Dëgjo me zë:
Imam Tom Facchine
Hyrje
A e keni pyetur ndonjëherë veten, pse aktivizmi ynë shpesh duket sikur ka ngecur në vend?
Studentët myslimanë të ditëve të sotme janë një nga brezat me prirjet më të theksuara drejt aktivizmit dhe ndërgjegjësimit social në historinë e kohëve të fundit. Ne ngremë zërin kundër islamofobisë, organizojmë fushata ndihmash për Gazën dhe marshojmë për drejtësi racore. E megjithatë, pavarësisht pasionit tonë, përballemi me një pyetje shqetësuese: Pse ndikimi ynë përputhet kaq rrallë me aspiratat tona?
Ne kritikojmë sistemet, protestojmë kundër shtypjes dhe e shprehim zemërimin tonë përmes fushatave në rrjete sociale. Por ku është ai ndryshim rrënjësor që aq shumë e dëshirojmë? Pse fushatat tona shuhen pa lënë gjurmë? Pse përçahemi për shkak të taktikave, liderëve apo ideologjive? Mos vallë po na mungon diçka thelbësore – një udhërrëfyes hyjnor i fshehur në vetë traditën tonë?
Kurani nuk është thjesht një udhëzues shpirtëror; ai është një manual për veprim politik. Brenda faqeve të tij gjenden histori profetësh, mbretërish dhe komunitetesh të margjinalizuara, të cilët transformuan shoqëritë përmes një besimi të palëkundur dhe veprimit strategjik. Këto rrëfime – të cilat shpesh reduktohen thjesht në histori të bukura – mbartin mësime të fuqishme për aktivistët e sotëm.
Po sikur ngecja jonë të vijë pikërisht nga injorimi i këtyre modeleve hyjnore? Po sikur mençuria politike e Kuranit të jetë çelësi për të çliruar potencialin tonë? Le të rrëzojmë mitet që na mbajnë peng dhe të rimarrim trashëgiminë revolucionare të Kuranit.
1. Taluti (Sauli): Miti i “Udhëheqësit të Përsosur”
Shpesh njerëzit thonë: “Sikur të kishim një Salahudin! Ku është Kalifi ynë?”, ndonjëherë si një justifikim për të hequr nga vetja përgjegjësinë kolektive për të sjellë ndryshim.
Bijtë e Izraelit kërkuan një mbret për t’i udhëhequr në betejë, duke premtuar përkushtim të palëkundur. Megjithatë, kur Allahu caktoi Talutin – një burrë të pajisur me dije dhe forcë fizike, por jo me pasuri – ata e kundërshtuan.
Profeti i tyre u tha: “Allahu ka caktuar Talutin si mbretin tuaj.” Ata protestuan: “Si mund të jetë ai mbreti ynë, kur disa prej nesh janë më të denjë për mbretërim se ai, dhe atij nuk i është dhënë ndonjë pasuri e madhe?” Ai u përgjigj: “Allahu e ka zgjedhur atë mbi ju dhe e ka pajisur me dije e forcë fizike. Allahu ia jep pushtetin kujt të dojë. Allahu është Mirëbërës i Madh dhe i Gjithëdijshëm.” (Surja El-Bekare, Ajeti 247)
Mësimi:
-
Hipokrizia e mosveprimit: Ne i romantizojmë “burrat e mëdhenj” të historisë, ndërsa justifikojmë pasivitetin tonë. “Sikur të kishim liderë më të mirë…” kthehet në një refren për të shmangur përgjegjësinë. Kurani e demaskon këtë si frikacakëri: A po ngurroni tani të luftoni kur kjo është urdhëruar për ju?” (2:246).
-
Thelbi mbi statusin: Kritikët e Talutit u fokusuan në mungesën e pasurisë së tij, duke injoruar kompetencën që ai kishte. Sot, ne i shpërfillim liderët e mundshëm sepse u mungojnë diplomat, karizma apo ndikimi në rrjetet sociale – tregues sipërfaqësorë të shkëputur nga ndikimi i tyre në botën reale.
-
Thirrje për veprim: Lidershipi fillon nga ne. Mjaft pritët heronj. Organizohuni, hartoni strategji dhe besojini planit të Allahut.
Rast studimor:
Në vitin 2023, studentët në një universitet në Londër i anashkaluan unionet studentore burokratike dhe u vetëorganizuan në një fushatë qytetare kundër politikave islamofobike të kampusit. Pa asnjë “lider” klasik, ata përdorën grupe të decentralizuara në WhatsApp për të koordinuar protestat, peticionet dhe kontaktet me mediat – duke e detyruar administratën të kthente mbrapsht vendimet e saj.
Pyetje për studentët: A po e përdorni “mungesën e lidershipit” si justifikim për të shmangur punën e vështirë?
2. Sulejmani (Solomoni): Dinjiteti përballë Përfaqësimit Sipërfaqësor
Disa mund të përpiqen të shmangin përballjen me liderët kundërshtarë duke thënë: “Por ne kemi nevojë për një vend në tryezë!”
Kur Mbretëresha e Shebës i dërgoi dhurata të çmuara për ta zbutur Sulejmanin, ai i refuzoi me një përgjigje të prerë: “Ajo që më ka dhënë Allahu mua, është më e mirë se ajo që ju ka dhënë juve!” (Kuran 27:36).
Mësimi:
-
Dështimi i “Diplomacisë së Birjanit”*: Komunitetet myslimane shpesh e këmbejnë dinjitetin me fotografi përkrah politikanëve. Ne festojmë për thërrime përfaqësimi, ndërsa ndërmjetësuesit e pushtetit shfrytëzojnë dëshpërimin tonë për t’u pranuar. “Ju gëzoheni me dhuratat tuaja,” i qortoi Sulejmani – një aktakuzë e përjetshme ndaj urisë sonë për vlerësime boshe.
-
Negocioni nga pozita e forcës: Sulejmani (a.s.) nuk kishte nevojë për dhurata; ai vepronte i shtyrë nga bindja hyjnore. Ndikimi i vërtetë vjen kur ne refuzojmë të blihemi, duke kërkuar drejtësi pa asnjë lloj kompleksi apo ndrojtjeje.
-
Kurthi i politikës së identitetit: Një fytyrë “myslimane” në pushtet nuk do të thotë asgjë nëse ata braktisin vlerat tona. Sa herë është prezantuar një figurë e re politike myslimane në politikën perëndimore? Ne vetëkënaqemi përkohësisht me idenë e një myslimani të ri në një pozicion autoriteti dhe me të gjitha premtimet që kjo sjell, vetëm për të parë në fund se ata nuk kanë asnjë thelb. Në vitin 2021, një deputet mysliman në Mbretërinë e Bashkuar votoi për të kriminalizuar protestat pro-palestineze. Parimet, jo origjina, duhet të udhëheqin aleancat tona.
(Shënim i autorit: “Diplomacia e Birjanit” është një term që kritikon mënyrën se si disa komunitete myslimane i japin përparësi angazhimit politik simbolik, si p.sh. shtrimi i banketeve për politikanët, duke neglizhuar mbrojtjen thelbësore të parimeve).
Pyetje për studentët: A po ndiqni fitore simbolike – apo po ndërtoni një fuqi të palëkundur?
3. Dhulkarnejni: Pragmatizmi dhe Besimi Hyjnor
Disa njerëz mund të thonë: “Ne jemi vetëm 1% – çfarë mund të bëjmë?”
Përballë kaosit të shkaktuar nga Jexhuxhët dhe Mexhuxhët, Dhulkarnejni nuk u dëshpërua për shkak të kufizimeve të tij. Ai ideoi një zgjidhje pragmatike (ngritjen e një dige/muri) duke deklaruar në fund: “Kjo është një mëshirë nga Zoti im.” (Kuran 18:98).
Mësimi:
-
Numra të vegjël, ndikim i madh: Arabia Saudite filloi ngritjen e saj me 40 burra. Rezistenca e Palestinës mbijeton pavarësisht asimetrisë ekstreme të forcave. Matematika e Allahut sfidon materializmin: “Sa e sa herë një grup i vogël ka mposhtur një ushtri të madhe, me vullnetin e Allahut!” (2:249).
-
Balancimi i mjeteve dhe besimit: Gërmo llogoren tënde (planifiko në detaje), por beso në përfundimin e caktuar nga Allahu. Aktivizmi nuk është një sport për t’u shikuar nga shkallët – çdo student ka një rol.
Paralelizëm modern: Bojkoti i autobusëve në Montgomery (1955-56) u mbajt gjallë nga qytetarët me ngjyrë që ndanin makinat me njëri-tjetrin, ecnin me kilometra dhe mblidhnin fonde – akte të vogla që rrëzuan segregacionin racor. Po ashtu, studentët myslimanë në Toronto organizuan së fundmi një “Fast-a-Thon”, duke ftuar bashkëmoshatarët jo-myslimanë të agjëronin për një ditë. Ngjarja mblodhi 20,000 dollarë për Gazën dhe ndryshoi perceptimin rreth Islamit në kampus.
Pyetje për studentët: A jeni të paralizuar nga “realizmi” – apo jeni gati të sfidoni të gjitha gjasat?
4. Beteja e Uhudit: Perceptimi është Fuqi
Disa mund të thonë: “Ata janë shumë të fortë – nuk mund të fitojmë.”
Pas një humbjeje shkatërruese, Profeti ﷺ mblodhi trupat e tij të plagosura për t’iu vënë në ndjekje armikut. Kurejshët, duke iu frikësuar një fuqie të fshehtë që nuk e njihnin, u tërhoqën. Perceptimi ndryshoi realitetin.
Mësimi:
-
Qëndrueshmëria si rezistencë: Shtypësit ushqehen nga dëshpërimi ynë. Shfaqni një vendosmëri të pathyeshme, madje edhe në humbje. Në vitin 2022, studentët në një universitet amerikan u përballën me një reagim të ashpër pasi organizuan një aktivitet solidariteti me Palestinën. Në vend që të kërkonin falje apo të tërhiqeshin, ata e shtuan ritmin duke organizuar sesione edukative dhe instalacione arti – duke e kthyer kritikën në një dialog mbarëuniversitar.
-
Lufta e narrativës: Merrni kontrollin e narrativës. Administratat e kampuseve dhe politikanët i frikësohen më shumë zërave të organizuar e të sigurt të myslimanëve, sesa vetë numrave tanë.
Pyetje për studentët: A po e pranoni humbjen para se të fillojë beteja?
5. Beteja e Hendekut: Uniteti në Strategji
Disa mund të mendojnë se “Kemi nevojë për të gjithë!” për të bërë një ndryshim të vërtetë, por ende nuk e kemi arritur unitetin e plotë.
Përballë 10,000 armiqve, myslimanët hapën një hendek – një taktikë jokonvencionale e propozuar nga Selman Farisiu. Uniteti nuk kishte të bënte thjesht me të rënit dakord për gjithçka, por me bashkimin e aftësive të ndryshme për një qëllim të përbashkët.
Mësimi:
-
Strategjia mbi sentimentalizmin: Lëvizjet e suksesshme u japin përparësi taktikave të zgjuara në vend të një “uniteti” thjesht emocional e sipërfaqësor. Bojkotet, protestat dhe lobimi janë mjete, jo rituale. Përdorini ato me mençuri.
-
Inovacioni gjithëpërfshirës: Ideja e Selmanit e shpëtoi Medinën. Mirëpritni këndvështrime të ndryshme; zgjidhjet më të mira vijnë shpesh nga drejtime të papritura.
Në fokus (Rast studentor):
Në Universitetin e Oksfordit, Shoqëria Islame u bashkua me aktivistët e klimës për të organizuar një javë të përbashkët “Besimi dhe Qëndrueshmëria”. Inxhinierët projektuan sexhade miqësore me mjedisin, mjekët drejtuan seminare mbi drejtësinë shëndetësore, dhe poetët kuruan netë të poezisë artistike. Ky bashkëpunim fuqizoi të dyja kauzat dhe tërhoqi një pjesëmarrje të paprecedentë.
Pyetje për studentët: A keni ngecur në udhëkryqe taktike – apo po tregoni inovacion si Selmani?
Përfundim:
Zgjimi studentor që na nevojitet
Aktivistët e Kuranit nuk ishin thjesht ëndërrimtarë – ata ishin sfidues të sistemeve të padrejta. Ata përballuan tiranët, refuzuan përfshirjet sipërfaqësore dhe transformuan shoqëritë me një besim të palëkundur dhe strategji të mprehtë.
Drejtuar studentëve myslimanë:
-
Udhëhiqni pa kërkuar leje: Mjaft pritët të merrni një titull. Nisni një fushatë, hartoni politika, mobilizoni moshatarët tuaj.
-
Këmbeni ndjesën me guxim: Nuk keni pse justifikoheni që po kërkoni drejtësi. Kurani është manifesti juaj.
-
Pranoni sakrificën: Ndryshimi i vërtetë vë në rrezik rehatinë, reputacionin dhe sigurinë tuaj. Por Xheneti favorizon të guximshmit.
Allahu premton: “Vërtet, Allahu nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre.“ (Kuran 13:11).
Sfidë përfundimtare:
Këtë semestër, zgjidhni një mësim kuranor dhe zbatojeni atë. Organizoni një hallkë studimi mbi xhevahiret e aktivizmit në Suren El-Bekare. Bojkotoni një korporatë bashkëpunëtore në krime – dhe shpjegoni arsyet pse në një artikull opinion-bërës. Krijoni aleanca me grupe studentore të etnive apo besimeve të ndryshme që ndajnë të njëjtat parime për drejtësi. Dokumentoni rrugëtimin tuaj.
Ndryshimi fillon pikërisht në kampusin tuaj.
Për studentin mysliman
Udhëhiq pa leje: Mos prit për tituj. Fillo një fushatë, harto një politikë, mobilizo kolegët.
Zëvendësoni shfajësimin me guximin: Nuk ke nevojë ta përligjësh thirrjen për drejtësi. Kurani është manifesti yt.
Përvetëso sakrificën: Ndryshimi i vërtetë përbën rrezik për rehatinë, reputacionin dhe sigurinë. Por, mos harro, Xheneti favorizon guximtarët.
Allahu premton në Kuran: “Vërtet, Allahu nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre.” (13:11)
Sfida finale
Këtë semestër, përzgjidhni një mësim nga Kurani dhe zbatojeni atë. Organizoni një halaka mbi perlat e aktivizmit që përmban surja “El-Bekare”. Bojkotoni një korporatë bashkëpunëtore dhe shpjegoni arsyen në op-ed. Krijoni aleanca me grupe studentësh sikë, hebrenj ose zezakë. Dokumentoni rrugëtimin tuaj; ndajeni atë me Yaqeen.
Ndryshimi fillon në kampusin tuaj.
