Si përshkallëzohen grindjet në zyrë
Ushtarakët e njohin mirë idenë e rritjes graduale të tensionit në një konflikt. Herman Kahn, një strateg amerikan i energjisë bërthamore i viteve ’60, identifikoi plot 44 shkallë në “shkallën e përshkallëzimit”. Hapat e parë të kësaj shkalle përfshijnë gjëra si “Deklarata Solemne dhe Zyrtare”; ndërsa hapi i fundit quhet “Spazmë”, gjë që nuk tingëllon aspak mirë.
Përshkallëzimi në zyrë ndjek një logjikë të ngjashme: kërcënohet ose shkaktohet gjithnjë e më shumë dëm derisa dikush të lëshojë pe ose të pësojë “Eliminim” (lexo: pushim nga puna). Hapat fillestarë që punonjësit ndërmarrin drejt luftës mes kolegësh nuk janë të kodifikuar, por kanë një ngjashmëri të habitshme me disa nga hapat që Kahn identifikoi kur analizonte konfliktet mes shteteve.
1. Pika e mosmarrëveshjes. Mund të jetë çdo gjë: një betejë për burime, një debat mbi strategjinë apo dyshimi për një karikues telefoni që ka avulluar. Por për hir të këtij shembulli, imagjinoni se i keni kërkuar dy herë një kolegu në një departament tjetër të shkruajë një raport për diçka, dhe nuk keni marrë asnjë përgjigje. Keni një dyshim të fortë se ai e konsideron raportin tuaj një humbje kohe totale.
2. Gjuha zyrtare. Hapi i parë drejt përshkallëzimit është përdorimi i një gjuhe më zyrtare për ta bërë sërish kërkesën tuaj. Në fillim të email-it, në vend të zakonshmes “Hej” ose “Përshëndetje”, shkruani “I/E nderuar”. I falënderoni “paraprakisht” për ndihmën, ku fjala “paraprakisht” nënvizon faktin që deri tani nuk ka ndodhur asgjë. Shprehni se “prisni me padurim të merrni raportin”, gjë që është një gënjeshtër e kulluar. Tashmë nuk po i bëni një kërkesë miqësore një kolegu. Jeni bërë i ftohtë, diplomatik; gati mund ta imagjinoni veten me një shirit ceremonial.
3. Gjuha çuditërisht zyrtare. Nëse përgjigjja vazhdon të mungojë, papritur filloni të përdorni fraza që kurrë nuk i thoni në jetën e përditshme. Përdorni shprehje si “në lidhje me” dhe hidhni në mes një “i lartpërmendur”. Fraza “Siç e përmenda në email-in tim të fundit” është shenja më e qartë e stuhisë që po afron. Askush nuk i shqipton kurrë fjalët “siç e përmenda”; “siç e e kam përmendur”; tingëllon pothuajse po aq arkaike sa të thuash “të faleminderit fort” apo “bën vaki”. Në zyrë, formulime të tilla janë fjalë lufte. Tani po testoni gatishmërinë e “armikut” për t’u përballur.
4. Ngurtësimi i qëndrimeve. Kundërshtari juaj përgjigjet me një mirësjellje po aq të ekzagjeruar, duke shpjeguar pse nuk ka nevojë që ai të përgatisë një raport. Vini re fjalët “në vijim” dhe “që i takon”, dhe kuptoni se edhe ai e ka ngritur nivelin e formalitetit për t’u barazuar me ju. Rreth kësaj pike, njëri ose të dy e vendosni shefin tuaj në kopje të fshehtë (bcc) në këtë korrespondencë që po bëhet gjithnjë e më e ngjashme me një roman të Dikensit. Teknikisht, kjo nuk është një përshkallëzim, sepse kundërshtari nuk e sheh. Por nuk është një hap për t’u marrë lehtë. Së pari, askush nuk e di saktësisht si funksionon bcc, kështu që duhet të humbisni goxha kohë duke kërkuar në internet se kush mund ta shohë një përgjigje nga dikush që është në bcc. Së dyti, do të thotë se tashmë po mobilizoni forca në emrin tuaj, në rast se konflikti shpërthen.
5. Shfaqje force. Pa asnjë shenjë të raportit dhe me një gjuhë gjithnjë e më baroke që tani mbush korrespondencën tuaj, është koha të tregoni se jeni gati të shkaktoni dëm real. E vendosni shefin tuaj në kopje të dukshme (cc) në email-in e radhës. Ky është ekuivalenti zyrës i një parade ushtarake, ku fuqia madhështore e shefit tuaj të departamentit shfaqet si një paralajmërim. Mesazhi që po dërgoni nuk mund të ishte më i qartë: nuk jeni thjesht një individ, por përfaqësues i një fuqie të madhe.
6. Shfaqje edhe e një force edhe Më të Madhe. Armiku juaj përgjigjet dhe ju shihni se shefi i tij është vendosur në cc. Deri këtu, e parashikueshme. Por pastaj, në mënyrë tronditëse, vini re se edhe shefi i shefit të tij është vënë në kopje. Parada e tyre ushtarake është dy herë më e madhe se e juaja! Kundërshtari juaj e kupton konceptin e dominimit përmes përshkallëzimit, dhe situata është bërë rrezikshmërisht e tensionuar. Mund të vazhdoni të kërkoni raportin e mallkuar, por ajo që dikur ishte një konflikt lokal, po kërcënon të bëhet një luftë e përgjithshme.
7. Ndërprerja e marrëdhënieve. Lufta për raportin ka arritur në një ngërç. Shefi juaj po ju pyet pse ju duhet, dhe në këtë fazë as ju vetë nuk e mbani mend mirë. Kundërshtari juaj, qartësisht, jo vetëm që ka lexuar Clausewitz-in dhe Sun Tzu-në, por duket se ka pasur edhe trajnim të gjerë ushtarak. Nuk mund ta përshkallëzoni më tej pa e vënë në kopje drejtorin ekzekutiv në email apo pa bërë një ankesë zyrtare te Burimet Njerëzore, por asnjëra nuk ka gjasa të përfundojë mirë. I dërgoni një email privat kundërshtarit tuaj duke i thënë se ju vjen keq për mungesën e bashkëpunimit dhe se do t’i kërkoni ndihmë një kolegu tjetër. Ai e ka fituar këtë betejë, por ju nuk jeni tërhequr plotësisht. Konflikti është ngrirë, por nuk ka përfunduar.
