Shkurtimisht
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndjekur një narrativ polarizues që e ka izoluar politikisht brenda dhe jashtë Kosovës, thonë njohësit.
Përpjekjet e Kurtit për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të fundit dështuan, pasi partitë kryesore refuzuan bashkëqeverisjen me të.
Raportet e ndërlikuara me SHBA-në dhe BE-në kanë ndikuar negativisht në pozicionin ndërkombëtar të Kurtit dhe LVV-së, sipas njohësve.
“Lëvizja Vetëvendosje është komunitet i njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen…” – kështu nis kjo parti politike përshkrimin e historikut të veprimtarisë së vet në Kosovë.
E themeluar në vitin 2005, fillimisht si një lëvizje e pavarur antiestablishment, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me në krye Albin Kurtin, hyri në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010.
Nëntë vjet më vonë, nga zgjedhjet parlamentare doli si partia e parë, dhe siguroi 29 vende në Kuvend.
Lideri i LVV-së, Kurti, bashkëqeverisi me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për 51 ditë.
Një vit më vonë, LVV-ja siguroi 58 vende në Kuvend, pasi fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kurti qeverisi i vetëm për katër vjet.
“Ai ka ndërtuar një narrativ politik të tipit ‘ne kundër të gjithëve’”, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshilldhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL).
Por, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të 2025-tës, Kurti, partia e të cilit fitoi 48 vende në Kuvend, mbeti i vetëm në qëllimin për të formuar qeverinë e re.
Ai refuzoi mundësinë e bashkëqeverisjes me partinë e dytë, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Qëndrim të njëjtë pati edhe PDK-ja.
Ndërkaq, LDK-ja, si partia e tretë për nga fuqia në Kuvend, refuzoi bashkëqeverisjen me Kurtin, përkundër ofertës së tij. Kurtin e refuzoi edhe Nisma Socialdemokrate, e cila ka 3 deputetë në Kuvend.
