Në traditën e rrëfimeve për marshimet e largëta të Aleksandrit të Madh, përmendet një episod i thjeshtë në dukje, por me peshë të madhe simbolike. Gjatë një marshimi të gjatë nëpër shkretëtirë, ushtria e lodhur dhe e sfilitur mbeti pa ujë dhe po shfaqeshin shenja demoralizimi. Nën diellin e pamëshirshëm të rërës, lodhja dhe dëshpërimi rëndonin mbi çdo hap të tyre. Në atë gjendje skajore, dikush nga ushtarët arriti të gjejë pak ujë dhe ia solli Perandorit dhe komandantit të vet në një enë të madhe, si një dhuratë shpëtimi, si një shpresë e papritur në mes të shkretëtirës.
Aleksandri e mori enën në dorë dhe, duke parë përreth fytyrat e etura të ushtarëve të tij, tha një fjali që mbeti gjatë në kujtesën e njerëzimit:
“Për mua është shumë, për të gjithë s’mjafton.”
Pastaj e derdhi ujin në rërën e shkretëtirës.
Ky gjest, më shumë se një akt asketizmi apo heroizmi personal, përmban një kuptim të thellë për marrëdhënien mes individit dhe bashkësisë. Në atë çast, një pikë ujë që mund të kishte shpëtuar një njeri u shndërrua në një dëshmi morale për të gjithë. Ai ujë, i derdhur në rërë, u kthye ne lumë që shoi etjen e të gjithëve, u bë një shenjë që tregonte se udhëheqja nuk e njeh privilegjin e vetmisë, sidomos kur mungesa është e përbashkët.
Kjo thënie, e thjeshtë dhe e prerë, mbart një të vërtetë që shtrihet përtej historisë së një marshimi ushtarak. Ajo prek mënyrën se si shpërndahen gjërat e jetës; gëzimi, shpresa, mundësitë, madje edhe stinët e shpirtit.
Një ditë pranvere më feksi pikërisht kjo fjali. Ajo u shfaq në mendje papritur, sikur të ishte një cicërimë e largët që kërkon të dëgjohet më qartë. Dhe në atë çast më lindi një krahasim i çuditshëm; pranvera, në një mënyrë të heshtur dhe të padukshme, i ngjan kësaj thënieje.
Sepse pranvera, edhe pse duket si një stinë që u përket të gjithëve, në të vërtetë nuk mbërrin njësoj për çdo njeri. Për disa ajo është vërtet shumë; një shpërthim drite, gjallërie, zgjimi dhe dëshirash. Për të tjerë mbetet vetëm një jehonë e largët, një stinë që kalon pranë tyre pa u ndalur gjatë. Si ai uji në enë, edhe pranvera duket e bollshme në pamje, ndërsa në përvojën e brendshme shpesh del se, për disa është shumë, ndërsa nuk mjafton për të gjithë.
Disa njerëz e ndiejnë atë në çdo gjethe që drithëron, në çdo cicërimë që vibron në ajër. Të tjerë e kalojnë pranverën si një prag të turbullt, ku diçka zgjohet e diçka tjetër mbetet e mbyllur.
Ata që ende nuk e kanë vënë re këtë dallim, një ditë do ta kuptojnë. Sepse stinët e natyrës dhe stinët e shpirtit rrallë përkojnë plotësisht. Dhe pikërisht në atë hapësirë të heshtur mes tyre lind ndonjëherë edhe fjala poetike.
Në këtë frymë ka lindur edhe poezia që vijon.
——————–
PRANVERA
——————-
“Për mua është shumë
Për të gjithë s’mjafton”.
(Aleksandri i Maqedonisë)
———————————-
Fshehurazi cicërima,
Vibron…
Nëpër gjeth të njomë.
Gjeth që drithëron,
Gjeth që valvitet,
Gjeth që fërfëllet,
Gjithherë ashtu,
Dhe nuk dihet përse.
Të jetë flladi vallë,
Në përqafim cicërime shkrirë?!
Apo mos ndoshta,
Është cicërima,
Që në përqafimin e flladit tretet?!
Dridhja e brishtë
Nëpër deje klorofile,
Zgjon lëngje të trandafilta virgjërie.
Përgjim e pritje
Për hapin drejt pragut.
Pritje e përgjim
Për hapin përtej pragut.
Ankth pranvere të sapofilluar.
Ndërsa thërrasin dikë,
Zogjtë këndojnë.
Nuk qajnë si foshnjat.
Burrat beharit bëhen,
Të fortë e të heshtur,
Më të heshtur,
Se sa fjala që duhej thënë,
Se sa klithma që u kyç në gjoks,
Jo si zogjtë.
Bëhen edhe të butë,
Fjalëshumë e grindavecë,
Prapë jo si zogjtë.
Dëshirat gjembaçe përgjumen
Të fshehura
Nëpër jastëkë lodrash.
Ashtu…
Të frikura nga fshehja,
Trimëruar prej trokitjeve,
Si çdo fillim ëndrre,
Si çdo fillim zgjimi.
Ca fëmijë papritur u rritën,
E nuk janë më të tillë.
Lodra i zboi larg,
Ëndrra i grish në prag,
Atje ku zgjimi vijon fluturimin
I ndjell në pragun
Ku dëshirat,
Nuk janë vetëm ngjyra.
E nuk janë më fëmijë,
Nuk janë…
Paçka se pranvera nuk i sheh,
Apo nuk do t’i shohë.
I ruan ndoshta nga vetja e saj.
