Shtatë vende muslimane, përfshirë Turqinë, kanë dënuar ashpër shkeljet e përsëritura të armëpushimit nga Izraeli në Rripin e Gazës, duke i cilësuar ato si një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe për procesin politik në vazhdim. Deklarata e përbashkët u publikua nga ministrat e Jashtëm të Turqisë, Egjiptit, Jordanisë, Indonezisë, Pakistanit, Katarit dhe Arabisë Saudite.
Sipas deklaratës, shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit kanë shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e mbi një mijë palestinezëve, duke rritur rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në një periudhë delikate, kur palët rajonale dhe ndërkombëtare po punojnë për konsolidimin e qetësisë dhe avancimin e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, si dhe për zbatimin e Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ministrat e Jashtëm theksuan se këto shkelje përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj procesit politik, pasi pengojnë përpjekjet për krijimin e kushteve të nevojshme për kalimin në një fazë më të qëndrueshme në Rripin e Gazës, si nga aspekti i sigurisë, ashtu edhe nga ai humanitar.
Në deklaratë u bëhet thirrje të gjitha palëve të përfshira që të tregojnë përmbajtje dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre gjatë kësaj periudhe kritike, me qëllim ruajtjen e armëpushimit dhe shmangien e çdo veprimi që mund të dëmtojë procesin aktual të paqes. Njëkohësisht, ministrat shprehën përkushtimin e tyre të plotë ndaj suksesit të fazës së dytë të planit të paqes për Gazën.
Gjithashtu, vendet nënshkruese kërkuan krijimin e kushteve të favorshme për rimëkëmbje të hershme dhe rindërtim, duke theksuar nevojën për avancimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Sipas tyre, kjo paqe duhet të bazohet në të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe shtetësi, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Iniciativën Arabe të Paqes.
Pavarësisht marrëveshjes për armëpushim, Izraeli ka vazhduar sulmet në Gaza, duke vrarë 524 persona dhe duke plagosur 1.360 të tjerë që nga 10 tetori.
