qëllim që pacientët t’i marrin shërbimet e nevojshme brenda institucioneve publike.
Ndërkohë, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, vlerësoi se gjatë pesë viteve të fundit janë realizuar investime madhore, të cilat kanë përmirësuar dukshëm cilësinë e trajtimit të pacientëve. Sipas tij, akseleratori i tretë shënon një faqe të re në trajtimin e sëmundjeve kanceroze, duke ofruar teknika të avancuara të rrezatimit dhe shërbime moderne për pacientët që kanë nevojë për këto trajtime.
