Të paktën 33 persona dyshohet se janë vrarë, në mesin e tyre 29 femra, gjatë sulmit në një kompleks banesor në kryeqytetin irakian Bagdad. Thuhet se cak i sulmit ishin objektet që ishin shtëpi publike.
Nuk dihet motivi i sulmit të mbrëmshëm në lagjen Zayouna, në pjesën lindore të Bagdadit. Ndërsa, sulmuesit që kishin sulmuar dy ndërtesat, kishin arritur deri aty me xhipa dhe ishin të veshur me uniforma të maskuara dhe në rroba civile.
Policia e ka përshkruar shumë rrënqethëse vendin e ngjarjes.
“Derisa po ngjiteshim shkallëve kemi parë trupat e dy femrave dhe gjakun që rridhte teposhtë shkallëve. Në një banesë kemi gjetur trupa të vdekur kudo, në dysheme, kurse një grua e kishin vrarë derisa ishte fshehur në një dollap rrobash”, thuhet në kumtesën e policisë, transmeton Telegrafi.
Sipas raporteve ndërtesat që u sulmuan janë shtëpi publike, transmeton BBC.
“Kështu do të përfundojë secila prostitutë”, shkruante porosinë e lënë në njërën nga ndërtesat.
Qeveria vendore në Zayouna ka akuzuar milicitë shiitë për vrasjen e grave të cilat mendohet të jenë prostituta. Kjo lagje është një lagje e përzierë me sunitë dhe myslimane shiitë.
Një shtëpi publike në Zayouna u sulmua maj 2013, ku u vranë shtatë gra dhe pesë burra.