Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së martës një pallat në Tiranë, në zonën përballë Spitali Nënë Tereza, duke shkaktuar panik dhe dëme të mëdha materiale.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë fasadën e jashtme të ndërtesës, duke e përfshirë atë brenda pak minutash. Banorët janë detyruar të largohen me urgjencë nga apartamentet e tyre, ndërsa në mesin e tyre ka pasur edhe të moshuar, të cilët janë ndihmuar për të dalë në siguri.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë situatën e rënduar dhe përpjekjet e banorëve për t’i shpëtuar flakëve, ndërkohë që ekipet e emergjencës kanë reaguar menjëherë.
Në terren ndodhen disa njësi të zjarrfikësve, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme në objektet përreth. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen pas hetimeve.
Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, megjithëse dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Në vendngjarje ka dalë edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili po ndjek nga afër situatën dhe koordinimin e strukturave përgjegjëse.
