Velipoja, një nga plazhet më të frekuaruara të Shqipërisë, është përballur ditët e fundit me një situatë të rëndë mjedisore. Tonelata mbeturinash kanë mbuluar bregun, pasi janë sjellë nga deti pas motit të keq dhe dallgëve të fuqishme që goditën vendin javët e fundit.
Në shtratin e plazhit janë grumbulluar goma makinash, qese plastike, shishe, këpucë, mbetje inerte dhe objekte të tjera të hedhura përgjatë lumenjve veriorë, të cilat përfundojnë në det dhe më pas rikthehen në breg. Pamjet kanë shkaktuar shqetësim tek banorët dhe vizitorët e zonës, ndërsa aktivistët flasin për një problem të akumuluar prej vitesh.
Aktivisti mjedisor Mirsad Basha, në një deklaratë për TRT Balkan, thekson se ndotja nuk është e kufizuar vetëm në Velipojë, por është e pranishme në gjithë vijën bregdetare veriore.
“Gjatë monitorimeve tona, e njëjta situatë shfaqet që nga kufiri me Malin e Zi, në Ranën e Hedhun, e deri te derdhja e Bunës. Të gjitha ujërat e lumenjve të veriut dhe të liqenit të Shkodrës përfundojnë në këtë segment, së bashku me mbeturinat e hedhura pa kontroll”, thotë ai.
Sipas Bashës, ajo që deti ka nxjerrë në breg është thjesht pasqyra e viteve të neglizhencës ndaj mjedisit. “Deti na ktheu mbrapsht atë që i kemi bërë natyrës. Kjo është pasojë e ndotjes së akumuluar, jo një fenomen i rastësishëm”, shton ai.
Ndotja, sipas tij, përbën jo vetëm një goditje për imazhin turistik të Velipojës, por mbi të gjitha një rrezik serioz për mjedisin dhe shëndetin publik. “Dëmi është i madh. Turizmi sigurisht ndikohet, por më i rëndësishëm është dëmi ekologjik që prek ekosistemet lokale dhe, në fund, edhe vetë njerëzit”, thekson ai.
Aktivistët kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe bashkëpunim mes komunitetit dhe institucioneve shtetërore për pastrimin e zonës. “Duhet një mobilizim i shpejtë. Pastrimi është hapi i parë dhe urgjent, por nevojiten masa afatgjata për menaxhimin e mbetjeve dhe parandalimin e rikthimit të të njëjtit problem”, nënvizon Basha.
