Browsing: Lajme

Ekspertët paralajmërojnë se fëmijët janë të cënuar nga pedofilët dhe mund të shohin lehtësisht pornografi në internet, e megjithatë aksesi ndaj programeve të kontrollit prindëror mbetet i kufizuar.
Ajo ishte vetëm 13 vjeçe dhe ishte njohur në internet me dikë që i kishte thënë se ishte moshatar i saj, 15 vjeç. Ata biseduan për pak kohë dhe më pas shkëmbyen numrat e telefonit për të folur. Pikërisht në atë moment vajza e kuptoi se ai ishte më i madh në moshë. Burri i kërkoi të takoheshin dhe madje e kërcënoi, kështuqë vajza u frikësua.”
Aq e frikësuar ishte, thotë Mirgit Vataj, supervisor i linjës kombëtare të këshillimit për fëmijë ALO 116, saqë refuzonte ti tregonte prindërve apo të informonte policinë, e frikësuar se situata ku ndodhej mund të bëhej publike dhe ti sillte pasoja.
Përfundimisht ALO 116 e bindi vajzën që ti lejonte të njoftonin shkollën duke përfshirë punonjësit lokalë me të cilët bashkëpunon kjo linjë. Megjithatë, ekspertët ligjorë dhe ata të mbrojtjes së fëmijëve janë të shqetësuar se fëmijët shqiptarë janë tepër të rrezikuar nga komunikimi i qëllimshëm i pedofilëve shfrytëzues në internet.
“Nëpërmjet komunikimit me ta (fëmijët), kemi kuptuar që të besojnë lehtësisht edhe nëse nuk të njohin mirë. Niveli i besueshmërisë është kaq i lartë, ndërsa niveli i ndërgjegjësimit lidhur me rrezikun e internetit është kaq i ulët”-tha Vataj për BIRN.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, BIRN ka mësuar se disa prej ofruesve më të mëdhenj të shërbimit të internetit, ISP, nuk ofrojnë mekanizma të kontrollit prindëror që do të mundësonin menaxhimin e komunikimit apo bllokimin dhe monitorimin e ëebsajteve që vizitojnë fëmijët, duke i lënë minorenëve mundësinë për biseduar pa mbikqyrje me të huaj dhe duke aksesuar lehtësisht faqe për të rritur, përfshirë këtu dhe ato pornografike. Edhe në ato raste kur këto mekanizma janë të disponueshme, shumë pak prindër në Shqipëri aktivizojnë programet e kontrollit prindëror.
Rreziku nga të panjohurit
“Çdo shtëpi sot është e lidhur në internet, edhe në zonat më të thella, por kjo përhapje nuk është shoqëruar me informacionin ndaj rreziqeve të internetit, çka e ka ekspozuar shoqërinë shqiptare, veçanërisht minorenët ndaj rreziqeve të pedofilisë”-paralajmëron Dr.Fabian Zhilla, ekspert i krimit kibernetik dhe professor në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë.
Zhilla ka qënë pjesë e ekipit të ekspertëve që përpiloi një raport mbi përdorimin e internetit nga fëmijët shqiptarë për organizatën ndërkombëtare të krishterë, të zhvillimi dhe advokimit World Vision në vitin 2014.
Kërkuesit intervistuan 871 fëmijë të moshave nga 13 deri në 18 vjeç në zonat rurale dhe ato urbane në 6 qarqe të Shqipërisë. 47 % e fëmijëve thanë se janë kontaktuar nga një i huaj përgjatë vitit të mëparshëm, ku në 40 % të rasteve ishin shtetas të huaj.
Edhe pse nuk ka një shifër të saktë për numrin e fëmijëve të cilët i kanë takuar fizikisht këta të panjohur, Zhilla paralajmëron se autoritetet nuk kanë një strategji konkrete për të analizuar rreziqet që vijnë nga pedofilët online.
“Reagimi i shtetit ndaj raportit ishte krejtësisht amorf. Jam i shokuar sepse studimi solli në dritë disa të dhëna mbi rreziqet e pedofilisë online që institucionet duhet ti kishin marrë në konsideratë”-thotë ai.
Veç kësaj, Zhilla beson se policia nuk i ka kapacitetet apo burimet e mjaftueshme për tu përballur me të gjitha çështjet e sigurisë në internet me të cilat përballen minorenët në Shqipëri, përfshirë këtu bulizmin dhe shtrëngimin për tu përfshirë në sjellje të rrezikshme.
Evisa Kambellari, pedagoge e drejtësisë penale në Universitetin e Tiranës shprehet gjithashtu e shqetësuar.
“Kam vënë re që numri i procedimeve penale është shumë i ulët për këto raste. Nuk kam dëgjuar deri më tani, që dikush të përdorë këto taktika, duke krijuar profilë të rremë për të kapur njerëz të rrezikshëm, të cilët të jenë arrestuar”-thotë Kambellari për BIRN.
Në një përgjigje të shkruar për BIRN, Sektori i Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit theksoi se këto lloj krimesh janë komplekse dhe përfshijnë bashkëpunim me institucione të tjera, në disa raste edhe me organizatat ndërkombëtare si Interpol dhe Europol.
“Duhet të theksojmë se në këto raste, hetimet kanë qënë të suksesshme dhe kemi identifikuar të dyshuarit duke i çuar para drejtësisë”-thuhet në përgjigjen nga zyra e shtypit.
“Asnjëherë nuk mund të themi që burimet janë të mjaftueshme pasi teknologjia ecën me ritme të shpejta dhe kjo do të kërkonte një përgjigjie të njëjtë nga ne… Sektori për Krimet Kompjuterike ka një strukturë të konsoliduar dhe të trajnuar për të hetuar këto vepra”
Studimi: 44 % e fëmijëve shohin pornografi çdo ditë
Përveç rrezikut që përbëjnë pedofilët të cilët kontaktojnë minorenët online, 44 % e fëmijëve pjesëmarrës në raportin e World Vision thanë se shohin pornografi çdo ditë në internet, çka për ekspertët e ndihmës sociale ndaj fëmijëve është ekstremisht shqetësuese.
Erinda Ibrahimllari, koordinatore e Qëndrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA, që drejton linjën ALO 116, thotë se ka hasur fëmijë të cilët janë tërësisht të pavetëdijshëm ndaj këtij rreziku.
“Shpesh, fëmijët nuk e kuptojnë që ajo që po shohin apo po bëjnë është një formë abuzimi ndaj tyre”-thotë ajo.
Anila Sulstarova, psikologe dhe profesore në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, ka trajtuar disa fëmijë të cilët janë traumatizuar rëndë nga ekspozimi ndaj porografisë. Ajo thekson se fëmijët do të imitojnë atë që shohin pa qënë të aftë për ta përpunuar apo kuptuar.
“Fëmijët nuk janë gati të përballen me këto akte të cilat nuk mund ti kuptojnë apo të jenë të vetëdijshëm. Fëmijët sot mësojnë shumë nga televizioni, por nga pornografia nuk mund të mësojnë asgjë. Përkundrazi ata thjesht do të përpiqen të pretendojnë dhe të sillen “sikur’….dhe kjo shndërrohet në një lloj traume”-paralajmëron Sulstarova.
Ekspertët ligjorë thonë se legjislacioni shqiptar nuk është i përshtatshëm për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet me të cilat përballen online, siç është dhe aksesi ndaj materialeve pornografike.
Sipas nenit 117 të Kodit Penal në Shqipëri, shpërndarja dhe publikimi i materialeve pornografike në mjediset e minorenëve është vepër penale e ndëshkueshme me gjobë ose burg deri në 2 vjet. Veç kësaj legjislacioni që mbron të drejtat e fëmijëve në nenin 24 ndalon gjithashtu shfaqjen e materialeve pornografike nën 18 vjeç.
Megjithatë Kambellari thotë se Shqipëria ka nevojë për ligje të posaçme që mbrojnë fëmijët nga aksesi në materialet e papërshtatshme në internet, përfshirë dhe pornografinë, dhe të bëjë përgjegjës ata që nuk kufizojnë aksesin në internet.
“Ne nuk mund të përdorim Kodin Penal, që trajton krimin tradicional dhe ta përshtatim për krimet kibernetike. Ky është një fenomen i ri, që po manifestohet me forma të reja gjithnjë e më shumë. Ndaj dhe është e nevojshme të hartojmë ligje specifike”-thotë ajo.
“Mendoj se do të ishte më mirë, nëse do të kishim një ligj që ndëshkon transmetimin e lirë në internet të materialeve pornografike”
Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike, ALCIRT, pranon se nuk ka ligje specifike për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet online, siç thekson Kambellari. “Për ne e paligjshme është vetëm ajo çka parashikohet në Kodin Penal”-thotë Rovena Bahiti, drejtoreshë e ALCIRT.
ISP-të nuk janë të detyruara të ofrojnë kontroll prindëror
ALCIRT ka nënshkruar një marrëveshje të quajtur Kodi i Sjelljes me ISP-të, sipas të cilit këto kompani kanë si qëllim të ofrojnë mekanizma të kontrollit prindëror klientëve të tyre, duke ndihmuar kështu prindërit të monitorojnë dhe ndalojnë fëmijët nën 18 vjeç që të aksesojnë përpmbajtje të papërshtatshme, përfshirë këtu dhe materialet e dhunshme apo qartësisht seksuale.
Megjithatë, Bahiti konfirmon se operatorët e telekomunikacionit dhe ISP-të nuk janë të detyruar me ligj të ofrojnë mjete të kontrollit prindëror.
Albtelecom, me rreth 1,5 milion klientë, është kompania më e madhe e telekomunikacionit në vend, e megjithatë nuk ofron programme specifike që ti lejojë prindërve të kontrollojnë apo monitorojnë faqet që shohin fëmijët e tyre.
“Një operator i vetëm nuk mund ta bëjë këtë. Kemi nevojë për një marrëveshje të re teknike që ti përfshijë të gjitha ISP-të (ofrues i shërbimit të internetit). Është e nevojshme që ISP-të e mëdha të bashkohen që të krijojnë një softëare të përbashkët dhe më pas ta aplikojnë atë”-tha për BIRN Alban Tartari, drejtor i komunikimit me median dhe publikun në Albtelecom.
Vodafone, ofron shërbim interneti për gati 1 milion shqiptarë dhe ajo gjithashtu nuk ofron kontroll specific prindëror, megjithëse ofron mjete më pak të sofistikuara për të kontrolluar celularët.
“Aplikacioni Vodafone Guardian është falas dhe duhet të instalohet në të dy telefonat celular (fëmija dhe prindi), në mënyrë që prindërit të zgjedhin se cilat numra mund ti telefonojnë fëmijëve të tyre si dhe mund të bllokojë aksesin në internet përkohësisht”-thotë Kushtrim Shala, menaxher produkti në departamentin e marketingut në Vodafone.
Telekom Albania, një tjetër kompani e madhe internet dhe ISP, tha për BIRN se zbaton legjislacionin shqiptar por refuzoi të komentojë më tej. Në uebsajtin e kompanisë nuk përmendet asnjë mekanizëm i kontrollit prindëror.
Ekspertët, përfshirë dhe autorët e raportit të World Vision, janë shumë kritikë ndaj faktit që ISP-ve nuk u kërkohet me ligj që të sigurojnë kontroll prindëror të internetit.
“ISP-të duhet të garantojnë që ata që janë nën 18 vjeç të mos kenë akses në këto faqe. Por nuk ka asgjë që i detyron ata nga ligjore”-thotë Kambellari.
Në një deklaratë të shkruar, zyra e Milena Harito, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike tha për BIRN se bashkë me 3 ministri të tjera dhe organizatat e shoqërisë civile po hartojnë një plan të ri kombëtar për sigurinë e fëmijëve në internet që pritet të publikohet në mars.
E pyetur për të komentuar drejtpërdrejtë mbi faktin se pse ISP-të nuk janë të detyruar ligjërisht të ofrojnë programme të kontrollit prindëror, deklarata thekson se “Kodi i Sjelljes” është hartuar nga vetë ISP-të në bashkëpunim me ministrin e TIK të asaj kohe. “Lidhur me atë çka duhet të ofrojnë ISP-të për mekanizma filtrues dhe të kontrollit prindëror, ky proces është inkurajuar prej nesh”-thuhet në deklaratë.
Rudolf Papa, drejtor I kabinetit në Autoritetin Shqiptar të Komunikimeve Elektronike dhe Postare shprehet se do të ishte mirë të kishte një ligj që I detyron ISP-të për të ofruar aplikacione të kontrollit prindëror, por thekson se kostoja e një procesi të tillë duhet marrë parasysh dhe se vetëm kërkesa e lartë nga prindërit mund të garantojë që të ofrohen këto programe.
Megjithatë, ai insiston se “Kodi I Sjelljes” nuk duhet marrë si pa vlerë. “Edhe nëse nuk është detyrues nga ana ligjore, është gjithësesi I vlefshëm. Në momentin që të dyja palët (qeveria dhe ISP-të) e kanë nënshkruar, sepse kodi….nuk është shkruar kot”.
Veç përqindjes së lartë të fëmijëve shqiptarë që zgjedhin të shohin pornografi online, 45 % e të gjithë fëmijëve që morrën pjesë në studimin e World Vision thonë se janë ekspozuar pa dëshirën e tyre ndaj këtyre materialeve çdo ditë.
“Pjesa më e madhe e materialit pornografik i padëshiruar shihet në qendra internet, siç theksojnë 52 % e fëmijëve në zonat rurale dhe 61 % e fëmijëve në zonat urbane”-thotë raporti.
World Vision i ka bërë apel qeverisë që rë punojë me internet kafetë për të përforcuar krijimin e “zonave miqësore për fëmijët” që i lejon ata të lundrojnë të sigurt në internet përmes aksesit të rregulluar paraprakisht që kufizon hyrjen në faqe për të rritur, duke i mbrojtur nga materialet që shohin adultët në të njëjtin vend.
Prindërit neglizhojnë ndaj sigurisë në internet
E megjithatë ekspertët besojnë se prindërit nuk janë të informuar mjaftueshëm për nevojën e monitorimit të fëmijëve online dhe mjetet e disponueshme për ta bërë këtë.
“Sot ka plot programe për të kontrolluar internetin por prindërit nuk janë të informuar për këtë”-thotë Zhilla.
Komentet e tij duket se konfirmohen nga prindërit me të cilët BIRN ka biseduar. Në fakt nga 5 prindër të pyetur, vetëm një ishte në dijeni të ekzistencës së këtyre aplikacioneve që i ndihmojnë ata të kontrollojnë atë çka fëmijët shohin në internet.
Një baba i dy fëmijëve të moshave 11 dhe 15 vjeç thotë se kompania e tij e internetit nuk i ka përmendur kurrë produkte për kontrollin prindëror, ndërsa një nënë në Kosovë thotë se aktivizoi kontrollin pasi vajza e saj adoleshente bëri disa komente nga të cilat ajo kuptoi se (vajza) kishte informacion mbi seksin.
ABCOM, një tjetër ofrues i shërbimit të internetit ofron programe për kontrollin prindëror. Megjithatë Igli Gjoni, drejtori i marketingut dhe shitjeve në këtë kompani, thotë se prindërit rrallë i aktivizojnë, edhe kur ato janë të disponueshme.
Në fakt, Gjoni pohon se vetëm 200 nga 50 mijë klientë kanë aktivizuar shërbimin e kontrollit prindëror për internet të sigurt, çka do të thotë vetëm 0,3 % e abonentëve.
“Ne ofrojmë shërbimin “internet i sigurt” në 3 nivele të ndryshme, sipas kërkesave të klientëve dhe pa pagesë, në mënyrë që ti japim prindërve mundësinë që të bllokojnë faqe të caktuara apo të kontrollojnë nivelin e aksesit sipas moshës”-thotë ai.
“Ne gjithmonë i ofrojmë shërbime dhe i informojmë ata, ndërsa pjesa më e madhe e prindërve neglizhojnë. Mendoj se ata nuk janë të vetëdijshëm mbi rreziqet që fëmijët e tyre hasin duke hyrë në ëebsajte të panjohura dhe duke parë skena të dhunshme dhe pornografike”
Tartari i Albtelecom gjithashtu thekson se pavarësisht se kompania nuk ofron programme specifike të kontrollit prindëror në internet, prindërit rrallë herë i kushtojnë vëmendje këshillave mbi sigurinë në internet që kompania ofron.
“Ata (prindërit) duhet të jenë më të vëmendshëm kur vijnë për të kërkuar shërbim internet sepse zakonisht vijnë e shkojnë shumë shpejt. Prindërit duhet të jenë më të përgjegjshëm mbi rreziqet që fëmijët e tyre hasin në internet”-thotë ai.
Ekspertët pranojnë se prindërit janë linja e parë e mbrojtjes për të siguruar lundrimin e sigurt të fëmijëve në internet. Në raportin e World Vision, 48 % e fëmijëve pjesëmarrës thanë se do ti tregonin së pari prindërve mbi rreziqet online. Ndërsa shumë pak prej tyre do ti raportonin mësuesve apo policisë.
Psikologia Sulstarova i bën thirrje prindërve të ndërmarrin një qasje proactive për të mbrojtur fëmijët e tyre, dhe thekson se kërcënimet nuk janë më pak reale sepse janë në internet dhe në dukje “virtuale”
“Unë nuk mund të kontrolloj pjesën e errët të njerëzve, por mund të kontrolloj dhe mbroj fëmijët e mi”-thotë ajo. “Apeli im është vetëm për prindërit. Mos i lini fëmijët tuaj të shkojnë vetëm nëpër internet kafe dhe kontrolloni çfarë faqesh shohin ata”.
Problemet në FacebookFacebook-u është rrjeti social më i përhapur në Shqipëri, me rreth 1,3 milion përdorues apo 45 % të popullsisë, sipas një studimi të bërë nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.“Ka njerëz që e ngatërrojnë internetin me Facebook-un”-vë në dukje Igli Gjoni, drejtor i shitjeve dhe marketingut në kompaninë e internetit ABCOM. “Shpesh herë nëpër dyqanet tona….klientët kanë kërkuar Facebook në vend të internetit”.
Popullariteti i Facebook-ut mes fëmijëve shqiptarë është burim shqetësimi për profesionistët e mirëqënies së tyre (fëmijëve), të cilët theksojnë se pedofilët përdorin shpesh rrjetet sociale për të kontaktuar dhe për tu afruar me fëmijët.
Ekspertët gjithashtu paralajmërojnë se pavarësisht politikave të Facebook-ut për bllokimin e të gjitha materialeve të zhveshura, pornografike apo të papërshtatshme, edhe për faktin se përdoruesit janë nga mosha 13 vjeç e sipër, prapë se prapë fëmijët kanë akses në këto lloj materialesh në Facebook.
“Përveç uebsajteve të tjera, Facebook-u është një vend ku fëmijët të cilët kanë një llogari e kanë të lehtë të aksesojnë materiale pornografike”-paralajmëron eksperti i krimit kibernetik Fabian Zhilla.
Faqja në Facebook mbi standartet e komunitetit dhe përdoruesve thotë: “Ne heqim fotografitë ku shfaqen organe gjenitale apo lakuriqësi plotësisht të ekspozuar. Imazhe të hollësishme të marrëdhënies seksuale janë të ndaluara.
Megjithatë, disa besojnë se Facebook-u duhet të garantojë që përmbajtja pornografike të mos publikohet fare në rrjetin social. Bledar Bregu, programues i cili ka krijuar aplikacionin Findit.al, thotë se uebsajte të caktuara përdorin algoritma që mund të parandalojnë publikimin e përmbajtjes të zhveshur apo pornografike.
“Faqe të ndryshme apo platform sociale në botë nuk lejojnë shfaqjen e imazheve të caktuara duke përdorur skanim në kohë reale….teknikisht Facebook-u mund të njohë modele të caktuara dhe të mos i lejojë ato”-tha ai për BIRN.
Në një deklaratë të shkruar, zëdhënësja e Facebook-ut Sally Aldous konfirmoi se Facebook-u nuk përdor programe (software) që parandalojnë publikimin e fotografive, përveç imazheve që tregojnë abuzim seksual me fëmijët, të cilat i raportohen menjëherë autoriteteve.
Për të parandaluar që fëmijët të shohin pornografi, Aldous thekson se “të rinjtë nga mosha 13 deri në 17 vjeç që përdorin Facebook-un përfitojnë nga element shtesë të sigurisë dhe privatësisë” por shton:”I bëjmë thirrje kujtdo që sheh pornografi në Facebook ta raportojë tek ne në mënyrë që ekipet tona të veprojnë menjëherë për ta hequr.”
Përdorimi i internetit nga fëmijët në Shqipëri
•85% e të anketuarve kanë një kompjuter në shtëpi por 65 % zakonisht hyn në internet përmes telefonit celular•Internet kafetë, përdoren gjerësisht nga fëmijët në zonat rurale dhe urbane dhe nuk e kanë të detyrueshme me ligj që të krijojnë akses dhe zona të posaçme për fëmijët
•44% shohin çdo ditë pornografi, 62 % thonë se miqtë e tyre shohin çdo ditë pornografi ndërsa 45 % shohin çdo ditë pornografi por në mënyrë të pavullnetshme
•47% janë kontaktuar nga persona të huaj në internet por vetëm 44 % kanë marrë informacion mbi sigurinë në internet nga prindërit apo organizatat e specializuara
Burimi: Studimi i World Vision mbi sigurinë e fëmijëve në internet në Shqipëri (2014)

Ky artikull u prodhua si pjesë e Iniciativës Alumni të Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim meRrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.
Autore: Erjona Rusi
Reporter.al

Aktivistët e mjedisit parapëlqejnë të këmbëngulin se Afrika duhet të plotësojë nevojat e veta me energji përmes paneleve diellore dhe turbinave të erës. Por për sa kohë lëndët djegëse fosile mbeten më të lira se sa energjia e rinobueshme, një recetë e tillë – sado pozitive që të ngjajë – do ta shtypë rritjen ekonomike të kontinentit dhe do të lërë miliona njerëz në varfëri.
Autor: Bjorn Lomborg
Afrika është kontinenti më i “rinovueshëm” i botës kur vjen puna te energjia. Në botën e pasur, energjia e rinovueshme zë më pak se një të dhjetën e energjisë totale të furnizuar. Por për 900 milionë njerëzit e Afrikës Nën-Sahariane (duke përjashtuar Afrikën e Jugut), 80 për qind e energjisë së konsumuar vjen nga burimet e rinovueshme.
Ndërsa një person në Europë apo në Amerikën e Veriut përdor rreth 11 mijë kWh në vit mesatarisht (shumica dërrmuese konsumohet përmes proceseve industriale), një person në Afrikën Nën-Sahariane përdor vetëm 137 kWh – më pak nga sa harxhon një frigorifer i zakonshëm amerikan në katër muaj. Më shumë se 600 milionë njerëz në Afrikë nuk kanë akses në energji elektrike fare.
Kjo nuk ndodh për shkak se Afrika është e gjelbër dhe pro mjedisit, por për shkak se është e varfër. Rreth 2 për qind e nevojave të kontinentit për energji furnizohen nga burimet hidro ndërsa 78 për qind përbëhet nga burimi më i vjetër “i rinovueshëm” i përdorur nga njerëzimi, drutë e zjarrit. Kjo sjell shpyllëzim të rëndë dhe ndotje vdekjeprurëse të ajrit brenda shtëpive, gjë që vret 1.3 milionë njerëz çdo vit.
Ajo që ka nevojë Afrika, sipas shumë aktivistëve, është që të mbushet me panele diellore dhe turbina ere. Por kur Presidenti i SHBA-së Barack Obama priti një samit të udhëheqësve të Afrikës në vitin 2014, shumica thanë se ata donin më shumë lëndë fosile. Në fjalët e Ministrit të Tanzanisë për Mineralet dhe Energjinë Sospeter Muhongo: “Ne do të fillojmë të intensifikojmë përdorimin e qymyrit… pse nuk duhet ne të përdorim qymyrin kur ka vende të tjera ku prodhimi i CO2 për frymë është kaq i lartë?… Ne thjesht do të ecim përpara.”
Europa dhe Amerika e Veriut u bënë të pasura falë energjisë së lirë dhe të bollshme. Në vitin 1800, 94 për qind e të gjithë energjisë së konsumuar në botë vinte nga burime të rinovueshme. Në vitin 1900, burimet e rinovueshme siguronin 41 për qind të energjisë; edhe në fund të Luftës së Dytë Botërore, burimet e rinovueshme përbënin sërish 30 për qind të energjisë. Që nga viti 1971, energjia e rinovueshme përbën një pjesë minimale dhe aktualisht zë vetëm 13.5 për qind. Pothuajse shumica e energjisë së rinovueshme vjen nga druri ndërsa vetëm 0.5 për qind nga energjia diellore dhe era.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se nëse të gjitha vendet realizojnë premtimet që kanë bërë në konferencën mbi ndryshimet klimaterike të Parisit muajin e kaluar, pjesa e energjive të rinovueshme mund të rritet lehtë përgjatë 25 viteve të ardhshme në 18.7 për qind. Në skenarin më të mundshëm të Agjencisë, pjesa e energjisë së rinovueshme do të rritet në vetëm 15.4 për qind.
Shumica e kësaj energjie të “rinovueshme” sërish do të vijë nga mbetjet e bimëve, jashtëqitjet e lopëve, druri dhe bionafta. Ndërsa një panel diellor mund të sigurojë energji për një poç dhe aq sa për të karikuar një bateri telefoni, ajo nuk vlen për të vënë në punë furra apo për të shmangur ndotjen e ajrit brenda shtëpisë apo për të mbajtur në punë frigoriferët që duhet të ruajnë vaksinat dhe ushqimit të freskët e aq më pak, nuk vlen për të ushqyer me energji bujqësinë dhe industrinë. Nga viti 2040, në skenarin optimist të Agjencisë, energjia diellore në Afrikën Nën-Sahariane do të prodhojë vetëm 14 kWh për person në vit, shumë më pak nga sa nevojitet për të mbajtur në punë një poç dy watt LED. Agjencia vlerëson gjithashtu se energjia e rinovueshme do të kushtojë më shumë, mesatarisht se sa çdo burim tjetër – naftë, gaz, energji bërthamore, qymyr apo hidroenergji, edhe në rast se mbi burimet e tjera do të ketë një taksë karboni.
Shumë pak njerëz në botën e zhvilluar do të kalojnë te energjia e rinovueshme pa pasur subvencionime të rënda dhe natyrisht askush nuk do të ndërpresë lidhjen me rrjetin elektrik të ushqyer më së shumti me energji fosile që siguron energji të qëndrueshme edhe në ditët me re apo gjatë natës (një formë tjetër subvencionimi). Megjithatë shumë aktivistë në Perëndim duket se besojnë se njerëzit në gjendjen më të varfër të planetit duhet të kënaqen me furnizim të pamjaftueshëm dhe të parregullt me energji elektrike.
Në parashikimin më të fundit të Energjisë në Afrikë, Agjencia vlerëson se konsumi i energjisë në Afrikë do të rritet me 80 për qind deri në vitin 2040; por, ndërsa popullsia e kontinentit do të dyfishohet, më pak energji për frymë do të jetë e disponueshme. Megjithëse gati 1 miliardë njerëz do të fitojnë akses në energjinë elektrike deri në vitin 2040, 530 milionë të tjerë do të jenë sërish jashtë rrjetit.
Por Agjencia parashikon edhe një të ardhme tjetër të mundshme – atë që e quan “Shekulli i Afrikës” – në të cilin qeveritë e Afrikës dhe donatorët do të investojnë 450 miliardë dollarë ekstra në energji. Kjo do të rrisë me shpejtësi përdorimin e burimeve fosile, do të reduktojë disa nga energjitë e rinovueshme më shumë ndotëse dhe do të sigurojë akses në energji për më shumë se 230 milionë njerëz. Duke ofruar energji më shumë – dhe më të qëndrueshme – për gati 2 miliardë njerëz, prodhimi i brendshëm bruto do të rrite me 30 për qind deri në vitin 2040. Për çdo banor, kontinenti do të jetë mbi 1 mijë dollarë më mirë çdo vit.
Në vendet Perëndimore, aktivistët e mjedisit do të përqendrohen te ana negative – 300 milionë tonë CO₂ emetime në vitin 2040, dhe ndotje më e lartë jashtë shtëpisë në ajër nga mbështetja më e madhe te energjia e qymyrit – dhe do të pyesin gjithashtu se pse ndokush duhet të dëshirojë të rrisë CO₂ dhe ndotjen e ajrit. Por duhet të shohim kostot dhe përfitimet.
Të 4 miliardë tonët shtesë të CO₂ të emetuara përgjatë 25 viteve të ardhshme do të shkaktojnë rreth 140 miliardë dollarë dëme nga ngrohja e planetit, sipas një vlerësimi të kryer nga zyrtarët amerikanë (megjithëse është një vlerësim me gjasa i ekzagjeruar). Rritja e përdorimit të qymyrit do të sjellë më shumë ndotje të ajrit që pritet të kushtojë rreth 30 miliardë të tjera gjatë kësaj periudhe.
Në të njëjtën kohë, Afrika do të bëhet rreth 7 trilionë dollarë më e pasur. Ndotja e ajrit brenda shtëpive do të eliminohet për rreth 150 milionë njerëz ndërsa përfitimet shoqërore do të jenë të barabarta me gati 500 miliardë. Dhe energjia do të mbërrijë në 230 milionë njerëz të tjerë, duke gjeneruar përfitime të vlefshme totale prej rreth 1.2 trilionë.
Me fjalë të tjera, kostoja totale e “Shekullit të Afrikës,” përfshirë ndryshimet klimaterike dhe kostot për kujdes shëndetësor, do të jenë rreth 170 miliardë dollarë. Përfitimet totale do të jenë 8.4 trilionë, gati 50 herë më të larta.
I njëjti argument i përgjithshëm ndoshta vlen për Indinë dhe për vendet e tjera në zhvillim. Në Kinë, për shembull, emetimet e CO2 janë rritur me 500 për qind që nga viti 1981; por norma e varfërisë në vend është ulur – nga 89 për qind në atë kohë në më pak se 10 për qind sot.
Në vendet e pasura, aktivistët theksojnë se një ton CO2 mund të kushtojë rreth 50 USD dhe duhet të taksohet në mënyrë që të reduktohen emetimet. Por për Afrikën, përfitimet ekonomike, shoqërore dhe mjedisore të furnizimit më të lartë me energji dhe më shumë CO2 arrijnë në më shumë se 2 mijë dollarë për ton. Përqendrimi në koston prej 50 dollarësh dhe injorimi i përfitimit prej 2 mijë dollarësh përbën verbëri me paramendim.
Një ditë, novacioni mund të sjellë reduktim të energjisë së gjelbër të së ardhmes deri në atë pikë sa të nxjerrë njerëzit nga varfëria në mënyrë më efikase se sa bëjnë sot burimet fosile. Në nivel global, ne duhet të investojmë shumë më tepër në novacione të tilla. Por ngrohja globale nuk mund të ndalet duke bllokuar në mënyrë hipokrite daljen nga varfëria të të varfërve të planetit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Why Africa Needs Fossil Fuels/reporter.al

Autori i këtij projekti është vetë dr. Velid Fetihi. Shtetas i parë Arabisë Saudite / Xhidde, që përfundoi fakultetin inxhinierik dhe atë të mjekësisë në Universitetin George Washington në Amerikë, e që poashtu në të njëjtin vend dhe Universitet, arriti deri në diplomën e Medical Doctorate.

Video projekti, është i ideuar dhe i shkruar nga dr. Selman El-Audeja. Dijetar, ligjërues, autor, shkrimtar i mbi se tetëdhjetë librave. Me vendjetesë, në Rijadin e Arabisë Saudite. Video materiali, flet mbi atë që ne duhet të ndryshojmë, herë pas here, duke mos harruar se esenca e fesë nuk ndryshon, pasi ajo, ngjanë sikur rrënja e pemës, kurse, kuptimet e tjera mbi fenë ngjajnë sikur degët e pemës.. të cilat ndryshojnë, dhe kjo, për shkak të tolerancës dhe transparencës që ka feja Islame.

Mekë: Ushqim që hudhet në Mekë mund të ushqej 17% të fëmijëve të uritur në 18 vendet në zhvillim, thotë një raport për shtyp i nxjerrur të premten në Arabinë Saudite. Rreth 4.8 milionë fëmijë vdesin në Afrikë, Azi dhe vendet e Amerikës Latine, tha Ahmed Al-Matrafi, drejtor i përgjithshëm i një projekti të bamirësisë përmes ushqimit që ka filluar në Mekë.Al-Matrafi ka thënë se ushqimi që hudhet gjatë një dasme mesatare është i mjaftueshëm për të ushqyer të paktën 250 persona. Ai tha se gjatë pushimeve të verës, 24.000 persona janë ushqyer me ushqim që është mbledhur nga dasmat dhe ngjarjet e tjera sociale.Ai ka thënë se 60 nga 120 salla dasmash dhe vendpushime në Mekë u përfshinë në diskutime për këtë projekt gjatë pushimeve të verës.
Kjo tregoi se nuk kishte ushqim asnjë informacion në lidhje me nivelin se sa ushqim hudhet në mbeturina. Tridhjetë për qind e njerëzve të Mekës nuk e informojnë askënd në lidhje me disponueshmërinë e ushqimit të tepërt që ju mbetet nga konsumi familjar, tha ai.Projekti Bamirësia është duke u përpjekur për të krijuar vetëdijen rreth situatës në mënyrë që sa më shumë njerëz në nevojë të mund të ndihmohen përmes kësaj iniciative, tha ai.Ndërkohë, Sheikh Saleh bin Humeid, imam dhe Hatib i Xhamisë së Madhe në Mekë, tha në predikimin e tij në xhumanë e fundit se njerëzit do të bëhen më të përgjegjshëm nëse ata janë falendërues dhe bamirës për të mirat e tyre.“Nëse ata nuk e bëjnë këtë dhe bëhen mosmirënjohës, Allahu mund t’i marrë këto gjëra të mira prej tyre.” Dhurimi nga pasuria dhe të mirat tjera që i bëni dikujt, është mbrojtje dhe bekim për të mirat dhe është një formë e adhurimit, tha ai.

Nga Fitim Zekthi
Media në Shqipëri është në një gjendje të shëmtuar, bartëse dhe ushqyese njëherazi e disa prej sëmundjeve më të urryera të njeriut dhe shoqërisë. Ajo është një nga shkaqet bazë e të gjithë gjendjes së rëndë të vendit në çdo aspekt; krimit, korrupsionit, situatës në arsim, në kulturë, politikë dhe kudo. Ka së paku dy arsye për këtë gjendje: korrupsioni moral dhe injoranca e thellë. Qeniet njerëzore në gjendjen e tyre të dhënë zotërojnë vetinë e oikofilisë: dashurisë për oikosin, që do të thotë jo vetëm shtëpinë, por njerëzit që janë në të dhe ngulimet rreth e rrotull që pajisin shtëpinë me konturin kohëgjatë dhe idenë e vazhdueshme të mirësisë. Roger Scruton, një nga filozofët më të njohur sot, thotë se oikos është vendi, i cili nuk është thjesht i imi dhe i yti, por i yni. Ai është skena e ndërtuar në vetën e parë shumës të politikës, lokusin, njëherazi i imagjinuar dhe real, ku “ndodh gjithçka”. Virtyte si: të qenit i drejtë, respektues, të përgjegjshëm lindin përmes rritjes sonë si persona, duke krijuar vlera të domosdoshme. Për të përftuar këto virtyte, ne duhet të kufizojmë “arsyen instrumentale” që qeveris jetën e Homo oeconomicus. Njeriu nuk mund ta shohë gjithçka si të shitshme, nuk mund ta shohë gjithçka si çështje tregu. Ka gjëra që nuk kanë çmim, që nuk shiten dhe që nuk blihen. Kjo është vendosja e oikos tek oikonomia. Njerëzit bëhen pjesë e një shoqërie “ne”- një vendi, një komuniteti dhe një mënyrë jetese që është e “jona”. Nevoja për këtë “ne” nuk është pranuar kurrë nga komunistët, internacionalistët apo nga revolucionarët socialistë. Homo oeconomicus është njeriu ideal për këto prerje dhe dihet se ç’i bëjnë një shoqërie prerje të tilla. Ky lloj njeriu është në zemër të medias sonë sot. Drejtuesi i një prej emisioneve më të rëndësishme në Shqipëri shprehej gati me mburrje në një intervistë në gazetën “Panorama” se ai kishte për kriter të emisionit vetëm audiencën. “Shikuesi është mbreti ynë, thoshte ai, dhe ne kujdesimi vetëm të pasur një numër sa më të madh”. Ai i referohej vrasjes së dy vëllezërve në Shkodër dhe thoshte se ne pamë se publiku ndiqte me ngulm çdo informacion që vinte nga ajo ngjarje. Ai shprehej se, “nëse shihesh je i suksesshëm dhe nëse jo, ke dështuar”. Në këtë mënyrë funksionon pak a shumë gjithë media në Shqipëri. Askush prej tyre nuk sheh askund më një “ne”. Të gjithë këta ngatërrojnë interesin publik me atë që i intereson publikut. Këta nuk kanë për ta mësuar kurrë se ajo që i intereson publikut mund të mos jetë interes publik. Newton Minow, president i Komisionit Federal për televizionet, iu drejtohej kohë më parë pronarëve, drejtuesve, producentëve dhe gazetarëve të televizioneve në SHBA duke u thënë se “transmetimi televiziv duhet t’i shërbejë publikut, duhet të ketë shpirt dhe vetëdije, dëshirë përvëluese për të shkëlqyer dhe për të pasur shikues. Ai duhet të ndërtojë karaktere, qytetarë, njerëz dhe intelektualë të fortë dhe të lirë”. Ideja se këto gjëra duan njerëzit nuk është vetëm e mjerë, cinike, por edhe justifikim për paaftësinë. Detyra e medies nuk është të krijojë kërkesë, është të krijojë ofertë. Ndërkohë, media tek ne pa ndalur, dhunshëm ka krijuar kërkesë. Paaftësia bën që të zgjedhësh më të lehtën: t’u drejtohesh instinkteve të njerëzve. Shumica e televizioneve dhe e faqeve të gazetave mbushen me idiotësira që flasin për seksin, veshjet dhe zhveshjet, me sa plumba u vra, si u vra, ku e blenë vezën protestuesit, si u rrahën këta, si u zhvesh kjo, kush është më e bukur, kush votohet më shumë online. Dihet botërisht që po t’u drejtohesh instinkteve, do të kesh shikues. Çështja është, a mund t’i drejtohesh dot të menduarit? A mund ta lësh biologjinë si një mënyrë për të bërë media, a mund t’i vësh oikos fjalës oikonomia? Kjo është njëra anë e sëmundjes, një anë që ushqen instinkte, që promovon suksesin përmes veshje-zhveshjes, që krijon, siç thotë një nga filozofët më me ndikim i kohëve të sotme, Jean Baudrillard, një hiperrealitet që është më “real” sesa realiteti i vërtetë. Ky hiperrealitet është kusht i mjaftueshëm për skllavërim të plotë. Ana tjetër ka të bëjë me mbulimin e të vërtetave. Mediat dhe sidomos emisionet televizive nëpërmjet diskutimeve kujdesen që gjithçka të humbë kuptimin e saj. Kjo bëhet duke injektuar sa më shumë informacion, i cili për pasojë prodhon gjithnjë e më shumë moskuptimësi. Për shembull duke hedhur në diskutim pa fund shifra për investimet, papunësinë, punësimin, krahasime në vite, dhe duke i dhënë mundësinë gjithkujt të flasë dhe të prodhojë lloj – lloj informacioni, askush nuk kupton më se çfarë ka ndodhur me papunësinë apo me investimet. A janë rritur, janë ulur, ka më shumë vende pune apo më pak? Po ashtu duke folur për vrasjet dhe duke dhënë lloj- lloj shifrash, lloj-lloj justifikimesh, lloj-lloj shpjegimesh, duke bërë lloj-lloj krahasimesh, duke futur inserte, duke marrë opinione njerëzish, intervista, duke krijuar një mal pa fund informacioni, askush nuk e di se ç’ka ndodhur. Jean Baudrillard thotë se në këtë rast, kemi shpërthim së brendshmi të kuptimit, pra ai bie brenda ngrehinës së vet. Dhe të gjithë e kemi parë se si televizionet në kërkim të audiencës, në realizim të postulatit madhështor “në qoftë se je i shikueshëm, je i suksesshëm”, prodhojnë pa fund informacion që askush nuk mund ta sintetizojë të tërin dhe të kuptojë se ç’po ngjet. Një tjetër element që e shkatërron të vërtetën është edhe diskutimi teknik ose diskutimi për gjëra anësore, por që u drejtohen instinkteve dhe lejohen. Për shembull, nëse jemi duke folur për ngjarjen e Gërdecit, gjithmonë ka kujdes që dikush të nisë të flasë për numrin e targës së makinave, për mënyrën se si u ndez shkëndija, se si ajo në fillim u përpëlit dhe më pas, dikush tjetër nis e flet për shërbimet sekrete, për mënyrën se si rekrutojnë, se si i përdorin kodet, se si përgjojnë. Dhe kështu, askush nuk mere vesh ç’ndodhi? Cili ka përgjegjësi dhe si do e mbajë këtë etj. E njëjta gjë edhe për ngjarjet kriminale të rënda, ku studiove njerëz të ndryshëm flasin për detaje të tilla idiote si: ku u dogj makina, me kë kishte lidhje drejtuesi i mjetit, nga cila linjë mund të jetë trafiku, sa linja ka, si bëhet trafiku nëpër Europë dhe botë, ç’duhet të bëjë policia etj. Kjo bën të mundur largimin nga diskutimi mbi përgjegjësitë e ministrit, të qeverisë dhe nga elementë të tjerë që mund të jenë inkriminimi i shtetit. Kjo gjë ndodh në televizionet në Shqipëri, që nga ora e parë e mëngjesit deri në mbrëmje vonë, që nga emisioni i gatimit ku rrinë bashkë politikanë dhe femra seksi e deri tek emisionet e pasditeve apo të motit (emisione moti nga top-modele veç nesh ka në Meksikë, Brazil, por askund në Europë apo Amerikë.) Sa i takon një sëmundjeje tjetër edhe më të ndyrë, asaj të korrupsionit politik në media, kjo nuk ka nevojë të diskutohet. Është faqëza e të gjithëve. Gjithë kjo gjendje është krijuar sepse njerëzit që kanë rol të rëndësishëm në media nuk funksionojnë si qenie njerëzore që në gjendjen e tyre të zakonshme zotërojnë vetinë e oikofilisë, pra të dashurisë për oikosin, jo vetëm shtëpinë, por edhe njerëzit që janë në të dhe ngulimet rreth e rrotull….