Bukuria e burrave matet me fjalët ndërmjet heshtjeve, ndërsa urtësia e grave matet me heshtjen ndërmjet fjalëve.
Kjo thënie shfaqet si formulim i përmbledhur i një përvoje të gjatë reflektimi mbi marrëdhënien ndërmjet gjuhës, subjektit dhe masës së vetëpërmbajtjes. Ajo vendos menjëherë një raport të brendshëm mes dy mënyrave të ndryshme të përjetimit të fjalës dhe heshtjes, duke i trajtuar ato si forma kuptimi dhe jo si kundërvënie mekanike. Në këtë kuptim, fjala dhe heshtja paraqiten si struktura të përjetimit njerëzor që marrin peshë vetëm në raport me njëra-tjetrën, duke u shndërruar në një kriter vlerësimi estetik dhe etik të qenies.
Këtë thënie e kam publikur para shumë vitesh, ndërsa dikush më renditi disa pyetje, tek të cilat mora për bazë shtjellimin e mëposhtëm. Këto pyetje u shfaqën si kërkesa për thellim, për shpjegim të një mendimi që kishte ngjallur rezonancë përtej formulimit të tij aforistik, pa pretenduar kundërshti thelbësore. Pikërisht nga kjo nevojë për sqarim dhe zgjerim lindi shtjellimi që pason, si përpjekje për ta vendosur thënien në një kornizë më të gjerë filozofike dhe kulturore, aty ku fjala dhe heshtja marrin trajtën e masave të përgjegjësisë njerëzore dhe të mënyrave të ndryshme të banimit të kuptimit.
***
Fjala dhe heshtja siç edhe të gjitha antinomitë, përveçse janë të domosdoshme për njëra tjetrën, për pasojë, ato nuk ndërveprojnë si kundërshtare. Në këtë raport, fjala dhe heshtja shfaqen si forma bashkëpërkatëse të kuptimit, të cilat ndërtojnë një ekuilibër të brendshëm të përjetimit njerëzor. Antinomia këtu nuk vepron si ndarje, por si marrëdhënie strukturuese, ku secila palë i jep tjetrës kufijtë dhe mundësinë e shfaqjes. Në këtë mënyrë, fjala merr peshë përmes ndërprerjes, ndërsa heshtja fiton kuptim përmes pranisë së mundshme të fjalës.
Nëse thellohemi vetëm pak, do vërejmë se secila prej tyre është masë e ndërsjelltë vlersimi dhe sigurie për të ndryshmen e vetes, pavarësisht sa është kjo pjesë e aksiomatrisë së njeriut. Ky vëzhgim na e zhvendos diskutimin nga niveli i shprehjes drejt nivelit të ontologjisë së subjektit, aty ku fjala dhe heshtja shërbejnë si kritere të vetëdijes dhe të vetëpërmbajtjes. Ato veprojnë si një sistem i brendshëm matjeje, përmes të cilit njeriu orienton veten ndaj botës dhe ndaj tjetrit, duke e njohur kufirin si kusht sigurie dhe si shenjë përgjegjësie.
Pikërisht kjo e vërtetë e thjeshtë refuzohet vazhdimisht nga njeriu modern, i cili flet pa masë dhe hesht pa vetëdije. Kështu, në përditshmërinë bashkëkohore, fjala shpesh humbet raportin me ndalesën, ndërsa heshtja shkëputet nga reflektimi. Kjo prirje e zhvendos komunikimin drejt teprimit dhe zbrazëtisë njëkohësisht, duke e shndërruar aktin e të folurit në shfaqje të pandërprerë dhe heshtjen në gjendje të paartikuluar, pa thellësi përjetimi.
Aty ku fjala nuk njeh kufi, heshtja shndërrohet në mungesë kuptimi për t’u dakortuar, në mungesë argumenti për të replikuar, apo në mungesë fuqie për të reaguar. Në këto rrethana, heshtja perceptohet si zbrazëti, si hapësirë e pazotëruar nga kuptimi, dhe jo si fazë përpunimi apo si prani reflektuese. Ajo lexohet si shenjë dorëzimi ose paaftësie, duke humbur dimensionin e saj etik dhe mendimor.
Ndërsa aty ku heshtja është e tërësishme, fjala është e dhunuar, fjala është e deformuar, apo fjala bëhet e panevojshme. Në këtë ekstrem, fjala humbet funksionin e saj si akt komunikimi dhe përgjegjësie, duke u shfaqur ose si imponim, ose si formë e zbrazët shprehjeje. Heshtja absolute e ndrydh fjalën, ia shtrembëron kuptimin dhe ia heq mundësinë e ndërveprimit të gjallë.
Njeriu lëviz vazhdimisht ndërmjet këtyre dy poleve, duke e matur veten jo me atë që thotë, por me mënyrën se si di të ndalet. Kjo lëvizje e pandërprerë ndërmjet fjalës dhe heshtjes formëson identitetin etik të subjektit, aty ku vetëkontrolli dhe ndërgjegjja për masën bëhen tregues të pjekurisë. Ndalja shfaqet si çast reflektimi, si aftësi për ta përmbajtur veten përpara se fjala të marrë formë.
Pikërisht këtë ndalesë e kemi humbur, dhe bashkë me të kemi humbur edhe peshën e fjalës. Humbja e ndalesës sjell me vete lehtësimin e fjalës, shndërrimin e saj në qarkullim të shpejtë pa përgjegjësi dhe pa rrezik. Fjala, e çliruar nga heshtja që e peshon, e humbet fuqinë e dëshmisë dhe të ndikimit, duke mbetur e pranishme vetëm si zhurmë.
***
Bukuria e burrave, në këtë kuptim, nuk qëndron te sasia e fjalëve, por te aftësia për t’i vendosur ato mes heshtjeve. E rrjedhimisht, kjo bukuri artikulohet si një cilësi e brendshme e masës dhe e vetëpërmbajtjes, aty ku fjala fiton peshë përmes ritmit dhe ndalesës. Vendosja e fjalëve mes heshtjeve shfaqet si akt maturie, si aftësi për ta lënë kuptimin të marrë formë përpara se të artikulohet. Në këtë raport, fjala është shenjë e një ndërgjegjeje që e njeh kufirin si element estetik dhe etik të shprehjes, e të gjitha bashkë manifestohen si rrjedhë e kontrolluar.
Kjo është arsyeja pse sot shohim kaq shumë fjalë dhe kaq pak bukuri. Shumësia e fjalëve shoqëron shpesh varfërimin e kuptimit, duke krijuar një hapësirë komunikimi të mbingarkuar nga shprehja dhe të zbrazët nga pesha. Bukuria, e lidhur ngushtë me masën dhe përzgjedhjen, zbehet aty ku fjala qarkullon pa ndalesë dhe pa reflektim, duke humbur aftësinë për të dëshmuar për thellësinë e subjektit.
Fjala e burrit, kur është e zhveshur nga heshtja, bëhet zhurmë, deklaratë force pa peshë, e mjaft shpesh bëhet përpjekje për të mbuluar boshllëkun e brendshëm. Në këtë gjendje, fjala shfaqet si ekspozim i jashtëm pa përmbajtje të brendshme, si shenjë e një tensioni që kërkon të afirmohet përmes sasisë. Ajo merr trajtën e një force deklarative që synon të pushtojë hapësirën, duke e zëvendësuar kuptimin me intensitetin dhe reflektimin me imponimin.
Heshtja, ndërsa, është prova e vetëkontrollit; ajo e bën fjalën të matshme, me ngarkesën e rrezikut kundrejt sprovës, duke e bërë të përgjegjshme në veprim. Kësisojë, heshtja shfaqet si filtër i brendshëm i fjalës, si hapësirë ku mendimi përpunohet dhe merr formë përpara se të artikulohet. Duke e ekspozuar fjalën ndaj rrezikut të sprovës, heshtja i jep asaj peshë dhe përgjegjësi, duke e shndërruar shprehjen në akt të ndërgjegjshëm dhe jo në reagim të menjëhershëm.
Është e sigurtë se pa këtë rrezik dhe pa përgjegjësinë që meriton, fjala nuk është më akt, ajo shndrrohet në shfaqje e stisur e cila nuk është në gjendje të dëshmojë as për rrethanat më të thjeshta. Në mungesë të këtij procesi të brendshëm, fjala humbet lidhjen me veprimin dhe me dëshminë, duke mbetur në nivelin e paraqitjes. Ajo shndërrohet në një formë ekspozimi që synon të duket, pa qenë e aftë të mbajë peshën e situatës dhe të përgjegjësisë që kërkon realiteti.
***
Urtësia e grave, përkundrazi, manifestohet te heshtja që ndan fjalët. Këtu më duhet të bëj një sqarim; këto rreshta i shkruan dikush që e përjashton kategorikisht mundësinë që cilido burrë në botë mund të kuptoje një grua; sikundërse edhe çdo grua në botë (ndoshta) e ka gjithashtu të pamundur të kuptojë një burrë. Me këtë pohim dua të vendos që në fillim një distancë reflektuese nga pritshmëria e kuptimit të plotë reciprok, duke e zhvendosur vëmendjen nga transparenca drejt dallimit.
Nga ky këndvështrim, heshtja që ndan fjalët shfaqet si hapësirë përpunimi, si interval ku kuptimi nuk shpallet menjëherë, por piqet në raport me ndjeshmërinë dhe përvojën. Autori i këtyre rreshtave e pozicionon veten në një vetëdije të kufirit, aty ku përpjekja për të kuptuar tjetrin nuk përkthehet në përvetësim, por në respekt për papërkthyeshmërinë e përjetimit të tij.
Pra, bëhet fjalë për ndryshime thelbësore që në krijim dhe nëse do ishte i mundur kuptimi i ndërsjelltë, nuk do ishte e mundur dhe as e nevojshme që burri dhe gruaja të plotësonin njëri-tjetrin, e rrjedhimisht, as do qe e mundur bashkëshortësia, as përgjegjësia e dyfishtë. Këto ndryshime përkufizohen si radikalisht strukturore, asesi rastësore, duke e vendosur marrëdhënien burrë–grua në një plan ontologjik. Andaj plotësimi këtu merr kuptimin e bashkëpërkatësisë së dy mënyrave të ndryshme të qenies, ku secila ruan integritetin e vet. Përgjegjësia e dyfishtë lind pikërisht nga kjo dallueshmëri, si thirrje për kujdes, për durim dhe për vetëpërmbajtje përballë një bote që nuk shterohet në përkthim të drejtpërdrejtë.
Por le ti kthehemi tekstit; mundet që heshtja e grave ndërmjet fjalëve nuk është as pasivitet dhe as nënshtrim, siç shpesh keqinterpretohet shpesh nga mendësia e paduruar mashkullore, për mua preferoj të jetë maturim. Kthimi te teksti shënon një zhvendosje nga pohimi i përgjithshëm drejt analizës së përjetimit konkret. Heshtja ndërmjet fjalëve shfaqet si formë e një inteligjence të përqendruar, si proces i brendshëm i përzgjedhjes dhe i peshimit të kuptimit. Ky qëndrim e nxjerr heshtjen nga regjistri i reagimit dhe e vendos atë në fushën e formimit të mendimit, aty ku koha dhe reflektimi shndërrohen në shenja pjekurie.
Pra, kjo heshtje ndërmjet fjalëve duhet marrë si prani kuptimi, si thellim në kontekst, kurrësesi si mungesë e artikulimit të zërit me kthjelltësi. Në këtë prizëm, heshtja shfaqet si densitet dhe jo si zbrazëti, si prani që e pasuron fjalën dhe ia zgjeron horizontin kuptimor. Ajo krijon një hapësirë ku fjala e ardhshme mund të mbajë peshë, të jetë e lidhur me kontekstin dhe të ruajë kthjelltësinë e qëllimit. Kështu, heshtja bëhet pjesë përbërëse e ligjërimit, duke e vendosur urtësinë në raport me masën, durimin dhe ndjeshmërinë ndaj tjetrit.
Si e tillë, heshtja e gruas mendoj se nuk pse të interpretohet sikur është tërheqje nga fjala, fare mirë mund te jetë çast përzgjedhje në favor të vazhdimit të diskutimit, ndoshta me objektiv të ardhmen. Pra, kjo heshtje mendoj se shfaqet si moment orientimi dhe jo si ndërprerje e dialogut, gjë që na bën të besojme se ajo përfaqëson një mënyrë tjetër të menaxhimit të kohës dhe të kuptimit, aty ku ndonjëherë fjala nuk nxitohet drejt përfundimit, gjë që do të thotë se lihet të piqet në raport me pasojat e saj. Në këtë mynyrë, çasti i përzgjedhjes e vendos komunikimin në një horizont projektues, ku e ardhmja e marrëdhënies merr përparësi ndaj reagimit të menjëhershëm.
Kësisojë, ajo flet për ta shenjuar dhe subjektivizuar hapësirën, që do të thotë se, në kuadër të subjektivizimit, flet edhe për ta dominuar atë. Kjo mënyrë e të folurit dhe e të qëndruarit në heshtje shpreh një raport tjetër me hapësirën simbolike të dialogut. Fjala kështu ruhet si akt i matur që synon vazhdimësinë e kuptimit dhe, pse jo, përdoret edhe si mjet për të vendosur autoritet apo për të ruajtur terrenin në të cilin konfirmohet personaliteti. Mbas gjithë kësaj, hapësira e komunikimit mbetet e hapur, e përbashkët dhe e pambyllur nga një zë i vetëm.
Pikërisht këtu lind hapsira e mundëshme me premisat e keqkuptimit të madh; në shumicën e rasteve burri e merr fjalën e tejzgjatur të gruas si mungesë, ndërsa heshtjen kategorike e konsideron si hakmarrje. Ndoshta këtu keqkuptimi merr formë, kjo ndodh në momentin kur masat e ndryshme të fjalës dhe të heshtjes lexohen përmes një kodi të vetëm interpretimi. Në këtë rast, fjala e zgjatur perceptohet si teprim, ndërsa heshtja e prerë si akt i mbylljes emocionale, duke e zhvendosur vëmendjen nga qëllimi i komunikimit drejt supozimeve mbi pushtetin dhe kontrollin.
Ndërkohë gruaja, ndoshta e sheh fjalën e saj (qoftë edhe e tepërt), si vlerë të shtuar, ndërsa heshtjen ndërmjet fjalëve e shikon si humbje. Në këtë perspektivë, fjala merr funksion akumulues, si mënyrë për ta pasuruar hapësirën e përbashkët me nuanca, sqarime dhe lidhje kuptimore. Heshtja ndërmjet fjalëve përjetohet si boshllëk i padëshiruar, si ndërprerje e rrjedhës së ndarjes së përvojës. Këto mënyra të ndryshme të vlerësimit të fjalës dhe heshtjes e thellojnë distancën interpretative, duke e bërë keqkuptimin pjesë të strukturës së marrëdhënies.
***
Duke e marrë të mirëqenë këtë keqkuptim, të cilin mund ta definojmë se përveç se është psikologjik, ai është gjithashtu edhe kulturor, edhe thellësisht etik, vërejmë gjithashtu se është edhe zemra e lidhjes së ndërsjelltë.
Është ky pranim e keqkuptimit si fenomen shumëdimensional, që e zhvendos analizën përtej reagimeve individuale. Psikologjia e përjetimit, kultura e trashëguar e komunikimit dhe etika e marrëdhënies ndërthuren në një strukturë ku mënyrat e të folurit dhe të heshturit bartin kuptime të ndryshme. Për më tëepër, keqkuptimi, në këtë prizëm, shfaqet si produkt i masave të pabarabarta të dëgjimit dhe të shprehjes, të cilat janë formësuar nga horizonte tërësisht të ndryshme përvoje dhe përceptimi.
Në këtë përplasje, të dyja botët mbeten të huaja për njëra-tjetrën, të cilat aq sa kanë tendencë të shtyhen për t’u larguar, po aq kanë prirjen të tërhiqen për t’u afruar. Pra, huajësia këtu nuk përfaqëson distancë fizike apo mungesë kontakti, por një mosndërthurje të gjuhëve të brendshme të përjetimit. Secila botë e ruan mënyrën e vet të matjes së kuptimit të fjalës dhe heshtjes, duke e bërë tjetrën të duket e paarritshme ose e pakuptueshme. Kjo gjendje e huajësisë përforcohet sa herë që dialogu reduktohet në pritshmëri simetrike.
Është pikërisht kjo huajësi, që shpesh maskohet si “mosmarrëveshje”, ndërkohë që në thelb është refuzim për të folur dhe dëgjuar sipas masës së tjetrit. Termi “mosmarrëveshje” shërben si emërtim i butë për një hendek më të thellë, aty ku mungon gatishmëria për t’u zhvendosur drejt masës së tjetrit. Refuzimi për të dëgjuar sipas ritmit dhe ndjeshmërisë së ndryshme e mbyll dialogun në rreth vicioz, duke e bërë secilin zë të dëgjojë vetëm jehonën e vet.
Burri tenton ta pushtojë botën e gruas me heshtje dhe me fjalë, ndërsa gruaja e mbron botën e saj me fjalë dhe me heshtje, mjaft shpesh ndodh edhe e anasjellta. Këto lëvizje pasqyrojnë strategji të ndryshme mbrojtjeje dhe afirmimi të hapësirës së brendshme të cila mund të pajtojnë divergjencat, por mundet edhe t’i acarojnë. Heshtja shfaqet si mënyrë për ta mbajtur distancën, ndërsa fjala si mënyrë për ta shtrirë praninë, ndërsa ndërrimi i roleve tregon se këto strategji nuk janë të ngurta, por varen nga rrethanat dhe nga ndjeshmëria e momentit.
Të dy gabojnë kur mendojnë se tjetri duhet të heshtë ose të flasë si ata, apo të të flasë dhe të heshtë sipas masës së tyre. Ky gabim buron nga pritshmëria e uniformitetit, aty ku dallimi kërkon njohje dhe durim. Masa personale e fjalës dhe e heshtjes shndërrohet në normë universale, duke e bërë dialogun të humbasë elasticitetin dhe aftësinë për të pranuar dhe për t’u përshtatur. Pikërisht këtu, keqkuptimi konsolidohet si strukturë e qëndrueshme e marrëdhënies.
***
Gjithë sa më sipër trajtuam, manifestohet në atë mynyrë sepse fjala dhe heshtja përveç se janë universale; ato janë edhe gjuhë intime të përjetimit. Universaliteti i tyre i bën të përbashkëta për çdo kulturë dhe kohë, ndërsa intimiteti i tyre i lidh drejtpërdrejt me përvojën personale dhe me mënyrën se si subjekti e banon botën. Fjala dhe heshtja funksionojnë si kode të brendshme të ndjeshmërisë, përmes të cilave individi artikulon raportin e vet me kuptimin, me tjetrin dhe me vetveten.
E thënë ndryshe, kush kërkon uniformitet, ka kërkuar njëkohësisht edhe shkatërrimin e dallimit. Uniformiteti në këtë kontekst shfaqet si përpjekje për ta reduktuar shumëllojshmërinë e përjetimeve në një masë të vetme, duke e shndërruar dallimin në pengesë dhe jo në burim kuptimi. Dallimi, si strukturë themelore e marrëdhënies, mban gjallë tensionin krijues të dialogut dhe e ruan hapësirën për rritje reciproke.
Prandaj kjo botë e dyfishtë mbetet enigmë, ndërkohë që enigma këtu nuk shfaqet si mister i pazgjidhshëm, por si ftesë për një qëndrim të kujdesshëm dhe të hapur ndaj tjetrit. Botët e ndara nga mënyra të ndryshme të të folurit dhe të heshturit kërkojnë një vëmendje që pranon kompleksitetin dhe shmang thjeshtimin.
Kjo botë e dyfishtë me të folurit dhe të heshturit e posaçëm, nga të dy anët refuzon të dorëzohet dhe kjo, jo sepse është e padepërtueshme, përkundrazi, ajo vetëm kërkon një etikë tjetër të dëgjimit; një etikë që nuk mësohet as me të folur, as me heshtur mekanikisht. Kjo etikë e dëgjimit ndërtohet mbi vetëdijen e masës dhe mbi gatishmërinë për t’u zhvendosur drejt ritmit të tjetrit. Ajo nuk përvetësohet përmes teknikës apo rregullit, por përmes ushtrimit të vazhdueshëm të durimit, vëmendjes dhe respektit për dallimin.
Dy botë që bashkohen dhe ndahen në artikulimin e fjalës dhe heshtjes, kërkon një dëgjim që nuk nxiton ta thyejë heshtjen dhe një thellim që nuk e përdor fjalën si mjet pushteti. Ky dëgjim dhe thellim ruan hapësirën e heshtjes si moment kuptimi dhe e trajton fjalën si akt përgjegjësie, jo si instrument dominimi. Diçka e tillë lejon që fjala të vijë në kohën e vet, duke e mbajtur dialogun të hapur dhe të ndjeshëm ndaj nuancave dhe heshtja të presë në këndin e vet deri sa të piqet mendimi.
Vetëm aty ku burri mëson të flasë pa u zhdukur dhe të heshtë për t’u dëgjuar, dhe gruaja të flasë pa humbur veten dhe të dëgjojë pa u shpërndarë, lind mundësia e një kuptimi të vërtetë. Dhe është pikërisht kjo mundësi që lind në pikën e ekuilibrit, ndërliken dhe përthyhen aty ku shprehja dhe përmbajtja bashkëjetojnë pa e përjashtuar njëra-tjetrën. E folura dhe dëgjimi bëhen akte të vetëdijshme, të orientuara drejt ruajtjes së integritetit personal dhe në mbrojtje të të hapësirës së përbashkët.
Pa këtë ekuilibër, çdo tentativë ndërthurje të fjalës me heshtjen për ndërtuar një dialog të mundshëm, është dhe mbetet vetëm përplasje egosh. Mungesa e masës e zhvendos komunikimin drejt spikatjes së vetes dhe bëhet pengesë e afirmimit të vetes, duke e varfëruar mundësinë e takimit të vërtetë. Dialogu humbet funksionin e tij etik dhe shndërrohet në skenë përballjeje, ku fjala dhe heshtja shërbejnë më shumë për mbrojtje sesa për kuptim.
***
Deri atëherë, fjala dhe heshtja do të vazhdojnë të matin njëra-tjetrën si kufij të brendshëm të njeriut, kufinj që në shumicën e rasteve mund të përdoren si hapësira të ndërmjetme, me kufizime të ndërsjellta, pa ego, pa armë.
Këta kufij shfaqen si struktura dinamike të vetëpërmbajtjes, të cilat organizojnë raportin e individit me vetveten dhe me tjetrin. Ato janë harta e hapësirës ku fjala dhe heshtja bashkëjetojnë në masë të drejtë, duke krijuar mundësinë e ndërveprimit të vërtetë, të cilët edhe pse janë kufinj nuk përpbëjnë barriera. Në këtë kuptim, çdo kufi bëhet instrument i maturisë, i respektit dhe i ekuilibrit, duke shmangur instrumentalizimin e tjetrit si mjet pushteti.
Dhe kush nuk i njeh këta kufij, përveç se dështon në komunikim, përjashton edhe veten nga njohja, edhe vetë njohjen e tjetrit. Mosnjohja e kufijve brenda dialogut shfaqet si mangësi e vëmendjes dhe e sensivitetit ndaj mënyrave të ndryshme të të qenit. Ajo bën që individi të humbasë mundësinë e një marrëdhënieje të pasur, ku secili akt të foluri, apo heshtjeje ka kuptim të matshëm dhe përgjegjësi. Përjashtimi i njohjes së tjetrit është rrjedhojë e padurimit për të respektuar ritmin e tij dhe për të pranuar dallimin si kusht esencial të bashkëjetesës dhe të kuptimit reciprok.
Në këtë mënyrë, fjala dhe heshtja nuk mbeten thjesht mjete komunikimi, por shndërrohen në parametra të brendshëm të moralitetit dhe të vetëdijes, duke e bërë marrëdhënien njerëzore një fushë reflektimi, ku njohja e vetes dhe e tjetrit zhvillohet në kuptim dhe përgjegjësi të ndërsjellë.