Udhëzimi i të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, gjatë ndejave e tubimeve
Është bërë gjë e zakonshme për njerëzit takimi në tubime të ndryshme për të debatuar rreth çështjeve jetësore, rrjedhave të saj e lajmeve që ngrenë biseda të ndryshme. Islami e njeh nevojën e njerëzve për takime të tilla dhe nuk ndalon prej tyre, por përpiqet që përmes mësimeve dhe parimeve të tij të përmirësojë mënyrën e sjelljes gjatë këtyre ndejave, organizimin e çështjeve, zvogëlimin e mangësive morale dhe veprimeve të shëmtuara, derisa të bëhen shembull nga i cili shihen ngjyrat e vlerave dhe shkallët e moralit të lartë.
Pasi njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri për nga natyra, morali dhe imani i tyre, për këtë arsye ka ardhur udhëzimi profetik në përzgjedhjen e më të mirëve prej njerëzve nga dijetarët, të devotshmit dhe ata me moral të lartë, ngase në të ulurit me ta ka ngjallje të zemrave, ndritje të mendjeve dhe pastërti të shpirtrave.
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, na jep shembullin e shoqërimit të njeriut të devotshëm dhe mëkatarit në fjalët e tij: “Shembulli i shoqërimit me njeriun e devotshëm dhe me mëkatarin është sikur bartësi i miskut dhe farkëtarit. Bartësi i miskut ose do të dhuroj nga misku ose do të blesh prej tij, ose do ta gjesh të paktën tek ai aromën e mirë, ndërsa farkëtari ose do t’i djegë rrobat ose do ta gjesh tek ai aromën e keqe.” Mutefekun alejhi.
Duke pasur parasysh kujdesin ndaj njeriut, ndaj domethënieve e gjërave të kota dhe pakujdesisë, kanë ardhur tekste sheriatike që tërheqin vërejtjen prej takimeve e kuvendeve në të cilat nuk përmendet Allahu. E shohim këtë në fjalët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të: “Nuk ka asnjë popull që ulet në një ndejë dhe nuk e përmendin Allahun në të, vetëm se do ta shohin humbjen në Ditën e Kiametit”. Shënon Ahmedi. Dhe fjalët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të: “Nuk është mbledhur një popull dhe janë ndarë pa e përmendur Allahun, e të mos jetë gjendja e tyre sikurse janë ndarë nga cofëtina e gomarit dhe ajo ndejë do të jetë për ta humbje”. Shënon Ahmedi.
Ndejat më të mira janë ato që përmbajnë përmendjen e Allahut dhe leximin e Kur’anit si dhe mjafton për këto ndeja si nder që përmenden tek kategoria më e lartë e engjëjve, siç thotë Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të: “Vërtet Allahu ka engjëj udhëtues që i pasojnë ndejat që përmendet Allahu dhe kur e gjejnë një ndejë në të cilën ka përmendje të Allahut, ulen me ta, i kaplojnë me krahët e tyre, derisa të mbushet çka në mes tyre dhe qiellit të dynjasë dhe kur të ndahen, melaiket ngrihen në qiell dhe i pyet Allahu i Madhëruar, edhe pse Ai e di më së miri për ta: -Prej nga vini? Thonë: -Erdhëm prej robërve të Tu në tokë, të lartësojnë, të madhërojnë, të njësojnë, të lavdërojnë dhe të kërkojnë. Thotë: -Çfarë më kërkojnë? Thonë: -Të kërkojnë xhenetin. Thotë: -A e kanë parë xhenetin Tim? Thonë: -Jo, o Zot! Thotë: -Si do të ishte sikur ta shihnin xhenetin Tim? Thonë: -Kërkojnë strehim tek Ti. Thotë: -Prej çfarë kërkojnë strehimin Tim? Thonë: -Prej zjarrit Tënd, o Zot. Thotë: -A e kanë parë zjarrin Tim? Thonë: -Jo. Thotë: -Si do të ishte sikur ta shihnin zjarrin Tim? Thonë: -Kërkojnë faljen Tënde. Thotë: -Ata i kam falur dhe ua kam dhënë atë çfarë kanë kërkuar dhe i kam strehuar prej asaj që kanë kërkuar strehim. Thonë: -O Zot, aty është një person që nuk e ka pasur për qëllim ndejën, por vetëm ka kaluar pranë tyre dhe është ulur. Thotë: -E kam falur dhe atë, ata janë popull që nuk është i pafat ai që i shoqëron ata.” Shënon Muslimi.
Shpirti nuk mund t’i shmanget asaj që e lehtëson dhe ka nevojë për atë që i kthen gjallërinë. Këshillat e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, nuk kanë qenë të vazhdueshme, por të herëpashershme nga frika e të qenët monotone dhe të mërzitshme. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, nuk i ka ndaluar shokët e tij prej ndejave në të cilat përkujtonin çështjet e injorancës dhe bënin humor në kohën e pushimit të tyre dhe kur ishte koha e përpjekjes dhe angazhimit e shihje burrërinë, qëllimin, angazhimin, adhurimin, përmendjen e Allahut, përulësinë. Bekër ibn Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Shokët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, gjuheshin me bostan, por kur ishte fjala për seriozitet, ata ishin burra”. Shënon Buhariu në “Edebul mufred”.
Qëllimi është largimi prej gabimeve dhe mëkateve sikurse dëgjimi i muzikës, ose prekjes së ndereve të njerëzve me përgojime dhe bartje fjalësh, tallje dhe përqeshje dhe të tjera akte të shëmtuara për të cilat ka ardhur kërcënimi i rreptë. E nëse pastrohen ndejat nga këto, atëherë është plotësuar ajo që ka pasur për qëllim sheriati.
Ndejat e njerëzve zakonisht nuk i shpëtojnë pakujdesisë ose gabimit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Kush ulet në ndejë dhe shtohen në të fjalë që janë të përziera me mëkat dhe thotë para se të ngrihet: “I lartësuar je Ti, o Allahu im dhe Ty të takon lavdërimi, dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Teje, kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem”, vetëm se i falen atij ato gabime të asaj ndeje.” Shënon Tirmidhiu. Pejgamberi ynë, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, është shembulli më i mirë dhe ai i kërkonte Allahut falje në një ndejë të vetme më shumë se 100 herë.
Prej lutjeve të transmetuara nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ishin fjalët e tij në fund të takimeve: “Allahu im, na cakto neve prej frikës Tënde që na ndalon prej ndalesave të Tua dhe prej përulësisë Tënde aq sa na mundëson ta arrijmë xhenetin Tënd, dhe prej bindjes së fortë aq sa na i lehtëson fatkeqësitë e dynjasë dhe na e mundëso të kënaqim me të veshët, sytë dhe forcën tonë për aq sa jemi gjallë dhe bëji këto t’i kemi deri në fund të jetës sonë, bëje që të marrim të drejtën tonë ndaj atyre që na bëjnë padrejtësi dhe na ndihmo ndaj atyre që kanë armiqësi ndaj nesh. Mos e bëj fatkeqësinë tonë në fenë tonë dhe mos e bëj dynjanë qëllimin tonë më të madh, e as vlerë të dijes tonë, dhe mos e lësho ndaj nesh atë që nuk na mëshiron.” shënon Tirmidhiu.
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, na la një përmbledhje të normave që duhet të kihen parasysh gjatë mbledhjeve e kuvendeve, si për shembull bërja vend atyre që vijnë duke zgjeruar vendin për ta. Kjo është normë e lartë kur’anore që gjendet në fjalët e të Lartësuarit:
“O besimtarë! Kur ju thuhet t’u hapni vend të tjerëve në tubim, atëherë bëni vend, se Allahu do t’ju bëjë vend (në xhenet)! E kur ju thuhet të ngriheni, atëherë bëni kështu”. Suret Muxhadele, ajeti, 11. Ndejat më të mira janë ato më të gjërat, sikur ka ardhur në hadith të vërtetë.
Udhëzimi profetik udhëzon veçanërisht në normat e ndejës se ai që ngrihet nga ndeja është më meritori për t’u kthyer aty. Ai thotë: “Kur ngrihet dikush nga ju prej ndejës së tij, pastaj kthehet, ai është më meritori për të”. Shënon Muslimi.
Nuk ka ndalesë gjatë ndejave nëpër rrugë nëse merren parasysh të drejtat e rrugës. Transmetohet prej Ebu Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Ruajuni ndejave gjatë rrugës”. Thanë: “O Pejgamber i Allahut, çfarë ka në ndejat tona, ne duhet të flasim në to.” Tha: “Nëse këmbëngulni që vetëm të uleni, atëherë jepini rrugës të drejtën e saj”. Thanë: “Cila është e drejta e rrugës, o Pejgamber i Allahut?” Tha: “Ulja e shikimit, përmbajtja nga dëmi, kthimi i selamit, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja”. Mutefekun alejhi.
Ka disa çështje për të cilat ka ardhur ndalesa gjatë ndejave të njerëzve, sikurse ndalesa e ngritjes së personit nga vendi i tij që të ulet tjetri. Në hadithin e Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, tregohet se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e ka ndaluar që të ngrihet personi nga vendi i tij me qëllim që të ulet tjetri. Mutefekun alejhi.
Gjithashtu, ndalohet ndarja e dy personave që janë ulur: “Nuk i lejohet personit që të hyjë në mes dyve vetëm se me lejen e tyre”. Shënon Tirmidhiu.
Ndalohet qëndrimi në mes hijes dhe diellit në hadithin e Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ai ka thënë se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e ka ndaluar uljen mes hijes dhe diellit. Shënon Hakimi.
Si shtesë e asaj që u tha është edhe ndalimi i shkëmbimit të bisedave fshehurazi nga ana e bashkëbiseduesve pa njërin prej tyre, vetëm se me lejen e tij. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: ”Nëse jeni tre, mos të flasin fshehurazi dy pa shokun e tyre, ngase ajo e pikëllon atë”. Mutefekun alejhi dhe teksti i Muslimit.
Për shkak të ruajtjes së specifikave të njerëzve ka ardhur ndalesa e dëgjimit të të tjerëve pa lejen e tyre. Transmetohet nga Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: ”Kush e dëgjon bisedën e njerëzve dhe ata e urrejnë këtë gjë ose largohen nga ai, do t’i derdhet në veshin e tij plumb i shkrirë në Ditën e Kiametit”. Shënon Buhariu dhe ka ardhur në hadithin e Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, fjala e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të: “Nëse janë dy vetë dhe flasin me zë të ulët në mes vete, mos u fut në mes tyre”. Shënon Ibn Asakiri.
Njeriu duhet të ulet në gjendjen në të cilën ndihet i qetë, nëse do ulet këmbëkryq, e nëse do ulet i mbështetur. E tërë kjo është transmetuar nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, përveçse ka ardhur ndalesa e disa uljeve të caktuara, si ndalesa e të mbështeturit në dorën e djathtë duke e lënë të majtën pas shpine, ngase kjo është përngjasim me ata që kanë tërhequr mbi vete zemërimin. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e pa njërin nga sahabët që kishte vendosur dorën e tij të majtë pas shpinës së tij dhe ishte mbështetur në shuplakën e dorës së tij të djathtë dhe i tha: “A je ulur në uljen e atyre që kanë mbi vete zemërimin?” Shënon Ebu Davudi.
E ka ndaluar Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, uljen e personit të mbështetur në shuplakat e tij duke vendosur këmbët dhe mbështjellë me rrobe që nuk mbulon të turpshmet e tij.
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka përmbledhur për ne norma që baraspeshojnë nevojat e dynjasë dhe çështjet e ahiretit.
Burimi: www.islamweb.net
Përktheu: Driton Zhinipotoku
Dijaonline.net