Nga: FATMIR BAÇI
ATJE…
Atje ku toka shkelet me përbuzje,
Dhe nuk lërohet më me parmendë,
Por pritet kryq e tërthorë,
Me thika majëmprehta me dy tehe,
Atje mbijnë bimë me gjethe të ashpra,
Me shkurre të rralla gjëmbaçe,
Me fruta shëmtuar të hidhura,
Se qiejt atje janë larg,
Të fshehur nga erëra të pluhurta,
Ndërsa zogjtë janë të verbër,
Dhe pa krahë për të fluturuar.
Atje ku nuk duhen tingujt e butësisë,
As ka fjalë që pajtojnë vështrime,
As ndodhin kthjellime për buzëqeshje,
As duhen ninulla për foshnjet,
Atje nuk ka as pse të përgjohen stinët,
As pse të shtrohen rrugë për hapat,
As pse të ngrihen shtëpi për njeriun,
Se ata që duhet të përkundin ëndrra,
Nuk duan të mësojnë,
Madhështinë e përkorjes dhe shpresës,
Me drithërima dhe dritësime zemre.
Andaj atje ajri gërvishtet rrëqethshëm,
Me klithma të mekura bri shurdhërisë,
Dhe fryjnë erëra të terrta vetmie,
Pa tokë për vijën e horizontit.
Por mbani vesh dhe ruajeni në kujtesë,
Ajo “Atje” mund të ndodhë gjetkë,
Siç mund të ndodhë kudo në fakt,
Mund të jetë edhe “Këtu”,
Në mollzat e gishtërinjve të gjithkujt.
FATMIR BAÇI
