Gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale, Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Besnik R. Berisha, dhe nënkryetari Naim Rudari kanë konstatuar në disa raste pranë objekteve të Policisë së Kosovës praninë e pajisjeve që në dukje ngjasojnë me kamera artizanale. Këto pajisje janë vendosur në hapësira ku zhvillohen intervistat dhe konsultat konfidenciale ndërmjet avokatëve dhe palëve të përfshira në procedurat ligjore, duke ngritur shqetësime të drejtpërdrejta për standardet e konfidencialitetit dhe të drejtave procedurale.
Në një njoftim të publikuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës në rrjetin social Facebook, institucioni thekson se situata përbën një rrezik serioz për praktikat profesionale të avokatëve dhe për mbrojtjen e të drejtave të palëve. Për këtë arsye, OAK ka ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme institucionale dhe ka kërkuar sqarim zyrtar nga Policia e Kosovës.
Në përgjigjen e saj, Policia ka sqaruar se pajisjet: janë instaluar rreth tre vite më parë si pjesë e një projekti zyrtar për sistemet audio/video në dhomat e intervistimit; nuk përbëjnë pajisje të fshehta apo të menaxhuara nga stafi hetues; nuk janë funksionalizuar dhe nuk kanë prodhuar asnjë incizim; dhe janë vendosur në kuadër të një projekti të koordinuar me institucionet kompetente.
Megjithatë, Oda e Avokatëve të Kosovës vlerëson se prania e këtyre pajisjeve, të cilat ngjajnë me kamera artizanale pa shenja identifikuese, pa sinjalizim teknik dhe pa njoftim paraprak, krijon pasiguri të arsyeshme dhe është në kundërshtim me standardet e konfidencialitetit të garantuara për ushtrimin e profesionit të avokatit.
Për këtë arsye, OAK u bën thirrje të gjithë avokatëve të jenë maksimalisht vigjilentë dhe të shmangin zhvillimin e konsultimeve konfidenciale në hapësira ku dyshohet për cenim të sigurisë teknike ose privatësisë, pavarësisht nga sqarimet e dhëna nga Policia.
Oda e Avokatëve të Kosovës konfirmon përkushtimin e saj të plotë ndaj mbrojtjes së standardeve profesionale, të drejtave procedurale të palëve dhe garantimit të kushteve të sigurta e të pandryshueshme të konfidencialitetit në të gjitha hapësirat e intervistimit.
