Close Menu
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Lajme
      • Kosovë
      • Rajon
      • Lindja e Mesme
      • Botë
      • Politikë
      • Kronikë e Zezë
    • OP-ED
      • Analiza
      • Ese
      • Opinione
      • Kolumna
    • SCI-TECH
      • Teknologji
      • Shkencë
    • Biznes
      • Investimi
    • Evente
    • Histori
    • Jetesë
      • Shëndeti
      • Këshilla
      • Ushqyerja
    • Sociale
    • Besimi
      • Edukim
      • Lutje (dua)
      • Qendrime
      • Studime në besim
      • Të ndryshme
      • Tema
    • SPORT
    Facebook X (Twitter) Instagram Pinterest
    Dija Online
    • Lajme
    • Evente
    • OP-ED
    • Të rekomanduara
    Dija Online
    Ju jeni në:Home»OP-ED»Analiza»FP: Fundi i azilit
    Analiza

    FP: Fundi i azilit

    Shtetet anembanë pjesës veriore të globit po i mbyllin dyert përgjithmonë
    Dija OnlineBy Dija Online19-06-2026011 Mins Read
    Share Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    FP: Fundi i azilit
    FP: Fundi i azilit
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp LinkedIn Copy Link Pinterest Email Telegram

    Fundi i azilit
    Shtetet anembanë pjesës veriore të globit po i mbyllin dyert përgjithmonë.

    15 qershor 2026
    Nga Linda Kinstler, bashkëpunëtore e The New York Times Magazine dhe studiuese e re në Society of Fellows në Universitetin e Harvardit, publikuar në Foreign Policy

    Në ditën e parë të mandatit të tij të dytë në detyrë, Presidenti Donald Trump nxori një proklamatë që ndalonte të gjithë refugjatët që mbërrinin në kufirin jugor të SHBA-së të aplikonin për azil. Duke pretenduar se “situata në kufirin jugor kualifikohet si një pushtim”, urdhri nënkuptonte se të gjithë individëve që përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara do t’u refuzohej kategorikisht hyrja, madje edhe nëse rrezikonin të torturoheshin apo përndiqeshin sapo të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës — një shkelje kjo flagrante e ligjit të imigracionit të SHBA-së.

    Udhëzimi shoqërues që iu shpërnda oficerëve amerikanë të azilit, i urdhëronte ata të mos bënin “pyetjet specifike të frikës”, të cilat janë të detyrueshme për të vlerësuar nëse individët ishin larguar nga vendet e tyre për shkak të një frike të besueshme për rrezikun e jetës. Vetëm ata që e shfaqnin këtë frikë vetiu dhe pa u nxitur, qoftë verbalisht ose në mënyra të tjera — përmes “histerisë, të dridhurave, sjelljes së pazakontë, ndryshimit të tonit të zërit, modeleve inkoherente të të folurit, sulmeve të panikut ose një heshtjeje të pazakontë”, sipas gjuhës së përdorur në udhëzimet e lëshuara nga administrata Biden — mund t’u nënshtroheshin vlerësimeve të mëtejshme. Por, edhe në këto raste, kërkesat e tyre do të refuzoheshin thuajse përherë në fund.

    Proklamata ishte një përpjekje e pacipë për t’ia mbyllur kufirin azilkërkuesve në tërësi, efektivisht një certifikatë vdekjeje për të drejtën e kërkimit të azilit në Shtetet e Bashkuara. Kjo e drejtë ka qenë në rënie prej shumë vitesh anembanë globit, ndërsa fuqia dhe kuptimi i saj janë zbehur rëndë paralelisht me zmbrapsjen botërore të të drejtave të njeriut. Por gjatë vitit të kaluar, shtetet anembanë Veriut global kanë ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të degraduar përgjithmonë mbrojtjen e azilit, duke ashpërsuar kufijtë dhe duke rishikuar politikat e imigracionit për të cunguar ato mundësi tashmë të pakta mbi të cilat grupet e rrezikuara janë mbështetur prej dekadash. Nëse përpjekjet e tyre rezultojnë të suksesshme, e drejta për të kërkuar azil — një liri thelbësore dhe një element kritik i sistemit të pasluftës — do të bëhet një artifakt i një epoke të shkuar, një nga viktimat e shumta të rendit të ri global antiliberal që po merr formë.

    Mbrojtjet për refugjatët që arratisen nga përndjekjet fetare, politike, racore ose kombëtare, u sanksionuan në të drejtën ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Konventa e OKB-së e vitit 1951 mbi Statusin e Refugjatëve, u ndaloi shteteve nënshkruese që t’i kthenin refugjatët në shtete ku “jeta ose liria e tyre do të kërcënohej”. Konventa e OKB-së kundër Torturës e vitit 1984 e konsolidoi më tej detyrimin e shteteve për të mos deportuar kurrë individë drejt vendeve ku jeta e tyre do të vihej në rrezik. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj), e nënshkruar për herë të parë në vitin 1950, i detyron kombet anëtare të saj t’i garantojnë çdo personi brenda kufijve evropianë të drejtën për një “jetë private dhe familjare”, duke u lejuar refugjatëve të kërkojnë bashkimin me të afërmit e tyre brenda Bashkimit Evropian.

    Këto marrëveshje ndërkombëtare çuan në krijimin e një infrastrukture të fuqishme burokratike, e cila i dedikohej garantimit që e drejta për të kërkuar azil — një e drejtë individuale që e gëzon çdo person, pavarësisht nga origjina apo nënshtetësia — të kishte forcë reale. Megjithatë, ato nuk përcaktuan një të drejtë përkatëse për të marrë azil, duke ua lënë në dorë vetë shteteve të përcaktojnë se cilët njerëz mund të përfitojnë mbrojtje të përhershme brenda kufijve të tyre. Për rrjedhojë, ekziston një “hendek midis të drejtës së individit për të kërkuar azil dhe diskrecionit të shtetit për ta ofruar atë”, siç vuri në dukje me mprehtësi Agjencia e OKB-së për Refugjatët që në vitin 1993.

    Sot, ky hendek është zmadhuar në një humnerë të vërtetë. Në vitin 2024, viti më i fundit për të cilin ekzistojnë të dhëna nga OKB-ja, numri i migrantëve ndërkombëtarë arriti një shifër rekord prej 304 milionësh, pikërisht në momentin kur kombet anembanë botës po mbyllnin dyert e tyre dhe kur lufta, fatkeqësitë natyrore, autoritarizmi dhe dhuna e bandave ishin në rritje. Më shumë se gjysma kishin udhëtuar nga vendet e tyre të origjinës për të arritur në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Fakti që këto dy fenomene po ndodhin njëkohësisht nuk është një rastësi: largimi nga politikat humane kufitare është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rritjes së kërkesës për mbrojtje. Në Shtetet e Bashkuara, oficerët e imigracionit kanë refuzuar prej vitesh t’u zhvillojnë të ardhurve të rinj intervistat e “frikës së besueshme” (credible fear interviews), të cilat do të vërtetonin kërkesën e tyre për t’u mbrojtur nga abuzimet në vendlindje. Nëse kjo prirje vazhdon, azili rrezikon të kthehet në diçka që, me përgjegjësi të plotë, mund të përdoret vetëm në kohën e shkuar.

    Çdo javë sjell histori të reja të goditjeve brutale të administratës Trump mbi imigracionin dhe keqtrajtimet e saj: një azilkërkues bolivian i burgosur për 17 muaj para se të deportohej përfundimisht në Republikën Demokratike të Kongos; aktivistë nikaraguanë të kthyer mbrapsht nga zyrtarë që refuzuan qoftë edhe t’u hidhnin sytë dokumenteve të tyre; rusë dhe afrikano-perëndimorë të dërguar mbrapsht në vende ku thuajse me siguri do të burgosen ose torturohen.

    Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme ndërkombëtare për të cunguar ndjeshëm kërkesat për azil nuk kanë marrë vëmendjen e duhur. Pakistani dhe Irani kanë ndërmarrë secili dëbime masive të miliona afganëve që kishin kërkuar strehim brenda kufijve të tyre, duke krijuar atë që OKB-ja e ka quajtur një “krizë shumë dimensionale të të drejtave të njeriut”. Vitin e kaluar, India hodhi në det rreth 40 refugjatë Rohingya. Në Kanada, një ligj i ri që u kërkon azilkërkuesve të bëjnë kërkesë për mbrojtje brenda një viti nga hyrja në vend, i ka lënë mijëra individë përballë kërcënimit të dëbimit. Pasi masa me efekt prapaveprues hyri në fuqi këtë pranverë, azilkërkuesit që nuk kishin dorëzuar ende kërkesat për lehtësim morën letra nga qeveria kanadeze, ku urdhëroheshin “të largoheshin nga Kanadaja sa më shpejt të jetë e mundur.”

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, rishikoi së fundmi politikën e azilit të vendit të tij për të hequr garancitë e mbrojtjes pa afat dhe strehimit për azilkërkuesit, në atë që duket si një përpjekje e qartë për të qetësuar votuesit e tij konservatorë. Së bashku me Kryeministren daneze Mette Frederiksen, ai ka bërë thirrje që Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) — pakt në të cilin Britania ende bën pjesë — të rishikohet, në mënyrë që t’u lehtësohet vendeve evropiane deportimi i individëve drejt vendeve të tyre të origjinës dhe të ngrihen barriera kundër bashkimeve familjare. “Korniza aktuale e azilit u krijua për një epokë tjetër,” shkruan të dy udhëheqësit në një opinion të përbashkët në The Guardian dhjetorin e kaluar. “Ne do t’i mbrojmë gjithmonë ata që ikin nga lufta dhe terrori — por bota ka ndryshuar, e bashkë me të duhet të ndryshojnë edhe sistemet e azilit.”

    Mesazhi i tyre dukej të ishte se ka ardhur koha për të hequr dorë nga marrëveshja e pas Luftës së Dytë Botërore dhe mbrojtjet që ajo vendosi, sepse ato kanë dalë jashtë sinkronizimit me realitetet aktuale politike. Në fund të fundit, preambula e KEDNj-së thekson se liritë themelore të konventës “ruhen më së miri, nga njëra anë, përmes një demokracie politike efektive dhe, nga ana tjetër, përmes një mirëkuptimi dhe respektimi të përbashkët të të Drejtave të Njeriut, prej të cilave ato varen.” Të dyja këto parakushte për zbatimin e suksesshëm të konventës — demokracia efektive dhe respektimi i të drejtave të njeriut — kanë pësuar një tkurrje të ndjeshme anembanë kontinentit gjatë dekadës së fundit. Idealizmi i mesit të shekullit të 20-të, siç lanë të kuptohet Starmer dhe Frederiksen, nuk ka më vend në një botë ku politikat e krahut të djathtë janë në ngritje dhe ku vullneti për të zbatuar të drejtën ndërkombëtare pothuajse ka avulluar.

    Për ta theksuar këtë pikë, Danimarka dhe tetë shtete të tjera evropiane, duke përfshirë shtetet balltike, Italinë dhe Poloninë, i kanë kërkuar gjithashtu Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNj) që të lehtësojë deportimin e refugjatëve që kanë kryer krime në shtetet e tyre pritëse drejt vendeve të tyre të origjinës — madje edhe nëse këto shtete janë konsideruar të pasigurta për riatdhesim. Këtë verë, pritet të hyjë në fuqi Pakti i BE-së për Migracionin dhe Azilin. Ky pakt synon të përshpejtojë procesimin e azilkërkuesve në kufi. Organizatat e refugjatëve paralajmërojnë se, në praktikë, kjo masë do të rrisë numrin e personave të mbyllur në qendrat e paraburgimit dhe se procedurat e përshpejtuara të vlerësimit do ta bëjnë shumë më pak të ngjarë që individëve t’u jepet azili me të mbërritur.

    Në Evropë, i vetmi shtet që po i kundërvihet kësaj prirjeje është Spanja, e cila zbatoi së fundmi një amnisti masive që i lejoi emigrantët të legalizonin statusin e tyre në vend për një çmim minimal prej 38 eurosh. Aplikantët individualë do të marrin leje pune njëvjeçare, ndërsa familjeve do t’u lejohet të jetojnë dhe të punojnë në vend për jo më pak se pesë vjet. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e ka kornizuar këtë qasje ndaj imigracionit si një refuzim të “mentalitetit të lojës me shumën zero të ekstremit të djathtë” dhe si një element thelbësor për prosperitetin ekonomik dhe “zhvillimin shpirtëror” të vendit të tij. Amnistia është masa e shtatë e këtij lloji e zbatuar në Spanjë gjatë 50 viteve të fundit. “Kur realiteti social ecën më shpejt se burokracia,” tha një zëdhënës i qeverisë, “shteti i përgjegjshëm është ai që vepron për ta rregulluar atë, jo ai që kthen kokën në anën tjetër.”

    Nëse është ashtu, shtetet e përgjegjshme janë me të vërtetë të rralla. “Kthimi i kokës në anën tjetër” përballë të drejtave, kërkesave dhe sakrificave të azilkërkuesve është bërë norma e re. Në shumë juridiksione, ky mbyllje e syve merr një formë krejtësisht të drejtpërdrejtë, me zyrtarët e imigracionit që refuzojnë të shohin ose të dëgjojnë provat e persekutimit të kaluar dhe me politikanët që kthejnë shpinën ndaj ligjeve ndërkombëtare, respektimi i të cilave u ishte lënë trashëgimi si detyrim i patjetërsueshëm nga paraardhësit e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, e drejta për azil është shuar pothuajse plotësisht, ku shqyrtimi i aplikimeve nga 39 vende — duke përfshirë Afganistanin, Kubën, Iranin, Sudanin, Sirinë dhe territoret palestineze — i është nënshtruar një ngrirjeje pa afat. (Administrata Trump e ka zgjeruar programin e saj të refugjatëve ekskluzivisht për afrikano-jugorët e bardhë dhe e ka kufizuar numrin total të refugjatëve të pranuar këtë vit fiskal në 7,500, nga 125,000 që ishte gjatë administratës së mëparshme.)

    Në fund të muajit prill, Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun e Kolumbias vendosi se ndalimi i kërkesave për azil në kufirin jugor nga ana e Trump-it, ishte një shkelje e hapur e ligjit amerikan. Opinioni i shumicës argumentoi se e drejta për azil ishte “forma më e lartë mbrojtëse e lehtësimit” që ofronte ligji i imigracionit. “Të kthesh individët në mënyrë të njëanshme dhe të shkujdesur, qoftë edhe në vende ku ata pothuajse me siguri do të përballen me persekutim”, argumentoi gjykata, “përbën një shkelje të të drejtave themelore të refugjatëve për të aplikuar për azil dhe për t’u kursyer nga kërcënimi i dëbimit, ndërkohë që aplikimet e tyre janë ende në pritje.”

    Vendimi u përshëndet si një fitore e rrallë kundër politikave drakoniane të administratës Trump, por në praktikë, ai me gjasë do të ketë një efekt fare të dobët. Ndonëse ai mbrojti të drejtën e paprekshme individuale për të kërkuar azil, vendimi do të ketë pak ose aspak ndikim mbi vendosmërinë e dukshme të qeverisë amerikane për të mos e ofruar atë. Nëse aplikantët nuk mund të dëbohen ndërkohë që kërkesat e tyre po shqyrtohen, atëherë Shtetet e Bashkuara thjesht do të vazhdojnë të ndjekin procedura të përshpejtuara e të shkurtuara thelbësisht, dhe do t’i mbajnë azilkërkuesit të mbyllur në qendrat e paraburgimit përgjatë këtij procesi. Një dinamikë e ngjashme do të prodhohet edhe nga politikat e ashpërsuara të imigracionit në anën tjetër të Atlantikut. E drejta për azil do të vazhdojë të ekzistojë në letër, por forca morale dhe memoria që dikur i jepnin kuptim dhe e bënin atë të vërtetë, do të jenë shuar përgjithmonë.

    fundi i botes ashtu sic e njohim
    Share. Facebook Twitter WhatsApp Pinterest Copy Link LinkedIn Tumblr Email Telegram
    Previous ArticleFP: Fundi i politikave klimatike
    Dija Online

    Related Posts

    FP: Fundi i politikave klimatike

    19-06-2026

    FP: Fundi i transatlantizmit

    19-06-2026

    FP: Fundi i neoliberalizmit

    19-06-2026
    Add A Comment

    Comments are closed.

    • Të Fundit
    • Të popullarizuara

    FP: Fundi i azilit

    FP: Fundi i politikave klimatike

    FP: Fundi i transatlantizmit

    FP: Fundi i neoliberalizmit

    Çmenduritë e Qeverisë së Erdoganit

    Çfarë e bën kamatën kaq mëkat të madh?

    SISTEMI BANKAR ISLAM, FITIMPRURËS PËR TË GJITHË

    A lejohet eksperimenti me kafshë, sikurse minjtë?

    OP-ED

    FP: Fundi i azilit

    FP: Fundi i politikave klimatike

    FP: Fundi i transatlantizmit

    • Besimi

    Mustafa Terniqi: Dituria në Islam, mes diturisë fetare dhe diturisë së dobishme

    Modeli zviceran: Ushtria që lejon Ramazanin dhe praktikat fetare të ushtarëve

    Kriza e aktivizmit mysliman – Tom Facchine

    Rëndësia e të bërit të Ramazanit një “ngjarje të madhe” (BIG DEAL) për familjen tuaj

    Reklamoni në Dija Online
    NËSE JENI SOCIAL, NA NDIQNI
    • Facebook
    • YouTube
    • TikTok
    • WhatsApp
    • Twitter
    • Instagram
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    20-05-20263 Mins Read

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    08-03-20262 Mins Read

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    07-03-202631 Mins Read
    Reklamoni në Dija Online
    Më të popullarizuarat

    Jordania përballet me një zgjedhje ekzistenciale për mbrojtjen e Al-Aksasë Peter

    10 Mins Read

    Avokati Asdren Bytyqi ngre padinë e radhës ndaj ekstremistit tjetër katoliko-cionist të Lëvizjes së Deçanit

    3 Mins Read

    Forexi “islam” dhe vendimi i Ligjit islam mbi të

    5 Mins Read
    Të zgjedhura nga redaksia

    NJOFTIM: “Përgjegjësia Intelektuale dhe Sistemi” – Një ftesë për reflektim të thellë me Prof. As. Rudian Zekthi dhe Dr. Justinian Topulli

    Irani zgjedh liderin e ri suprem, emri pritet të shpallet së shpejti

    Gjuhët e Njeriut – Fatmir Baçi

    Abonohuni

    Merrni lajmet, analizat, temat sociale, politike dhe ekonomike më të fundit nga DijaOnline

    © 2026 Dijaonline. Designed by Ars of Arts.
    • Ballina
    • Politika e privatësisë
    • Rreth nesh
    • Kontakti

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.