Vitet e fundit, disa vende me shumicë muslimane kanë qenë dëshmitare të krimeve të tmerrshme jo vetëm kundër shumicës muslimane, por edhe ndaj minoriteteve fetare. Këto…
Browsing: Lajme
Vitet e fundit, disa vende me shumicë muslimane kanë qenë dëshmitare të krimeve të tmerrshme jo vetëm kundër shumicës muslimane, por edhe ndaj minoriteteve fetare. Këto minoritete kanë qenë viktima të vrasjeve, skllavërimit, dëbimit me forcë, frikësimit, vuajtjes nga uria dhe shkeljeve të tjera të dinjitetit të tyre njerëzor.
Veprime të tilla nuk kanë lidhje me fenë Islame, pavarësisht pretendimeve të grupeve ekstremiste, të cilat e kanë përdorur emrin e Islamit për të justifikuar veprimet e tyre. Veprime të tilla janë në kundërshtim të plotë me parimet e fesë Islame dhe janë njëkohësisht tradhti ndaj besimit të gati dy miliard njerëzve.
Në këto vende ku autoriteti i qeverive është i dobët, as shumica muslimane nuk mund të thuhet se po jeton në kushte më të mira se minoritet fetare. Në vendet me shumicë muslimane, ku qeveritë janë agresive apo sundojnë grupet terroriste, kushte të tilla i obligojnë muslimanët që të mbrojnë minoritetet, fenë e tyre, vendet e tyre të adhurimit dhe të drejta e tyre. Kjo duke u bazuar në të kaluarën shekullore ku pakicat e feve të tjera kanë jetuar në paqe dhe siguri në vendet me shumicën muslimane.
Duke marrë në konsideratë gjendjen e krijuar në këtë pjesë të botës islame, qindra dijetarë dhe intelektualë muslimanë, së bashku me përfaqësues të feve të tjera janë mbledhur në qytetin e Marakeshit në Marok nga data 25-27 janar 2016, ku kanë diskutuar e më pas kanë nënshkruar një deklaratë për të drejta e pakicave fetare në vendet me shumicë muslimane. Kjo ngjarje historike përkon me 1400 vjetorin e Kartës së Medinës ku u vunë themelet e lirive të miroteteve fetare në vendet muslimane.
Më poshtë po ju sjellim përmbledhjen e kësaj deklarate historike:
Deklarata e Marakeshit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Përmbledhje e Deklaratës së Marakeshit për të Drejtat Fetare të Minoriteteve në Vendet me Shumicë Muslimane
25-27 Janar, 2016
Duke pasur parasysh se kushtet në pjesë të ndryshme të botës muslimane janë përkeqësuar në mënyrë të rrezikshme për shkak të përdorimit të dhunës dhe luftës së armatosur si mjet për zgjidhjen e konflikteve dhe imponimin e pikëpamjeve të një pale;
Kjo situatë ka dobësuar autoritetin e qeverive legjitime dhe u ka mundësuar grupeve kriminale të lëshojnë vendime në emër të Islamit, por të cilat në fakt kanë shtrembëruar parimet bazë dhe qëllimet e tij në një formë që ka dëmtuar seriozisht popullin në tërësi;
Ky vit shënon 1400 vjetorin e Kartës së Medinës, një kontratë kushtetuese midis Profetit Muahmed, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe njerëzve të Medinës, e cila garantonte lirinë fetare për të gjithë, pavarësisht besimit;
Qindra dijetarë dhe intelektualë muslimanë nga 120 vende, sëbashku me përfaqësuesit e organizatave ndërkobëtare Islame, si dhe liderë nga grupe të ndryshme fetare dhe kombëtare, u mblodhën në Marakesh në këtë datë për të pohuar edhe njëherë parimet e Kartës së Medinës në një konferencë të madhe;
Kjo konferencë u mbajt nën kujdesin madhërisë së tij, Mbretit të Marokut, Muhamedit VI dhe u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Vakëfeve dhe e Çështjeve Islame në Mbretërinë e Marokut dhe Forumin për Promovimin e Paqes në Shoqëritë Muslimane me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe;
Duke parë rëndësinë e kësaj situate, e cila prek si muslimanët ashtu edhe njerëzit e besimeve të tjera në botë, dhe pas një reflektimi dhe diskutimi të gjatë, [ne] dijetarët dhe intelektualët muslimanë të mbledhur [këtu];
Deklarojmë me anë të këtij dokumenti angazhimin tonë të palëkundur ndaj praimeve të shprehura në Kartën e Medinës, parashikimet e të cilës përmbanin një sërë parimesh kushtetuese kontraktuale të qytetarisë: si liria e lëvizjes, e drejta e pronës, solidariteti dhe mbrojtja reciproke, si dhe parimet e drejtësisë dhe barazisë përpara ligjit.
Objektivat e Kartës së Medinës sigurojnë një kuadër të përshtatshëm për kushtetutat e vendeve me shumicë muslimane. Karta e Kombeve të Bashkuara dhe dokumentet e ngjashme, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, janë në harmoni me Kartërn e Medinës, përfshirë vëmendjen që i kushtohet rendit publik.
Reflektimi i thellë në lidhje me krizat e ndryshme nga të cilat vuan njerëzimi thekson nevojën urgjente e të pashmangshme për bashkëpunim midis të gjitha grupeve fetare.
Ne konfirmojmë se një bashkëpunim i tillë duhet të bazohet në një “fjalë të përbashkët”, duke kërkuar që ky bashkëpunim të shkojë përtej tolerancës dhe respektit reciprok, për t’i siguruar mbrojtje të plotë të drejtave dhe lirive të të gjitha grupeve fetare në një mënyrë të qytetëruar e cila të shmang detyrimin, paragjykimet dhe arrogancën.
Duke u bazuar në sa më sipër, ne:
I bëjmë thirrje dijetarëve dhe intelektualëve muslimanë në të gjithë botën që të përpunojnë një jurisprudencë mbi konceptin e “qytetarisë” e cila të përfshijë të gjitha grupet e ndryshme. Kjo jurisprudencë duhet të jetë e bazuar në traditën Islame, në parimet dhe në vetëdijen e ndryshimeve globale.
U kërkojmë institucioneve arsimore islame dhe autoriteteve që të bëjnë një shqyrtim të guximshëm të kurrikulave arsimore, i cili të adresojë sinqerisht dhe në mënyrë të efektshme çdo material që nxit dhunën dhe ekstremizmin, që çon në luftë dhe kaos, e që rezulton në shkatërrimin e shoqërisë sonë të përbashkët;
U bëjmë thirrje politikanëve dhe vendimmarrësve që të ndërmarrin hapat e nevojshme politike dhe ligjore në vendosjen e një marrëdhënieje kushtëtuese kontraktuale midis qytetarëve të tyre dhe të mbështesin çdo ide dhe iniciativë që ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve dhe mirëkuptimit midis grupeve të ndryshme fetare në Botën Muslimane;
U bëjmë thirrje anëtarëve të arsimuar, artistëve dhe profesionistëve të shoqërisë sonë si dhe organizatave të shoqërisë civile që të krijojnë një lëvizje të gjerë për trajtimin e drejtë të minoriteteve fetare në vendet muslimane, të rrisin vetëdijen për të drejtat e tyre dhe të punojnë sëbashku për të siguruar suksesin e këtyre përpjekjeve.
U bëjmë thirrje grupeve të ndryshme fetare të cilat i lidh e njëjta kombësi që të adresojnë gjendjen e tyre të përbashkët të amnezisë selektive, e cila bllokon memoriet shekullore të bashkëjetesës në të njejtën tokë; që të rindërtojnë të kaluarën duke ringjalluar traditën e bashkëjetesës, të kthejmë besimin e përbashkët që është shkatërruar nga ekstremistët duke përdorur agresionin dhe aktet terroriste;
Dhe në fund, u bëjmë thirrje përfaqësuesve të feve të ndryshme, sekteve dhe grupeve që t’i kundërvihen të gjitha formave të fanatizmit fetar, shpifjeve dhe denigrimit të asaj që konsiderohet e shenjtë për të tjerët dhe të kundërshtojnë çdo formë ligjerimi që promovon urrejtjen dhe fanatizmin.
Pohojmë me bindje se është e pafalshme të përdoret feja si justifikim për të shkelur të drejtat e minoriteteve fetare në vendet muslimane.
Marakesh, 27 janar, 2016
Përgatiti në shqip Observer.al
TIRANE- PDIU i ka kërkuar dje qeverisë të marrë masa për përkujtimin e gjenocidit çam, ashtu sikundërse përkujtohet çdo vit Holokasuti. Gjatë fjalës së tij në…
TIRANE- PDIU i ka kërkuar dje qeverisë të marrë masa për përkujtimin e gjenocidit çam, ashtu sikundërse përkujtohet çdo vit Holokasuti. Gjatë fjalës së tij në parlament, deputeti i PDIU-së, Omer Mamo tha se Greqia duhet të kërkojë falje për atë që u bëri çamëve, sikundërse Gjermania kërkoi falje për krimet e nazistëve ndaj hebrenjve.
“Një ditë pas Kujtesës së Holokaustit, ne duhet të kujtojmë dhe të gjithë viktimat e gjenocidit grek ndaj qytetarëve të Çamërisë. Unë dhe kolegët e mi të PDIU-së, por edhe kolegë të mazhorancës dhe opozitës, jemi dëshmitarë të dhimbjes që shqiptarët përjetuan nga gjenocidi, vrasjet, dhunimet dhe dëbimet e tyre me dhunë nga shtëpitë e tyre në Çamëri. Ne përkujtuam përndjekjen e hebrenjve, po unë po flas për nënat dhe baballarët tanë, po flas për gjakun tonë, po flas për shqiptarët që jetonin dikur brenda shtetit të sotëm grek. Po flas për çamët. Do të donim shumë që shteti grek, ashtu si Gjermania që dënoi krimet e nazimit, të dënonte krimet ndaj shqiptarëve. Ne shpresojmë që me ndihmën e Zotit, dhe me ndihmën e të gjitha forcave progresiste evropiane, Greqia e sotme të reflektojë drejt. Kjo është detyra e shteti grek. Po ne a e kemi bërë detyrën tonë? Unë them se jo. Ne i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë këtë çështje, në axhendën e saj politike dhe diplomatike dy palëshe dhe për çështjen çame të raportohet në parlament,”-tha Mamo.
Deputeti çam shtoi se partia e tij e mbështet qeverinë në këto reforma të rëndësishme. “PDIU ka qenë dhe është faktor i të gjitha ndryshimeve të rëndësishme që janë bërë dhe po bëhen në këtë vend. Jemi futur në këtë proces me bindjen se reforma kaq të mëdha si ajo territoriale, ajo e drejtësisë dhe së shpejti edhe ajo zgjedhore, Shqipëria nuk mund të ecë e sigurt drejt përmirësimit, drejt integrimit, dhe standardeve ekonomike, sociale e politike. Ne do të vijojmë të jemi pjesë e rëndësishme dhe decizive e këtyre reformave”-u shpreh Omer Mamo, deputet i PDIU-së.
Pas gjetjes së një bombe në xhaminë e Drenasit ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës. Nëpërmjet një komunikate BIK thotë se gjetja e eksplozivit në…
Pas gjetjes së një bombe në xhaminë e Drenasit ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.Nëpërmjet një komunikate BIK thotë se gjetja e eksplozivit në ambientet e xhamisë së Drenasit, ditën e premte në kohën e namazit të xhumasë, kur prania e besimtarëve është më e madhe se çdo ditë tjetër, paraqet një akt të papranueshëm dhe me elemente që qojnë në akte terroriste e që për qëllim kanë futjen e frikës, ushtrimin e dhunës, terrorit e shkatërrimit.“Aktet të tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me mësimet dhe predikimet e fesë islame dhe as me traditën e popullit tonë, ndaj kërkojmë nga të gjithë që të jenë të përgjegjshëm dhe më të vëmendshëm për të garantuar jetën e qytetarëve të vendit, pronës së tyre dhe për të ruajtur e garantuar veprimin dhe funksionimin e institucioneve publike e fetare”, thuhet në reagim.Sipas BIK-ut xhamitë janë vend për adhurim, falje e lutje ku besimtarët gjejnë prehje shpirtërore dhe si të tilla duhet trajtuar në mënyrë meritore e jo për dhunë terror e frikë.“Dënojmë ashpër aktin në fjalë, dhe njëkohësisht kërkojmë nga organet kompetente që sa më parë të zbulojnë autoret dhe motivet e këtij aktit të shëmtuar dhe të tillët të vihen para drejtësisë”.
Ilirian Agolli Studiuesit e çështjeve diplomatike pohojnë se Rusia po përpiqet të shtojë ndikimin e vet në Ballkanin Perëndimor për të ngadalësuar zgjerimin e BE-së dhe…
Ilirian Agolli
Studiuesit e çështjeve diplomatike pohojnë se Rusia po përpiqet të shtojë ndikimin e vet në Ballkanin Perëndimor për të ngadalësuar zgjerimin e BE-së dhe NATO-s në këtë rajon. Analistët mendojnë se Rusia po ndjek një strategji tensioni, duke krijuar probleme në Ballkan, për t’i dhënë rëndësi vetes si faktor në tryezat e bisedimeve ndërkombëtare. Ata theksojnë se pothuaj gjithë shtetet e kësaj zone kanë nisur rrugën e integrimeve euro-atlantike, e cila tani duhet përshpejtuar.
Studiuesit e diplomacisë në Tiranë pohojnë se Moska po shfrytëzon vonesat e integrimit euro-atlantik të vendeve ballkanike për t’u faktorizuar në rajon. Ish-ministri i jashtëm, Arjan Starova, drejtues i organizatës së Atlantistëve të Shqipërisë, thotë se Rusia ka ndikimin e vet në Ballkan dhe punon për ta zgjeruar atë përkundër NATO-s dhe BE-së, duke këmbëngulur që të pyetet për çështjet europiane dhe botërore.
“Rusia është duke përsëritur një gabim të vjetër të Bashkimit Sovjetik të kaluar, që përpiqet ta ndërtojë fuqinë e saj për të ndikuar në botë vetëm mbi rritjen e potencialeve ushtarake. Ajo mendon që duke patur, duke investuar shumë në potencialin e saj ushtarak, atëherë do të mundet të ndikojë në botë. Por unë mendoj se përpara se fuqia e vendeve të lidhet me potencialin ushtarak ajo lidhet me potencialin e tre ekonomik”, thotë zoti Starova.
Analistët pohojnë se fillimisht Rusia u përpoq të ndikojë në ekonominë e Ballkanit përmes projekteve energjitike me SouthStream dhe TurkishStream. Por pas ngjarjeve në Ukrainë interesimi i Rusisë për Ballkanin mori një karakter ushtarak dhe ajo po përdor si bazë Serbinë për qëllimet e veta në rajon. – thotë diplomati Shaban Murati, autor i librit “Rusia Ballkanike”.
“Vështirësitë që hasen në integrimin e atlantik të Malit të Zi, vështirësitë që hasen në integrimin e atlantik të Maqedonisë – ku në pamje të parë duket se është vetëm çështja e emrit – Vështirësitë që hasen në procesin e integrimit euro-atlantik të Bosnje Hercegovinës me qëndrimin ultra-radikal ekstremist të Sërpska Republikës, e cila është natyrisht një instrument i Serbisë – pavarëisht paraqitjes si pjesë e federatës – tregojnë që rusët filluan të aktivizohen akoma më tepër”, thotë zoti Murati.
Rusia ka përdorur veton kundër Kosovës në OKB dikur dhe sot në Unesco po lobon fort kundër saj. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Islam Lauka, tani pedagog në Universitet, thotë se ndikimi rus është i ndjeshëm edhe në veri të Kosovës tek elementët radikalë. Ai thotë se Rusia e mendon si pikë të dobët Ballkanin perëndimor, dhe shfrytëzon sidomos demokracitë e brishta dhe institucionet e pakonsoliduara në disa vende të rajonit.
“Ndikimi rus synon që të rritet, synon që të zgjerohet nëpërmjet shumë formave; nëpërmjet korrupsionit, parave, ushtrimit të presioneve ekonomike, shfrytëzimit të disa instrumenteve, që Moska i ka, si vetoja për shembull”, thotë zoti Lauka.
Analistët pohojnë se i gjithë Ballkani e ka përcaktuar rrugën e integrimit euro-atlantik. Sipas tyre, asnjë segment në rajon nuk mbështetet hapur tek faktori rus, ndërsa nostlagjikët të rinj apo të vjetër në moshë janë shumë të pakët në raport me pjesën tjetër që synon integrimin, si Mal të Zi ashtu edhe në Maqedoni.
“Mendoj që edhe gjendja në Maqedoni dhe problemet e brendshme të saj ndikohen në një farë mënyre nga ngadalësimi i antarësimit dhe i përpjekjeve për anëtarsim të Maqedonisë në NATO. Unë mendoj si NATO dhe BE duhet të jenë më aktive dhe të ecin me ritme më të përshpejtuara për integrimin e këtyre vendeve në gjirin e tyre”, thotë zoti Starova.
Për të ndikuar në Ballkan rusët po përdorin edhe faktorin fetar, si lidhjet pansllaviste edhe vëllazërinë e vendeve ortodokse. Studiuesi Shaban Murati thotë se ata nuk kursehen as me stërvitjet e përbashkëta desantuese me Serbinë, as me mbështetjen e opozitës malazeze, as me zvarritjen e problemit 20 vjeçar për emrin e Maqedonisë, Madje, sipas tij, Rusia nuk po kursehet për të ndikuar edhe në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s dhe përherë më pranë BE-së.
“Pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë dhe sidomos pas ndërhyrjes ruse në Siri në Lindjen e Mesme shohim që ka një përpjekje të diplomacisë ruse për një influencë edhe në Shqipëri edhe në zonat ku janë shqiptarët. Por meqë jemi në Shqipëri, po flas për shtetin tonë. Kjo ka forma të ndryshme sponsorizimi. Nga një analizë e vëmendshme, konstatohet 4 ose 5 muajt e fundit një valë që do ta quaja edhe filo-rusizimi edhe anti-amerikanizmi, e cila është shprehur sidomos në disa media shqiptare. Intensiteti, frekuenca dhe sidomos vazhdimësia e saj tregojnë se është një rrymë e sponsorizuar”, thotë zoti Murati.
Studiuesit pohojnë se ndikimi rus në Ballkan nuk ka për të qenë afatgjatë, por Moska synon të krijojë vatra tensioni dhe ndikimi për t’i dhënë rëndësi pranisë së saj. Ambasadori Lauka thotë se SHBA dhe BE duhet t’u bindë Athinën dhe Shkupin për të zgjidhur çështjen e emrit të Maqedonisë, e ndërkohë duhet zgjeruar njohja e Republikës së Kosovës dhe përmirësimi i jetës së saj.
“Një problem shumë i rëndësishëm është njohja e Kosovës nga 5 vende të Europës. Po ashtu liberalizimi i vizave për Kosovën, sepse për fat të keq, shqiptarët e Kosovës janë si në geto. Janë të vetmit, është i vetmi vend që ka mbetur kështu, që duhet të ishin ndër të parët në fakt për ato sakrifica që kanë bërë, për ato vuajtje që kanë kaluar, të paktën duhej të lëviznin lirisht”, thotë zoti Lauka.
Analistët pohojnë se pavarësisht ndonjë luhatje, vendet e Ballkanit shikojnë nga Perëndimi. Maqedonia dhe Mali i Zi mund të ishin antarësuar në NATO para disa vjetësh, sepse, sipas tyre, Rusia mund të përfitojë nga çdo vonesë dhe pasiguri në rajon./voa
Rezoluta e fundit e Këshillit të Evropës për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, nga analistët politik në Prishtinë po shihet si kthim prapa.
Rezoluta është propozuar nga raportuesi spanjoll, Augustin Konde. Ajo është miratuar në kohën kur Kosova po bën përpjekje për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, si INTERPOL-i dhe EUROPOL-i.
Megjithatë, Këshilli i Evropës ka inkurajuar me anë të kësaj rezolute Administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK-un, që t’i shtojë kapacitetet në kuadër të bashkëpunimit me këto mekanizma ndërkombëtare të sigurisë, përderisa Prishtinës i sugjerohet t’i shfrytëzojë mekanizmat që i ka në dispozicion.
Në Qeverinë e Kosovës nuk kishte një përgjigje në lidhje me këtë rezolutë, kurse analistët e vlerësojnë atë si kthim prapa.
Analisti, Emrush Ujkani, mendon se ajo reflekton gjendjen dhe jo-qëndrueshmërinë politike në Kosovë.
Sipas tij, përmbajtja e rezolutës nuk u ndryshua dot as nga vendet që e njohin dhe mbështesin pavarësinë e Kosovës, pavarësisht disa insistimeve.
Bëhet fjalë sidomos për nenet që kërkojnë një lloj roli më të fuqishëm të UNMIK-ut në Kosovë, sidomos në aspektet e sundimit të rendit dhe ligjit dhe bashkëpunimit të Kosovës me mekanizmat ndërkombëtar.
“Nëse e lexoni me vëmendje, raporti i bën thirrje misionit të UNMIK-ut që të merr masa dhe t’i shfrytëzojë mekanizmat ligjor që ka. Pra, i bën ftesë UNMIIK-ut dhe jo Kosovës, për t’iu qasur mekanizmave si INTERPOL-i, EUROPOL-i apo organizatave tjera, prandaj mendoj që kjo është ajo pika më kritike që duhet të nënvizohet për momentin”, ka vlerësuar Ujkani.
Ndërkaq analisti Dren Doli, vlerëson se përmbajtja e Rezolutës së Këshillit të Evropës pasqyron paaftësinë e institucioneve të Kosovës.
Njëherësh, sipas tij, rezoluta të tilla tregojnë për rrezikun që shumë shtete të cilat e kanë njohur Kosovën po hamenden tani që ta mbështesin atë në kuadër të përfaqësimit të jashtëm.
“Ky lajm në vetvete mbanë edhe rrezikun që vendet të cilat e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, kanë filluar ta vënë në mëdyshje këtë status, duke e barazuar shtetin e Kosovës me Rezolutën 1244, dhe rrjedhimisht UNMIK-un në Kosovë”, ka thënë Doli.
Në anën tjetër, Emrush Ujkani ka ngritur si çështje më vete edhe mungesën e parashtrimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, para miratimit të kësaj rezolute. Ai vlerëson se rezoluta, pavarësisht që nuk ka karakter obligativ, mund të ndikojë politikisht tek vendet e ndryshme.
“Me vet faktin që Kosova i ka dy të tretat e votave në Këshillin e Evropës, pra që e kanë njohur atë si shtet, është dashur që t’i paraprijë procesit të anëtarësimit dhe jo të vijmë në momentin të presim rezoluta apo raporte të tilla”.
“Edhe pse rezoluta nuk e pengon Kosovën në parashtrimin e kërkesës, definitivisht mund të jetë pengesë me ndikimin e saj tek shumë shtete, kur vjen në pyetje vota për apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Ujkani.
Po në lidhje me efektet e rezolutës në synimet e Kosovës që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtar, përfshirë edhe ato të sigurisë, Dren Doli mendon se Kosova po dështon t’u bëjë ballë trysnive diplomatike të Serbisë.
Andaj, ai vlerëson se nuk po vërehen përparime në këtë drejtim.
“Strategjia e Serbisë duke e përdorur dialogun Kosovë – Serbi për ta imponuar UNMIK-un si përfaqësues të Kosovës në organizata ndërkombëtare, fatkeqësisht është duke i dhënë shenjat e para, filluar nga kjo rezolutë. Shpresojmë që kjo rezolutë të mos shërbejë si precedent i ardhshëm për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Doli.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Skender Hyseni, pati deklaruar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në INTERPOL qysh në prill të vitit 2015, por vendimi për pranimin e saj nuk është marrë ende.
Hyseni kishte deklaruar se Kosova është e gatshme të marrë përsipër rolin si shtet në kuadër të luftimit të krimit, duke u anëtarësuar dhe bashkëpunuar me mekanizmat ndërkombëtar
Përshkrimi që i bën Conde gjendjes në Kosovës është i zymtë.
Conde deklaron se korrupsioni në Kosovë është endemik dhe i gjithanshëm – dhe ka infektuar të gjitha fushat: qeverinë, biznesin, drejtësinë.
Në indeksin e korrupsionit të Transparency International Kosova zë vendin e 110-të – prej 175 vendeve apo territoreve të verifikuara. Sipas Conde Kosova e ka nivelin e njëjtë të korrupsionit si Shqipëria, por më të lartë se të gjitha vendet e tjera anëtare të Këshillit të Evropës.
Kjo i bie se Kosova dhe Shqipëria janë më thellë të zhytura në moçalin e korrupsionit se ish-republikat sovjetike si Moldavia, Azerbejxhani, Armenia, Ukraina. Përkundër përbetimeve të politikanëve të Kosovës se korrupsioni po luftohet dhe do të luftohet në Kosovë, shifrat flasin të kundërtën.
Kësisoj në vitin 2014 Agjencia Kundër Korrupsionit inicioi 304 raste të korrupsionit. Prej tyre vetëm 30 përfunduan në prokurori. Raporti i Këshillit të Evropës përkujton se ky është numri më i vogël i rasteve të iniciuara të korrupsionit që nga vitit 2007, kur Agjencia Kundër Korrupsionit filloi punën.
Mbi 70 për qind e rasteve të hetuara nga Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ndiqen më tutje nga organet e drejtësisë. Hetimet e rralla të zhvilluara kundër personave që mbajnë pozita të nivelit të lartë nuk kanë përfunduar asnjëherë me dënime. /dialogplus.ch