Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen në postin e kryetares së Kuvendit, si dhe nënkryetarët e rinj për përgjegjësitë që u janë besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka vlerësuar rëndësinë e këtij momenti institucional dhe ka theksuar se Kuvendi i Kosovës mbetet shtylla kryesore e demokracisë parlamentare dhe hapësira ku konkretizohet vullneti qytetar.
Ajo ka shprehur bindjen se udhëheqja e re do ta ushtrojë mandatin me përgjegjësi të lartë demokratike, duke respektuar Kushtetutën dhe duke vepruar gjithmonë në funksion të interesit të Republikës së Kosovës.
Sipas presidentes, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe funksionimi i plotë i Kuvendit janë thelbësore për të forcuar shtetin e së drejtës, për të ruajtur stabilitetin demokratik dhe për të mbrojtur vlerat shtetërore e historike të vendit. Ajo ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e avancimit të agjendës euroatlantike, si një nga prioritetet strategjike të Kosovës.
Në mesazhin e saj, Osmani ka shprehur pritjen që ky mandat parlamentar të karakterizohet nga vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë e lartë demokratike dhe angazhim i palëkundur në shërbim të qytetarëve.
Në përfundim, presidentja u ka uruar drejtuesve të rinj të Kuvendit punë të mbarë dhe suksese në ushtrimin e detyrave të tyre shtetërore.
