Qasje studimore rreth hadithit të krijimit të fëmijës në mitër
Transmetohet nga Abdullah ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, se ka thënë: “Na ka treguar i Dërguari i Allahut alejhi selam, i cili gjithnjë fliste të vërtetën dhe të cilit i besohet, se:
“Vërtet çdonjëri prej jush formohet (tubohet krijimi i tij) në barkun (mitrën) e nënës së tij dyzet ditë si pikë (nutfetun), pastaj shndërrohet në gjak të ngjizur (alekatun)ngjashëm me këtë periudhë, pastaj transformohet në copë mishi(mudgatun) ngjashëm me këtë periudhë. Pastaj Allahu dërgon një engjëll, i cili fryn në të shpirtin dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra: riskun e tij- furnizimin, exhelin e tij- sa do të jetojë, punët që do të kryejë dhe a do të jetë i lumtur apo i mjerë. Pasha Allahun, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet me të drejtë), ndonjëri nga ju do të punojë vepra nga veprat e banorëve të xhenetit, derisa të mbetet mes tij dhe xhenetit vetëm një kut hapësirë (mjet matës me gjatësi prej 64 deri në 80 cm.), do të ndodhë ajo që është e caktuar më parë në libër dhe ai punon punë prej punëve të banorëve të xhehenemit dhe do të hyjë në të. Disa të tjerë nga ju do të punojnë vepra nga veprat e banorëve të xhehenemit, derisa të mbetet mes tij dhe xhehenemit vetëm një kut hapësirë, do të ndodhë ajo që është e caktuar më parë në libër dhe ai punon punë prej punëve të banorëve të xhenetit dhe do të hyjë në të.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.
عن عبد الله بن مسعود رضى الله عنه قال:
جدثنا رسول الله صلى الله عليه و سلم و هو الصادق المصدوق :”إن أحدكم يجمع خلقه في بطن أمه أربعين يوما نطفة و ثم يكون علقة مثل ذلك , ثم يكون مضغة مثل ذلك و ثم يرسل الله إليه الملك , فينفخ فيه الروح , و يؤمر بأربع كلمات : بكتب رزقه و عمله و أجله , و شقي أو سعيد , فوالذي لا إله غيره إن أحدمن ليعمل بعمل أهل الجنة حتى ما يكون بينه و بينها إلا ذراع, فيسبق عليه الكتاب فيعمل بعمل أهل النار فيدخلها , و إن أحدكم ليعمل بعمل أهل النار حتى ما يكون بينه و بينها إلا ذراع , فيسبق عليه الكتاب فيعمل بعمل أهل الجنة فيدخلها.
أخرجه البخاري و مسلم .
- Rëndësia e hadithit
Ky hadith ka rëndësi të shumta, ngase shtjellon çështje të rëndësishme e të ndryshme. Ndër to ai shtjellon edhe fazat e zhvillimit të njeriut në mënyrë embriologjike, etapë pas etape në barkun e nënës, me një përkushtim të veçantë nga Allahu i Lartësuar, sepse njeriu është krijesa më e nderuar tek Ai.
Gjithashtu, hadithi na flet edhe për caktimin e Allahut, që është shtylla e gjashtë nga shtyllat e besimit, pa të cilën nuk plotësohet imani i besimtarit. Ka thënë Hakimi: “Na ka treguar Abdullah ibën Ahmedi, ai nga babai i tij, se në praninë e tij janë cituar këto hadithe: “Veprat shpërblehen sipas qëllimeve”; “Vërtet çdonjëri prej jush formohet…” dhe hadithi: “Kush shpik diçka të re që nuk i përket fesë sonë, ajo do t’i refuzohet”.
Tha Imam Ahmedi: “Duhet që me këto hadithe ta fillojë çdo autor librin e tij, ngase këto hadithe janë baza e hadithit.”
Ka thënë Is’hak ibën Rahaveje: “Katër hadithe janë baza e fesë… (tri të posatheksuarat dhe) dhe hadithi: “Vërtet e lejuara (hallalli) është e qartë, por edhe e ndaluara është e qartë.”
- Komenti i përgjithshëm i hadithit
Transmetuesi i këtij hadithi, i cili është sahab i njohur i Pejgamberit alejhi selam, na njofton se si e kanë vlerësuar dhe respektuar të Dërguarin e Allahut alejhi selam, gjë që jep të kuptojmë se s’ka mundësi që ndonjë gjeneratë ta respektojë atë ashtu siç e kanë respektuar shokët e tij. Për këtë dhe na ka porositur ne i Dërguari alejhi selam, që ta ndjekim rrugën e tyre, gjithashtu dhe vendimet e tyre janë të ligjshme për ne.
Allahu xh.sh. i është përkushtuar krijimit të njeriut dhe e ka përcjellë krijimin e tij etapë pas etape deri në plotësimin e krijimit të tij, siç e thekson këtë Allahu edhe në Kuranin Fisnik duke thënë: “Për Allahun, Ne krijuam njeriun prej një pike (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajkë –baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri krijues.“ (El Mu’minunë, 12-14)
Allahu Fuqiplotë ka pasur mundësi që krijimin e njeriut ta kompletojë përnjëherë, mirëpo dijetarët islamë numërojnë urtësi të ndryshme në këtë mënyrë të krijimit, ndër to manifestimin e fuqisë së Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, mund të themi se përmes këtij fenomeni përfitojmë nga përditshmëria jonë, që të jemi të qetë e jo hezitues në vendimmarrje gjatë veprimeve tona.
Edhe hadithi i temës e shtjellon një çështje të tillë në mënyrë embriologjike, edhe pse në kohën e thënies së hadithit shkenca nuk e njihte fare këtë teori dhe njëkohësisht njoftimi i Pejgamberit alejhi selam për këtë teori vërteton profetësinë e tij, ngase këto njohuri Pejgamberi alejhi selam i kishte marrë nga Krijuesi i njerëzimit.
Fjala në hadith “çdonjëri prej jush…” do të thotë çdonjëri nga bijtë e Ademit alejhi selam, pa përjashtim. Përmendja e njerëzve në mënyrë të veçantë nga krijesat e tjera aludon për respektin e njeriut dhe pozitën e tij te Allahu, siç thotë Allahu në Kuran: ‘”و لقد خلقنا الإنسان في أحسن تقويم . التين 4
“Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Et-tin, 4)
“Formohet (grumbullohet) krijimi i tij…”, kur sperma vendoset në mitrën e femrës shpërndahet nëpër të gjitha pjesët e brendshme të trupit, siç e vërteton këtë hadithi i Pejgamberit alejhi selam: “Kur sperma bie –depërton në mitër- shpërndahet në çdo qime dhe thua, qëndron dyzet ditë kështu e më pas stabilizohet në mitër dhe transformohet në gjak të ngjizur.”*
E ka nxjerrë Taberaniu dhe të tjerë nga Malik ibën Huvejrith: “Kur njeriu kryen aktin seksual me gruan e tij, uji-fara bie në çdo pjesë të trupit. Kur të mbushen shtatë ditë, e grumbullon atë Allahu…”*
Thotë imam Kurtubiu lidhur me komentimin e këtyre haditheve: “Hadithet kanë për qëllim me depërtimin e tyre në çdo pjesë të trupit, kur fara hidhet fuqishëm gjatë aktit seksual, në mënyrë të shpërndarë, e më pas e tubon atë Allahu në vendin e krijimit të embrionit në mitër.”
Ka mundësi që të aludohet me fjalën “tubim ose grumbullim” qëndrimi i farës në mitër si fermentim, derisa të përgatitet embrioni për kompletim të krijimit. Kështu mendon Ibën Ethiri.
Për fjalët “dyzet ditë si farë-ujë”, rreth kësaj pjese të hadithit, janë transmetuar disa versione. Ndër to:
-Nga Hudhejfete ibën Esidi r.a., nga Pejgamberi alejhi selam se ka thënë:“Depërton–hyn meleku në farë pasi të stabilizohet fara në mitër për dyzet net apo dyzet e pesë net.” (Muslimi)
-Në një version tjetër: “Kur të kalojnë dyzetë e dy net”. (Muslimi dhe Taberaniu në Kebir)
Pra, kur i grumbullojmë të gjitha këto transmetime, dalim me rezultatin se embrioni fillon të grumbullohet gjatë kësaj faze (edhe pse ka mendime, siç do t’i cekim më vonë, se faktikisht embrioni kompletohet përfundimisht brenda këtyre ditëve dhe vjen meleku i dedikuar e i fryn shpirtin fetusit, mirëpo mendimi më i sakët është- Allahu e di më së miri- se kjo është vetëm faza e parë e krijimit embriologjik dhe jo përfundimi i krijimit).
-Në disa versione ka ardhur termi “net” në vend të ditëve, mirëpo kjo nuk ka farë problemi, sepse në aspektin fetar kur përmendet dita, futet edhe nata dhe e kundërta, përveç nëse ka ndonjë argument që e veçon, ndonjë ligj që ka të bëjë vetëm me ditën apo vetëm me natën.
Këto hadithe gjithashtu kanë sjellë mospajtim në mes juristëve islamë nga e kaluara dhe e tanishmja, madje kanë ndikuar edhe te gjinekologët muslimanë që të japin mendime të ndryshme rreth kësaj faze të zhvillimit e në veçanti rreth fryrjes së shpirtit të fetusit, se kur saktësisht i fryhet shpirti fetusit. Këtë çështje do ta shtjellojmë më vonë.
Fjalët: “formohet –tubohet, krijimi i tij në barkun –mitrën e nënës së tij dyzet ditë pikë-ujë, pastaj shndërrohet në gjak të ngjizur ngjashëm me këtë periudhë, pastaj shndërrohet në mish ngjashëm me këtë periudhë…”, hadithi aludon se njeriu gjatë njëqind e njëzet ditëve kalon nëpër tri etapa zhvillimi, në çdo dyzet ditë kalon në etapë të re zhvillimi, d.m.th. dyzetëshin e parë është farë-ujë, në të dytin gjak i ngjizur dhe në të tretin copë mishi. E, pas përfundimit të këtyre etapave i vjen meleku dhe i fryn shpirtin.
Mirëpo, në bazë të studimeve mjekësore bashkëkohore në fushën e embriologjisë dhe të gjinekologjisë, mendimet e mjekësisë bien ndesh me atë që miratuam më herët, ngase mjekësia thotë se të tri etapat e posatheksuara arrihen në fund të javës së gjashtë të fekondimit, apo mbas dyzetë ditësh apo dyzetë e dy apo pesë ditësh. Mirëpo, këtë miratim të mjekësisë e verifikojnë edhe shumë hadithe të sakta nga Pejgamberi alejhi selam, e ndër to mund të veçojmë:
A) Buhariu shënon se “Krijimi i ndokujt nga ju grumbullohet në barkun e nënës së tij -mitrën e saj, brenda dyzet ditëve, pastaj qëndron si gjak i ngjizur si dhe faza e parë, pastaj qëndron si copë mishi si dhe faza e parë.”
B) Muslimi shënon se “meleku depërton në farë, pasi fara të stabilizohet në mitër brenda dyzetë ditësh apo dyzet e pesë netësh dhe thotë: “I mjerë apo i lumtur? dhe i shënohen atij…”
Prandaj shumë mjekë muslimanë dhe jomuslimanë si dhe shumë juristë bashkëkohorë mendojnë se embrioni i njeriut kompletohet në fund të gjashtë javëve pas fekondimit, kështu që dhe në këtë fazë i fryhet edhe shpirti.
Mjekësia bashkëkohore një gjë të tillë e ka verifikuar edhe përmes aparaturës moderne bashkëkohore, përmes ultrazërit. Gjithashtu, gjinekologët kanë ardhur në përfundim se fetusi në këtë fazë lëviz dukshëm në stomakun e femrës. Por dhe nëse ndodh abortimi në këtë fazë, shohim se tashmë është kompletuar embrioni, praktikisht është kompletuar konstrukti i njeriut.
Mirëpo, shtrohet pyetja se a janë këto dëshmi bazë që verifikojnë çështjen rreth së cilës ne po debatojmë, kur dihet se edhe nëse është kompletuar konstrukti i njeriut, nuk do të thotë se i është dërguar shpirti, e aq më tepër kur aj lëviz, sepse lëvizje bën edhe vetë sperma, sepse është e gjallë dhe si e tillë lëviz. Pikërisht për këtë, këto teori nuk i kanë pranuar një numër i madh juristësh islamë nga e kaluara dhe e tanishmja si dhe nuk i kanë pranuar një numër i madh mjekësh muslimanë.
Fjala: “Pastaj Allahu e dërgon një engjëll (melek), i cili fryn në të shpirtin dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra: riskun e tij, exhelin e tij, punët që do të kryejë dhe a do të jetë i lumtur apo i mjerë.”
Edhe rreth kësaj pjese të hadithi janë transmetuar versione të tjera të ndryshme, si p.sh.:
A) Buhariu shënon se: “pastaj Allahu dërgon një melek me katër gjëra dhe ia shënon atij punën që do punojë, exhelin e tij, riskun e tij, i mjerë do të jetë apo i lumtur e pastaj i fryn shpirtin atij…”
Ky hadith bie ndesh me hadithin e temës, sepse në këtë hadith shënon se një herë i shkruan meleku njeriut katër gjërat e sipërshënuara e më pas i fryn shpirtin, kurse në hadithin e temës është e kundërta. Dijetarët islamë këto dhe transmetime të ngjashme i kanë bashkuar në këtë mënyrë, duke pohuar se arsyet që argumente të tilla të sakta të jenë të ndryshme janë disa:
1) Kjo mund të ndodhë nga vetë transmetuesit, sepse ata e kanë transmetuar ngjarjen në bazë të kuptimit të tyre.
2) Mund të jetë ndryshimi i rregullimit të informimit e jo rregullimi i veprave të informuara.
3) Mund të jetë që fillimisht të jenë shënuar këto gjëra në fletushkë e më pas për herë të dytë i shënohen fëmijës.
4) Mund të ketë ndryshim prej fëmijës në fëmijë; dikujt mund t’i shkruhen këto gjëra para e dikujt pas dërgimit të shpirtit.
5) Dijetarët janë munduar që t’i bashkojnë transmetimet dhe mendimet dhe ndër pohimet e tyre është se shkrimi i tyre ndodh dy herë; herën e parë në qiell dhe herën e dytë në barkun e nënës. Kështu që konkludojmë se mendimi më i saktë është se fillimisht i dërgohet fëmijës shpirti e më pas i shkruhen katër gjërat. Allahu e di më së miri!
B) Imam Ahmedi shënon se: “Allahu xh.sh. dërgon tek ai një melek nga melekët…”
Nuk është definuar emri i këtij meleku me ndonjë emër të veçantë, prandaj dhe njihet si meleku i fryrjes së shpirtit të njeriut.
C) Shënon Imam Ahmedi gjithashtu se Pejgamberi alejhi selam ka thënë:“…kur Allahu do ta plotësojë krijimin e njeriut, dërgon tek ai një melek dhe thotë meleku: “O Zot, çfarë do të jetë mashkull a femër, i mjerë a i lumtur, i shkurtër a i gjatë, i plotë a me të meta, furnizimi i tij, exheli i tij, i shëndoshë apo i sëmurë?” Tha transmetuesi: “I shënohen të gjitha këto nga ana e melekut.”
D) E ka nxjerrë hadithin Imam Muslimi në sahihun e tij dhe Taberaniu në sunenin e tij të madh nga Ebu Zubejr Mekiju, se Amir ibën Vailete i ka treguar duke thënë se e ka dëgjuar Abdullah ibën Mes’udin duke thënë: “I mjerë është ai që është mjeruar në barkun e nënës së tij dhe i lumtur është ai që është këshilluar me të kundërtën.” Më pas erdhi një nga shokët e të Dërguarit alejhi selam, i cili quhej Hudhejfete ibën Usidi el-Gifari, të cilin e njoftoi për fjalët e Abullah ibën Mes’udit dhe i tha: “Si ka mundësi që njeriu të jetë i mjeruar pa punuar asnjë vepër?” Ia ktheu njeriu (që erdhi më vonë): “Ju po çuditeni nga kjo? Unë e kam dëgjuar Pejgamberin alejhi selam duke thënë: “Kur të kalojnë dyzet e dy ditë nga fekondimi, Allahu e dërgon një melek i cili ia jep pamjen, ia përcakton të dëgjuarit, të pamurit, lëkurën, mishin dhe eshtrat, pastaj thotë: “O Zot, a do të jetë mashkull apo femër?” Allahu i cakton çka të dojë, kurse meleku shënon, pastaj thotë: “O Zot, exheli i tij?” Thotë Allahu sa të dojë, kurse meleku shënon, pastaj thotë: “O Zot, risku i tij?” I cakton Allahu sa të dojë, kurse meleku shënon. E më pas meleku sjell fletushkën e mbajtur në dorën e tij, që as nuk shton nga ajo që është urdhëruar e as nuk mungon.”
La ilahe ilallah! Për Allahun, këto janë hadithe që e tronditin mendjen e njeriut, e rrisin besimin e muslimanit, e forcojnë bindjen dhe mbyllin rrugët e dyshimit. Nga hadithet e lartpërmendura përfitojmë se Allahu i Lartësuar me mëshirën e Tij ndaj robërve të Tij ua ka zgjidhur robërve të Tij preokupimet ende para se ta shijojnë thithjen e parë të ajrit në jetën e kësaj bote.
Risku apo furnizimi është një ndër preokupimet njerëzore e në fakt është mjet jetese dhe feja islame i është përkushtuar dhe ka koordinuar ligje të veçanta për të. Në anën tjetër, në saje të mospërfilljes së këtyre ligjeve, pasuria ka shkaktuar jo rrallëherë edhe akte kriminale, madje shumë popuj janë eliminuar nga sipërfaqja e dheut për shkak të saj.
Ashtu siç ka qenë preokupim pasuria në të kaluarën, është edhe në të tashmen, mirëpo muslimani duhet të ecë paralelisht mes ligjeve të koordinuara nga Krijuesi i njerëzve dhe i pasurisë së tyre, prandaj nuk duhet të jetë arsye e moskryerjes së urdhrave të Krijuesit të pasurisë grumbullimi i pasurisë, apo vrapimi për grumbullimin e saj. Një alternative e tillë e mundshme është cilësi e njeriut, pra natyra e njeriut instinktivisht anon kah grumbullimi i saj, dhe e do atë. Për këtë, edhe Allahu xh.sh., kur flet mbi cilësitë e dobëta të njerëzve si dhe dëshirat e tyre, thotë:
“Dhe pasurinë e doni së tepërmi.” (El Fexhr, 20)
Mirëpo, Allahu i Madhëruar na e ka tërhequr vërejtjen në shumë citate kuranore, që të jemi të kujdesshëm ndaj pasurisë, sepse shumë popuj dhe njerëz i ka çuar në humbje pasuria, prandaj edhe ju mund t’ju humbë. Po si jo! Po t’i shohësh muslimanët në ditët e sotme se si vrapojnë për të grumbulluar pasuri, do të thuash: “Sikur të ishte vrapimi i tyre për të kërkuar xhenetin, do ishte fat i madh!”
Por edhe nëse i interviston muslimanët që nuk falin namazin apo nuk i përgjigjen thirrjes së muezinit, përgjigja e tyre do jetë: “Duhet të punojmë, të mbajmë familje”, etj..
Për shkak të rrezikut të madh që mund t’i kanoset muslimanit në këtë botë, e aq më tepër në ahiret, Allahu na tërheq vërejtjen në Kuranin Fisnik duke na njoftuar që të jemi të kujdesshëm ndaj pasurisë dhe mos ta zhgënjejmë vetveten me arsye të Iblisit e t’i shmangemi faljes së namazit, agjërimit e obligimeve të tjera me pretekst se duhet të punojmë. A thua vallë muslimanët e tjerë ushqehen me ajër? Thotë Allahu në Kuran:
“O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej adhurimit ndaj Allahut. E, kush bën ashtu, të tillët janë mu ata të humburit.” (Elmunafikun, 9)
Ku është defekti? Problemi qëndron në atë se muslimanët nuk i njohin ligjet e tyre fetare dhe bien ndesh me parimet islame. Sikur ta dinin këtë rregull që Allahu ua ka caktuar, pra riskun, ende pa lindur ata, do ishin më principialë në përfilljen e ligjeve të Allahut. Edhe ne, por edhe të tjerët kemi familje dhe jetojmë e ushqehemi, por nuk ka arsye që t’u shmangemi urdhrave të Allahut me arsye të Iblisit. Këtë pra dëshiron ai, që t’i devijojë njerëzit.
Prandaj, o rob i Allahut, kuptoje që Allahu ta ka siguruar pasurinë ty ende para se të lindësh, kërkoje ti atë, por kërkimi yt le të jetë në suaza të ligjeve të Allahut.
Exheli: Edhe çështja e exhelit, momentit të vdekjes dhe kohës së saj, është e përcaktuar nga Allahu Fuqiplotë para se të lindë njeriu. Allahu xh.sh. me mëshirën e Tij këtë e mbajti sekret dhe kjo është në dobi të njerëzimit. Ashtu siç na ka shfaqur Allahu shumë prej krijesave të e Tij, do ishte e mundshme dhe e pakontestueshme edhe shfaqja e afatit të jetës për secilin nga njerëzit, mirëpo a thua vallë njerëzit do të ndienin harmoni, lumturi, etj.? Jo, patjetër, prandaj Allahu xh.sh. me mirësinë e Tij që ka ndaj robërve të Tij këtë e ka mbajtur sekret për ne që, sado pak, për disa ditë të numëruara, të shijojmë ndonjë kënaqësi, mirësi, etj..
Gjithashtu, duhet ditur se çështja e exhelit është vendim i prerë nga Allahu, nuk ka mundësi që dikujt nga njerëzimi t’i vijë exheli më herët, para kohe, ose t’i vonohet, pa marrë parasysh mjetet dhe shkaqet që ndikojnë në vdekjen e njeriut. Ato mund të jenë vetëm arsye, e cila, nëse nuk është e justifikueshme, praktikisht e lejuar, pasojnë dënimet juridike fetare, siç thotë Allahu në Kuran:”فإذا جاء أجلهم لا
يستأخرون ساعة و لا يستقدمون . الأعراف 34
“… e kur t’u vijë afati-exheli i tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të përngutet më parë.” (El a’rafë, 34)
Puna: Ndër veprat që i përcaktohen njeriut pasi t’i dërgohet shpirti është dhe puna e tij, që nënkupton se Allahu shënon se çfarë ka për të punuar ky njeri. Edhe kjo procedurë është sekrete për njeriun dhe askush nga krijesat e Allahut nuk mund ta zbulojë këtë, qoftë Profet i dërguar apo melek i afruar. Nga ky kontest ne duhet t’i përmbahemi Kuranit dhe Sunetit (ashtu siç e kanë kuptuar të parët tanë të mirë) dhe çdokush që vepron ndonjë vepër të ndaluar me pretendimin se më është shkruar për ta punuar, si p.sh.: një njeri i cili pi verë apo manipulon me kamatë dhe arsyetohet me arsye të Iblisit duke pohuar se kjo më është shkruar që ta punoj, pyetja që i parashtrohet këtij personi është: A mos vallë ti e ke zbuluar fshehtësinë e Allahut dhe e ke parë se çfarë të ka rezervuar ty Allahu që të punosh?
Përgjigja e paluhatshme është pa dyshim se ky këtë kurrë s’mund ta bëjë, ngase Allahu nuk e ka lënë këtë çështje në dorë të njerëzve. Sikur të ishte kjo punë e tillë, njerëzimi do ishte shkatërruar prej kohësh.
Por ne themi që Kurani dhe Suneti na ka treguar se çka të punojmë dhe nga çka të largohemi, prandaj çdokush që mundohet të arsyetohet për veprim jo të ligjshëm, apo për ndonjë vepër të ndaluar, se këtë mua ma ka caktuar Allahu, dijetarët islamë thonë se ky arsyetim është i pajustifikueshëm dhe ky person është në humbje.
Mjerimi dhe lumturia: Edhe kjo çështje, e cila është e shënuar për njeriun ose kundër tij, është sekrete. Dijetarët islamë thonë se kjo çështje ka të bëjë me botën e ardhme. Prandaj, edhe të parët tanë të mirë, kur i kanë lexuar këto hadithe, janë alivanosur pranë tyre dhe ka ndodhur që me vite të tëra nuk kanë mundur të shijojnë ndonjë kënaqësi e as ta ndiejnë shijen e ushqimit. Andaj duhet ta kemi frikë Allahun, se askush nga ne nuk e di se cili do të jetë pozicioni i tij ditën kur do të zbulohen fshehtësitë, kështu që ne si muslimanë duhet të jetojmë në mes këtyre paralelizmave në këtë botë; në mes frikës dhe shpresës.
Në hadithin e temës është përmendur edhe kjo, se meleku i cili fryn shpirtin i shkruan njeriut katër gjëra. Bie fjala, ku i shkruhen njeriut këto gjëra?
Sipas një hadithi, këto gjëra i shkruhen njeriut në mes të dy syve të tij, siç transmetohet nga Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: “Ka thënë Pejgamberi alejhi selam: “Kur Allahu e krijon njeriun dhe shpirtin e tij, thotë meleku i dërguar për fryrje të shpirtit: “O Zot, mashkull apo femër?” Allahu ia cakton atij atë që dëshiron, pastaj thotë (meleku): “O Zot, i mjerë apo i lumtur?” Allahu ia cakton atij atë që dëshiron,… Pastaj ia shënon në mes të syve të tij atë që do ta gjejë, saqë edhe ndodhitë që do t’i ndodhin.” (Bezari në musned, Darimiu, Ebu Jala, Ibën Hibani, hadithi është i dobët)
Ndërsa sipas hadithit të cilin e ka nxjerrë imam Muslimi, që e kemi theksuar më herët, se këto gjëra i shënohen në fletushkë.
Në saje të asaj që kemi theksuar më lart, është e mundur që t’i shënohen një herë këto gjëra në fletushkë e një herë në mes të syve.
Fjalët: “Pasha Allahun, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet me të drejtë), ndonjëri nga ju do të punojë vepra nga veprat e banorëve të xhenetit…”, janë pjesa më e ndjeshme e hadithit, nga këtu rrëqethen lëkurat, frikësohen zemrat dhe rrjedhin lotët. Të parët tanë, kur i lexonin apo dëgjonin këto hadithe, alivanoseshin dhe me kohë të tëra nuk kthjelleshin nga frika ndaj Allahut të Madhëruar. Kjo pjesë e hadithit flet për një çështje shumë të rëndësishme, për fundin e njeriut, që është gjëja më kryesore në jetën e njeriut, dhe se veprat në Islam shpërblehen sipas fundit, prandaj kjo ka bërë që të parët tanë të frikësohen.
Betimi i Pejgamberit alejhi selam në Allahun xh.sh. nënkupton se është duke na treguar për një çështje tejet të rëndësishme, prandaj vini re dhe të jeni të kujdesshëm.
Nga kjo pjesë e hadithit gjithashtu përfitojmë se lejohet betimi në Allahun xh.sh.. Një vepër e tillë nuk është e papëlqyer- mekruh, në raste të nevojës apo me arsye.
Pjesa e fundit nga ky hadith përveçse vërteton fuqishëm shtyllën e gjashtë të besimit- besimin në caktimin e Allahut, na njofton gjithashtu për fundin e jetës së njeriut, e që faktikisht është çështja kryesore, ngase sipas fundit shpërblehen veprat.
Për fjalën në hadith: “që ndonjëri nga njerëzit punon punë të banorëve të xhenetit dhe një kut para se të hyjë në të…”, thonë dijetarët islamë se me këtë është për qëllim afërsia, e jo vetë mjeti matës- kuti, por afati shumë i shkurtër i mbetur nga jeta e tij. Gjithashtu është e nevojshme t’ju bëjmë të ditur se për qëllim është mbarimi i jetës së tij e jo futja e tij në xhenet, pra, derisa të mbetet mes tij dhe xhenetit, fjala është për exhelin e tij, ngase ky person ka punuar punë nga punët e xhenetit ashtu siç u duket njerëzve– në sy të njerëzve, mirëpo brendësia e tij ka qenë e prishur. Faktikisht nijeti i tij nuk ka qenë i pastër, siç dhe është transmetuar në disa versione:
“Transmeton Sehl ibën Saidi, nga Pejgamberi alejhi selam, i cili ka thënë:“Njeriu do të punojë vepra nga veprat e banorëve të xhenetit ashtu siç u duket njerëzve- siç ata e vlerësojnë, por ai është nga banorët e zjarrit, apo punon vepra të banorëve të zjarrit– xhehenemit, ashtu siç u duket njerëzve- siç ata e vlerësojnë, por ai është nga banorët e xhenetit.”(Buhariu dhe Muslimi)
Transmeton Ebu Hurejrete nga Pejgamberi alejhi selam: “Ndodh që njeriu punon kohë të gjatë vepra të banorëve të xhenetit, pastaj i vulosen atij veprat e tij me vepra të banorëve të xhehenemit dhe ndodh që njeriu punon vepra të banorëve të xhehenemit, pastaj i vulosen atij veprat e tij me vepra të banorëve të xhenetit.”
I paraprin caktimi, d.m.th. ajo që i është caktuar atij në barkun e nënës së tij dhe që fillimisht është shënuar në Levhi Mahfudh, që do të thotë se kundërshton vepra e tij atë që i është caktuar më herët.
Prej urtësisë së asaj që Allahu i ka bërë veprat si mjet të kënaqësisë apo të mjerimit për njerëzit është ngase Allahu xh.sh. i ka krijuar krijesat dhe e ka ditur se ç’do të punojnë ata. Dhe sikur t’i kënaqte ata apo t’i dëshpëronte vetëm me diturinë e Tij, do t’i vishej Allahut të Lartësuarndonjë shpifje në gjykimin dhe vendimin e Tij. Mirëpo Allahu xh.sh. është i Urtë në drejtësinë e Tij, kështu që urtësia kërkon largimin nga dyshimet e mundshme të shpifjes, edhe nëse një shpifje e tillë mund t’i vishet nga mendjelehtët. Kështu që sikur Allahu i Lartësuar t’i dënonte disa nga njerëzit për shkak të diturisë paraprake të Tij rreth tyre, do t’i vishnin Allahut shpifje (në padrejtësi), prandaj Allahu e ka larguar këtë shpifje të mundshme me ngarkesat- obligimet ndaj tyre dhe më vonë janë shfaqur mëkatet e tyre. Kjo është dhe fshehtësia e citatit kuranor:
“…ashtu që pas dërgimit të të Dërguarve njerëzit të mos kenë fakt(arsyetim) para Allahut…” (En Nisaë, 165)
Kjo na bën të qartë se fundi vjen sipas asaj që është përcaktuar më herët. Ana e jashtme e veprave nuk çon peshë në realitetin e kësaj çështjeje, mirëpo ana e jashtme luan vetëm rolin e veprave sinjalizuese.
Në këtë rast shtrohet pyetja: Si mund t’i bashkojmë këto dy argumente, pra ajo që është transmetuar në hadithin e temës se njeriu mund të punojë vepra të banorëve të xhenetit derisa të jetë mes tij dhe saj vetëm një kut… dhe kuptimi i citatit kuranor:
”…..s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës.” (El Kehf, 30)
Citati kushtëzon veprën, por që të jetë e pranuar, që d.m.th. se kush e përmirëson veprën me sinqeritet i përmbyllet me pranim dhe mbarësi.
Thotë Ibën Rexhepi: “Sa i përket fjalës në hadith: “ashtu siç u duket njerëzve”, sinjalizon se pamja e brendshme kundërshton të jashtmen dhe se fundi i keq është si shkak i bindjes së keqe të brendshme, të cilën nuk ka mundësi ta shohin të tjerët. Gjithashtu dhe njeriu mund të punojë vepra të banorëve te xhehenemit, mirëpo në brendësinë e tij ka ndonjë cilësi nga cilësitë e fshehta që janë të mira, e që në fund të jetës së tij i paraprin, e mund të kundërtën, dhe i siguron fund të mirë.
Lusim Allahun që t’i përmbyllë veprat tona dhe të të gjithë muslimanëve me të mira!
Në disa transmetime thuhet: “Secilit nga ju i është caktuar një vend në xhenet dhe një vend në xhehenem.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, a t’i mbështetemi caktimit dhe ta lëmë punën?” Tha: “Punoni, se secilit nga ju i është lehtësuar ajo për çka është krijuar. Ai që është nga banorët e lumtur i lehtësohen punët e banorëve të lumturisë, ndërsa ai që është nga banorët e dëshpëruar i lehtësohen veprimet e banorëve të dëshpëruar”, pastaj citoi këto citate:
“E, sa i përket atij që jep dhe ruhet dhe vërteton bindshëm për më të mirën…” (El-Lejl, 5-10) (Buhariu nga Aliu r.a.)
Kurse në transmetimin e Imam Buhariut nga Sehl ibën Sa’di, ka thënë: “Thotë Pejgamberi alejhi selam: “Vërtet veprat shpërblehen sipas fundit të tyre.”
Pra, fundi i jetës së njeriut është çështja më kryesore, prandaj nuk ka fund të mirë pa nijet të mirë dhe pa përmirësim të veprave. Duhet t’i përkushtohemi anës së brendshme më tepër se të jashtmes, ngase nëse e kemi përmirësuar të brendshmen e jashtmja përmirësohet lehtë, që është e kundërta me të jashtmen.
Ndër hadithet që rrëqethin trupin dhe bëjnë që të frikësohet zemra e besimtarit është dhe hadithi të cilin e transmeton Buhariu në koleksionin e tij nga Sehl Ibën Sa’di, i cili thotë: “Pejgamberi alejhi selam shikonte një njeri i cili i luftonte ateistët dhe tha: “Kush dëshiron të njohë një njeri nga banorët e xhehenemit le ta shikojë këtë njeri.” E përcolli atë një njeri, derisa u plagos dhe kërkoi shpejtimin e vdekjes dhe tha se vendosi shpatën e tij në mes të gjoksit, ra mbi të derisa i doli nga kraharori i tij (d.m.th ka vrarë veten). Tha Pejgamberi alejhi selam: “Vërtet robi punon ashtu siç u duket njerëzve punë të banorëve të xhenetit, por ai është nga banorët e xhehenemit, por dhe punon ashtu siç u duket njerëzve punë të banorëve të xhehenemit, por ai është nga banorët e xhenetit dhe kujdes se veprat shpërblehen sipas fundit të tyre.”
Atij që i është përcaktuar kënaqësia, Allahu ia rrotullon zemrën e tij në momentet e fundit të jetës së tij në iman dhe vepra të mira e të pranuara. Mirëpo thonë dijetarët islamë, nga kjo kategori e njerëzve janë fare pak (nga ato që janë banorë të xhehenemit e punët i kanë të banorëve të xhenetit).
I falënderuar qoftë Allahu!
- Dobitë nga hadithi
Nga ky hadith mund të nxjerrim dobi të ndryshme e në lëmi të shumta, qoftë nga lëmi i besimit, i fikhut-jurisprudencës islame, i edukatës dhe i thirrjes islame. Meqenëse pjesërisht më herët jemi munduar të shkoqisim disa nga llojet e dobive të sapotheksuara, qoftë edhe në mënyrë të shkurtër, desha të veçoj për shpjegim një çështje juridike shumë të rëndësishme.
- Realiteti i abortit në Islam dhe në shkencë
Ndër çështjet juridike që ka qenë me interes njerëzor dhe preokupim nga të gjitha shoqëritë njerëzore është dhe çështja e abortit. Historia njerëzore nuk njeh ndonjë krim më të madh që i është shkaktuar njerëzimit me tepër sesa nga aborti, prandaj aborti çdoherë ka qenë temë diskutimi e mjekëve, filozofëve, avokatëve dhe teologëve nga këndvështrimeve të ndryshme. Kjo ka bërë që intelektualët e të gjitha kohëve t’i përkushtohen kurimit të kësaj plage të pashëruar dhe të marrin hapa konkretë për pengimin e një veprimi të tillë.
Kjo epidemi vjen si rezultat i motiveve të ndryshme. Bie fjala, në disa shoqëri ka qenë motivi social dhe rreziku i pamundësisë së furnizimit që ka rezultuar në iniciativën e abortit. Te disa të tjerë motivi shoqëror, i humbjes së gjurmëve të imoralitetit, por duke mos anashkaluar edhe motive të tjera, si: rreziku i jetës së femrës shtatzënë apo gjendja e keqe shëndetësore e fetusit.
Nga ky këndvështrim duam t’i bëjmë një qasje studimore abortit edhe në shoqëritë e hershme, para se të flasim rreth qëndrimit juridik të fesë islame si dhe qëndrimit juridik botëror nga e kaluara dhe e tanishmja.
- Çfarë nënkuptojmë me abortin?
Pasi aborti më tepër i përket fushës së mjekësisë, por nuk e kanë anashkaluar as avokatët e aq më tepër jurisprudenca islame, gjatë studimit tonë (modest) mbi këtë çështje juridike kemi hasur se në të gjitha fushat e kaluara është përshkruar aborti përafërsisht me një rregull të njëjtë, siç thuhet: Nxjerrje e embrionit nga mitra para kohës së paraparë (para se t’i mbushë njëzet javë), qëllimisht, pa farë arsye, me çfarëdo mjeti qoftë.
- Këndvështrim historik rreth abortit
Përcaktimi i shtatzënisë njihet te njerëzimi qysh nga kohët e lashta, duke përdorur mjete të ndryshme. Hapi i parë që u bë në këtë drejtim ishte pengimi i shtatzënisë e nëse kjo metodë nuk kishte sukses, merreshin hapat iniciues të abortit. Edhe pse me një ekonomi mesatare, ndodhte që edhe pas lindjes fëmija të vritej në disa shoqëri mesjetare. Arsyeja kryesore ishte ose se femra nuk donte të lindte fare, ose, nëse ndodhte shtatzënia, femra donte që në çdo mënyrë të lirohej nga barra. Është verifikuar nga shumë mjekë gjinekologë, sociologë dhe avokatë se në shumicën e rasteve vetë femra nuk është e interesuar që pas verifikimit të shtatzënisë së saj ta vazhdojë atë. Mirëpo, kundër dëshirës së vet, femra ngelte shtatzënë, sepse mjetet e pengimit të saj nuk kishin sukses.
Ndoshta mjetet më të vjetra për pengimin e shtatzënisë janë ato që kanë shënuar librat e hershëm egjiptianë, të ashtuquajtura “Egyptian kahun”, që datojnë nga viti 1850 para erës sonë. Libri i mirënjohur “The Ebers Papyrus 1500” numërohet libri më i vjetër në botë në këtë lëmi, por dhe libri ndoshta i parë i shkruar si libër.
Edhe pse në fakt aborti ka ekzistuar në shoqëri të hershme, gjithnjë është tentuar që të bëhet një rregullim administrativ i kësaj çështjeje nga qarqet gjyqësore apo fetare. Ndër ligjet gjyqësore që është marrë me rregullimin e kësaj procedure është ligji i sumerëve, 2000 vite para erës së re, pastaj ligji “Anshur”, 1500 vite para erës së re, ligji i “Hamorabit”, 1300 vite para erës së re, që numërohet nga ligjet administrative juridike më të vjetra në botë. Mund të përmendim edhe ligjet hinduse, 1200 vite para erës së re, etj.. Që të gjitha këto ligje janë munduar të bëjnë rregullimin e abortit si dhe kanë disponuar edhe masa ndëshkuese ndaj atyre që kanë marrë hapa të tillë.
Në bazë të këtyre ligjeve juridike të hershme, nga këto pak ligje që sollëm, mund të konkludojmë se që në të kaluarën e hershme e kanë kuptuar se aborti është një virus shkatërrues i njerëzimit, prandaj dhe kanë marra hapa konkretë për ta penguar zhvillimin e tij.
Filozofët më të njohur grekë, si Platoni, Aristoteli etj., e shihnin abortin si diçka të ligjshme. Në një gjendje të tillë ishin edhe romakët. Baballarët në kohën e Spartës posedonin diçka edhe më të rëndë se aborti, posedonin të drejtën e mbytjes së foshnjave të porsalindura. Ky ligj ishte i miratuar në Athinë dhe Romë.
Ndërsa sa i përket qëndrimit të Hipokratit, i cili konsiderohet baba i mjekësisë, ai mbi abortin thoshte: “Aborti është vepër jo morale.”
Kurse në fetë qiellore hyjnore, te çifutët dhe kristianët, aborti llogaritet si vepër e ndaluar rreptësisht dhe kryesi i veprës ndëshkohet.
Ajo që ndodhte në shoqërinë arabe, në Gadishullin Arabik, është e papërshkrueshme dhe e tmerrshme. Aborti ishte vepra më e lehtë e krim krahas të tjerave, ngase shumë nga fiset arabe i mbytnin foshnjat e tyre të porsalindura. Këtë e bënin nga frika e furnizimit si krizë sociale dhe ndiheshin të turpëruar. Kështu i ka përshkruar Allahu gjendjet e tyre në Kuranin Fisnik, duke thënë:
“Kur ndonjëri prej tyre lajmërohej me(lindjen) vajzë, fytyra e tij i prishet dhe bëhet plot mllef. Fshihej prej njerëzve për shkak të asaj të keqeje me të cilën u lajmërua (e konsideron bela e jo dhuratë prej Allahut). Mandej (mendon) a do ta mbajë atë, ashtu i përulur, apo do ta mbulojë atë (të gjallë) në dhe. Sa i keq është ai gjykim i tyre.” (En-nahl, 58-59)
Kurse sa u përket mjekëve të hershëm muslimanë, disa prej tyre kanë përdorur disa metoda të abortit gjatë kohës së tyre, duke përdorur medikamente natyrore dhe e shihnin si të lejuar abortin në disa raste të veçanta, si p.sh. kur femra me barrë ishte me trup të vogël dhe kishin frikë gjatë lindjes së saj, apo dhe kur në murin e mitrës paraqitej ndonjë infeksion serioz që pengonte daljen e fëmijës, mirëpo kishte edhe nga ta që nuk lejonin abortin në rate të tilla.
- Qëndrimi i ligjeve juridike bashkëkohore botërore mbi abortin
Do mundohem që në mënyrë shumë të shkurtër të përshkruaj qëndrimet juridike të disa shteteve botërore bashkëkohore mbi abortin, me qëllim që të na bëhet e qartë fillimisht qëndrimi juridik i këtyre shteteve, pastaj se si këto shtete i mbrojnë të drejtat njerëzore edhe gjatë kësaj faze të zhvillimit njerëzor dhe njëkohësisht të bëjmë një krahasim mes këtyre ligjeve dhe ligjeve juridike islame.
A) Ligjet juridike të ShBA-së
ShBA-të numërohen ndër shtetet të cilat e lejojnë juridikisht abortin në gjashtëmujorin e parë të shtatzënisë, nëse këtë e kërkon femra-nëna, pa marrë parasysh a ka arsye apo jo. Lidhur me këtë, Gjykata Supreme në ShBA pohon: “Femra ka të drejtën e kërkimit të abortit dhe të përfundimit të shtatzënisë që nuk e dëshiron. Pengimi i një të drejte të tillë femrës kërcënon të drejtat e femrës dhe liritë e saj”. Mirëpo një lejim i tillë është i kushtëzuar nga vetë Gjykata Supreme, që bën të qartë se nëse kalojnë gjashtë muaj nga shtatzënia, gjykata merr vendim për ruajtjen e së drejtës shëndetësore të nënës dhe të fëmijës.
Gjykata Supreme në ShBA gjithashtu ka qëndrim se nëse fetusi ka arritur në javën e 24-ët apo të 28-të, nuk lejohet aborti, pos në raste të veçanta për t’i shpëtuar jetën nënës, mirëpo gjithashtu nuk e lejon abortin nëse bëhet fjalë për ruajtjen shëndetësore dhe psikike të nënës.
B) Ligjet juridike në Francë
Lejohet aborti brenda dhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kusht të plotësimit të disa kritereve. Ky është ligji në fuqi i cili daton nga 17 korriku i vitit 1975, ndërsa në vitin 1979 është zyrtarizuar ky ligj, i cili i mundëson femrës që të vendosë personalisht për ndërprerjen e shtatzënisë brenda dhjetë javëve të para, duke mos u konsultuar me kujdestarin e saj e as me gjykatësin përkatës.
C) Ligji juridik në Gjermani
Ligji juridik gjerman i nxjerrë më 5 qershor të vitit 1974 merr këto vendime:
-Ai që kryen ndërprerjen e shtatzënisë brenda 13 ditëve të para të shtatzënisë dënohet me heqje lirie për një periudhë trevjeçare, ose me gjobë. Nëse aborti kryhet pa vullnetin e nënës shtatzëne, ose me ndikim të krimit dhe dëmtohet shtatzënia, personi dënohet me heqje lirie nga gjashtë muaj deri në pesë vite.
-Ligji juridik lejon abortin brenda dymbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, nëse femra shtatzënë është goditur nga ndonjë sëmundje që rrezikon jetën e saj, mirëpo kërkohet nga mjeku përkatës që të prezantojë raport të veçantë lidhur me rastin para se të kryejë abortin.
D) Ligji juridik në Britani
Ligji juridik britanik deri në vitin 1524 i ekzekutonte ata që kryenin abort, mirëpo ky ligj është ndryshuar duke lejuar abortin nëse rrezikohet gjendja shëndetësore e psikike e femrës, nëse dëmtohet fëmija apo verifikohet se fetusi është me të meta.
E) Ligji juridik në ish-Bashkimin Sovjetik
Bashkimi Sovjetik numërohet ndër shtetet e para që kanë lejuar abortin, që nga viti 1920, kurse në vitin 1935 e ndaloi abortin për shkak të vdekshmërisë nga ky veprim. Ndërsa në vitin 1955 prapë merret vendimi i lejimit të abortit. Këtë rrugë e ndoqën edhe shumë shtete të tjera laike, me përjashtim të Shqipërisë dhe të shteteve evropiane lindore, si Polonia, Çekosllovakia etj..
Shteti i parë jo laik që ka lejuar abortin është Japonia, në vitin 1948, nëse këtë e kërkon nëna, qoftë edhe pa ndonjë arsye.
Abortin e kanë lejuar gjithashtu edhe këto shtete: Kina, Italia-Vatikani dhe pjesa dërmuese e shteteve evropiane.
Sa i përket ligjeve juridike penale kosovare, Kosova sot nuk e ka ligjin e vet penal, por në fuqi është ende ligji penal i ish-Jugosllavisë, përkatësisht ligji penal i Ks-Kosovës të vitit 1977.
Në këtë ligj penal të Kosovës në pjesën e II, kreu VI I dedikuar për veprat penale kundër jetës dhe trupit, aborti apo ndërprerja e shtatzënisë është e paraqitur vetëm në nenin 37 i përbërë prej 4 paragrafëve. Këtu nuk qartësohet dhe nuk kemi fare nene a paragrafë që tregojnë se në cilën kohë të shtatzënisë është e lejuar, përkatësisht është e ndaluar me ligj kryerja e abortit.
Kurse në kodin e përkohshëm penal të Kosovës neni 152 janë paraqitur vetëm 3 paragrafë, si vijon:
(1) Kushdo që në kundërshtim me dispozitat ligjore mbi ndërprerjen e shtatzënisë dhe me pëlqimin e gruas shtatzënë ndërpret shtatzëninë, fillon ta kryejë ndërprerjen e shtatzënisë ose i ndihmon që ta ndërpresë shtatzëninë dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.
(2) Kushdo që e ndërpret ose fillon ta ndërpresë shtatzëninë pa pëlqimin e gruas shtatzënë dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
(3) Nëse vepra penale nga paragrafi I ose 2 i këtij neni rezulton në lëndim të rëndë trupor, me dëmtim të rëndë të shëndetit ose me vdekje të gruas shtatzënë, kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet për vepër penale nga paragrafi 1 ose më së paku tre vjet burgim për veprën penale nga paragrafi 2.
Ligji penal i lartpërmendur në mënyrë globale nuk e lejon abortin, por nuk ka ndonjë rregullore të veçantë për të definuar kohen e caktuar. Mirëpo në bazë të hulumtimeve që kemi bërë, gruaja në Kosovë e ka të drejtën e abortit deri në javën e 10 pas fillimit të shtatzënisë, ndërsa deri në javën e 12 e lejon komisioni i shkallës së parë. Pas javës së 13 nuk lejohet aborti, vetëm nëse rrezikohet shëndeti i gruas dhe jeta e saj.
- Qëndrimi juridik vendor në shtetet islame mbi abortin
Shteti i parë islam i cili ka lejuar abortin me ligje juridike vendore është Tunizia, edhe pse me disa kritere paraprake, si p.sh. lejohet aborti për atë që ka mbi pesë fëmijë. E më pas e ka lejuar abortin edhe në bazë të kërkesës brenda tre muajve të parë të shtatzënisë. Këtë lejim e ka bërë edhe shteti i Jemenit Demokratik (Jemeni jugor i hershëm), nëse numri i fëmijëve kalon treshin.
Gjithashtu edhe Turqia e lejon abortin me disa kritere paraprake, si nëse e tërë gjendja shëndetësore e femrës shtatzënë është në rrezik, apo nëse fëmija është me të meta.
Kurse shtetet e tjera islame e ndalojnë abortin dhe aplikojnë ligje ndëshkues me heqje lirie, gjobë apo dhe largimin e personelit nga vendi i punës, për ata që kryejnë këtë vepër. Me përjashtim të lejimit, nëse jeta e femrës është në rrezik.
- Qëndrime ligjore me famë botërore rreth abortit
Pos ligjeve penale juridike mbi abortin, i janë përkushtuar kësaj çështjeje edhe shumë organizata, simpoziume, kongrese, etj..
Duke qenë se janë mbajtur kongrese të veçanta rreth abortit në shtete të ndryshme botërore, desha t’i veçoj disa nga këto kongrese si dhe vendimet e tyre:
– Në vitin 1971 në Bejrut është mbajtur një kongres i veçantë kushtuar abortit, që njëherazi numërohet kongresi i parë i tillë mbi abortin, ku kanë qenë të pranishëm ministra të shëndetësisë, mjekë me famë nga shtete të ndryshme arabe. Këtu unanimisht u aprovua ndalimi i abortit mbas katër muajsh shtatzëni- mbas frymimit të shpirtit në foshnje. Kurse para kësaj faze kishte divergjenca të ndryshme, edhe pse shumica e ndaluan edhe gjatë kësaj faze.
– Në vitin 1978 në kryeqytetin e Egjiptit, në Kajro, është mbajtur një kongres i ashtuquajtur “Kongresi i nënës në Islam”, ku ndër të tjera ky kongres porosit që të tregohet përkushtim ndaj nënës shtatzënë, fetusit si dhe të përdoren mjete sa më të duhura gjatë kësaj periudhe, që të ruhet interesi i nënës dhe i fëmijës brenda ligjeve juridike fetare.
– Kongresi i titulluar “Përkujdesja e Islamit gjatë fazave zhvillimore të embrionit”, i mbajtur në Somali në vitin 1990 porosit që t’i përkushtohemi të drejtave të fëmijës në të gjitha fazat zhvillimore që nga fekondimi.
– Kongresi më jubilar kushtuar çështjes së abortit është ai që është mbajtur në Kajro, më 29-3-1415h, apo më 5.6.1994, i cili ka zgjatur nëntë ditë, ku temë kryesore e diskutimit ka qenë pengimi i abortit dhe pengimi i seksit të shfrenuar. Në këtë kongres kanë marrë pjesë dijetarë islamë bashkëkohorë me famë botërore, myfti nga shumë shtete islame si dhe personalitete të shquara. Vendimet që u morën në këtë kongres janë me interes të veçantë për muslimanët në mbarë botën, por edhe për njerëzit në përgjithësi. Ndër të tjerash u mor edhe vendimi për ndalimin e abortit. Shumë shtete evroperëndimore janë munduar që të bëjnë trysni mbi pjesëmarrësit e këtij kongresi, që të marrin vendime mbi lejimin e abortit në emër të të drejtave njerëzore, mirëpo, falë Allahut e më pas dhe dijetarëve islamë besnikë, ky vendim hyri në fuqi në mënyrë të paluhatshme.
- Të dhëna kronologjike mbi abortin në botë
Historia njerëzore nuk njeh ndonjë krim më të madh sesa aborti. Nëse i qasemi fakteve, dëshmive, institucioneve, organizatave botërore shëndetësore, organizatave për të drejtat njerëzore, mjeteve të informimit, do të gjejmë shifra rreth abortit që e rrëqethin lëkurën e besimtarit, bëjnë të rrjedhin lotët dhe të frikësohen zemrat dhe me plot kuptim e quajmë krim masiv mbi njerëzimin.
Këshilli i bashkimit shtetëror mbi përkujdesjen e familjes në vitin 1974 pohon se 55 milionë abortime ndodhin në botë brenda një viti, kurse 200 mijë femra në vit në botë vdesin ose janë në rrezik jete si pasojë e abortit.
Kjo shifër është para mbi tre dekadash, por nëse shtrohet pyetja, a thua vallë sa është numri i abortit vitet e fundit?
Po e theksoj se ajo që po ndodh në trojet tona nga rinia jonë e shfrenuar të mllefos dhe të pikëllon. Para dy dekadash ka pasur shumë pak raste aborti në trojet tona, por aq më pak nga vajzat e pamartuara, apo të ashtuquajtura të dashuruara. Të shohësh në ditët e sotme spitalet e gjinekologjisë shtetërore e aq më tepër ordinancat private se sa femra brenda dite kryejnë abort nuk e beson dot, por dëshmia më e fortë praktike është t’i shohësh kampet– të ashtuquajtura jetimore, në kryeqytetin tonë. Kini frikë Allahun o ju muslimanë, se këto janë shenja të rrezikshme, ngase Allahu shumë nga popujt e hershëm i ka shkatërruar për të njëjtat krime në të cilat është përfshirë edhe populli ynë.
Aborti në vende të ndryshme botërore 95% kryhet në mënyrë jo zyrtare, prandaj nëse kështu qëndron ky rregull, a thua vallë sa do të ishte shifra e abortit në ditët e sotme brenda një viti në botë?
Një fondacion humanitar në Shtetet e Bashkuara konfirmon se vetëm në shtetet afrikane brenda një viti numri i abortit arrin në 50 milionë, kurse vetëm në shtetet e Bashkuara brenda një viti bëhen 15 milionë aborte, duke pasur parasysh se 78% e rasteve kanë kurora martesore jo ligjore,
Në Britani, me gjithë përpjekjet për planifikim familjar dhe masave të marra rreth abortit, numri i fëmijëve të abortuar në vit shkon në 80.000.
Në Japoni deri në vitet 1955 ka pasur mbi 2 milionë raste të abortit në vit, kurse deri në vitin 1975 është shtuar numri në 50%. E a thua sa mund të jetë numri në këto vite?
Kurse në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik brenda një viti arrin numri i aborteve në gjashtë milionë. Kurse në Spanjë dhe Portugali, edhe pse janë shtete kristiane katolike, nuk e shohin të ligjshëm abortin, megjithatë numri i aborteve në vit arrin në një milion. Edhe pse në Francë pengohet aborti, në vit numri i aborteve shkon nga 250.000 deri në 300.000.
Në bazë të të dhënave statistikore të vitit 1967, në Itali brenda vitit kryhen mbi 650.000 aborte jo ligjore, edhe pse Italia si shtet katolik është orvatur që gjithnjë të bëjë trysni mbi këtë krim, por megjithatë aborti realizohet me një shifër shumë të madhe.
Ndër shkaktarët më të mëdhenj të abortit në vitet e fundit në botë është dhe zbulimi i shumë mjeteve teknologjike, të cilat ndihmojnë në verifikimin e njohjes së gjinisë së fëmijës, siç është aparati elektronik i ultrazërit etj.. Ky krim më tepër ka përfshirë gjininë femërore, siç njofton një vendim zyrtar në ShBA në vitin 1991, se vetëm në Indi janë kryer brenda vitit 80.000 aborte të gjinisë femërore, si rezultat i aparatit të theksuar.
Kjo është gjendja e atyre shteteve që ne kemi informacione rreth tyre, e sa janë ato që ne nuk posedojmë kurrfarë të dhënash, edhe pse këto informacione janë të vjetra3
- Qëndrimi juridik i fesë islame mbi abortin pas frymimit të shpirtit
Feja islame e trajton abortin krim kundra njerëzimit, kurse në anën tjetër i ka mundësuar embrionit që t’i gëzojë të drejtat e foshnjës së lindur, pra duke e konsideruar këtë si pasuri që duhet të ruhet dhe njëherazi do të merret në pyetje Ditën e Gjykimit, nëse keqpërdoret.
Ndër të drejtat që Islami i garanton embrionit në këtë fazë të zhvillimit janë ringjallja para Allahut dhe kërkimi i llogarisë ndaj kriminelëve nëse vritet pa faj; përkujdesja e ruajtjes së shëndetit të femrës me barrë dhe lirimi i saj nga obligimet që mund ta rrezikojnë barrën, si p.sh. lirimi nga agjërimi i Ramazanit; ndalimi i martesës së femrës me barrë, nëse shkurorëzohet përfundimisht- pa kthim, apo i vdes burri, derisa ta lirojë barrën; ndalohet ekzekutimi i dënimit mbi femrën shtatzënë, nëse shtatzënia rrjedh si rezultat i prostitucionit, derisa të lirohet barra dhe të përfundojë gjidhënia.
Para se të flasim mbi trajtimin e abortit nga këndvështrimi islam, është e rrugës që shkurtimisht ta qartësojmë se kur faktikisht është koha e frymimit të shpirtit te fëmija.
Ju bëjmë me dije se fetarisht nuk kemi të dhëna të shumta për shpirtin, e kemi fjalën rreth materies së përmbajtjes së tij, nuk janë dhanë argumente se prej çfarë materie Allahu e ka krijuar shpirtin, çfarë peshe ka, etj.. Është sekret ndër sekretet e Allahut, i Cili nuk i dha njeriut shumë dituri për të, siç thotë Allahu në Kuran:
“Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve u është dhënë fort pak dije.” (El-Isra, 85)
Filozofët dhe shkencëtarët e vjetur mjaft janë orvatur që të sjellin të dhëna rreth shpirtit, por nuk kanë sjellë asgjë më tepër sesa na ka njoftuar Kurani, prandaj dhe gjurmimi rreth kësaj çështjeje është i pafrytshëm.
Imam Neveviu në shpjegimin e koleksionit të Imam Muslimit thotë: “Shpirti është një trup i padukshëm që qarkullon në trupin e njeriut dhe është i ngjitur për të siç është i ngjitur uji për bimën e njomë.” (Sahih Muslim 18/278)
Thonë dijetarë islamë se ngjitja e shpirtit me trupin është në katër mënyra:
A) Ngjitje në mitrën e femrës, e cila është ngjitje e dobët, ngase jeta në të është në favor të trupit, prandaj ngjitja e shpirtit për trupi gjithashtu është e dobët.
B) Ngjitja në jetën e kësaj bote, ku jeta në këtë fazë është në favor të trupit, kurse shpirti i bashkëngjitet atij, prandaj ngjitja e shpirtit në këtë fazë është e arsyeshme me qëllim që të qëndrojë trupi në këtë botë.
C) Ngjitja e tij mbas vdekjes- jeta në varr, ku jeta në të është në favor të shpirtit, kurse trupi i bashkëngjitet atij.
D) Ngjitja e shpirtit me trupin pas ngritjes së njerëzve për t’u llogaritur para Allahut xh.sh. Ditën e Gjykimit. Kjo është ngjitja më e plotë, jeta është për të dyja edhe për trupin, edhe për shpirtin dhe ky është lloji më i madh i ngjitjes.
Juristët islamë kanë mendime të ndryshme rreth çështjes se kur ndodh frymimi i shpirtit te fëmija. Ne po i veçojmë tre mendime si më të njohura nga juristët islamë të kaluar dhe të tanishëm:
Mendimi i parë:
Shpirti i frymohet fëmijës pas kalimit të njëqind e njëzet ditëve pas fekondimit. Ky është mendimi absolut i juristëve islamë nga e kaluara dhe e tanishmja. Lidhur me këtë shumë juristë sjellin edhe konsensusin islam, siç janë: Ibën Abidini, Kurtubiu, Neveviu, ibën Kudame, etj.. Njëherazi Ibën Haxheri na sjell edhe konsensusin e mjekëve në kohën e tij.
Argumentet e këtij mendimi:
Ndër argumentet më të fuqishme është hadithi i temës, ku në këtë hadith qartazi tregohet se shpirti frymohet në përfundim të periudhës së fundit të zhvillimit, që është plotësimi i muajit të katër dhe hyrja në të pestin- 120 ditë.
Mendimi i dytë:
Shpirti i frymohet fëmijës pas kalimit të njëqind e tridhjetë ditëve. Këtë mendim e mbron Ibën Abasi, Said ibën Musejib dhe Ahmedi në një transmetim.
Argumentet e mendimit të dytë:
1) Kanë argumentuar me citatin kuranor i cili flet mbi kohën e pritjes- idetin e grave që u ka vdekur burri. Thotë Allahu xh.sh. në Kuran:
“E ata që vdesin dhe lënë gra pas veti, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë…” (El Bekare, 234)
Për mënyrën e argumentimit me këtë citat thotë Katade: “E kam pyetur Said ibën Musejibin rreth dhjetëshit në këtë citat e më tha: “Në të frymohet shpirti te fëmija.”
2) Transmeton Ibën Abasi r.a., duke thënë: “Kur fara –sperma të hidhet në mitër, qëndron katër muaj e dhjetë ditë në të, e më pas i frymohet shpirti.” (Transmeton Lalekaiu fi usul elitikad 1060) Hadithi vlerësohet si i dobët sipas verifikuesit të haditheve të Xhamiu ulumi velhikem 1/163.
Mendimi i tretë:
Shpirti frymohet mbas kalimit të dyzet apo dyzet e pesë ditësh nga fekondimi.
Ky është njëri nga mendimet e njohura të Imam Ahmedit, një nga mendimet e Imam Shafiut, Said ibën Musejibit dhe Is’hakut. Të këtij mendimi janë edhe disa juristë islamë nga e kaluara dhe e tanishmja si dhe ky është mendimi i një pjese të madhe të mjekëve, në bazë të një vendimi të aprovuar në një simpozium të shoqatës të shkencave mjekësore islame mbajtur në Jordani në vitin 1413-1415h.
Argumentet e mendimit të tretë:
1- Citati kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: “Për Allahun, Ne krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajkë–baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri Krijues.” (Elmu’minun, 12-14)
Mënyra e argumentimit me këtë citat thonë këta dijetarë se fjala e Allahut në këtë citat “pastaj atë e bëmë krijesë tjetër”, mendojnë shumë komentues të Kuranit, se kjo është një argument i frymimit të shpirtit pas përfundimit të kësaj faze dhe se gjatë fazave të zhvillimit s’ka fetusi shpirt, kështu që shpirti i frymohet mbas krijimit të eshtrave dhe organeve, e kjo ndodh mbas dyzetë ditëve të para e kurrsesi pas dyzetë ditëve të treta.
2- Duke marrë parasysh se janë transmetuar shumë transmetime nga hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. rreth formimit të fëmijës dhe frymimit të shpirtit e kur të gjitha këto argumente i grumbullojmë, mund të nxjerrim se shpirti i frymohet fetusit brenda 40 deri 45 ditë nga fekondimi dhe ky është kuptimi më i afërm nga këto argumente.
Mendimi më i saktë ndër këto tre mendime është mendimi i parë, Allahu e di më së miri, se fëmijës i frymohet shpirti me plotësimin e 120 ditëve.
- Mendimet e juristëve islamë mbi abortin mbas frymimit të shpirtit të fëmijës
Juristët islamë janë pajtuar se rreptësisht është i ndaluar aborti mbas frymimit të shpirtit dhe nuk lejohet një çështje e tillë pos me arsye fetare të justifikueshme. Një çështje e tillë ndalohet qoftë edhe nëse fëmija vjen nga rrugët jo legjitime islame- nga harami.
Një çështje e tillë është e ndaluar sepse fetusi tashmë është shndërruar në njeri të plotë, prandaj krimi mbi të është krim mbi një njeri që Allahu e ka ndaluar vrasjen e tij. Të këtij mendimi janë shumica absolute e juristëve islamë nga e kaluara, që nga shokët e Pejgamberit s.a.v.s., gjenerata e dytë, e tretë, katër juristët më të njohur islamë dhe dijetarë të tjerë eminentë si dhe dijetarët islamë të tanishëm. Argumentet për ndalimin e një çështje të tillë janë të shumta, ndër to mund të veçojmë:
A- Argumente nga Kurani
1-Thotë Allahu në Kuran: “Dhe mos mbytni njeriun që Allahu ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati). E kush mbytet pa të drejtë (po faj), kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë), e ai të mos kalojë kufirin në mbytje derisa ai është i ndihmuar (prej Allahut).” (El-Isra’ë, 33)
Citati në fjalë aludon për ndalim të mbytjes së njeriut, ndalimi aludon për mëkat. Dhe se çdokujt që i është frymuar shpirti është i gjallë, si argument i gjallërisë së tij është ndjenja, lëvizja, vullneti, duke shtuar edhe zhvillimin e tij. Aborti mbi të është një krim mbi një njeri të gjallë që është i mbrojtur, edhe pse statuti i tij në Islam ndryshon nga statuti i atij fëmije që ka lindur, ngase kompetencat e tij janë të përgjysmuara, ai llogaritet një nga pjesët e nënës së tij nga një aspekt, por nuk llogaritet pjesë e saj nga aspekti tjetër. Nga ky kontest ndalohet vrasja e tij përmes abortit.
2-Thotë Allahu xh.sh.: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.” (El-Isra’ë 31)
Kurse në kaptinën Elen’amë 151, thotë: “… dhe mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata.”
Thotë Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë: “Ka nga dijetarët që në bazë të këtij citati ndalojnë AZLIN-ejakulimin jashtë vaginës, ngase VED’I-mbytja e fëmijës pas lindjes eliminon ekzistencën dhe prejardhjen, kurse azli eliminon bazën e prejardhjes, mirëpo mbytja e fëmijës është më e madhe dhe më e keqe sesa azli.
Nëse shumë nga dijetarët në bazë të këtij citati ndalojnë mbytjen e fëmijës nga rreziku i varfërisë, apo ndalojnë azlin, që është vetë një materie e lëngët, e ndalimi bëhet me pretekst se azli i përngjan në origjinë Ved’it, është më prioritare të ndalohet aborti, sidomos pas frymimit të shpirtit, ngase mbytja e tij mbas frymimit është mbytje e një krijese të gjallë.”
Në dy citatet e fundit Allahu sv.t. na tërheq vërejtjen që të jemi të kujdesshëm dhe mos t’i mbysim fëmijët-abortojmë ga rreziku i varfërisë apo edhe nga arsye të tjera që shejtani ia mbjell njeriut. Është bërë gjë e njohur në ditët tona që shumë nga prindërit t’i abortojnë fëmijët e tyre me pretendim se s’kanë mundësi t’i mbajnë me furnizim, t’i shkollojnë, edukojnë, t’i strehojnë etj. Mirëpo Allahu në citatet paraprake ia ka mbyllur dyert këtyre polemikave dhe arsyeve, ngase po deklaron që Unë ju furnizoj ju dhe fëmijët tuaj, kurse në citatin tjetër se “i furnizoj fëmijët tuaj dhe ju”, që d.m.th. se s’ka vend për frikë se njeriut do t’i rrezikohet gjendja ekonomike, përkundrazi fëmijët vetëm e shtojnë riskun.
3-Thotë Allahu xh.sh.: “O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret që të të japin besën se nuk do t’i shoqërojnë asnjë send Allahut, se nuk do të vjedhin, se nuk do bëjnë kurvëri, se nuk do t’i mbysin fëmijët e tyre…” (Elmumtehine, 12)
Në komentin e këtij citati thotë Imam Kurtubiu: “Fjalët e Allahut “se nuk do t’i mbysin fëmijët e tyre” d.m.th. nuk i mbysin foshnjat femra për së gjalli dhe nuk bëjnë abortim.” (Tefsir i Kurtubiut 18/48)
4- Ndërsa në suren Et-tekvir citati 8, thotë i Lartmadhërishmi: “Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla.” Thotë Ibën Tejmije: “Çdokujt që i është frymuar shpirti ringjallet Ditën e Gjykimit dhe merret në pyetje.”
Nga ky mendim kuptojmë se ai që i është frymuar shpirti e ka marrë statutin e njeriut dhe si i tillë gëzon të drejta dhe ka obligime, e për këtë ndalohet vrasja e tij.
B) Argumente nga Suneti
1-Hadithi i temës i transmetuar nga Abdullah ibën Mes’udi r.a.
Mënyra e argumentimit me këtë hadith: Na njofton Pejgamberi s.a.v.s. në këtë hadith se frymimi ndodh mbas përfundimit të etapave embriologjike nëpër të cilat kalon fetusi, frymimi nuk ndodh derisa të plotësohet krijimi dhe t’i jepet forma, kështu që me frymimin e shpirtit fetusi ndihet i gjallë, prandaj nëse bëjmë krim përmes abortit, në realitet kemi bërë krim mbi një njeri të gjallë.
2- Transmeton Abdullah ibën Mes’udi r.a. duke thënë: “Një njeri pyeti Pejgamberin s.a.v.s. duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut, cili është mëkati më i madh tek Allahu?” Tha: “Ta shoqërosh dikë me Allahun në adhurim, kurse Ai të ka krijuar.” Tha: “E pastaj cili?” Tha: “Ta mbytesh fëmijën tënd që të mos ushqehet me ty (nga frika e furnizimit).” Tha: “E pastaj?” Tha: “Të kryesh amoralitet me gruan e fqinjit tënd.” Për ta vërtetuar këtë zbriti Allahu citatin kuranor: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai e gjen ndëshkimin.” (El Furkanë, 68)
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
3-Transmeton Ebu Hurejra r.a. duke thënë: “Dy femra nga fisi Hudhejl e gjuajtën njëra-tjetrën dhe abortoi njëra. Pejgamberi s.a.v.s. gjykoi mbi atë që bëri krim, që të bëjë shpagimin, të lirojë një rob apo robëreshë.”
Nga hadithi kuptojmë se për shkak të krimit që ka bërë kjo femër e ka ndëshkuar Pejgamberi s.a.v.s. me dënim, që aludon se aborti është krim i ndaluar.
c) Argumente nga konsensusi
Shumë nga juristët islamë e përcjellin konsensusin, se aborti mbas frymimit të shpirtit është i ndaluar.
Arsyet me të cilat mund të justifikohet aborti: Pasi ne e cekëm më lart se nuk lejohet aborti mbas frymimit të shpirtit, pos me arsye të justifikueshme fetare, në vazhdim po cekim disa nga këto arsye që i kanë theksuar dijetarët islamë:
– Kur nënës së fëmijës i rrezikohet jeta. Në raste të tilla duhet ndërhyrë që të shpëtohet jeta e të nxirret fetusi, duke pasur parasysh rregullin juridik fetar “Veprimi i njërës nga dy veprat që dëmi i saj është më i vogël’.
– Kur femra shtatzënë ka humbur sasi të madhe gjaku dhe i rrezikohet jeta.
– Kur vezët ndahen nga mitra, apo bie një pjesë e tyre në qafën e mitrës dhe shkakton pëlcitjen e fetusit.
– Kur fëmija lind dhe e tërë placenta apo një pjesë mbetet në mitër.
– Nëse shtatzënia është në javët e para të fekondimit dhe sëmundja ka përfshi tërë trupin dhe kërkohet ndërhyrje kirurgjike.
– Kur femra është goditur me ndonjë nga sëmundjet e rrezikshme si HIV pozitiv, në qafë të mitrës në fazat e mëtutjeshme të zhvillimit dhe detyrimisht duhet ndonjë ndërhyrje me medikamente të rënda, apo dhe ndërhyrje kirurgjike. Në raste të tilla është marrë vendim në seminarin mjekësor të mjekëve muslimanë të mbajtur në Jordani dhe është lejuar që të behet ndërhyrje kirurgjike, ngase rasti nuk pret vonim deri në lindje të fëmijës dhe se jeta e nënës është në rrezik vdekje, sipas paragjykimeve më të afërta.
– Sëmundjet e zemrës. Kur zemra e femrës është e lodhur dhe për t’u zhvilluar fetusi kërkohet një fuqi e dyfishuar e forcës së zemrës, që njëkohësisht të rritet dhe sasia e gjakut. Gjatë këtyre sëmundjeve nëse pacientja është në periodën e parë apo të dytë të sëmundjes, nuk ka nevojë për abort, por nëse është perioda-faza e tretë dhe ka rëndime të mëdha si dhe ngushtim të kapilarëve, në raste të tilla mjekët preferojnë abortin. Kurse nëse pacientja është në fazën e katërt, fillimisht bëhet kurimi i saj e më pas kryhet aborti.
– Sëmundjet e kokës dhe sëmundjet psikike; në raste të tilla kanë divergjenca mjekët e neuropsikiatrisë me ata të gjinekologjisë. Mjekët e gjinekologjisë në raste të tilla nuk e shohin të arsyeshme abortin, pos në disa raste të veçanta, kur pacientja kalon në fazën e skizofrenisë dhe nuk mund të përkujdeset për fëmijën e saj, ndërsa mjekët e neuropsikiatrisë e lejojnë abortin në të gjitha rastet.
– Mjekët në përgjithësi kërkojnë fillimisht verifikimin e gjendjes së fëmijës dhe të nënës para se të kryhet aborti, ngase ka rate kur faktikisht që të dy janë në gjendje kritike por duhen marrë masa shumë të sigurta që të ruhet jeta e tyre, si p.sh. kur shtatzënia është e helmuar. Edhe në raste të tilla nuk i jepet prioritet abortit, por mund që fëmija të lindë para kohe dhe në shumicën e rasteve shpëton fëmija e sidomos në dekadat e fundit, ku fal Allahut, e më pas dhe zhvillimit të teknologjisë, mjekësia është e pajisur me mjete shumë moderne, që faktikisht ndihmon shumë në këtë fushë.
- Këshillë drejtuar mjekëve dhe mjekeve
Duke marrë parasysh atë që theksuam më parë nga mendimet e mjekëve të specializuar, mjekët duhet të jenë të kujdesshëm në këtë çështje, që të mos iniciojnë kryerjen e këtij krimi të shëmtuar. Nga ky këndvështrim shfrytëzoj rastin t’ju porosis me këto porosi:
1) Ta keni frikë Allahun, mos i jepni prioritet interesit individual ekonomik, ngase muslimani nuk duhet të lejojë që të futet në gojën e tij diçka nga ajo që nuk e kënaq Allahun xh.sh.. Pastaj duhet ditur që ju si mjekë ngarkoheni me një pjesë të mëkatit, ngase në shumë raste i nxisni pacientet për abort, ose të paktën nuk i ndaloni për ta kryer këtë akt. Sa për informim, ju përkujtoj fjalën e Allahut në Kuran: “Kush mbyt ndonjë njeri (pa të drejtë) pa pas mbytur ai ndonjë njeri tjetër dhe pa pas bërë ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit.” (Elmaide, 32)
2) Mjekët duhet që njëherë ta verifikojnë gjendjen e të dy personave e më pas të gjykojnë, të jenë të sinqertë në vendimet e tyre, të njoftohet personeli e më pas të merret vendimi.
3) Duhet që mjeku të japë maksimumin e mundit të tij që ta kurojë sëmundjen në bazë të mjeteve që disponon, me qëllim që shtatzënia të vazhdojë dhe le të mbetet aborti hapi i fundit që mund të marrë mjeku si hap konkret për shpëtimin e jetës së nënës.
- A lejohet aborti me qëllim që t’i shpëtohet jeta nënës?
Duhet ditur gjithnjë se nuk ekziston ndonjë religjion, fraksion, fondacion, shoqatë etj., që i ka dhënë femrës pozitë më të lartë sesa Islami. Mjafton që e ka vlerësuar si nënë, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër duhet ta dijë çdo musliman se Islami ka vendosur ligje rreth çdo çështjeje, me qëllim që të ruhet interesi njerëzor dhe për këtë Islami e ka bërë ruajtjen e jetës njerëzore një ndër pesë qëllimet e ekzistimit të ligjit juridik. Islami ka bërë që çdokush që inicion krim kundër njeriut apo përfshihet në krim, të ndëshkohet sipas normave juridike fetare.
Nëse i hedhim një vështrim studimor mendimeve të hershme të juristëve islamë, shohim se unanimisht e ndalojnë abortin pas frymëzimit të shpirtit, edhe nëse fetusi ka çrregullime në mitër dhe pa marrë parasysh sa i madh mund të jetë rreziku. Nga kjo pikëpamje do mundohem të paraqes disa nga mendimet e këtyre juristëve si dhe argumentet e tyre, duke i ilustruar edhe me rregulla juridike, me qëllim që kjo çështje juridike të trajtohet si një çështje e detyrueshme, e nevojshme.
Juristët islamë kanë dy mendime esenciale lidhur me këtë çështje juridike:
Mendimi i parë:
Shumë nga juristët e hershëm islamë nga të katër shkollat juridike, gjithashtu edhe disa nga juristët bashkëkohorë e ndalojnë një gjë të tillë.
Në librin “Bahru err-rraik sherh kenz ed-dekaik”, tëi autorit Ibën Nugjejm el Hanefij”, 8/233, tekstualisht thuhet: “Një femre shtatzënë i është rrotulluar fëmija në barkun e saj dhe assesi nuk ka mundësi që t’i nxirret fëmija, përveçse me operim. Nëse nuk veprohet kështu, jeta e nënës rrezikohet nga vdekja. Nëse fëmija (fetusi) është i vdekur në stomak, nuk prish punë që të nxirret (abortohet) fetusi. Nëse ai është i gjallë, assesi nuk lejohet, ngase ngjallja e një shpirti (shpëtimi jetës së një njeriu) për ta vrarë një njeri tjetër nuk është e ligjshme.”
Ibën Abidini, Allahu e mëshiroftë, dijetar me famë i shkollës juridike hanefite, duke komentuar fjalët e sipërshënuara shton e thotë: “d.m.th. edhe sikur fetusi të ishte i gjallë, nuk lejohet aborti, ngase vdekja e nënës për shkak të tij është mashtrim- jo e sigurt, dhe nuk lejohet assesi vrasja e njeriut për çështje iluzioni, mashtrimi.” Shiko “Hashijet Ibën Abidin”, 2/238.
Juristët e shkollës juridike malikite e ndalojnë abortin që nga starti i krijimit të fetusit në embrion, siç thonë: “S’ka dyshim se fetusi është i gjallë në barkun e nënës së tij pas katër muajsh, këtë e vërteton edhe zhvillimi dhe rritja e tij si dhe hadithet e frymëzimit të shpirtit. Prandaj nuk lejohet hapja e barkut (operimi) i femrës së vdekur për ta nxjerrë fetusin, edhe nëse ai është i gjallë, ngase shpëtimi i tij nga rreziku është çështje dyshimi, prandaj ndalohet prekja e kufomës së saj për shkak të tij.’ Shiko librin “Xhevahir el Iklil sherh Muhtesa elHalil lil Ezheri”, 1/117.
Gjithashtu, nuk lejohet për atë që i është rrezikuar jeta nga uria që të ushqehet nga mishi i njeriut të vdekur, edhe nëse nuk gjen gjë tjetër për të ngrënë. Si arsyetim i këtij mendimi sjellin rregullin “nuk lejohet marrja e shpirtit të njeriut për t’i shpëtuar jetën një tjetër njeriu”.
Në bazë të këtyre argumenteve, malikitë pohojnë edhe se nuk lejohet assesi edhe në gjendje kritike që të vritet njeriu–abortohet fetusi, që t’i shpëtohet jeta njeriut tjetër, nënës së fetusit.
Librat juridike shafite pohojnë se aborti është i ndaluar me konsensus, duke mos përjashtuar këtu asnjë rast. Nga ky mospërjashtim i ndonjë rasti përfitojmë, siç thotë Imam Neveviu, se “nëse femra shtatzëne vdes dhe në barkun e saj gjendet fëmija, nëse shpresohet se shpëton fëmija, lejohet hapja e barkut për ta nxjerrë fëmijën, përndryshe nuk lejohet. Nëse nuk shpresohet shpëtimi i jetës së fëmijës, në këtë rast nuk bën të varroset nëna e fëmijës derisa të verifikohet vdekja e fëmijës në barkun e saj. Edhe pse disa juristë nga kjo shkollë juridike pohojnë që t’i vihet mbi barkun e nënës diçka e rëndë me qëllim që të përfundojë jeta e fetusit sa më shpejt, pjesa më e madhe e kësaj shkolle e mohojnë një gjë të tillë, duke e ilustruar se kjo është krim mbi këtë fëmijë. Edhe nëse nuk shpresohet jeta e tij, por urdhri për vrasjen e tij pa kurrfarë arsye shpie në krim dhe këtë e ndalon Islami.” Shiko “Revdat etTalibejn liNevevi”, 1/662, “Havi liMaverdi”, 3/231, “Megjmu’ë sherh elmuhedheb liNevevi”, 5/270.
Nga ky koncept nënkuptojmë se nuk lejohet pa arsye vrasja e atij jeta e të cilit nuk shpresohet- fetusi që është në barkun e nënës së tij- edhe nëse rrezikohet jeta e tij për shkak të ndonjë sëmundjeje të nënës së tij, nuk lejohet që të ushtrojmë krim mbi të me vrasje.
Edhe juristët e shkollës jurdike hanbelite pohojnë të njëjtën gjë si dhe juristët e mëhershëm. “I është thënë Imam Ahmedit, se Sufjan Thevriu është pyetur rreth një femre e cila ka vdekur, kurse në barkun e saj lëviz fëmija, është ende i gjallë. Ka thënë: “Nuk prish punë që të operohet e t’i nxirret fetusi”. Ka thënë Imam Ahmedi: “Vallahi shumë mendim i keq është ky”, dhe e ka përsëritur sa herë Imam Ahmedi këtë fjalë duke thënë: “Subhanallah, sa mendim i keq është ky.”
Këta juristë arrijnë në përfundimin se nëse nuk lejohet operimi i femrës së vdekur -nga respekti i ndalimit të kufomës, për ta nxjerrë fetusin që është i gjallë, assesi nuk lejohet aborti pas frymëzimit të shpirtit, nëse vazhdimësia e tij rrezikon jetën e nënës seriozisht.
Nga e tërë kjo mund të konkludojmë se assesi këta juristë nuk e lejojnë abortin e fetusit për të shpëtuar jetën e nenës. Prandaj dhe nxjerrim në pah se nuk ekziston konsensus i juristëve islamë se lejohet një çështje e tillë absolutisht. Këtë mendim e mbron edhe dijetari bashkëkohor me famë, Ibën Uthejmini. Shiko librin “Kadaja fikhije muasire”, e përpunuar nga komisioni i profesorëve të zgjedhur në Universitetin e Az’harit, f. 127 dhe “Sher erbain eNevevie li Ibën Uthejmin”, f. 93.
Argumentet e mendimit të pare:
1) Thotë Allahu xh.sh. në Kuran: “Dhe mos mbytni njeriun që Allahu ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi…” (El Isra’ë, 33)
Fetusit që i është frymëzuar shpirti nuk lejohet të vritet, sepse është krijesë e mbrojtur. Nga ky kontest, nuk lejohet sakrifica e tij për t’i shpëtuar jetën dikujt tjetër që është i barabartë me të në jetë dhe i mbrojtur.
2) Transmeton Abdullah ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Nuk lejohet derdhja e gjakut të muslimanit i cili dëshmon se s’ka zot (të adhuruar me të drejtë) pos Allahut dhe se unë jam i Dërguar i Tij, përpos me njërën prej tre rasteve: zinaja (prostitucioni) pas martesës, nëse vret dikë tjetër pa të drejtë dhe ai i cili lë fenë dhe largohet nga xhemati.” (Buhariu dhe Muslimi)
Hadithi në fjalë shumë qartazi na tregon se gjaku i muslimanit është i ndaluar dhe mbrojtur, e më pas vijnë përjashtimet kur lejohet derdhja e tij, siç u përmendën në këtë hadith, kështu që fetusi është shpirt musliman i mbrojtur, prandaj dhe nuk lejohet abortimi i tij për t’i shpëtuar jetën nënës.
3) Transmetohet nga juristët tanë të parë se nuk lejohet vrasja e vetvetes për atë që i imponohet vrasja e vetes së tij, pa marrë parasysh se i çfarë lloji është imponimi i vrasjes. Kjo është unanime te juristët islamë. Nga kjo nxjerrim se nuk lejohet vrasja e njeriut të gjallë edhe në raste të detyrimit, gjithashtu nuk lejohet as abortimi i fetusit të gjallë për t’i shpëtuar jetën nënës. Shiko “Bedaia sanaia lilKasani” 7/177, “Bidajetul mugjtehid”, 2/396, “Elmuhedheb lish-Shirazi”, 2/227, “Elmugni liIbën Kudame”, 7/645, “Ahkam el igjhad fil fikh elislami”, Dr. Ibrahim ibën Muhamed Kasim, f. 185.
4) Juristët islamë janë në ujdi se nuk lejohet vrasja e dikujt tjetër për t’i shpëtuar jetën vetes nga rreziku i mundshëm, ngase ai është sikurse ti. Kjo na mëson se juristët islamë i kanë dhënë prioritet ruajtjes së jetës së njeriut mbi çdo detyrim dhe arsye tjetër. Shiko “Elmugni 8/601-602; Revistën “Esheria ve dirasat elislamije”, nr. 13, Ramazan 1409h/1989, Dr. Muhamed Naim Jasin, f. 248-249.
Mendimi i dytë:
Shumë nga dijetarët bashkëkohorë, komisione të fetvave islame e vende zyrtare lejojnë abortin pas frymëzimit të shpirtit nëse kjo është e vetmja rrugë a alternativë për t’i shpëtuar jetën nënës nga rreziku i kanosur. Disa nga juristët bashkëkohorë mendojnë se një veprim i tillë është i detyrueshëm.
Komisioni i Përhershëm për Hulumtime dhe Vendime të Sheriatit në Arabinë Saudite, nr. 140, më datën 20/06/1407h merr këto vendime tekstualisht:
1) Nuk lejohet aborti në të gjitha periodat e zhvillimit, pos me arsye të justifikueshme fetare edhe në raste shumë të veçanta.
2) Nëse shtatzënia është në periodën e parë të zhvillimit, në dyzetditëshin e parë, lejohet abortimi nëse në abortim ka ndonjë interes fetar, ose mbrojtje nga ndonjë rrezik i mundshëm, kurse abortimi gjatë kësaj faze të zhvillimit me pretekst se femra ka frikë për edukimin e tyre apo rrezik furnizimi për jetë dhe shkollim të tyre, se i rrezikohet e ardhmja apo se mjaftojnë fëmijët tjerë që ka çifti, në këto raste është i ndaluar.
3) Nuk lejohet aborti edhe gjatë fazave të zhvillimit si alaka (gjak i ngjizur) apo mudgah (copë mishi), përderisa të vendosë një komision nga mjekët i cili është i besueshëm, se vazhdimësia e shtatzënisë i rrezikon jetën nënës. Në raste të tilla lejohet aborti, pasi të jenë përdorur të gjitha mjetet e duhura të mundshme që evitojnë rrezikun.
4) Pas përfundimit të fazës së tretë të zhvillimit dhe pas plotësimit të periudhës katërmujore nga shtatzënia, nuk lejohet aborti derisa të vendosë për një çështje të tillë një komision i formuar nga një grup mjekësh të specializuar e të besueshëm, të cilët pohojnë se vazhdimësia e shtatzënisë në barkun e saj shpie në vdekje të nënës. Mirëpo kjo mund të ndodhë mbasi të janë përdorur të gjitha mjetet e duhura për t’i shpëtuar jetën e tij- fetusit. Një veprim i tillë është i lejuar në bazë të kushteve të posatheksuara, duke shpresuar mbrojtjen nga dëmi më i madh i mundshëm si dhe kërkimin e njërit prej dy interesave më të mëdha. Komisioni apelon që ta kemi frikë Allahun dhe ta verifikojmë këtë çështje mirë para veprimit të saj.
Përgjigje të njëjtë me të kaluarën ka dhe shtëpia e fetvave në Egjipt, tekstualisht thonë: “Juristët islamë janë në ujdi se nuk lejohet aborti mbas frymëzimit të shpirtit dhe se jeta e fetusit verifikohet mbas plotësimit të njëqind e dyzet ditëve nga fekondimi, ashtu siç thonë. Aborti gjatë kësaj periudhe konsiderohet krim mbi një të gjallë dhe se krimineli për këtë krim duhet të dënohet në të dyja botët. Mirëpo nëse verifikohet se vazhdimësia e shtatzënisë deri në periodën e fundit rrezikon jetën e nënës me vdekje, lejohet aborti mbasi të verifikohet nga mjekët e besueshëm e të specializuar, mbasi të sjellin raport për një çështje të tillë. Një veprim i tillë është i detyrueshëm për t’i shpëtuar jetën nënës. Shiko “Fetfa dar el’ifta elMisrije”, viti 1968, lënda nr .1097, ligji mbi abortin 6/20.
Këtë mendim e mbron edhe Komisioni Suprem i Shkencave Fetare dhe Enciklopedive Juridike në Kuvajt. Shiko “El Mevsua elfikhije”, 2/57.
Argumentet e mendimit të dytë:
Argumenti i parë: Rregulla juridike të përgjithshme si vijon:
1) dëmi më i madh largohet me dëmin më të vogël;
2) kur të paraqiten dy gjëra të dëmshme (që dëmi i tyre është i pashmangshëm), i largohemi asaj dëmi i së cilës është më i madh, duke e vepruar atë gjë dëmi i së cilës është më i vogël;
3) Islami i jep prioritet largimit nga gjërat e ndaluara më tepër sesa veprimit të gjërave të lejuara, apo kujdesi i jurisprudencës islame është më i madh ndaj pengimit të gjërave të ndaluara sesa veprimit të gjërave të lejuara;
4) nevoja merr pozitën e detyrimit, qoftë globale apo e veçantë;
5) detyrimet lejojnë ndalesat, etj..
Duke u mbështetur në këto rregulla juridike islame, këta juristë islamë thonë:
“Nëna është baza, rrënja, fetusi është i formuar nga ajo, në rast se tentojmë ta shpëtojmë jetën e tij duke mos bërë abortin, është rrezikuar jeta e të dyve (nënës dhe fetusit), prandaj i japim prioritet shpëtimit të jetës së nënës.” Shiko “Fikhul islam ve ediletuhu”, Dr Vehbe Zuhejli, 4/118.
“Jeta e nënës është verifikuar, ajo gëzon të drejtat e saj në këtë botë, ajo është ndërtesa e familjes, me largimin e saj rrezikohet rrënimi i ndërtesës. Derisa nëna është edhe bashkëshorte dhe nevojat e bashkëshortit për të janë më se të kërkuara, me vdekjen e saj atij i vështirësohen gjërat, prandaj nuk është logjike që të sakrifikohet jeta e nënës për t’i shpëtuar jetën fetusit, që ende nuk dihet fati i jetës së tij e që ende nuk ka garantuar asgjë nga të drejtat dhe obligimet e tij.” Shiko fetvatë e hoxhës Mahmud Sheltuti, f. 250.
“Jeta e nënës është e qartë, ndërsa e fetusit e luhatur, dyshimi apo luhatja s’mund ta tejkalojë një gjë që është me bindje. Jeta e nënës është më me prioritet edhe për vetë fetusin, sepse vdekja e saj rrezikon bindshëm edhe jetën e tij.” Shiko “El Mevsua elfikhije”, 2/57, “Kadaja fikhije muasire”, f. 136.
“Në abortin e fetusit kemi interesa fetare apo mbrojtje të dëmit më të madh, prandaj dhe është lejuar aborti që të mbrohemi nga dëmi dhe rreziku më i madh i mundshëm dhe kërkimi i njërit prej interesave më të mëdha.” Shiko “Komisionin e Përhershëm për Hulumtime dhe Vendime të Sheriatit në Arabinë Saudite”.
Argumenti i dytë:
Jeta e fëmijës mbas vdekjes së nënës së tij është e rrezikuar, ngase është tepër e mundshme që s’ka kush ta marrë në përkujdesje.
Argumenti i tretë:
Juristët islamë, Allahu i mëshiroftë të gjithë, kanë ndaluar operimin e femrës së vdekur edhe nëse fetusi është në barkun e saj i gjallë, prandaj kanë sakrifikuar me të që t’i përkushtohen trupit të femrës, nëse është ajo e vdekur dhe ka tërë këtë respekt dhe përkujdesje, është më me tepër perspektivë që të ruhet jeta e saj nëse në mbajtjen e fetusit rrezikohet jeta e nënës, ngase jeta e saj është e vërtetuar, kurse jeta e fetusit ende është në dyshim.
Argumenti i katër:
Nëse i përkushtohemi ligjeve juridike islame, vërejmë se nuk lejohet aborti për shkak të vështirësisë së shtatzënisë, apo për shkak se shtatzënia dëmton shëndetin e saj, mirëpo është transmetuar juridikisht se ndalohet vrasja, likuidimi i prindit për shkak të fëmijës. Transmeton Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin alejhi selam duke thënë: “Dhe nuk mbytet prindi për fëmijën.” (Transmeton Termidhiu dhe Ibën Maxhe, hadithi është i saktë.)
Kjo ngase prindi ka qenë shkaktar i jetesës së fëmijës, fëmija nuk mund të jetë shkaktar për zhdukjen e prindit dhe nga kjo rezulton se ndalohet sakrifica e jetës së prindit për t’i shpëtuar jetën fëmijës.
Argumenti i pestë:
Synimi i ligjeve juridike islame është që të realizojë interesat e njerëzve sa më tepër, aq sa i jepet hapësira e veprimit, duke mos i ikur asgjë. Nëse mund t’i realizojë të tërat, e vepron këtë, mirëpo nëse realizimi i tyre të gjithave është i pamundshëm, prioritet u jepet atyre që janë më të plota, më të rëndësishme dhe më të nevojshme, që ka kërkuar Ligjvënësi.
Mendimi më i saktë nga këto mendime është mendimi i dytë, pra lejohet aborti mbas frymëzimit të shpirtit sipas gjendjes të posatheksuar nga juristët islamë, që d.m.th. nëse ajo është rruga e vetme e shpëtimit të jetës së nënës, mirëpo pasi të jenë përdorur të gjitha rrugët dhe mjetet e shërimit të fetusit dhe raportet mjekësore të verifikuara deklarojnë se kjo është e vetmja shpresë e shpëtimit të jetës së nënës. Gjithashtu, kërkohet që gjendja të jetë reale praktike dhe jo e paragjykuar, që mund të paragjykojnë mjekët apo dikush tjetër, ngase nuk lejohet mbytja e njeriut të gjallë për paragjykime jo të sigurta. Njëherazi propozojmë që komisioni i mjekëve të përbëhet prej tre e më tepër mjekëve eminentë, të besueshëm dhe me eksperiencë të gjatë. Allahu e di më së miri.
- Qëndrimi i juristëve islamë mbi abortin para frymëzimit të shpirtit
Faza e krijimit embriologjik, rreth të cilës po diskutojmë, është faza që starton nga fekondimi e deri në momentet e plotësimit të embrionit dhe frymëzimit të shpirtit.
Juristët islamë rreth kësaj faze të zhvillimit kanë debatuar gjatë, për vetë arsyen sepse nuk ka argumente të qarta as nga Kurani dhe as nga Suneti rreth lejimit apo ndalimit të abortit në këtë periudhë zhvillimore. Mirëpo ekzistojnë argumente që ndalojnë mbytjen e njeriut pa të drejtë, argumente që rrëqethin zemrën e njeriut dhe e frikësojnë atë. Nuk është transmetuar ndonjë ndëshkim më i madh për mëkatet e mëdha sesa kjo. Lidhur me këtë thotë Allahu xh.sh.: “Kush e mbyt një besimtar me qëllim, dënimi I tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh.” (En Nisaë, 93)
Krijimi embriologjik i fetusit është detajuar në Kuran dhe Sunet fazë mbas faze zhvillimore, por argumente të tilla nuk flasin rreth ligjit juridik mbi abortin, mirëpo në mënyrë të përgjithshme përfitojnë juristët islamë rastin që të nxjerrin ligje nga ato argumente si dhe japin konkluzione të ndryshme rreth abortit. Ajo që i shtyn juristët islamë që të kenë mendime kontradiktore rreth abortit në këtë fazë janë dy shkaqe esenciale:
Shkaku i parë: Mosekzistimi i ndonjë argumenti të qartë në këtë çështje juridike, prandaj secili e ka kuptuar argumentin sipas diapazonit të njohurive dhe në këtë mënyrë ka sjellë qëndrimin juridik mbi abortin.
Shkaku i dytë: Për kohën gjatë së cilës zhvillohet fetusi në embrion janë transmetuar hadithe të ndryshme. Duke pasur parasysh këto shkaqe dhe shumë të tjera, themi se juristët islamë rreth abortit në këtë faze zhvillimore kanë katër mendime juridike:
Mendimi i pare:
Lejohet aborti në këtë fazë përgjithësisht, pa marrë parasysh a ka pacientja arsye apo nuk ka. Këtë mendim e mbron shkolla juridike hanefite, disa nga juristët e shkollës shafite, shkolla juridike hanbelite dhe disa nga shkolla juridike malakite dhe të tjerë.
Në librin “Bedaia Sanaia” të Kasanit thuhet: “Nëse ende nuk është verifikuar plotësimi i krijimit, s’ka problem në këtë çështje- abort, ngase ende nuk është fetus, por është gjak i ngjizur.” (Bedaia Sanaia 7/325). Ndërsa në librin “Fethul Kadir” thuhet: “A lejohet aborti mbas shtatzënisë?
Lejohet nëse ende nuk është formuar embrioni.” (Hashijet red elmuhtar 3/176)
Në librin “Nihajetul muhtagj” citohet: “Mendimi më i saktë në këtë çështje është se ndalohet aborti mbas frymëzimit të shpirtit, kurse para saj lejohet.” (8/443)
Në “Mugni” të Ibën Kudames thuhet: “Nëse aborton para se të formohet embrioni s’ka dënim në të, ngase ne nuk dimë se a është formuar si fetus.” (9/450)
Në librin “El Insaf” të Merdaviut, f. 386, thuhet: “Lejohet pirja e barnave për të abortuar farën, spermën.”
Argumentet e mendimit të pare
1. Thotë Allahu në Kuran: “O ju njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë (mendoni krijimin tuaj që) Ne u krijuam ju prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e pa formuluar…” (El Haxh, 5)
Vendi i dëshmisë me këtë citat, thonë këta dijetarë, se Allahu xh.sh. në këtë citat i përshkruan fazat e kur embrioni është si copë mishi, është krijuar, që do të thotë se faza kur është embrion si ujë (farë) ende nuk është krijuar, prandaj nëse kjo qëndron, nuk ka ndalesë nëse bëhet aborti në këtë fazë zhvillimore. Shiko “Hashijetu Ibën Abidin”, 1/314.
2. Fetusi para se të krijohet nuk konsiderohet si njeri, nëse nuk është njeri, s’ka ndalim (vrasjeje), prandaj dhe lejohet aborti i tij. Shiko “Gjerimet igtisab elinath ve elmushkilat elmuteretibe alejha”, f. 222.
3. Nëse fëmijës nuk i është frymëzuar shpirti, nuk do ringjallet Ditën e Gjykimit dhe ai që nuk ringjallet s’ka vlerë, prandaj nuk ndalohet aborti. Shiko “Elfuru’ë Ibën Muflih”, 1/244.
4) Fara (sperma) mund të formohet, por dhe mund të dështojë tërësisht, prandaj aborti i saj nuk konsiderohet krim. Shiko “Gjamiul ulumi velhikem”, 1/157.
Mendimi i dytë:
Ndalohet rreptësisht aborti para frymëzimit të shpirtit. Këtë mendim e mbrojnë disa juristë nga shkolla juridike hanefite, shumica nga shkolla juridike malikite, Gazaliu nga shkolla juridike shafite, disa nga shkolla hanbelite. E ka zgjedhur këtë mendim si më të saktë Ibën Tejmija, shkolla juridike dhahirije, Allahu i mëshiroftë të gjithë.
Në librin “Fetava El Hindije”, 5/356, citohet: “Një femër jetime e ka pyetur Alij ibën Ahmedin rreth abortit para se të formohet embrioni. I është përgjigjur: “Sa i përket femrës që është e lirë, nuk lejohet assesi aborti për të, ndërsa rreth robëreshës dijetarët kanë mendime kontradiktore, por mendimi më i saktë është se nuk lejohet.”
Kurse në librin “Hashijet edDusuki”, 2/266, thuhet: “Nuk lejohet nxjerrja e farës (spermës) që është formuar në mitër, qoftë edhe para dyzet ditëve, por nëse i frymëzohet shpirti, ndalohet me konsensus.”
Imam Gazaliu thotë: “Azli (ejakulimi i spermës jashtë vagjinës) nuk është sikur aborti dhe ve’di (mbytja e fëmijës pas lindjes), sepse aborti dhe ve’di janë krim ndaj një gjëje që ekziston. Gjërat ekzistuese kalojnë nëpër disa faza, faza e parë e ekzistimit është që sperma e mashkullit të bie në mitrën e femrës dhe të fekondohet me qelizën vezë, kështu që përgatitet për jetë. Prishja e një gjëje të tillë konsiderohet krim. Po nëse sperma shndërrohet në gjak të ngjizur, krimi është edhe më i madh. Po nëse krijesa merr formën e vet dhe frymëzohet në të shpirti, atëherë krimi është shumë më i madh. Grada më e lartë e krimit është nëse fëmija lind i gjallë dhe mbytet.” Shiko “Ihjau ulum ed-Ddin”, 2/51.
Ibën Tejmija thotë: “Aborti është i ndaluar me konsensus të muslimanëve, konsiderohet sikurse ve’di, ai që qëllimisht e bën këtë, i pason ndëshkimi. Një veprim i tillë e njollos fenë e tij dhe dinjitetin e tij, aborti është i njëjtë sikur t’i japë të pijë helm robëreshës së tij.” Shiko “Megjuul fetave”, 34/160.
Këtë mendim nga dijetarët bashkëkohorë e mbron Dr. Vehbe Zuhejli, Dr. Jusuf Kardavi, Dr. Abdusetar Fethullah Said, Dr. Rufat Fevzi Abdulmutalib dhe Ahmed Sahnun.
Argumentet e mendimit të dytë
1. Thotë Allahu në Kuran: “A nuk u kemi krijuar juve nga një lëng i dobët. Dhe atë e vendosëm në një vend të sigurt.” (El Murselatë, 20-21)
Allahu xh.sh. në këtë citat e përshkruan mitrën si një vend të sigurt, që ruan farën, prandaj kurdo që të arrijë fara në këtë vend të sigurt, nuk lejohet nxjerrja nga ky vend, përveçse me arsye. Ata që lejojnë nxjerrjen e farës kanë përbuzur vlerën e këtij vendi të sigurt. Shiko “Tefsir Ibën Kethir”, 4/591.
2. Fara, mbasi të vendoset në mitër, merr kahun e jetës, prandaj dhe merr dispozitat e jetës. Shiko “Hashijet ibën Abidin”, 3/176, “Elmebsut liSerahsi”, 30/51.
3. Aborti është i dëmshëm për femrën nga aspekti shëndetësor, psikik dhe shoqëror, kjo çështje nuk do koment, prandaj kryesi i kësaj vepre duhet të dënohet. Ndërsa legjislacioni islam në bazë të rregullave juridike synon largimin e dëmeve, mirëpo aborti është i dëmshëm edhe nga aspekti shëndetësor sepse zvogëlon numrin e njerëzve. E, sikur të mos ekzistonte aborti, do shtohej numri i shoqërisë, që është gjë e dobishme. Shiko “Ahkamul igjhad fil fikhi elislami”, f. 282.
Mendimi i tretë:
Lejohet aborti para frymëzimit të shpirtit me arsye të justifikueshme, edhe pse një gjë e tillë është e papëlqyer (mekruh). Këtë mendim e mbrojnë disa juristë të këtyre shkollave juridike nga hanefitë, malikitë dhe shafitë.
Nga arsyet të cilat i kanë cekur këta juristë si justifikim i lejimit të abortit mund të theksojmë:
a) Juristët hanefi thonë: “Nëse nënës i ndërpritet qumështi për shkak të shtatzënisë dhe ajo ka fëmijë të vegjël që duhet të ushqehen vetëm me qumësht nga gjiri, kurse prindi i tij nuk ka mundësi që të paguajë ndonjë mëndeshë gjidhënëse.” Shiko “Hashijet ibën Abidin”, 3/176.
b) Kurse juristët maliki si justifikim të lejimit të abortit cekin p.sh. kur femra është shtatzënë dhe detyrohet të përdorë barna, prandaj këto barna shkaktojnë abortin, mirëpo që pirja e barnave mos të jetë me qëllim aborti, në raste të tilla s’ka mëkat për të. Shiko “Mevahib elgjelil sherh muhtesar elHalil”, 6/258.
c) Ndërsa juristët e shkollës juridike shafite kanë ilustruar si arsye kur shtatzënia është rezultat i amoralitetit, zinasë. Në rast të tillë lejohet aborti, nëse ende nuk është formuar fëmija, por është farë.
Edhe pse shumë juristë të tjerë arsyen e fundit nuk e justifikojnë, ngase jurisprudenca islame amoralitetin e njeh si vepër të shëmtuar dhe i dënon rreptë ata që kryejnë këtë akt, d.m.th. e ekzekuton të martuarin dhe rreh të pamartuarin (kuptohet mbasi një gjë e tillë të verifikohet hollësisht, edhe pse raste të tilla në Islam ka pak). Mirëpo, megjithatë Islami, edhe nëse ia jep hakun e merituar femrës për amoralitet, por prapë ka mbrojtur dhe siguruar jetën e fëmijës, d.m.th. nuk bën ekzekutimin e saj derisa të lindë. Siç kemi rastin e njohur të femrës El Gamidije gjatë kohës së Pejgamberit alejhi selam. Kur është verifikuar rasti se është shtatzënë nga amoraliteti, nuk është ekzekutuar derisa ka lindur.
Argumentet e mendimit të tretë
1. Që arsyeja të jetë e justifikuar me nevojën e detyruar, duke u mbështetur te rregulli juridik: “Obligimet lejojnë të ndaluarat”. Kurse si argument i mospëlqyeshmërisë është ngase fara, mbasi është vendosur në mitër, ka marrë rrugën e zhvillimit, prandaj me abort kemi penguar zhvillimin e jetës së saj. Shiko “Hashijet Ibën Abidin”, 3/176.
Këtë mendim e mbrojnë edhe shumë dijetarë bashkëkohorë, duke lejuar abortin para frymëzimit të shpirtit me arsye të justifikuar, si: Dr. Jusuf Kardavi, Dr. Vehbe Zuhejli, Dr. Abdusetar Fethullah Said, Mahmud Sheltuti, Dr. Rufat Fevzi Abdulmutalib, Dr. Muhamed Jusri Ibrahim dhe Komisioni i Përhershëm i Fetvave në Arabinë Saudite. Shiko “Fetava muasire dr Kardavi”, 2/547; “Fikh elislam ve ediletuhu” 3/557; “Fetava shejh Sheltuti”, f. 251; “Elgjinaje elamd ltabib Dr Muhamed Jusri”, f. 134; “Fetava hejet kibar elulema”, nr. 140.
Mendimi i katërt:
Aborti para frymëzimit të shpirtit është i papëlqyer (mekruh) në çdo mënyrë. Këtë mendim gjithashtu e mbrojnë disa nga shkollat juridike nga hanefitë, malikitë dhe shafitë.
Në librin “Hashijet Ibën Abidin” thuhet: “Nëse femra do të bëjë abortin para frymëzimit të shpirtit, a i lejohet një gjë e tillë? Juristët kanë debatuar rreth kësaj çështjeje, mirëpo juristi i njohur Alij ibën Musa thoshte: “Ky veprim është i papëlqyer.” Shiko “Hashijet ibën Abidin”, 3/176.
Kurse në librin “Hashijet Eddusuki” thuhet: “Gjithashtu nuk lejohet nxjerrja e farës së formuar në mitër, mirëpo thuhet që një veprim i tillë është edhe i papëlqyer.” Shiko “Hashijet Eddusuki mea sherh elkebir Lidirdir”, 2/266.
Kurse Rremliu shënon: “Aborti pas frymëzimit s’ka dyshim se është rreptësisht i ndaluar, kurse para kësaj periudhe nuk themi që mund të jetë e lejuar, mund të jetë mukruh tenzihi apo tahrimi, mirëpo sa më tepër i afrohet frymëzimit, aq më tepër shtohet ndalimi, ngase ky është krim.” Shiko “Nihajet elmuhtagj”, 8/442.
Argumentet e mendimit të katërt
Nëse i hedhim një vështrim studimor këtij mendimi, nuk vërejmë se sjellin për mendimin e tyre ndonjë argument, por sjellin më tepër mendime logjike, si p.sh.:
1) Nëse muhrimi- ai që vesh teshat e ihramit për haxh apo umre, i thyen vezët e kafshës së gjuetisë, duhet të paguaj të bëj shpagim, ngase ajo është baza e kafshës për gjueti, prandaj me këtë mund të bëjmë një krahasim se të paktën femra që bën abortin pa arsye të justifikuar ka bërë mëkat. Prandaj edhe aborti në këtë rast është i papëlqyer, mekruh. Shiko “Hashijet ibën Abidin”, 3/176.
2) Kur fara arrin në mitër, ka filluar procesi i zhvillimit dhe ka marrë rrugën e jetesës, prandaj është e papëlqyer që të nxirret fara. (Po aty.)
Këto ishin mendimet më kryesore të kësaj çështjeje juridike tepër të rëndësishme për jetën e njeriut e në veçanti për besimtarin, prandaj në bazë të asaj që u theksua më lart mund të nxjerrim se ajo në të cilën mund të qetësohet njeriu është mendimi i dytë, pra që ndalohet aborti në çdo mënyrë para frymëzimit të shpirtit (në raste normale, kurse në raste të detyrueshme, me arsye të justifikueshme lejohet në bazë të arsyeve që kemi cekur te aborti para frymëzimit të shpirtit).
Shkaqet e zgjedhjes së këtij mendimi:
- Argumentet e fuqishme të tyre si dhe ilustrimi i mirë.
- Ky mendim mbron zhvillimin e fetusit në të gjitha periudhat zhvillimore, e kjo është në pajtim me synimet e legjislacionit islam. Legjislacioni islam synon ruajtjen e pesë gjërave të detyrueshme dhe përkujdesjen ndaj tyre. Ato janë: ruajtja e fesë, e njeriut, e prejardhjes, e mendjes dhe e pasurisë. Ndaj lejimi i abortit është në kundërshtim me atë që kërkon Ligjvënësi, ngase Allahu xh.sh. e ka nderuar njeriun në këtë botë, siç thotë: “Ne, vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.” (El Israë, 70). Ky respekt që ia ka bërë Allahu xh.sh. njeriut do të thotë që t’i përkushtohemi ruajtjes së pesë detyrimeve dhe mbrojtjes nga çdo rrezik që mund t’i kanoset. Ngase të gjitha librat qiellorë kanë ardhur që t’i ruajnë këto pesë detyrime si dhe të gjitha ligjet mbi ekzekutimin në legjislacionin islam ndërtohen mbi këto pesë detyrime.
- Nëse aborti lejohet që në start të zhvillimit pa ndonjë arsye, ky është një mjet i marrjes së jetës së miliona njerëzve në vit. Ky konsiderohet një shkatërrim i madh në fe. Nëse kjo çështje pra ekziston si e tillë, ku jemi ne me fjalët e Allahut xh.sh: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë…” (El Israë, 31)
Aborti që kryhet në fazat e para të zhvillimit embriologjik dhe para frymëzimit futet në ndëshkim në bazë të këtij citati kuranor, ngase pengon zhvillimin dhe rritjen e tij.
- Edhe pse aborti para frymëzimit të shpirtit konsiderohet krim, por një gjë e tillë inicion një problem edhe më të madh, pra lejimin e abortit edhe mbas frymëzimit. Kjo i hap rrugën atyre që injorojnë fenë e Allahut, që ta ushtrojnë këtë krim pa frikë dhe turp, krim që shkakton hidhërimin e Allahut të Lartësuar si dhe të Pejgamberit alejhi selam. Legjislacioni islam është i ruajtur nga devijimet e njerëzve dhe veset e liga të tyre, duke filluar që nga kulmi i krimit, prostitucioni dhe mjetet që nxisin në të. Në të kundërtën, inicion dhe stimulon çdo gjë që është në perspektivë të shoqërisë së mbarë. Prandaj ata që e lejojnë një gjë të tillë, abortin me disa shkaqe pa vlerë, nuk mund të kenë arsye. Kështu që mendimi që ndalon abortin në këtë fazë zhvillimore është në pajtim me moralin islam.
- Këtë mendim e përkrah fuqishëm edhe kongresi “Islami dhe planifikimi familjar”, i mbajtur në Rribat më datë 22-29 të vitit 1971, ku ndër të tjera porosit që të gjithë juristët islamë ndalojnë abortin mbas frymëzimit pa arsye të justifikueshme fetare, ndërsa para kësaj faze, përkundër mendimeve të disa juristëve që lejojnë abortin, mendimi më i saktë anon që të ndalohet aborti në të gjitha fazat e zhvillimit,pos me arsye të justifikueshme. Këtë mendim e mbron edhe Komisioni i Përhershëm për Hulumtime dhe Vendime të Sheriatit në Arabinë Saudite. Shiko “Elislam ve tendhim elusre”, 2/526.
- Detyrimet lejojnë ndalimet, kjo tregon për tolerancën e Islamit dhe mëshirën e tij, ngase lejon abortin në raste kur kërkohet nevoja e justifikuar, qoftë para frymëzimit të shpirtit, qoftë mbrapa tij. Allahu e di më së miri.
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, kurse salavatet ia dërgojmë krijesës më të dashur të Allahut, Muhamedit alejhi selam.
Shkroi:
Dr. Sadat Rrustem