Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar sot krizën e krijuar rreth buxhetit të tri komunave: Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. Ajo tha se ka kërkuar nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë në seancë dhe ta votojnë buxhetin, por partitë opozitare vendosën të mos marrin pjesë. Osmani theksoi se përgjegjësia për mosmiratimin e buxhetit u takon pikërisht atyre subjekteve që refuzuan të jenë të pranishme.
Në një deklaratë për Klan Kosovën, Osmani theksoi se çështja e buxhetit për këto komuna ishte paraqitur si pikë e veçantë në seancë, por partitë opozitare vendosën ta bojkotojnë. Ajo kujtoi se një procedurë e tillë është përdorur edhe më parë, duke përmendur rastin e Qeverisë Hoti, dhe se nuk ka qenë e kundërligjshme.
Mosmiratimi i buxhetit të vitit 2025 ka shkaktuar probleme serioze financiare për komunat e përmendura. Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku tashmë janë përballur me borxhe të mëdha, pasi kuvendet komunale nuk kanë arritur të miratojnë dokumentin bazë financiar. Situata është përkeqësuar edhe më shumë pasi buxheti nuk kaloi as në Kuvendin e Kosovës, ku partitë opozitare e cilësuan procedurën e votimit si të jashtëligjshme dhe bojkotuan seancën e thirrur nga deputetët e Vetëvendosjes.
Në kryeqytet, pasojat janë ndier menjëherë. Që nga sot, linjat e Trafikut Urban janë pezulluar, duke lënë qytetarët pa transport publik. Punëtorët e kompanisë kanë njoftuar se nuk kanë marrë paga për gjashtë muaj rresht dhe zhvilluan protesta fillimisht para Komunës së Prishtinës, e më pas edhe para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar zgjidhje urgjente.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka kërkuar takim kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Ai ka theksuar se situata është e rëndë dhe se qytetarët e Prishtinës po vuajnë pasojat e mungesës së buxhetit, ndërsa kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga niveli qendror. Rama insistoi se çështja nuk duhet politizuar, pasi bëhet fjalë për shërbime bazike që prekin jetën e përditshme të mijëra qytetarëve.
