Një betejë e re për pushtet po merr formë në Siri, ndërsa ish-aleatë të Bashar al-Assadit – të shpërndarë ndërmjet Moskës, Libanit dhe zonave bregdetare siriane – po përpiqen të krijojnë struktura paralele ushtarake me synimin për të përmbysur qeverinë aktuale të Ahmed al-Sharrah. Sipas një raporti të Reuters, figurat kryesore të kësaj lëvizjeje janë gjenerali Kamal Hassan, ish-shef i inteligjencës, dhe miliarderi Rami Makhlouf, kushëri i Assadit dhe një nga financierët më të mëdhenj të regjimit të tij.
Të dy burrat, të cilët u larguan nga Siria pas rënies së Assadit, po shpenzojnë miliona dollarë për të rindërtuar rrjetet e fuqisë që dikur kontrollonin. Sipas të dhënave, ata po përpiqen të rekrutojnë dhe financojnë mijëra luftëtarë, duke shënjestruar posaçërisht komunitetin alavit – pakicën fetare historikisht të lidhur me familjen Assad.
Burime rajonale konfirmojnë se fokusi kryesor i kësaj lufte të heshtur është kontrolli mbi një rrjet dhomash të nëndheshme komande, të ndërtuara pak para rënies së regjimit të Assadit. Këto depo ushtarake, të mbushura me armë, municione dhe pajisje të gatshme për përdorim, shtrihen përgjatë vijës bregdetare siriane dhe konsiderohen “aseti më i çmuar strategjik” për cilindo grup që pretendon rikthimin e pushtetit.
Strategjitë e dy rivalëve dallojnë dukshëm:
Kamal Hassan, me prirje konservatore dhe përvojë të gjatë në aparatin e sigurisë, synon të ringrejë një strukturë të centralizuar ushtarake duke u mbështetur tek ish-oficerët e Assadit. Ai pretendon të kontrollojë një forcë prej rreth 12,000 luftëtarësh.
Rami Makhlouf, ndërkohë, ka hyrë në një qasje më mistike dhe fetare, duke e paraqitur veten si “të zgjedhurin” që do të udhëheqë një betejë hakmarrëse për rikthimin e alavitëve në pushtet. Ai deklaron se komandon 54,000 luftëtarë, kryesisht një rrjet paraushtarakësh të shpërndarë në Liban dhe Siri.
Rivaliteti i tyre ushqehet nga ambicia për të dominuar territorin alavit dhe për të rivendosur kontrollin në zona që dikur ishin kështjella të forta të regjimit të Assadit. Sipas Reuters, edhe brenda vetë rrethit alavit ka ndarje të thella, ndërsa figura të tjera nga elita e vjetër kanë financuar krijimin e mbi 50,000 luftëtarëve të tjerë, duke shtuar fragmentimin e panoramës së sigurisë.
Ndërkohë, Rusia, e cila ofron strehim për ish-figurantët e Assadit, ka mbajtur një distancë të kujdesshme. Interesi i Moskës, sipas analistëve, është të ruajë bazat e saj ushtarake në bregdet dhe të shmangë përfshirjen në një fazë të re konflikti të brendshëm që mund të destabilizojë më tej rajonin.
Pavarësisht fondeve dhe aleancave që kërkojnë të ndërtojnë, analizat e Reuters sugjerojnë se shanset për sukses të Hassanit dhe Makhloufit janë të kufizuara. Mosuniteti mes tyre, mungesa e mbështetjes së gjerë alavite dhe hezitimi rus i bëjnë planet e tyre të brishta dhe të destinuara të përballen me rezistencë të fortë nga qeveria e re e Ahmed al-Sharrah.
Siria mbetet në një gjendje tensioni të lartë, ndërsa këto zhvillime mund të shënojnë fazën e radhës të luftës për kontrollin politik dhe ushtarak të vendit.
