FATMIR BAÇI
DANIEL DEFOE DHE GJENEZA E TËPATALENTUARVE
Civilizimi bashkëkohor ndodhet në një fazë destabilizimi sistemik shpirtëror dhe epistemologjik, rrënjët e të cilit janë thellësisht historike, por efektet e tij tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe rajonalë. Ky destabilizim është një çrregullim afatgjatë që prek strukturat themelore të mendimit, gjuhës dhe orientimit kulturor, dhe nuk mund të quhet thjesht një krizë kalimtare. Prania e tij ndihet si në praktikat e përditshme, ashtu edhe në konfigurimet më të larta institucionale që përcaktojnë rrjedhat e dijes dhe vlerave.
Ky fenomen, që pa asnjë merak mund ta konsiderojmë këtu një infeksion të hershëm botëror, karakterizohet nga procesi në të cilin individë të aftë për manipulim me fjalën, por të paaftë për krijimtari të vërtetë, marrin pozita kyçe në institucionet që formësojnë ndërgjegjen kolektive. Aftësia e tyre për të sunduar formën pa një vertikale të brendshme u mundëson të nguliten në sisteme që favorizojnë kompetencën procedurale mbi thellësinë krijuese. Këta individë, përveçse errësojnë dritën e gjuhës, e përdorin atë si instrument teknik për të ruajtur dukshmërinë e tyre.
Të patalentuarit –shkrimtarë të dobët dhe administratorë zyrtarë të fjalës– nuk krijojnë një të tashme të qëndrueshme në veprat e tyre; fjala e tyre është instrumentale, pragmatike dhe e nënshtruar para kontrollit sistemik. Në tekstet e tyre mungon domosdoshmëria e brendshme, mungon dëshmia, mungon prania ontologjike. Fjala përdoret si provë, si konfirmim, si mjet për ngjitje në hierarki. Suksesi i tyre qëndron në aftësinë për të prodhuar efektin e provës, të njohjes dhe të produktivitetit formal, ndërsa në thellësinë e mendimit të tyre, edhe një milingonë do të notonte. Produktiviteti i tyre matet me sasi, jo me intensitet mendimi.
Ky infeksion nuk është thjesht një anomali kulturore, as problem i moralit individual, ai është strukturor dhe planetar. Prania e tij nuk mund të reduktohet në raste të veçuara, sepse vepron përmes mekanizmave sistemikë që formësojnë mënyrën se si dija prodhohet, vlerësohet dhe shpërndahet. Ai shfaqet në kontekste të ndryshme institucionale: akademitë, shtëpitë botuese, fondacionet kulturore dhe festivalet, ndërsa ministritë dhe mediat bëhen kanale të riprodhimit të meskinitetit. Çdo strukturë funksionon si nyje në një rrjet që konfirmon kompetencën formale pa thellësi krijuese. Të patalentuarit e konfirmojnë njëri-tjetrin, rekrutojnë individë edhe më të dobët dhe ndërtojnë një sistem të mbyllur që margjinalizon dhe hesht, dhe me censurë të heshtur zhduk talentin e vërtetë. Rrjeti i tyre nuk është rastësor, por i strukturuar me kujdes për të ruajtur riprodhueshmërinë e vet.
Metastaza e meskinitetit, kur përhapet, prek jo vetëm sferën kulturore, por edhe integritetin epistemologjik të civilizimit, sepse kur fjala e shkruar pushon së mbarturi një të tashme të qëndrueshme, humbet orientimi drejt së vërtetës, dhe shoqëria humbet aftësinë për vetë-njohje dhe reflektim kritik. Pa një të tashme të qëndrueshme në fjalën e shkruar, civilizimi humbet busullën e vet të brendshme.
I.
Daniel Defoe (1660–1731), përveç romanit “Robinson Kruzo”, na ofron kornizën e parë dëshmuese të këtij fenomeni. Ai ishte i pari në historinë e njerëzimit që institucionalizoi ndjekjen dhe përgjuarjen e individit, me fjalë të tjera, ai ishte ideatori dhe realizuesi i shërbimeve informative. Vëzhgimet e tij janë thellësisht sociologjike dhe epistemologjike, dhe pikërisht sepse janë edhe letrare, konstatimi i tij se kuadrin e qëndrueshëm për strukturat informative dhe politike e përbëjnë individë ambiciozë, por të patalentuar, vendos një model epistemologjik dhe sociologjik që ka mbijetuar deri në kohët moderne. Defoe është vëzhgues i mekanizmave që më vonë institucionalizohen, analist që identifikon modelet strukturore në formim. Ai nuk është vetë qendra e infeksionit; ai është kronist dhe analist që tregon mekanizmat që të patalentuarit sot përdorin për të formësuar kulturën globale. Roli i tij është dëshmues, jo instrumental. Qendra e vërtetë e infeksionit është tipi i subjektit që nuk krijon botë, por drejton perceptimin e saj dhe qasjen në kuptim. Ky subjekt rishpërndan simbolet ekzistuese dhe praktikat e tyre sipas rregullave të sistemit, ndërsa refuzon të sjellë kuptim të ri.
Në këtë ese, synimi është të diagnostikohet në detaje infeksioni i hershëm botëror, të hetohen mekanizmat e përhapjes së tij, të analizohet roli i të patalentuarve në strukturat kulturore, politike dhe arsimore globale, si dhe të paraqiten strategjitë përmes të cilave talenti dhe fjala e qëndrueshme mund të mbijetojnë në botën e metastazës së meskinitetit. Kjo diagnozë nuk kufizohet vetëm në kufijtë teorikë, ajo është plagë praktike që dhemb, ajo thërret për vigjilencë, për rinovim kriteresh, për afirmim të vertikales krijuese. Duke futur kornizën artistike, filozofike, historike dhe institucionale, që në hyrje vendos themelet për analizën e mëtejshme dhe i mundëson lexuesit të shohë problemin në kompleksitetin dhe shtrirjen e tij planetare. Teksti nuk i drejtohet vetëm intelektit, por mbi të gjitha ndërgjegjes, duke thirrur për rikthimin e besimit mes fjalës dhe botës.
II.
Daniel Defoe, ndonëse sot më i njohur për romanin Robinson Kruzo, në kohën e tij vepronte në një spektër shumë më të gjerë; ishte pamfletist, mendimtar ekonomik, këshilltar politik dhe analist praktik i shtetit britanik të kohës. Veprimtaria e tij nuk kufizohej në fushën letrare, por shtrihej në sfera të ndërlikuara të strategjisë politike, teorisë ekonomike dhe inxhinierisë informative. Ai vepronte në kontekstin e kapitalizmit të hershëm, zgjerimit imperial dhe institucionalizimit të rrjeteve informative e politike. Në atë mjedis, kontrolli i informacionit dhe menaxhimi i narrativave u bënë instrumente kyçe të pushtetit.
Defoe vuri re një nga parimet themelore: për funksionalitetin e një sistemi të tillë nuk nevojiten gjeni apo autorë të talentuar, por individë me ambicie dhe aftësi formale, pa krijimtari të thellë ose botë të brendshme. Këta individë bëhen operatorë idealë të sistemit që kërkon parashikueshmëri, jo pasiguri krijuese.
Kjo dinamikë është intriguese për disa arsye.
Së pari, ajo tregon përputhshmërinë psikologjike dhe sociologjike mes sistemit dhe individit. Shkrimtarët e patalentuar nuk kanë botë të brendshme që t’i shtyjë drejt pavarësisë kritike, ndërsa ambicia e tyre i orienton natyrshëm drejt njohjes brenda hierarkisë formale. Boshllëku i tyre i brendshëm bëhet përparësi në një sistem që kërkon besnikëri, ndërsa thellësinë e lë në periferi.
Së dyti, analiza e Defoe-s parashikon epistemologjinë moderne të pushtetit. Kontrolli mbi fjalën, përveç filtrimit të informacionit, nënkupton edhe prodhimin dhe kufizimin e kuptimit, ku sistemi vendos sipas përputhshmërisë me strukturat ekzistuese të pushtetit, ndërsa ndaj vlerave të vërteta mban një vëmendje të shurdhër. Në këtë kuptim, Defoe jo vetëm që parashikon, por edhe skicon konturet bazë të regjimit modern të kuptimit. Nëse shohim më afër, Defoe jo vetëm analizon, por edhe demonstron se si institucionet mund të përdorin individët e patalentuar për qëllimet e tyre. Pamfletet e tij të angazhuara, ndërhyrjet në çështjet ekonomike dhe këshillat për organet politike tregojnë se kompetenca formale, edhe pa krijimtari të thellë, mund të shërbejë si mjet kontrolli mbi narrativën dhe perceptimin publik.
Pra, praktika e tij ishte pjesëmarrje aktive në formësimin e peizazhit diskursiv, që nuk mund të quhet thjesht reflektim. Në këtë mënyrë, koha e tij ishte tashmë laborator për metastazën e hershme botërore të meskinitetit: individë që nuk janë të aftë të krijojnë një të tashme të qëndrueshme, por që janë në gjendje të formësojnë fjalën publike, bëhen bërthama që mundësojnë përhapjen e infeksionit kulturor dhe politik. Aftësia e tyre për të formësuar perceptimin pa krijuar kuptim bëhet pikë kyçe në kuptimin e dinamikës institucionale.
Për ta përmbledhur, intuita e Defoe-s parashikon problemin që më vonë Nietzsche, Heidegger dhe Foucault do ta zhvillojnë: marrëdhënien mes pushtetit, dijes dhe formës. Vëzhgimet e tij japin hapësirë për artikulimet teorike të mëvonshme që zbulojnë se si kuptimi prodhohet brenda strukturave që synojnë funksionalitetin, pavarësisht nëse kjo çon apo jo drejt së vërtetës. Sistemi që përdorin të patalentuarit nuk kërkon që individët të jenë krijues të vërtetë, ai kërkon që të jenë të parashikueshëm, riprodhues dhe të kontrollueshëm.
Një sistem i tillë kërkon aftësinë për të ruajtur formën pa përmbajtje, dhe kushdo që selektohet në shërbim të tij duhet të fshijë vertikalen e brendshme. Pikërisht kjo shpjegon praninë e qëndrueshme të fenomenit, sepse ndërsa të patalentuarit marrin institucionet, individët e talentuar që mbajnë fjalën dhe vertikalen e brendshme mbeten të margjinalizuar, duke mbështetur në heshtje kapacitetin krijues të civilizimit jashtë rrjeteve të dukshme të pushtetit. Veprimtaria e tyre mbetet e fshehur, por jo pa ndikim, ata ruajnë mundësinë e një bote tjetër.
Në seksionet e ardhshme, ky vëzhgim historik do të lidhet me mekanizmat globalë të metastazës së sotme. Akademitë, shtëpitë botuese, fondacionet, mediat dhe festivalet tregojnë se si parimi që Defoe vuri re në shekullin XVII dhe XVIII është transformuar në fenomen planetar. Ky transformim ishte shumështresor dhe i adaptueshëm, duke korruptuar çdo drejtim të mundshëm të aktivitetit njerëzor, pa lënë hapësira bosh. Të patalentuarit që atëherë janë bërë qendra infeksioni, dhe rrjetet e tyre, të strukturuara hierarkisht dhe administrativisht, kanë mundësuar metastazën e hershme botërore të kancerit që sot formëson rrjedhat
III.
Nëse Defoe ishte ideator, ekzekutues dhe dëshmitar i mekanizmave fillestarë (dhe ishte), bota bashkëkohore përfaqëson ekspansionin e tyre të plotë institucional. Mekanizmat që ai i vërejti si embrionalë, sot funksionojnë si struktura të sofistikuara që formësojnë realitetin kulturor dhe epistemologjik global. Individët e patalentuar, të aftë për manipulim me fjalën, por të paaftë për krijimtari të qëndrueshme, sot veprojnë brenda rrjeteve të ndërlikuara që përfshijnë komisione akademike, shtëpi botuese, fondacione kulturore, juritë e festivaleve dhe sistemet mediatike. Prania e tyre është konstitutive për mënyrën se si dija shpërndahet, vlerësohet dhe institucionalizohet, ata kanë zënë si qendrën, ashtu edhe periferinë. Këto institucione nuk veprojnë më si promovues të vlerave apo mendimit kritik, ato janë laboratorë për riprodhimin e meskinitetit, ku kompetenca matet me aftësinë për t’u përshtatur me procedurat formale, jo me aftësinë për të prodhuar kontribut të vërtetë kulturor ose intelektual. Në një sistem të tillë, forma mbizotëron mbi përmbajtjen, ndërsa përputhshmëria procedurale zëvendëson domosdoshmërinë krijuese.
Në këtë aparat, ta patalentuarit selektojnë të ngjashmit e tyre, duke ndërtuar rrethe të mbyllura ku pushteti dhe legjitimiteti mbahen me mjete administrative, duke zënë dhe ruajtur të gjitha pozitat kyçe të sistemit. Seleksioni i tyre bazohet në aftësinë për të ruajtur stabilitetin e sistemit përmes parashikueshmërisë dhe bindjes, ndërsa shmang me vendosmëri bazën e vlerave estetike ose epistemologjike. Procesi është i sofistikuar, sepse kriteri për avancim dhe dukshmëri është aftësia për konformitet formal dhe besnikëri, ndërsa cilësia e veprës mbetet e pavërejtur. Ky konformitet bëhet valutë brenda aparatit institucional, ndërsa vertikalja krijuese shtypet sistematikisht. Rezultati është një rrjet global metastaze, çdo element i sistemit siguron dhe riprodhon meskinitetin funksional. Ky rrjet vepron si strukturë e koordinuar që formëson peizazhin kulturor sipas rregullave të përputhshmërisë, jo sipas kritereve të së vërtetës, dhe ky nuk është veprim lokal apo fragmentar, por global.
Filozofia bashkëkohore, përmes parimeve të kritikës së pushtetit dhe kritikës së strukturave kulturore, ofron një kuptim të thellë të këtyre mekanizmave. Analizat që merren me marrëdhënien mes pushtetit dhe dijes tregojnë se institucionet, përveçse shërbejnë për shpërndarjen e dijes, përdoren edhe për prodhimin e kornizës normative ku kuptimi përcaktohet sipas strukturës së pushtetit, jo sipas së vërtetës ose talentit. Qasja gjenealogjike ndaj diskursit zbulon se si kuptimi lind nga matricat disiplinare që formësojnë trupin, gjuhën dhe ndërgjegjen, duke shmangur liritë krijuese.
Nga ana tjetër, kritika e industrisë kulturore tregon rreziqet e strukturave masive mediatike dhe institucionale, të cilat përmes prodhimit të kulturës masive zvogëlojnë aftësinë e mendimit kritik, duke e reduktuar kulturën në funksion instrumental. Në një analizë të tillë, kultura pushon së qeni hapësirë reflektimi dhe bëhet mekanizëm për ruajtjen e pasivitetit shoqëror.
Në të dy rastet, individi i patalentuar bëhet ndërmjetësi kyç mes sistemit dhe masës, duke përdorur kompetencën formale për të formësuar perceptimin shoqëror. Fjala e tij mbart funksionin dhe ruan normën, ndërsa dëshmia dhe prania e tij që nuk sjell dallim krijues, shtyhen diku në periferi.
Praktikisht, kjo do të thotë se komisionet akademike dhe shtëpitë botuese veprojnë si filtra sipas përputhshmërisë me hierarkitë ekzistuese, ndërsa cilësia sanksionohet dhe izolohet në të gjitha shtresat e shoqërisë. Seleksioni i tyre bazohet në aftësinë për të ruajtur stabilitetin e regjimit diskursiv, sepse vlera estetike ose filozofike nuk gjejnë hapësirë të përshtatshme në këto ngjarje. Juritë e festivaleve dhe fondacionet konfirmojnë ata që tashmë janë brenda rrjetit, duke riprodhuar strukturën e meskinitetit dhe duke margjinalizuar talentin. Konfirmimi i tyre është mekanizëm për ruajtjen e dukshmërisë brenda sistemit të mbyllur, shprehje e njohjes së talentit vetëm për ta përjashtuar. Të patalentuarit bëhen kështu qendra të metastazës institucionale, sepse ndikimi i tyre është i drejtuar, ata formësojnë mënyrën se si kultura, arti dhe dija konsumohen dhe vlerësohen. Fjala e tyre bëhet normë, dhe prania e tyre definicion i suksesit.
Ky aparat, që dikur vepronte lokalisht ose kombëtarisht, sot funksionon globalisht. Ekspansioni i tij është rezultat i koordinimit sistemik përmes rrjeteve ndërkombëtare, me synimin për të penguar prodhimin e zhvillimit spontan. Komunikimi digjital, programet akademike dhe kulturore globale dhe mediat ndërkombëtare kanë mundësuar që normat e të patalentuarve të kalojnë kufijtë shtetërorë dhe të bëhen standard transnacional. Kështu, fuqia e tyre për të formësuar diskursin është zgjeruar shumë përtej kapacitetit të institucioneve individuale, dukshmëria teknologjike dhe konfirmimi ndërkombëtar tani funksionojnë si mekanizëm unik legjitimimi.
Në këtë mënyrë, infeksioni i vjetër botëror shndërrohet në fenomen planetar. Të patalentuarit formësojnë realitetin kulturor dhe epistemologjik edhe në hapësirën globale, duke vendosur modele mendimi që mësojnë publikun si të kuptojë, vlerësojë dhe riprodhojë meskinitetin, dhe kjo ndodh jo vetëm brenda shteteve të tyre. Pedagogjia e tyre shërben për normimin, ajo ngushton horizontin e mendimit në kufijtë që sistemi i shënon si të pranueshëm, duke deformuar metodologjinë në arsim.
Karakteristikat kryesore të kësaj strukture institucionale:
- Riprodhimi i meskinitetit. Ta patalentuarit prodhojnë dhe mbledhin të rinj të patalentuar përmes mekanizmave formalë që i shpërblejnë konformitetit, bindjes dhe parashikueshmërisë, jo fuqisë krijuese dhe origjinalitetit.
- Neutralizimi i talentit. Krijuesit e vërtetë shtyhen në heshtje ose në padukshmëri. Pa njohje, fjala e tyre mbetet jashtë hapësirës publike, pa rezonancën institucionale që do të mundësonte përhapjen e saj.
- Kontrolli i narratives. Të gjitha format kulturore dhe publike kalojnë nëpër filtra që favorizojnë bindjen mbi inovacionin. Kuptimi reduktohet në një model funksional e të parashikueshëm, ndërsa zërat subversivë dhe autentikë përjashtohen si “të padëshiruar”.
IV.
Fenomeni, që në kulturën bashkëkohore e quajmë karcinomi i civilizimit, buron nga dominimi institucional i individëve të patalentuar dhe aftësia e tyre për të formësuar normat dhe kriteret e vlerësimit. Fuqia e tyre mbështetet në krijimin e një sistemi ku vlera përcaktohet sipas përshtatshmërisë formale, ndërsa thellësia krijuese mbetet e përjashtuar. Koncepti i moralit të tufës përshkruan mohimin kolektiv të dallimeve dhe uniformizimin e vlerave, ku çdo përjashtim relativizohet ose shtypet. Ky parim hedh poshtë vertikalen e shpirtit dhe vendos një ekuilibër horizontal, ku çdo dallim krijues perceptohet si kërcënim.
Në kontekstin bashkëkohor, morali i tufës vepron përmes rrjeteve të akademive, shtëpive botuese, fondacioneve dhe mediave, ku mediokriteti bëhet standard, ndërsa talenti hiqet në mënyrë diskrete nga hapësira e dukshme. Mungesa e tyre është rezultat i seleksionimit sistemik që favorizon parashikueshmërinë, ndërsa pasiguria e vërtetë krijuese eliminohet.
Kur të patalentuarit marrin nën kontroll institucionet, e tashmja e qëndrueshme zhduket nga veprat, dhe fjala shndërrohet në instrument manipulimi në vend që të jetë dritë. Funksioni i saj ngushtohet në ruajtjen e stabilitetit diskursiv, ndërsa domosdoshmëria e brendshme shtyhet në prapavijë. Pasojat nuk kufizohen vetëm në degradimin estetik ose kulturor, por shfaqet një problem epistemologjik: shoqëria humbet orientimin drejt së vërtetës. Pa orientim, dija shndërrohet në një varg procedurash, ndërsa mendimi në mekanizëm konfirmimi. Kur vlera e fjalës bazohet në bindje formale, ndërsa thelbi i brendshëm shtypet, publiku humbet aftësinë për të dalluar njohjen e rëndësishme nga forma e zbrazët. Fjala pushon së udhëhequri dhe fillon të legjitimojë, pushon së qeni hapësirë mundësish por fillon t’i mbyllë ato.
Analiza e teknicizimit dhe instrumentimit të botës pasqyron të njëjtin process, individi i patalentuar bëhet zgjatim i aparatit, ndërsa kultura shndërrohet në sistem funksional që vetë-riprodhohet, pa reflektim të vërtetë ose impuls krijues. Një kulturë e tillë nuk prodhon kuptim, ajo vetëm mban qarkullimin e shenjave. Parimi i pushtetit në rrjetet bashkëkohore vepron përmes disiplinimit të trupit, mendjes dhe fjalës, ku autori i patalentuar përfaqëson ndërmjetësin ideal, sepse zotëron kompetencë formale, por i mungon bota e brendshme e aftë të sfidojë sistemin. Fjala e tij lind nga nevoja për të ruajtur pozicionin brenda hierarkisë, ndërsa domosdoshmëria e brendshme mbetet e shtypur.
Karcinomi i civilizimit shfaqet në tre fusha kryesore:
- Arsimi: procesi i të menduarit ia lë vendin procedurës. Mësuesit, këshillat akademike dhe programet shpesh vlerësojnë sasinë dhe korrektësinë formale, ndërsa aftësia për mendim të vërtetë mbetet në hije. Dija matet me numrin e faqeve, ndërsa thellësia e kuptimit bëhet dytësore.
- Letërsia dhe arti: veprat pa të tashme të qëndrueshme bëhen normë. Retorika merr rolin e shpirtit, ndërsa forma dhe suksesi karrierist shtypin estetikën dhe të vërtetën. Shprehja artistike shndërrohet në strategji pozicionimi, ndërsa dëshmia e domosdoshmërisë së brendshme shtyhet.
- Politika dhe mediat: diskursi publik shndërrohet në instrument riprodhimi të normave. Meskiniteti promovohet, ndërsa talenti shtyhet drejt margjinave. Perceptimi masiv formësohet përmes kanaleve komunikative formale dhe të parashikueshme, ku hapësira për rezistencë kritike pothuajse zhduket. Diskursi rrotullohet brenda kufijve të pranueshmërisë, dhe pa u thënë hapur, i ndalohet të përparojë.
Sot morali i tufës dhe metastaza e mediokritetit tejkalojnë kufijtë lokalë. Ata janë të pranishëm në rrjete transnacionale që formësojnë logjikën kulturore globale. Akademitë globale, fondacionet kulturore, festivalet ndërkombëtare dhe mediat digjitale u mundësojnë ta patalentuarve të shtrijnë ndikimin përtej kufijve. Fuqia e tyre për të formësuar diskursin kushtëzohet nga përputhshmëria globale, jo nga autoriteti lokal. Rezultati është një karcinom planetar, ku e njëjta logjikë e meskinitetit përshkon vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim, artin bashkëkohor, arsimin dhe jetën publike. Kjo logjikë shtrihet përtej kufijve sepse mbështetet në dukshmërinë teknologjike dhe konfirmimin institucional.
Shembuj bashkëkohorë përfshijnë:
- Shtëpi botuese globale që zgjedhin autorë sipas parashikueshmërisë tregtare, ndërsa vlera artistike, akademike dhe filozofike humbet prioritetin.
- Komisione akademike të granteve që shpërblejnë saktësinë administrative dhe harmoninë burokratike, ndërsa projektet inovative mbeten të neglizhuara.
- Platforma mediatike që ngrejnë lart përmbajtje të afta të gjenerojnë shpejt miratim dhe vëmendje, ndërsa sfida intelektuale ose reflektimi kritik mbeten jashtë fokusit.
Ky karcinom i civilizimit ia heq gradualisht shoqërisë aftësinë për të parë realitetin në mënyrë të pavarur, sepse normalizimi i meskinitetit krijon një diskurs uniform që njeh vetëm atë që përshtatet me hierarkitë ekzistuese të pushtetit. Një diskurs i tillë mbyll hapësirën për dallim përmes mekanizmave të njohjes dhe konfirmimit
V.
Në botën e sunduar nga individë të patalentuar dhe mekanizmat institucionalë të riprodhimit të meskinitetit, talenti përfaqëson një subversion natyral të sistemit, sepse prania e tij ka karakter pengues dhe kritik, dhe nuk pranon të reduktohet në rol dekorativ. Fjala që ai sjell, si bartëse e së tashmes së qëndrueshme, prish parashikueshmërinë dhe uniformitetin që imponojnë mediokritet. Një fjalë e tillë shkëputet nga normat e ngulitura, sepse zotëron qartësinë e vet vertikale që zbërthen gjithçka që do të mbetej e fshehur brenda sistemit të formës së parashikueshme.
Ndryshe nga autori mesatar, kompetenca formale e të cilit shërben për riprodhimin e modeleve hierarkike, talenti nuk e sheh njohjen si qëllim të veprimit; krijimi i tij ka autonomi ontologjike dhe epistemologjike dhe për këtë arsye bëhet kërcënim për aparatin e ndërtuar mbi bindjen dhe përsëritjen e normës. Rreziku i tij buron nga fakti se sjell dallim në një hapësirë të projektuar për ta mbytur çdo dallim, dhe kjo shpesh bëhet arsye për veprim politik represiv.
Sistemi ka zhvilluar një strategji sipas së cilës forma më efikase e censurës është mungesa e reagimit, sepse ndalimi prodhon rezistencë, ndërsa heshtja krijon padukshmëri. Talenti shtypet përmes injorimit dhe marginalizimit; fjala e tij mbetet jashtë rrjetit të njohjes, sepse hyrja e saj do të prishte stabilitetin e rendit diskursiv. Formalisht, veprat e tij nuk janë objekt ndalimi, por mekanizmat institucionalë sigurojnë që ato të mos marrin dukshmëri dhe rol në formësimin e diskursit publik.
Dukshmëria përcaktohet sipas shkallës së përputhshmërisë me sistemin, dhe kjo kthehet në projekt të rrezikshëm për urrejtje dhe përçmim ndaj vlerës. Heshtja bëhet censurë e sofistikuar që prodhon padukshmëri pasive, por në fakt është maskim i konfliktit të hapur që zhvillohet. Ajo ruan jetëgjatësinë e metastazës së meskinitetit, sepse vepron si mjet aktiv i stabilizimit normativ të së keqes, jo si mungesë e thjeshtë e fjalës.
Megjithë shtypjen, talenti mbijeton përmes disa modaliteteve kyçe:
- Prodhimi autonom: krijimi i veprave që nuk kërkojnë verifikim institucional. Talenti krijon nga frymëzimi i brendshëm dhe domosdoshmëria e tij, jo nga nevoja për konfirmim. Fjala që sjell lind nga thellësia e botës personale.
- Kontakti i drejtpërdrejtë me publikun: hapësirat teknologjike bashkëkohore i mundësojnë talentit të përdorë kanale alternative, botim të pavarur, platforma të lira, për të vendosur marrëdhënie të drejtpërdrejtë me lexuesit dhe dëgjuesit. Ky komunikim rrallë bëhet masiv, por ka vlerë dëshmuese.
- Ruajtja e së tashmes së qëndrueshme: talenti formëson veprën në mënyrë që ajo të mbajë vlerë të brendshme, e cila mbetet jashtë neutralizimit institucional. Kjo e tashme e qëndrueshme i mundëson fjalës t’i mbijetojë karcinomit global të kulturës.
Ndërsa të patalentuarit e përdorin fjalën si instrument, talenti ruan aftësinë që fjala të ndriçojë si orientim i së vërtetës. Fjala e talentit dëshmon praninë dhe zbulon atë që aparatet e pushtetit përpiqen të fshehin. Epokat i njohin talentet e tyre nga fakti se ata mbijetojnë jashtë rrjeteve të pushtetit dhe shërbejnë si ruajtës të krijimtarisë, të kuptimit kritik dhe të vlerës së qëndrueshme. Prania e tyre është dëshmuese, jo institucionale.
Ata mbeten roje të vetmuar të gjuhës, edhe pse fjala e tyre shpesh margjinalizohet, ajo përfaqëson të vetmen mburojë që mund të ndalë metastazën e meskinitetit. Heshtja e talentit buron nga një lloj specifik rezistence, rezistencë e bazuar në praninë e thellë të brendshme, që nuk është kurrë pasivitet.
Me fjalë të tjera, talenti është forcë subversive brenda strukturave të pushtetit, sepse veprimi i tij prish sistemin, dhe prania e tij refuzon të përshtatet me logjikën instrumentale të aparatit. Perspektiva e ekzistencës autentike e njeh tek talenti formën e ruajtjes së origjinalitetit në një botë të shndërruar në mjete, sepse fjala e talentit lind nga vetë qenësia, pavarësisht funksioneve.
Logjika e pushtetit disiplinar sheh tek talenti mundësinë e destabilizimit të rrjetit të kontrollit përmes prodhimit autonom të dijes, e cila nuk pret leje, ajo ekziston sepse duhet të ekzistojë. Parimi i diferencimit vertikal e njeh tek talenti individin që mbetet jashtë moralit të tufës dhe ruan aftësinë për të dalluar shkëlqimin nga meskiniteti. Në të gjitha këto qasje, talenti shfaqet si forcë ontologjike dhe epistemologjike që mund të minojë në një periudhë afatgjatë metastazën botërore të meskinitetit.
VI.
Infeksioni i vjetër botëror, të cilin e kemi ndjekur nga Defoe deri tek institucionet bashkëkohore, sot shfaqet përmes mekanizmave globalë që vazhdimisht prodhojnë meskinitet dhe shtypin talentin. Prania e tij përhapet përmes strukturave të koordinuara që përcaktojnë mënyrën se si lindin kultura, dija dhe perceptimi. Nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, por për një rrjet botëror.Të patalentuarit, të pozicionuar brenda strukturave formale të pushtetit (jo vetëm shërbimeve sekrete), veprojnë si forcë centripetale që organizon rrjedhat kulturore, prodhimin akademik dhe diskursin mediatik, pa marrë parasysh kufijtë shtetërorë. Aftësia e tyre për të përcaktuar standarde universale të dukshmërisë u jep mundësinë të vendosin kriteret sipas të cilave shtypet dallimi krijues.
Universitetet dhe fondet kërkimore funksionojnë si kanale kryesore që e rrethojnë talentin me heshtje dhe ruajnë meskinitetin. Organizimi i tyre e devijon rrjedhën e dijes drejt kritereve që theksojnë rregullsinë procedurale dhe përputhshmërinë administrative, duke treguar se sistemi nuk vepron si kornizë neutrale. Komisionet që shpërndajnë grante shpesh vënë në plan të parë saktësinë formale, përshtatshmërinë politike dhe parashikueshmërinë metodologjike, ndërsa projektet inovative dhe kritike mbeten jashtë hapësirës së njohjes. Kjo zgjedhje nuk buron nga nevoja e vërtetë epistemologjike, ajo lind nga dëshira për të ruajtur stabilitetin institucional. Në këtë mënyrë hapet hapësira që aktorët e patalentuar të formësojnë për dekada normat shkencore dhe kulturore, edhe pse puna e tyre nuk kontribuon në përparimin real të dijes. Rezultati është homogjenizimi intelektual që fshin mundësinë e lindjes së paradigmave të reja dhe shuan dallimin para se të shfaqet.
Shtëpitë botuese globale, kompanitë filmike e mediatike dhe fondet kulturore ndërkombëtare zbatojnë të njëjtën logjikë. Dukshmërinë e marrin autorët dhe projektet që përshtaten me kërkesat tregtare ose institucionale, ndërsa domosdoshmëria estetike ose filozofike shtyhet në thellësitë e shurdhërisë. Promovimi u mundësohet atyre që janë të parashikueshëm dhe lehtësisht të qëndrueshëm, jo atyre që sjellin vlera të reja. Talenti mbetet në margjina sepse krijimtaria e tij prish modelet e përgatitura paraprakisht. Në këto rrethana, meskiniteti përhapet në përmasa planetare, duke krijuar një rrjet që standardizon si formën, ashtu edhe përmbajtjen. Krijimtaria mbytet në mekanizmat e padukshmërisë, në një sistem që thekson përputhshmërinë, jo vlerën e brendshme, ndërsa gjithçka ndodh pas perdeve, pa kufizime dhe limite.
Mediat digjitale dhe rrjetet sociale e përshpejtojnë më tej këtë proces, sepse struktura e tyre nuk shërben vetëm për komunikim, ajo formëson mënyrën se si lind dhe qarkullon dija. Sistemet teknologjike shpërblejnë përmbajtje që prodhojnë reagim emocional të shpejtë dhe jehonë masive, ndërsa përmbajtjet refleksive ose intelektualisht kërkuese shtyhen. Në një hapësirë të tillë, përparësi kanë ata që dinë të menaxhojnë dukshmërinë, jo ata që kontribuojnë në kuptim. Autorët e talentuar humbasin qasjen në hapësirën publike sepse fjala e tyre mbështetet në parime dhe funksionon jashtë logjikës së stimulit momental. Dukshmëria bashkëkohore lind nga vlera banale dhe buron nga aftësia për t’u përshtatur me infrastrukturën teknologjike dhe rregullat e saj të shpërndarjes. Publiku e zbulon fjalën përmes përshtatjes së saj me sistemin e shpërndarjes, ndërsa fuqia e saj e brendshme fshihet nga mekanizmat e përçmimit.
Pasojat e kësaj metastaze globale janë të thella:
- Homogjenizimi kulturor: krijimtaria e vërtetë dhe diversiteti kalojnë në statusin e dukurive margjinale. Dallimi humbet çdo mundësi të regjistrohet sepse shtypet para se të bëhet i dukshëm.
- Erozioni i mendimit kritik: diskursi publik kalon në regjimin e parashikueshmërisë dhe përshtatshmërisë burokratike, ndërsa reagimi zëvendëson mendimin, dhe reflektimi shpërbëhet nën presionin e shpejtësisë.
- Meskiniteti planetar: rrjetet e të patalentuarve veprojnë në sinkroni në shumë shtete, duke krijuar standard universal mediokriteti që buron nga përputhshmëria globale, pa lidhje me traditat lokale.
Në krahasim me kohën e Defoe-s, shihet një vazhdimësi e qëndrueshme e shoqëruar me një ekspansion dramatik. Në shekullin XVII dhe XVIII rrjetet e meskinitetit kishin karakter lokal dhe politik, ndërsa sot shndërrohen në struktura globale, digjitale dhe kulturore. Veprimi i tyre tejkalon institucionet kombëtare dhe kalon në rrjete transnacionale që formësojnë perceptimin në nivel planetar. Të patalentuarit nuk kufizohen më vetëm në shërbime sekrete dhe bindje burokratike, ata sot veprojnë si operatorë planetarë që mund të standardizojnë vlerat dhe të menaxhojnë perceptimin e masave. Fuqia e tyre mbështetet në kontrollin e dukshmërisë, pa asnjë lidhje me kontributin krijues.
Diagnoza globale tregon se infeksioni i vjetër botëror është mekanizëm konkret dhe aktiv që formëson peizazhin kulturor, akademik dhe mediatik bashkëkohor, pra nuk është vetëm metaforë teorike. Ky fenomen nuk duhet nënvlerësuar, sepse përcakton mënyrën se si fjala vlerësohet, dëgjohet dhe shpërndahet. Ta patalentuarit përbëjnë nyjet e metastazës, ndërsa rrjetet e tyre kanë strukturë globale dhe koordinim sistemik. I vetmi rrugëtim drejt mbrojtjes së krijimtarisë gjendet në mbështetjen e talentit, fjalës autonome dhe së tashmes së qëndrueshme brenda veprës, si nevojë epistemologjike që ruan shëndetin e civilizimit, një gjest emocional nuk mjafton për të nisur ndryshimin.
VII.
Në Bagdadin e mesjetës së vonë ekzistonte një librari që qëndronte hapur ditë e natë, pa ndërprerje. Dyert ishin të hapura, pa roje, pa mbikëqyrje. Në hyrje qëndronte një mbishkrim: “Ata që lexojnë, nuk vjedhin; ata që vjedhin, nuk lexojnë.” Kjo fjali vlen si një deklaratë filozofike mbi marrëdhënien mes njeriut dhe fjalës. Paraqet një imazh besimi ku fjala zotëron autonominë dhe integritetin e vet, ndërsa njeriu ndien intuitivisht vlerën e saj pa nevojën e kontrollit, ndalimit apo administrimit. Ky raport mbështetet në praninë shpirtërore dhe funksionon jashtë çdo rregullimi. Libraria mbijetoi për shekuj, thuhet se ekzistoi deri në mesin e shekullit XX, sepse përfaqësonte hapësirë ku kultura, dija dhe mendimi ruanin lirinë dhe respektin e tyre. Qëndrueshmëria e saj dëshmon se një komunitet mund të mbijetojë mbi bazën e besimit në fjalën dhe tek ata që i qasen asaj.
Në epokën bashkëkohore, simboli i Librarisë së Bagdadit merr një kontur më të errët, ndërsa drita e saj ende ekziston, por mbetet e mbuluar nga shtresat e sistemit. Institucionet që formësojnë kulturën, arsimin dhe hapësirën mediatike ofrojnë siguri për aktorët që menaxhojnë fjalën përmes procedurave administrative, ndërsa ruajtësit e vërtetë të gjuhës jetojnë në heshtje. Dukshmëria përcaktohet sipas shkallës së përputhshmërisë me rregullat e rrjetit, ndërsa shkëlqimi i brendshëm i veprës së vërtetë mbetet i fshehur. Në rendin e ri, fjala kalon në duart e aktorëve të largët nga domosdoshmëria krijuese, ndërsa ata që e zotërojnë këtë domosdoshmëri mbijetojnë në skajet e sistemit, duke ruajtur vazhdimësinë e kuptimit jashtë vëmendjes institucionale. Lufta e tyre zhvillohet në fushën e dritës së heshtur, vend ku fjala ruan integritetin dhe plotësinë e vet, jashtë kanaleve formale të njohjes.
Libraria e Bagdadit hap një rrugë daljeje nga gjendja bashkëkohore, sepse logjika e saj është më shumë se fakt historic, ajo vepron si model ontologjik. Përfaqëson hapësirë ku vlera e fjalës formësohet nga drita e brendshme dhe prania e qëndrueshme, dhe një fjalë e tillë vepron nga fuqia e vet, pa nevojë për leje apo konfirmim. Kur komuniteti mbështet talentin, mendimin autonom dhe aktin e leximit, rilind besimi mes njeriut dhe gjuhës. Nga ky besim lind imuniteti civilizues i aftë të ngadalësojë përhapjen e meskinitetit global, sepse ky imunitet buron nga vertikalja e dritës që talenti mbart përmes heshtjes.
Kjo metaforë bashkon trashëgiminë historike dhe diagnozën e momentit bashkëkohor. Roli i saj tejkalon kornizën dekorative dhe bëhet dëshmi për mundësinë e një hapësire tjetër. Edhe pas tre shekujsh nga Defoe, i cili analizoi dhe aplikoi mekanizmat e infeksionit të hershëm botëror, Libraria e Bagdadit (ndoshta bashkëkohëse e Defoe-s) ende tregon ekzistencën e një vendi ku fjala mbijeton dhe ku talenti mbetet i pranishëm edhe në epoka të shënuara nga metastaza kulturore. Një hapësirë e tillë gjendet jashtë institucioneve dhe i përket horizontit shpirtëror të komunitetit. Për këtë arsye, epilogu nuk funksionon si zbukurim përfundimtar, por si thirrje filozofike, civilizimi ruan vazhdimësinë e vet përmes kultivimit të vlerës së fjalës dhe mendimit të qëndrueshëm. Individët krijues kalojnë nën radarët e rrjeteve zyrtare, por lënë gjurmë në hapësirën ku fjala rrezaton dritën e vet.
VIII.
Analiza e fenomenit të shkrimtarëve të patalentuar dhe dominimit të tyre institucional zbulon karcinomin global të civilizimit bashkëkohor, infeksionin botëror. Ky proces shfaqet si strukturë e thellë që përfshin dimensionet kulturore, epistemologjike dhe shpirtërore, ndërsa simptomat prekin orientimet e mendimit, gjuhës dhe vlerave. Defoe, në kohën e tij, shënoi konturet e para të kësaj lëvizjeje, dhe epoka e sotme tregon përhapjen e saj planetare, ku akademitë, fondacionet, sistemet botuese, shtëpitë mediatike dhe platformat digjitale veprojnë si rrjete të koordinuara të meskinitetit. Në këto rrjete, kompetenca formale fiton pushtet mbi aftësinë krijuese, ndërsa saktësia procedurale merr rolin e thellësisë mendore dhe të pranishmërisë së qëndrueshme të veprës. Parashikueshmëria bëhet parim organizues që formëson kriteret e dukshmërisë.
Karcinomi i civilizimit shfaqet përmes moralit të tufës, përmes homogjenizimit kulturor dhe epistemologjik dhe përmes shtypjes së dallimit krijues. Renditja e ngjeshur e institucioneve vendos korniza që promovojnë meskinitetin, menaxhojnë perceptimin dhe zvogëlojnë hapësirën për veprim inovativ. Fuqia e këtyre strukturave buron nga mekanizmat e konfirmimit dhe shpërndarjes, gjë që u mundëson të formësojnë standarde të pranuara gjerësisht. Diagnoza globale tregon një proces që depërton në sferat kyçe të jetës shoqërore dhe përcakton mënyrën se si komuniteti e kupton kulturën dhe dijen e vet, duke marrë përmasa planetare dhe duke tejkaluar kufijtë e fushave të izoluara.
Në një mjedis të tillë, talenti ruan aftësinë për të prishur stabilitetin e meskinitetit, sepse fjala e tij zotëron vertikale të brendshme dhe puls autonom, që i jep prani të lirë nga mekanizmat administrativë. Individët krijues mbijetojnë përmes veprimit të heshtur, përmes prodhimit të pavarur dhe përmes marrëdhënies së drejtpërdrejtë me publikun. Kështu ruajnë aftësinë e civilizimit për të njohur të vërtetën dhe për të mbajtur ndjeshmërinë ndaj dallimit, shkëlqimit dhe thellësisë mendore. Prania e tyre mbetet jashtë hierarkisë institucionale, por qëndron në dëshminë që sjellin.
Libraria e Bagdadit rikujton hapësirën e besimit mes njeriut dhe fjalës, hapësirë ku vlera formësohet nga brenda, përmes dritës së vet, jo përmes diktatit të dukshmërisë. Përmes këtij simboli hapet mundësia që komuniteti të ndërtojë imunitetin e vet dhe të ruajë shkëlqimin e vertikales krijuese.
