Nëse po studioni programim, mbase kemi disa lajme të këqija për ju
“Të dhënat nuk tregojnë asnjë shenjë se inteligjenca artificiale po e lë dikë pa punë për momentin,” deklaroi më 11 maj Kevin Hassett, një këshilltar i Shtëpisë së Bardhë. Dikush duhet t’ua thotë këtë të diplomuarve amerikanë të brezit të vitit 2026. “Situata është e zymtë,” shprehet një profesor kur pyetet për tregun e punës së të sapodiplomuarve. Inteligjenca artificiale është kthyer në fajtorin e preferuar. Gjatë një ceremonie të fundit diplomimi në Florida, një folës u vërshëllye vetëm pse e përmendi atë. Dhe jo pa arsye: analiza jonë sugjeron se IA mund të jetë duke i dëmtuar vërtet perspektivat e punësimit për disa të diplomuar.
Diploma universitare duket se nuk ofron më mbrojtje të madhe nga papunësia: të sapodiplomuarit kanë më shumë gjasa të jenë të papunë sesa punëmarrësi mesatar amerikan. Brezi aktual ndihet veçanërisht pesimist. Më pak se një e pesta e tyre mendojnë se kjo është një periudhë e favorshme për të gjetur një punë të mirë — përqindja më e ulët që nga viti 2013, dhe ndjeshëm më e ulët se shifra për amerikanët në tërësi, e cila e kalon një të katërtën. Fakti që rekrutimet brenda kampuseve universitare kanë pësuar rënie, nuk e ndihmon aspak situatën.
Shpalljet e vendeve të punës në Handshake, një platformë punësimi e dedikuar për studentët, kanë rënë me 50% krahasuar me nivelin e tyre kulmor të vitit 2022.
Të shumtë janë ata që fajësojnë inteligjencën artificiale. Mbi gjysma e punëdhënësve deklarojnë se kanë marrë në konsideratë zëvendësimin e punonjësve të nivelit fillestar (entry-level) me këtë teknologji. Ngjashëm me këtë, një sondazh i fundit i realizuar nga Instituti i Politikës në Kennedy School (Universiteti i Harvardit) zbuloi se mbi gjysma e të rinjve amerikanë e shohin IA-në si një kërcënim për perspektivat e tyre të punësimit.
Ndërkohë, ekonomistët janë më të ndarë në mendime.
Një studim i publikuar në vitin 2025 nga Erik Brynjolfsson i Universitetit të Stanfordit dhe kolegët e tij, shqyrtoi punësimin midis punonjësve të rinj në profesionet e ekspozuara ndaj IA-së, siç është zhvillimi i softuerëve. Autorët zbuluan se punësimi në këta sektorë kishte rënë me 16% më shumë krahasuar me fushat më pak të ekspozuara. Megjithatë, një punim i publikuar këtë vit nga Zanna Iscenko dhe Fabien Curto Millet, dy ekonomistë pranë Google, hedh dyshime mbi idenë se punonjësit e rinj në veçanti po zhvendosen nga tregu prej IA-së. Ata zbuluan se shpalljet për vende pune në profesionet e ekspozuara ndaj IA-së kanë rënë po aq ashpër për punonjësit e vjetër sa edhe për të rinjtë, dhe se kjo prirje kishte filluar përpara lançimit të ChatGPT-së. Një tjetër studim, i kryer nga Morgan Frank i Universitetit të Pitsburgut dhe kolegët e tij, tregoi se treguesit e tregut të punës janë përkeqësuar për punonjësit e ekspozuar ndaj IA-së, por edhe kjo tendencë kishte nisur para daljes së ChatGPT-së.
The Economist ka kryer analizën e vet, duke përdorur një burim të dhënash të shpërfillur gjer më tani: anketimet 10-vjeçare të të sapodiplomuarve të realizuara nga Shoqata Kombëtare e Kolegjeve dhe Punëdhënësve në SHBA.
Çdo vit, universitetet amerikane i pyesin ish-studentët e tyre të rinj nëse janë të punësuar, të papunë apo nëse po ndjekin studime pasuniversitare. Duke përdorur përgjigjet e tyre, ne krahasuam treguesit e tregut të punës në fusha me nivele të ndryshme ekspozimi ndaj IA-së, si para ashtu edhe pas ardhjes së modeleve të mëdha gjuhësore.
Ne zbuluam se të diplomuarit në fushat më të ekspozuara ndaj IA-së kanë regjistruar rezultate dukshëm më të këqija. Midis viteve 2022 dhe 2024, të diplomuarit në kuintilin më pak të ekspozuar — të cilët studiojnë degë si edukimi, filozofia dhe inxhinieria civile — panë që norma e tyre mesatare e punësimit me kohë të plotë të binte me vetëm 1.5 pikë përqindjeje. Ata në kuintilin më të ekspozuar — ku përfshihen shkencat kompjuterike, inxhinieria kompjuterike dhe shkencat e informacionit — pësuan një rënie të theksuar prej 6.6 pikësh përqindjeje (shih grafikun 1).
Ne i përditësuam këto shifra për fushat më të ekspozuara, duke përdorur të dhëna nga 13 universitete, dhe zbuluam se kjo tendencë vazhdoi edhe për brezin e diplomuar në vitin 2025 (shih grafikun 2). Shkalla e punësimit me kohë të plotë ra nga afro 70% në 55% brenda tre viteve — theksojmë, pikërisht në tre vitet pas prezantimit të ChatGPT-së në 2022-shin. Përpara kësaj periudhe, shifrat kishin qenë të qëndrueshme.
Studentët, nga ana e tyre, tashmë po ndryshojnë drejtim. Të dhënat nga National Student Clearinghouse, një grup kërkimor, tregojnë se regjistrimet në nivelin bachelor për shkenca kompjuterike ranë me 11% në vitin 2025. Ndërsa regjistrimet në programim kompjuterik, një degë që fokusohet më tepër në aftësitë e kodimit sesa në teori, ranë me plot 26%.
Edhe vetë thelbi i punës së kryer nga të diplomuarit në shkenca kompjuterike po ndryshon. Po shpenzohet më pak kohë në shkrimin e kodeve; dhe po i kushtohet më tepër vëmendje projektimit dhe organizimit të sistemeve softuerike në një nivel më të lartë konceptual. Lana Yarosh, drejtoreshë e studimeve bachelor për shkencat kompjuterike në Universitetin e Minesotës, thotë se i mirëkupton ankthet e studentëve. “Është gjithmonë e vështirë kur gjërat ndryshojnë. Por shkencat kompjuterike përbëjnë një fushë ku gjithçka ndryshon gjatë gjithë kohës.”
