Close Menu
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Lajme
      • Kosovë
      • Rajon
      • Lindja e Mesme
      • Botë
      • Politikë
      • Kronikë e Zezë
    • OP-ED
      • Analiza
      • Ese
      • Opinione
      • Kolumna
    • SCI-TECH
      • Teknologji
      • Shkencë
    • Biznes
      • Investimi
    • Evente
    • Histori
    • Jetesë
      • Shëndeti
      • Këshilla
      • Ushqyerja
    • Sociale
    • Besimi
      • Edukim
      • Lutje (dua)
      • Qendrime
      • Studime në besim
      • Të ndryshme
      • Tema
    • SPORT
    Facebook X (Twitter) Instagram Pinterest
    Dija Online
    • Lajme
    • Evente
    • OP-ED
    • Të rekomanduara
    Dija Online
    Ju jeni në:Home»Fokus»Përbashkimi dhe larmia në teorinë e artit islam
    Fokus

    Përbashkimi dhe larmia në teorinë e artit islam

    RedaktoriBy Redaktori17-12-2025032 Mins Read
    Share Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    Përbashkimi dhe larmia në teorinë e artit islam
    Përbashkimi dhe larmia në teorinë e artit islam
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp LinkedIn Copy Link Pinterest Email Telegram

    Ky artikull është shkëputur nga libri “Teoria e Artit Islam: Koncepti estetik dhe struktura epistemike”, me autor Idham Muhamed Hanash. Kapitulli: Përbashkimi dhe larmia në teorinë e artit islam.

    Parimi i përbashkimit dhe larmisë është një nga mbështetjet kryesore filozofike dhe metodike për të kuptuarit e qenies njerëzore, qytetërimit dhe artit. Ky parim bëhet shkas për dy lloj teorish themelore. E para është një teori e përgjithshme që i shikon përbashkimin dhe larminë si dukuri të cilat kuptohen vetvetiu. Sipas kësaj teorie, njerëzit kanë një vetëdije të brendshme që ua mundëson natyrshëm bashkëjetesën në një kuptim më të gjerë dhe të larmishëm. Që të dyja, përbashkimi dhe larmia, shihen si hyrje të natyrshme në shumicën, nëse jo në të gjitha e fushat të jetës, duke përfshirë shpjegimet fetare, filozofike e shkencore të lëvizjeve historike dhe përparimit të qytetërimit dhe dijes njerëzore. Teoria e dytë, më e përcaktuar, i shikon përbashkimin dhe larminë si një gjëegjëzë, zgjidhja e së cilës duhet gjetur në mbretërinë e filozofisë, shkencës, letërsisë, artit dhe fushave të tjera të dijes. Në këtë mënyrë, kjo teori e shtjellon përbashkimin dhe larminë si kundrinë hulumtimi, shqyrtimi dhe thellimi metodik.

    Mbështetur në këtë renditje të teorisë së përbashkimit dhe larmisë, si dhe vendin që zënë ato në ligjërimin epistemologjik lidhur me artin islam, parimi i përbashkimit dhe larmisë mund të thuhet se është vatra kuptimore dhe vullneti mendor i teorisë së artit islam.

    Hegeli (v. 1831 e.r.) ishte filozofi i parë që e shqyrtoi përbashkimin hyjnor si temë të artit islam. Punimi shkencor i paraqitur nga Richard Ettinghausen (v. 1979 e.r.), rreth bashkëveprimit dhe tërheqjes së ndërsjellë në artin islam, gjatë mbajtjes së Kuvendit të Orientalistëve, në vitin 1955, mbi përbashkimin dhe larminë e qytetërimit islam, mund të ketë shënuar fillimin e një studimi të thellë të kësaj teme.

    Historiani Ahmed Fikri, ndoshta është hulumtuesi i parë bashkëkohor arab që u përpoq të mbështeste një teori të artit islam në elementet e përbashkimit mes arabizimit dhe Islamit. Dhe i fundit që ka bërë të njëjtën gjë, mund të ketë qenë mendimtari mysliman Isma‘il El-Faruki, i cili shqyrtoi teorinë e artit islam nga pikëpamja e marrëdhënies midis artit dhe përbashkimit hyjnor (teuḥīd), të cilin ai e shikonte si një burim dhe themel të përfytyrimit të së bukurës dhe shprehjeve të saj artistike.

    Sa i përket konceptim artistik të përbashkimit dhe larmisë

    Dyfishtësia e përbashkimit dhe larmisë është një temë thelbësore, si në kulturën islame, ashtu edhe në jurisprudencë dhe në teorinë e artit islam, në kuptimin që:

    • Përbashkimi përbëhet nga elemente artistike plotësuese, brenda një modeli të njëtrajtshëm gjeometrik, ashtu sikurse anëtarët e një trupe të vetme plotësojnë njëri-tjetrin në përmasa të caktuara.
    • Larmia, nga ana tjetër, e cila është e pandashme nga përbashkimi, përbëhet nga renditja e elementeve të ndryshme përmes marrëdhënieve, një marrëveshje ngjasimi, përsëritjeje, ndërthurjeje dhe harmonie në mënyrë të tillë, që të mbërrijë ndërveprim dhe tërheqje të ndërsjellë në veprat e artit. Këto elemente së bashku i japin veprës përkryerje dhe, si rrjedhojë, e veçojnë atë si diçka që i përket mbretërisë së artit në veçanti dhe jo të ndonjë mbretërie tjetër të qytetërimit, si ajo e shkencës apo letërsisë, fjala vjen, duke marrë parasysh që larmia është thelbi i artit.

    Pra, arti islam ka një përmasë të shijeve vetjake dhe një përmasë qytetarie të pandikuar. Përmasa e shijeve vetjake mund të vërehet në faktin që arti islam përbëhet nga pjesë apo nyje të shumta të cilat bashkohen për të krijuar një përcaktim më të gjerë. Secila nyje përfaqëson atë që mund të mendohet, nga njëra anë, si qenësi e shprehur me vetëpërmbajtje dhe, nga ana tjetër, si pjesë e një ngrehine më të gjerë, nëpërmjet të cilës vlerat estetike të arkitekturës, artit dhe zejtarisë islame bëhen të dukshme.

    Sa i përket përmasës së qytetarisë së pandikuar, ajo vëzhgohet përmes faktit që veçantia e kulturës dhe mendësisë islame udhëzon në zgjedhjen e shenjave dhe formave, në mënyrë të tillë, që të përcjellë një shprehje artistike përbashkuese, si thelbin e qytetërimit islam dhe porosinë e tij rreth përbashkimit hyjnor.

    Përbashkimi dhe larmia e artit islam: Mjedisi shoqëror

    Që kur studimi i qytetërimit islam u themelua si pjesë e programeve mësimore të ofruara nga qendrat arsimore perëndimore, si rrjedhojë e lidhjeve të ngushta mes qytetërimit dhe artit islam, tema e përbashkimit dhe larmisë në artin islam ka qenë lëndë e shumëpërfolur nga dijetarët.

    Qytetërimi islam është shquar për gjithëpërfshirje dhe përbashkim të përbërësve të vet, si dhe për hershmërinë dhe pasurinë në fushat e shkencës, kulturës dhe artit. Përveç kësaj, qytetërimi islam dallohet ndër qytetërimet e tjera të botës, për sa i përket shtrirjes gjeografike dhe periudhës së gjatë të epërsisë. Në të njëjtën mënyrë, arti islam shquhet për një larmi të jashtëzakonshme – e dukshme në zejtari dhe zbukurime – në krahinat te të cilat ka depërtuar si dhe njerëzit – krijimtaria e të cilëve ka ndihmuar në zhvillimin e këtij arti. Shumëllojshmëria e shfaqur në artin islam është aq e shquar, saqë është e vështirë të gjenden dy vepra të artit islam krejtësisht të njëjta. Arti ka një rëndësi themelore për qytetërimin islam, e lidhur ngushtë me teorinë e dijes. Marrëdhënia mes qytetërimit dhe artit islam është, në të vërtetë, një shembull i shprehjes së shpirtit të vetëm që gjallëron brenda të dyjave. Ky “shpirt” mund të përshkruhet si rrjeta ose parimi i teorisë së dijes, apo arsyetimi që shërben si një themel i përgjithshëm i rrjetit kulturor të arteve, arkitekturës dhe zejtarisë islame.

    Qasjet epistemologjike të çështjes së përbashkimit dhe larmisë janë aq të shumta dhe të ndryshme, sa edhe tiparet e vetë qytetërimit islam, më kryesorja midis tyre janë artet, arkitektura dhe zejtaria. Hulumtime të shumta historike, kulturore dhe arkeologjike mbështesin përfundimin se arti islam përfaqëson shprehjen më të qartë të begatisë dhe përparimit të qytetërimit islam. Që të dyja, në një kuptim më të gjerë, si dukuri që përfshin të gjithë materialin e dobishëm krijues, dhe në një kuptim më të ngushtë ku përfshihen vetëm veprat e arteve të bukura, mund të përkufizohen si paraqitje e krijimtarisë njerëzore e cila gjallëron përbërësit materialë dhe shpirtërorë të qytetërimit. Arti e ndihmon një shoqëri në përmbushjen e një qëndrueshmërie edhe më të madhe, njëjtësie kulturore dhe aftësimin për të zhvilluar një qasje të përmirësuar të shkëmbimeve kulturore e materiale me të tjerët, për hir të begatimit të Tokës.

    Në fakt, qëllimi i begatimit të Tokës qëndron në zemër të ligjërimit islam, si në pikëpamjen kulturore, ashtu edhe në atë shpirtërore: Synimi i çështjeve fetare të mbështetura te besimi, gjendet te parimi i kujdestarisë, që është detyra e qenieve njerëzore si përfaqësuese të Zotit në Tokë. Kjo detyrë është përmendur në suren El-Bekare, 2:30, që thotë:

    Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit), ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë, ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”.

    Sa i përket pikëpamjes së begatisë së qytetërimit dhe kulturës në Tokë, ato varen nga aftësitë me të cilat qeniet njerëzore lindin, lidhur me krijimtarinë në mbretërinë e shkencës, letërsisë, artit dhe fushave të tjera të jetës shoqërore, ndërlidhjes dhe zhvillimit material. Mbase këtu është e udhës të sqarojmë kuptimin e termit arabisht të fadl, i cili përkthehet në mënyra të ndryshme si përkrahje, mirësi, bujari, përsosuri, mirëbesim, denjësi, dobi dhe begati. Nga pikëpamja islame, termi fadl është një përsosuri që mbështetet në qëllimin e lartësimit të bukurisë dhe saktësisë së një qenieje. Me fjalë të tjera, fadl është një vlerë që i shtohet një sendi, njeriu, vendi, kohe, ose një veprim. Nga kjo, ne përftojmë termin mufāḍalah – veprimi i të peshuarit ose krahasuarit të qenieve të ndryshme, për të përcaktuar se cila ka epërsi mbi tjetrën, si dhe konceptin e tafāḍul – prania në shkallë të ndryshme e përsosurisë te njerëzit, paraardhësit, fushat e të mësuarit, letërsia, apo edhe mënyra të tjera të të shkruarit, arti dhe zejtaria, si dhe tek elemente të tjera, përbërësit dhe paraqitja e një qytetërimi. Nga këtu, nxjerrim idenë e shpirtit të dëlirë (el-nefs el-fāḍileh), qytetërimin më epror (el-ḥaḍārah el-fāḍileh), fjalim udhëzues i adhurueshëm (el-kelām el-fāḍil), antologji me poema të zgjedhura para-islame (Mufaḍḍalijāt) dhe qenie e dukuri që mund të përshkruhen si të adhurueshme, të moralshme, të shkëlqyera etj.

    Arti islam është sfera më e përshtatshme për të vendosur marrëdhënien mes përbashkimit dhe larmisë së qytetërimit islam, ngaqë ky lloj arti ka një peshë të rëndësishme, sa i përket përpunimit krijues të qytetërimit islam, sistemit të tij epistemologjik, si dhe njëjtësisë së vet kulturore. Artet, arkitektura dhe zejtaria kanë një prani më të ngjeshur dhe të kudogjendur në qytetërimin islam, gjë që nuk e kanë qytetërimet e tjera. Si rrjedhojë, qytetërimi islam mund të mendohet dhe, me të drejtë, si qytetërim sipëror, në njërën anë, për nga mirësitë, përbashkimi i vlerave të tij (vërtetësia, mirësia dhe bukuria) dhe, nga ana tjetër, për mënyrat e larmishme përmes të cilave këto vlera shfaqen në jetët vetjake dhe shoqërore të njerëzve.

    Duke pasur parasysh përbashkimin dhe larminë, njëkohësisht, si vlera të përgjithshme të qytetërimit islam, atëherë ky është qytetërimi që mundëson shprehje të plotë të kuptimit estetik të shumëpërfolurës përbashkim-larmi, aq e dukshme në artin islam.

    Një shpjegim historik i përbashkimit dhe larmisë së artit islam

    Shumica e teorive të artit islam përgjatë shekujve u mbështetën në nocionin e përbashkimit dhe larmisë, si një themel filozofik i gjallërisë dhe rëndësisë së këtij arti, ndikimit të tij në njohuritë mbi estetikën, islame apo jo-islame, si dhe në vendin e nderit dhe në peshën e tij historike në qytetërimin mbarënjerëzor në përgjithësi.

    Një numër historianësh janë përpjekur të sjellin teori të reja që lidhen ngushtë me fushën e pafundme të artit islam. Në përpjekje e sipër, ata kanë përshtatur ose mënyrat zakonore, historike dhe përshkruese, ose qasjet bashkëkohore filozofike (të përbrendshmen, shprehësen, shënjuesen) për të shtjelluar lidhjen e natyrshme mes artit islam dhe prejardhjes së tij.

    Në krahina të ndryshme të cilat hyjnë nën flamurin islam, format e artit vendor u shkrinë brenda një kupe të vetme islame, duke u njësuar me kulturën islame e cila, ndonëse mbante të njëjtën vulë të pandryshueshme në mbarë botën, pranoi elemente, imtësi dhe ndryshime vetjake. Në këtë mënyrë, përbashkimi material i qytetërimit islam shërbeu si një mbështetëse e bashkimit shpirtëror dhe mendor që pasqyroi besimin islam te përbashkimi hyjnor.

    Më poshtë po japim shembuj të hulumtimeve historike të cilat kanë dalë me përfundimin se veçoria më e rëndësishme dhe dalluese e artit islam është lidhja mes përbashkimit dhe larmisë:

    1. Përmes studimeve të ndryshme historike të arkitekturës, stolisjes apo arteve të zbatuara – të njohura ndryshe nganjëherë si “artet ndihmëse” (el-funūn el-far‘ijeh), Ernst Kuhnel (1882-1964) erdhi në përfundimin se arti islam nuk bën dallime midis llojeve të artit “fetar” dhe “laik”, por, përkundrazi, i gërsheton ato në një vepër të vetme.
    2. Sipas Georges Marcais (1876-1962), arti islam ka një veçori dalluese që e ndan atë nga format e tjera të artit të lashtësisë. Feja islame dhe gjuha arabe ndërthurën mënyra dhe shkolla të ndryshme arti në një përbashkim i cili e shfaq vetveten veçanërisht në arkitekturën fetare.
    3. Sipas E. J. Grube (1932-2011), ngrehina e përbashkimit të botës islame e tregon veten në bashkimin fisnor dhe gjeografik të elementeve të kulturës së Gadishullit Arabik, Persisë dhe Turqisë.

    Përbashkimi dhe larmia e artit islam: Shpjegimi dhe ardhmëria

    Shpjegime dhe perspektiva të ndryshme që janë parashtruar lidhur me temën e përbashkimit dhe larmisë së artit islam, mund të ndahen në katër grupime: 1) ato që e shohin përbashkimin si thelbin e jetës islame, 2) ato që e shohin larminë si thelbin e artit, 3) ato që përqendrohen te përbashkimi përmes larmisë, 4) ato që përqendrohen te larmia përmes përbashkimit.

    Këto perspektiva dhe shpjegime janë parashtruar si përmbajtje studimore të temave të mëposhtme:

    Prejardhja e përbashkët, burimet e ndryshme

    Çështja e prejardhjes dhe burimeve të artit islam ka qenë vazhdimisht një temë mosmarrëveshjeje në mesin e dijetarëve. Sipas teorive fetare, kulturore dhe shkencore që mbështeten kryesisht te sistemi epistemologjik perëndimor që mori rrugë nga Rilindja Europiane dhe zgjatimet e saj orientaliste, arti islam është një dukuri e vonshme që u zhvillua si kundërpërgjigje ndaj faktorëve të jashtëm ose objektivë dhe ndikimeve, të tilla si llojet e artit që erdhën bashkë me këto ndikime, ose ishin bashkëkohëse të tyre.

    Disa hulumtime historike dalin në përfundimin se pak para agimit të Islamit dhe në vijim, fillimisht, arabët nuk kishin “arte të tyre që vlejnë të përmenden”. Hulumtime të tilla vazhdojnë të pohojnë se, kur myslimanët nënshtruan Sirinë, Irakun dhe Persinë (Iranin), ata përvetësuan forma të pastra arti që i gjetën në këto toka, duke i hapur rrugën kështu shfaqjes dhe përparimit hap pas hapi të një stili artistik islam. Ky stil i ri islam buronte veçanërisht nga arti bizantin dhe sasanid, bashkë me artin e krishterë në Egjipt, Siri dhe Irak, si një burim i artit islam, të paktën në fillimet e tij të hershme.

    Ky hamendësim orientalist u përball me kundërshtime nga disa dijetarë të cilët kishin për qëllim të përgënjeshtronin teori të që parashtronin një “zbrazëti arabe”, “huazim islam” dhe burime të jashtme të artit islam.

    Hulumtuesit arabë dhe myslimanë kanë paraqitur disa teori ndryshe, sipas të cilave arti islam rrjedh nga burime të vërteta arabe dhe islame. Ithtarët e këtyre teorive të ndryshme këmbëngulin se, përpara Islamit, arabët kishin pasur monumente të shumta artistike në Gadishullin Arabik dhe gjetkë. Pasi e pranuan fenë islame, atëherë arabët e vunë trurin, ndjenjat dhe përfytyrimin në punë, për t’i shërbyer kësaj feje. Vetëm mbi këto themele, sipas kësaj teorie, ndryshe nga të tjerat, arti islam erdhi në jetë dhe u zhvillua gjatë periudhës së hershme islame. Me kalimin e kohës, teoricienët myslimanë u përpoqën të njëjtësonin përbërësit themelorë të artit islam dhe të pranojnë atë që e shikonin si të bukur dhe të dobishme nga qytetërimet e tjera dhe nga e shkuara e tyre artistike, si një damar kryesor të shprehjes artistike të përbashkuar arabe dhe islame.

    Përbashkimi dhe larmia në elementet e kulturës dhe qytetërimit

    Disa hulumtime rreth artit islam janë përqendruar në ato rrethana të kulturës dhe qytetërimit, që janë të lidhura ngushtë me prejardhjen arabo-islame të artit. Në vend që të mbështeten në vepra të caktuara arti dhe në tiparet e tyre dalluese, studime të tilla përpiqen të veçojnë përbërësit që kanë bashkuar traditën artistike islame, përgjatë kufijve të periudhave historike dhe krahinave gjeografike.

    Elementet e përbashkëta që i kanë shërbyer bashkimit të artit islam në tërë larminë e tij, mund të ndahen në ato kulturore ose qytetërues.

    Elementet kulturore që luajtën një rol, sa i përket lindjes dhe zhvillimit të artit islam, përfshijnë besimin islam, gjuhën arabe dhe shprehjen artistike. Ndërsa Islami u përhap në toka të tjera, veçoritë dalluese intelektuale dhe kulturore të shoqërisë dhe qytetërimit islam depërtuan në vendet që iu nënshtruan sundimit mysliman, veçanërisht traditave të tyre arkitekturore dhe artistike. Kjo u bë e mundur nga natyra gjithëpërfshirëse e mësimeve islame, si dhe nga gjurmët përgjithësisht njerëzore në mbarë botën.

    Pas besimit islam, gjëja më përbashkuese në këtë përpunim ishte gjuha arabe që Zoti e kishte zgjedhur si mënyrën përmes së cilës Profeti (s.a.s.) do e përcillte mesazhin islam. Duke pasur parasysh rëndësinë e gjuhës arabe për Islamin, përdorimi i kësaj gjuhe u bë i barasvlershëm me shërbesën fetare. Në këtë mënyrë, ky lloj vlerësimi i bashkëngjitur më vonë me artin arab të kaligrafisë, të cilin një dijetar e ka përshkruar si “artin më fisnik të të gjitha arteve”, u bë njëherësh shprehja artistike e besimit islam, gjuhës arabe dhe kulturës arabo-islame.

    Në lidhje me faktorët qytetërues që kanë dhënë ndihmesën e tyre në lindjen dhe zhvillimin e artit islam, ato mund të përmblidhen si vijon: 1) Ndikimi fetar, i cili e ka shfaqur vetveten përmes rolit që ka luajtur xhamia dhe Kurani në jetën islame dhe artet estetike, të zbatuara dhe të përdorshme; 2) ndikimi politik, i cili mund të vëzhgohet në atë që kalifët, sulltanët, mbretërit, emirët dhe sunduesit e tjerë myslimanë kanë përkrahur lloje të ndryshme të artit islam; 3) ndikimi shoqëror, i cili shfaqet në prirjen e shtresave të ndryshme të shoqërisë islame përgjatë periudhave të njëpasnjëshme, për t’u bërë jehonë, ruajtur dhe organizuar arte dhe zejtari përmes institucioneve shoqërore; 4) ndikimi intelektual, që ka ndihmuar nga ana e tij, për të lartësuar artet përmes rritjes së vetëdijes, arsimit, apo mënyrave të tjera të përhapjes së kulturës dhe artit islam; dhe 5) ndikimi shkencor, që i ka dhënë një mbështetje të madhe artit islam, përmes lehtësimit të botimeve të shtypura dhe të shkruara.

    Një numër dijetarësh e kanë shpjeguar dukurinë e artit islam si një zgjatim të ndikuar nga faktorë të kulturës dhe qytetërimit të huaj. Të tjerët, përkundrazi, i kanë parë këta faktorë dhe të tjerë thjesht si rrethana dhe shtrëngime të qëllimshme, të cilat hodhën themelet për rritjen, përparimin dhe lulëzimin e artit islam. Kjo pikëpamje e ka pranuar se “historia e artit islam shquhet për nga bashkimi, pavarësisht larmisë së trashëguar”, duke i dhënë, në të njëjtën kohë, rëndësinë e nevojshme zhvillimit të këtij arti gjatë një shtrirjeje kohore mëse 1300 vjeçare, si dhe përhapjen që nga tokat arabe e deri në Andaluzi dhe Kinë.

    Arti islam dallohet nga katër veçori: Përdorimi dekorativ i formave gjeometrike, format e stilizuara bimore, përshkrimi mjeshtëror i njerëzve dhe imazheve, si dhe kaligrafia arabe. Ajo çfarë ndihmoi në këtë përbashkim, ishte një numër përpunimesh të njëpasnjëshme, përkatësisht: Miratimi, përshtatja, shpikja, kopjimi, zëvendësimi, vazhdimësia dhe rigjallërimi. Gjatë trembëdhjetë shekujve dhe përgjatë një shtrirjeje gjeografike të pafund, këto përpunime të përsëritura shërbyen për të mundësuar përparimin dhe vazhdimësinë në mbretërinë e artit islam.

    Stili i përbashkët dhe përbërësit e larmishëm artistikë

    Nocioni i përbashkimit dhe larmisë është i lidhur ngushtë me natyrën epistemologjike të artit islam, veçanërisht në shërbim të mendimit se, kur një artist vlerësohet për nga të metat, zotësitë apo bukuritë, ndërtimi i veprës në fjalë qëllon të jetë më i mbështetur në elemente, teknika dhe stile, sesa në përbërës të tjerë, si tema, përmbajtja, koha dhe hapësira, etj.

    Prandaj, shumica e dijetarëve të artit, veçanërisht ata që e kanë studiuar nga ana kritike-estetike, i mëshojnë pikëpamjes se stili i përbashkuar është tipari dallues kryesor i arteve islame dhe kjo pa marrë parasysh: (1) dallimet mes arteve të arkitekturës, kaligrafisë, vizatimit, prarimit etj.; (2) shumëllojshmërinë e shfaqur nga përbërës të caktuar si pikat, vijat, boçet si dhe figura të tjera gjeometrike; dhe (3) larmia e vlerave të tyre të hamendësuara përmes ngjyrave, thurjeve, dritave, ritmit, hapësirës etj.

    Këta përbërës të dukshëm, si dhe vlerat e hamendësuara, prodhojnë atë që mund ta përkufizojmë si përbashkim artistik, duke përfshirë edhe përbashkimin drejtvizor, zbukurues, arkitekturor etj. Ky përbashkim, brenda dhe jashtë vetes, përbën një element artistik të plotë dhe të pavarur, nga ku përfytyrimet plotësojnë njëra-tjetrën, përmes përsëritjes së elementeve apo njësive artistikisht të ngjashme ose të kundërta. Ky përbashkim e shfaq vetveten në rrjetin gjeometrik ose në përmbajtje, çka i jep veprës së artit veçorinë dalluese të teorisë së dijes, që në gjuhën e kritikës së artit e përcaktojmë si “lloj” apo “stil”.

    Dijetarët në tërësi, pothuajse njëzëri, pajtohen se stili përbashkues lehtësisht i dukshëm në artin islam “është thellësisht i njëjtë, pa marrë parasysh larminë e burimeve dhe ndikimeve”. Shembuj të kësaj dukurie mund të merren nga disa lloje të ndryshme të artit islam. Megjithatë, trajta më joshëse e artit islam është zbukurimi, i cili përpunon një lloj të veçantë teknik dhe estetik, mbështetur në përsëritje/ngjashmëri dhe/ose përdorimi i një morie njësish të stolisura, qofshin ato forma bimore, apo forma gjeometrike.

    Kjo njësi stilistike e larmishme mund të thuhet se është e vendosur mbi tre themele të ndërlidhura: (1) harmonia e vizatimit, që mbështetet në larminë e elementeve, trajtave, stileve dhe shpërfaqjeve të artit, arkitekturës dhe zejtarisë islame; (2) kuptimi i kësaj harmonie dhe nivelet e përbërjes kuptimore-gjeometrike, të mbështetur në një rrjet marrëdhëniesh dhe idesh në zhvillim e sipër; dhe (3) synimi i përbashkët. Përgjithësisht, arti islam bashkohet në një shprehje simbolike përjetuese të përbashkimit hyjnor të artistëve myslimanë, në mënyrë të tillë, që e kapërcen shtrirjen krahinore dhe gjeografike.

    Përbashkimi i ngjashmërive dhe larmia e stileve të veçanta

    Stili i përbashkët dhe estetika e veçantë e artit islam fare mirë mund të çojnë në një emërues të përbashkët kulture dhe qytetërimi. Stili shihet si brendia ose ana vetjake e një vepre arti, ndërsa tipari, si forma e jashtme që e dallon atë nga veprat e tjera. Arti është art, jo si pasojë e cilësive të lëndës së parë, të cilat në pjesën më të madhe janë në varësi të kushteve gjeografike, por është i tillë më shumë për cilësinë e stilit të të shprehurit, përmbajtjes estetike dhe mënyrës së qasjes së ideve. Lidhur me artin islam, ai është një shprehje estetike e formës islame përbrenda përvojës arabe. Të dhënat që përbëjnë përvojën arabe, mund t’i kenë dhënë prurjes artistike myslimane një vulë dalluese kulture dhe qytetërimi, gjë që mund të vërehet, fjala vjen, në stilin e përbashkët arkitekturor që gjendet gjithandej në botën islame, qytetërimi i së cilës është i ngjyrosur njëherësh me arabizëm dhe Islam.

    Tiparet më të shquara të artit islam janë universaliteti dhe përbashkimi që vijnë nga arabizmi (identiteti arab) dhe Islami. Identiteti arab, i mishëruar në gjuhën dhe kaligrafinë arabe, u bë tema kryesore e zbukurimeve islame, për shkak të bukurisë me të cilën shkrimi arab përcjell – nga ana pamore – fjalët e Zotit. Për këtë arsye, hulumtuesit europianë filluan t’i quanin zbukurimet islame “arabesque”. Duke marrë parasysh rëndësinë e lutjes kremtuese (namaz), xhamia u bë simboli i Islamit – feja e përbashkimit të pandashëm hyjnor – e cila, nga ana e vet, solli njëtrajtshmërinë e ndërtimit të xhamive kudo në botën islame.

    Harmonia dhe pandashmëria e përbërësve të qytetërimit arabo-islam, nga gjuha arabe, deri te tërheqja e ndërsjellë shpirtërore, mbështeten në karakterin monoteist islam. Disa hulumtues të kësaj fushe artin islam e kanë nënkuptuar si “artin arabo-islam”. Edhe pse vetë Islami nuk ka qenë i lidhur me artin, si Krishterimi apo Budizmi, gjithsesi, Islami ka ndikuar në mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit. Kjo ka ushtruar një ndikim të thellë në arkitekturë, artet përfaqësuese, stilin dhe zbukurimet, si dhe në zgjedhjen e përdorimit të lëndës së parë në krahina të ndryshme. Pa marrë parasysh vulën e artit islam, sipas së cilës Zoti është vetëm një, është e pamundur të mos mahnitesh me larminë që gjendet nga një krahinë në tjetrën dhe nga një periudhë kohore në tjetrën, brenda së njëjtës krahinë.

    Përbashkimi dhe larmia e artit islam: Shpjegimi sipas Islamit

    Disa pikëpamje dhe shpjegime të paraqitura si kundërpërgjigje të teorive orientaliste rreth artit islam, kanë qenë të mbështetura më shumë në kundërveprimin emocional, sesa në vërejtjet krijuese që mund të kishin hedhur dritë mbi përbashkimin dhe larminë e artit islam nga një pikëpamje e qartë islame. Prandaj, do të përpiqem që ta tokëzoj këtë temë në vijim, duke e mbështetur në fillesat dhe burimet islame që mund t’i përkufizojmë si “estetika islame”. Fillesat dhe burimet e njohurive estetike islame janë Kurani dhe Tradita Profetike, shkencat islame të rëndësishme për filozofinë, gjuhën, gojëtarinë, matematikën, gjeometrinë, të parit, si dhe metodën që ne mund ta emërtojmë “kriticizmi i artit islam”, i cili shtyn drejt një shpjegimi më të arsyeshëm të përbashkimit dhe larmisë së artit islam.

    Teoria islame e përbashkimit dhe larmisë

    Thelbi dhe zanafilla për njohjen e kësaj teorie duket qartë në pohimin islam, se “s’ka fuqi tjetër të mbinatyrshme, përveç Zotit”, si dhe pranimi që i bën Islami lidhjes së ngushtë midis përbashkimit hyjnor dhe larmisë, të shpërfaqura te krijesat. Përbashkimi hyjnor është shprehur në fjalët: “Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë. Atij i përkasin emrat më të bukur; Atë e përlëvdon gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Surja El-Hashr, 59:24); dhe në fjalët: “I lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! S’ka zot tjetër të vërtetë, përveç Atij, Zotit të Fronit Madhështor!” (Surja El-Mu’Minûn, 23:116). Në lidhje me larminë e krijesave, është folur në suren El Bekare, 2:164, ku mund të lexojmë:

    Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.

    Ligjërimi i gjetur në Kuran dhe Traditën Profetike shpalos përmasat e gjera të këtij këndvështrimi në pafundësinë e gjithësisë si dhe dëshirën e lindur të njeriut për të adhuruar, ditur, krijuar, për të ndërtuar qytetërime, për t’u ndërlidhur, bashkëjetuar dhe për t’u angazhuar në prodhimtari të dobishme për veten e vet dhe të tjerët. Ky ligjërim u drejtohet njerëzve dhe qenieve të padukshme (xhindeve), por kryesisht njerëzve si krijesa të nderuara në veçanti nga Zoti i Plotfuqishëm, me detyrën e kujdestarit në Tokë.

    Kënvështrimi epistemologjik dhe metodik i pasqyruar në ligjërimin islam, është i formuar nganjë sërë dualitetesh, të cilat shfaqen nga dualiteti më themelor i të gjithave, që është, lidhja e ngushtë mes Zotit – që është një dhe s’bëhet dy – dhe manifestimeve të ndryshme të Zotit në gjithësi, si dhe në qeniet e brendshme të njerëzve. Përcaktimi klasik i Kuranit rreth përbashkimit hyjnor gjendet në suren El-Ihlâṣ, 112, e cila thotë: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”

    Sa për larminë që përfitohet nga ky përbashkim, flitet në suren Fussilet, 41:53: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë, se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty, që Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!” Shpjegimi hyjnor i përbashkimit dhe larmisë nga qeniet njerëzore ndjehet përmes adhurimit. Zoti thotë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë” (Surja Edh-Dhârijât, 51:56), ku të adhuruarit nënkupton përfshirjen e të pranuarit se Zoti është një dhe s’bëhet dy.

    Dhe e fundit, gjenden pafundësisht dualizme shtesë që burojnë nga çiftëzimi themelor i gërshetimit të përbashkimit me larminë: të dukshme dhe të padukshme, të fshehura dhe të shfaqura, madhështi dhe bukuri, dhënie dhe marrje frymëzimi, krijim dhe kopjim, natyrë dhe përpunim.

    Siç ka vënë re një dijetar mysliman: “E përkryera qëndron te përbashkimi… dhe gjithçka zotëron diçka të përkryer që është e përshtatshme për ‘të”. Prandaj, bashkimi shihet si zanafillë e gjithçkaje në qenësinë e vet, ndërkohë që shumëllojshmëria e e cila buron nga kjo njëshmëri, mund të ndjehet në të gjitha sferat: në emrat e bukur të Zotit që na çojnë drejt tipareve madhështore të Tij, në të vërtetën materiale, si dhe në të fshehtat e shpirtit, të vëzhguara nga qytetërimi i njerëzimit dhe rritja e vetëdijes.

    Falë marrëdhënies së pathyeshme që gjendet mes përbashkimit dhe larmisë, ky çiftëzim është kthyer në një bërthamë të rëndësishme të dijes njerëzore, në përgjithësi, dhe për dijen islame në veçanti. Lidhur me këtë, Ebū Ḥajān El-Teuḥīdī (v. 414 p.h./1023 e.r.) kishte thënë:

    Krijuesi i vërtetë, që është një dhe s’bëhet dy, është gurra prej nga burojnë të gjitha gjërat. Falë Tij, begatia rrjedh drejt nesh dhe brenda Tij tkurret e pakësohet. Parafjala “prej”, në këtë rast, nuk tregon ndarje, ashtu sikurse “brenda” nuk tregon lidhje ose bashkim. E kam fjalën më tepër për arsyen që i detyron gjykimet të lidhin këtë apo atë qenie, pa e pohuar se një qenie e tillë gëzon njëfarë ekzistence të pavarur ose të veçuar. Kjo për shkak se trajtat dhe kufijtë që kanë të bëjnë me fjalët dhe gjërat, janë të shfuqizuara në sferën e hyjnores. Në vend të kësaj, ato kthehen në pasqyrime të qenieve shpirtërore në lëvizje. Në fushën hyjnore, fjalët na afrojnë më pranë së Vërtetës, duke na shoqëruar drejt një mbretërie përtej vetes sonë. Sa më të mira dhe të plota të jenë pasqyrimet dhe sa më të qarta të jenë fjalët, aq më të lehta janë lëvizjet dhe aq më i qartë është kuptimi. Si rrjedhojë, të gjitha dëshmitë dhe fjalët duhet të gjykohen të barabarta në thelb, kur i shohim nga këndvështrimi i Njëshmërisë Hyjnore. Ky fakt pasqyrohet më së miri përmes trajtave, vijëzimeve, përfytyrimeve dhe mbishkrimeve, të cilat janë të mbushura me, të rrethuara nga dhe të përfshira përbrenda bashkimit. Përmes bashkimit, këto gjëra marrin formë dhe plotësohen, ndërkohë që përmes shumëllojshmërisë, ato dallojnë nga njëra-tjetra në formë dhe cilësi.

    El-Teuḥīdī e përmbyll parashtrimin e perspektivës epistemologjike islame lidhur me përbashkimin dhe larminë, me fjalët: “Kërkojmë mbrojtjen e Zotit nga [çdo lloj] pune që nuk na drejton për tek i Vetmi Hyjnor, ose që nuk na fton ta adhurojmë e Atë; të pranojmë Njëshmërinë dhe të drejtave hyjnore të Tij mbi ne; të kërkojmë mbrojtjen e Tij; t’i durojmë vendimet e Tij me qetësi, dhe t’i nënshtrohemi urdhrave të Tij”.

    Teoria artistike e përbashkimit dhe larmisë

    Duke shqyrtuar teknikat e përdorura në artin islam – përfshirë edhe përsëritjen e figurave gjeometrike të ngjashme ose të kundërta, si dhe forma të tjera zbukurimi dhe pamje të vijëzuara (si në arabeskat dhe kaligrafinë arabe) – nga pikëpamja e arsyetimit të përbashkimit dhe larmisë, tiparet estetike dhe ato qytetëruese në artin islam janë qartësisht të dallueshme. Kjo, nga ana tjetër, mund të ndihmojë në përcaktimin e teorisë islame të përbashkimit dhe larmisë, të zbatuar qartësisht në artin islam.

    Për dallim, teoritë e orientalistëve perëndimorë janë përpjekur t’i japin rëndësi të tepruar vetëm një apo dy anëve ose tipareve të shquara të artit islam – figurave gjeometrike, fjala vjen, dhe zbukurimeve. Mandej, këto tipare janë shpjeguar në mënyrë përshkruese, historike, ideore, apo simbolike.

    Nganjëherë, teori të tilla orientaliste – të mbështetura vetëm në tipare – janë parë me vërejtje, ngaqë nuk janë të mbështetura në parimet apo në një grusht të caktuar parakushtesh të përshtatshme për të përshkruar tërësinë e artit, arkitekturës dhe zejtarisë islame. Në vend të saj, shumica e teorive janë përcaktuar vetëm në bazë të arsyetimit të një apo dy mënyrave të shprehjes së artit islam, si në arkitekturë, vizatim, apo ndonjë formë tjetër përfaqësimi piktoresk, duke marrë parasysh vetëm atë që dijetarët kanë vëzhguar në artet perëndimore, qoftë ato fetare apo laike. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se, përse disa teori kanë kundërshtuar njëra-tjetrën, nga pikëpamja e përshkrimit, renditjes dhe shpjegimit të formave të artit me të cilat merren dhe/ose tiparet në të cilat përqendrohen. Sido që të jetë, shumica e këtyre teorive i kushtojnë një vëmendje të veçantë përbashkimit dhe larmisë.

    Një vështirësi tjetër me qasjen e orientalistëve, sa i përket përcaktimit të teorisë së artit islam, ka qenë edhe fakti se ata që i përcaktuan teoritë në fjalë, nuk menduan aq sa duhet rreth paragjykimeve metodike dhe filozofike të këtyre teorive. Me fjalë të tjera, ata rrallëherë bënë përpjekje të qarta për të vënë në dukje rrënjët e thella estetike të gërshetimit përbashkim-larmi, aq i pranishëm në qytetërimin, arkitekturën, artet islame si dhe brenda vetë traditës islame.

    Ndryshe nga shumica e kolegëve e tyre, studiuesit e artit Louis Massignon (1883-1962) dhe Alexandre Papadopoulo kërkuan të bënin lidhjen e veçorive të formave të artit islam me rrënjët e tyre islame. Massignon bëri përpjekje të shpjegojë trajtat gjeometrike islame dhe vendosjen e tyre artistike përmes Teorisë Atomike Esh‘arite, sipas së cilës vullneti hyjnor vazhdimisht mbledh e rimbledh atomet që përbëjnë çdo gjë të qenësishme, me qëllim që gjërat të ruajnë veçoritë e veta me kalimin e kohës. Sipas kësaj teorie, atomet mund të bashkohen me njëra-tjetrën përmes mënyrave të ndryshme, me qëllim krijimin e formave dhe veçorive të ndryshme. Ndryshe nga vullneti hyjnor, i cili i sjell fillimisht atomet në qenësinë e tyre, artisti i merr ato që janë dhe i vendos në mënyra të ndryshme krijuese.

    Ndërsa Papadopoulo është përpjekur të parashtrojë një teori të re dhe të veçantë për të shpjeguar paraqitjen pamore të Islamit, si një veprimtari të parimeve shpirtërore dhe intelektuale të Islamit. Sipas tij, hadithet e Profetit që ndalonin përfaqësimin piktoresk të gjërave të gjalla, ishin shkaku kryesor që nxitën zhvillimin e përfaqësimit pamor islam në një drejtim të ndryshëm nga ai i traditës fetare. Artistët myslimanë, qartësisht, shpikën stile krijuese dhe marrëveshje që përputheshin me gjërat e ndaluara nga Islami, lidhur me përfaqësimin pamor të njerëzve dhe kafshëve, duke kërkuar të tregonin në këtë mënyrë, se shpjegimi i tyre nuk kishte për qëllim të kallëzonte vërtetësinë jetësore sa për sy e faqe, duke u përballur kësisoj, me një veprim krijues që është vetëm për Zotin.

    Për përcaktimin e teorive të tyre, dijetarët bashkëkohorë të artit islam kanë përdorur fare pak metodikat islame, të tilla si metodën e “rrënjëve dhe degëve” (menhexh el-uṣūl ue el-furū‘), e përhapur në fushën e jurisprudencës islame; metodën e rastit (që përfshin vënien në pah të rrethanave që rastisën nxitjen e një forme të caktuar arti); retorikën (që përfshin zbërthimin ndërtimor të shkrimeve kuranore, si dhe hulumtimin e përbashkimit dhe larmisë në artin islam nga një këndvështrim tërësor dhe gjithëpërfshirës, që i shikon tiparet e tij të veçanta si pasqyrim të një kufiri, modeli, apo dukurie edhe më përfshirëse, që e bën artin islam atë që është).

    Për shembull, vihet re që artizanati, arkitektura dhe artet islame përpiqen të bashkojnë shenjtërinë me laiken, estetikën me zbatimin dhe hapësirën e brendshme me të jashtmen. Si një dukuri e ndërthurur, arti islam mbështetet në disa vendosje të ndërvarura rrjetesh. Ne kemi vendosjet gjeometrike që kanë të bëjnë me formën dhe vendosjet kuptimore që lidhen me përmbajtjen (në kaligrafinë arabe, fjala vjen), të cilat së bashku krijojnë një ngrehinë të vetme estetike dhe teorike që mishëron përbashkim dhe larmi. Kështu që, një vepër e artit islam, ndryshon për nga brenda dhe, në të njëjtën kohë, zotëron përgjithësisht një tërheqje të ndërsjellë dhe pamje të jashtme të njëjtë.

    Njëshmëria e Zotit dhe përbashkimi i mbështetur në veçori

    Një kritikë e duhur e teorisë së artit islam kërkon njohje të thellë të shkollës islame të Teuḥīd-it, domethënë, të njëshmërisë së Zotit, jo vetëm thjesht si një tipar dallues i këtij arti, por gjithashtu, si themeli i tij epistemologjik. Doktrina e Teuḥīd-it është shkaktare e disa ideve thelbësore lidhur me artin brenda tri pikëpamjeve të rëndësishme: (1) nga pikëpamja e fesë islame, themeluar mbi pranimin dhe adhurimin e Zotit që është vetëm një, (2) nga pikëpamja filozofike – shpirtërore, e cila nënvizon përbashkimin e njëshmërisë dhe shumësisë, dhe (3) nga pikëpamja e rëndësisë estetike, që përfshin studimin e artit islam, mbështetur në parimin e përbashkimit dhe larmisë.

    Duke qenë thelbi dhe zanafilla e dijes islame si dhe shpirti i saj përbashkues, Teuḥīdi mundëson një ngrehinë brenda së cilës mund të kuptojmë se si përbashkimi dhe larmia e shpërfaqin vetveten në të gjitha nivelet e gjithësisë. Pikëpamja islame e ekzistencës kallëzon mënyrën se si myslimanët e marrin me mend lidhjen mes përbashkimit, në njërën anë, dhe formave e niveleve të ndryshme në të cilat ky përbashkim shpalos vetveten, në anën tjetër. Kjo marrëdhënie mesa duket, gjendet në të shumëpërfolurën “përsosuri e përhershme”, aq e rëndësishme për monoteizmin. Tiparet qëllimisht të menduara me forma gjeometrike aq mbizotëruese në artin islam, shfaqin përbashkimin hyjnor nëpërmjet shembujve ku fundorja, tashmë e përsëritur përmes modeleve dhe formave, hapet drejt pafundësisë – e cila për nga natyra mund të jetë vetëm Një – duke shfaqur në këtë mënyrë, të Vërtetën Absolute. Filozofia e Teuḥīd-it e vendos bashkimin hyjnor në qendër të qarkut jetësor, i cili përfshin gjithçka, pa përjashtim, qoftë kjo një vepër arti, apo diçka tjetër. Bashkimi hyjnor pasqyrohet në të gjitha gjërat e qenësishme, si në një pasqyrë të shumanshme.

    Kjo teori simbolike e artit islam e sheh bashkimin hyjnor si zotërues të një përmase të brendshme që ka të bëjë me madhështinë hyjnore, sa i përket përsosurisë së vet, e cila është edhe zanafilla e artit islam, si dhe një përmase të jashtme që ka të bëjë me bukurinë hyjnore, e cila na jep forma të ndryshme të dukshme të artit islam që shërbejnë si shfaqje përkatëse të madhështisë hyjnore.

    Arti islam dallon nga artet e tjera, përmes një grushti parimesh, tiparesh, kushtesh plotësuese dhe të ndërlidhura, duke përfshirë: (1) el-tenzīh – përjashtimi i çdo gjëje që ka të bëjë me shkaktarët e sjelljes njerëzore ndaj Zotit, kafshëve apo sendeve nga të kuptuarit e hyjnores. (2) Ngaqë arti islam i shmanget mveshjes së cilësive njerëzore Zotit, qofshin ato fizike apo shpirtërore, doemos anon nga el-texhrīd – që është rënie në mendime, përmbajtje mendore, lloj dhe mënyrë. (3) Arti islam ia lejon kujtdo që ta përjetojë hyjnoren si një prani simbolike (ḥuḍūr ramzī), që shfaqet në shumëllojshmërinë e mënyrave krijuese dhe pamjeve, ose sipas fjalëve të Kuranit, “shenjave” (ājāt). (4) Mençuria në artin islam shfaqet përmes rregullimit të vendosjeve, masave dhe përpjesëtimit të figurave gjeometrike. (5) Mirësia dhe bamirësia (el-iḥsān) janë të dukshme në artin islam, përmes mjeshtërisë me të cilën janë ekzekutuar veprat e tij. (6) Së fundmi, arti islam shquhet më shumë për vërtetësinë e tij (el-mauḍū‘ijeh), sesa për unin apo ndjenjat vetjake. Kjo mund të vërehet në atë që, përmes përulësisë së tyre përpara Krijuesit, artistët myslimanë vazhdimisht qëndrojnë larg veprave të tyre, duke u përmbajtur nga nënshkrimi i tyre apo lënia e gjurmëve të tjera të identitetit vetjak.

    Idham Muhamed Hanash Përbashkimi dhe Larmia Teoria e Artit Islam Teuhidi
    Share. Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    Previous ArticlePesë shtyllat e prosperitetit | Shtylla e Tretë: Investimi
    Next Article Kur fëmija juaj musliman përballet me bullizmin – Dr. Hatem al-Haj
    Redaktori
    • Website

    Related Posts

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    31-05-2026

    Mungesa e integritetit dhe guximit tek intelektualët: Dr. Justinian Topulli vjen në “Prishtina Talks”

    31-05-2026

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    31-05-2026
    Add A Comment

    Comments are closed.

    • Të Fundit
    • Të popullarizuara

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    Mungesa e integritetit dhe guximit tek intelektualët: Dr. Justinian Topulli vjen në “Prishtina Talks”

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    A po dëshmojmë një kryqëzatë të atdheut në shekullin e 21-të? Amina Shareef

    Çmenduritë e Qeverisë së Erdoganit

    Çfarë e bën kamatën kaq mëkat të madh?

    SISTEMI BANKAR ISLAM, FITIMPRURËS PËR TË GJITHË

    A lejohet eksperimenti me kafshë, sikurse minjtë?

    OP-ED

    Gogoli i Vëllazërisë Muslimane: Si po e kriminalizon Evropa dhe SHBA-ja jetën qytetare (shoqërinë civile) myslimane

    METAMORFOZA E DORDOLECIT – Fatmir Baci

    A po dëshmojmë një kryqëzatë të atdheut në shekullin e 21-të? Amina Shareef

    • Besimi

    Mustafa Terniqi: Dituria në Islam, mes diturisë fetare dhe diturisë së dobishme

    Modeli zviceran: Ushtria që lejon Ramazanin dhe praktikat fetare të ushtarëve

    Kriza e aktivizmit mysliman – Tom Facchine

    Rëndësia e të bërit të Ramazanit një “ngjarje të madhe” (BIG DEAL) për familjen tuaj

    Reklamoni në Dija Online
    NËSE JENI SOCIAL, NA NDIQNI
    • Facebook
    • YouTube
    • TikTok
    • WhatsApp
    • Twitter
    • Instagram
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    20-05-20263 Mins Read

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    08-03-20262 Mins Read

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    07-03-202631 Mins Read
    Reklamoni në Dija Online
    Më të popullarizuarat

    Avokati Asdren Bytyqi ngre padinë e radhës ndaj ekstremistit tjetër katoliko-cionist të Lëvizjes së Deçanit

    3 Mins Read

    Jordania përballet me një zgjedhje ekzistenciale për mbrojtjen e Al-Aksasë Peter

    10 Mins Read

    Forexi “islam” dhe vendimi i Ligjit islam mbi të

    5 Mins Read
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    Abonohuni

    Merrni lajmet, analizat, temat sociale, politike dhe ekonomike më të fundit nga DijaOnline

    © 2026 Dijaonline. Designed by Ars of Arts.
    • Ballina
    • Politika e privatësisë
    • Rreth nesh
    • Kontakti

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.