Illinois, SHBA – Shkencëtari dhe asistenti kërkimor në Departamentin e Inxhinierisë Bërthamore, Plazmatike dhe Radiologjike në Universitetin e Illinois, Prof. Dren Qerimi, është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Young Investigator Award” nga Divizioni i Shkencës dhe Teknologjisë së Plazmave në Shoqatën Amerikane të Shkencës – AVS.
Ky çmim ndërkombëtar i dedikohet kërkuesve të rinj që kanë dhënë kontribute të spikatura, si në aspektin bazik ashtu edhe në aplikimet praktike të fizikës së plazmave – një fushë që luan rol thelbësor në zhvillimet e sotme shkencore dhe teknologjike, duke përfshirë energjinë bërthamore, elektronikën moderne dhe teknologjitë e avancuara të materialeve.
Në një reagim pas marrjes së çmimit, Prof. Qerimi u shpreh thellësisht mirënjohës:
“Jam shumë i nderuar dhe mirënjohës që kam marrë Çmimin e Hulumtuesit të Ri nga Divizioni i Shkencës dhe Teknologjisë së Plazmave në AVS. Ky vlerësim nuk është vetëm rezultat i punës sime, por edhe i mbështetjes, bashkëpunimit dhe frymëzimit që kam marrë nga kolegët, mentorët dhe studentët e mi.”
Departamenti ku Prof. Qerimi kontribuon – Nuclear, Plasma & Radiological Engineering (NPRE) – ka një histori të gjatë në inovacion dhe kërkim shkencor. I themeluar në vitin 1958, ai mori statusin e departamentit në vitin 1986 dhe në vitin 1999 u riemërua për të reflektuar qartë tre fushat kryesore ku zhvillon aktivitetin: inxhinierinë bërthamore, shkencën e plazmave dhe teknologjitë radiologjike.
Ky sukses i Prof. Qerimit shihet jo vetëm si një arritje personale, por edhe si një shembull frymëzues për shkencëtarët e rinj shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, të cilët kontribuojnë në zhvillimin e shkencës në nivelet më të larta ndërkombëtare.
Ky vlerësim e pozicionon Prof. Dren Qerimin në radhën e studiuesve të rinj më premtues në botë në fushën e fizikës plazmatike.
