Osmani takon Presidentin e Sierra Leones: Kosova e përkushtuar për partneritete të forta ndërkombëtare
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku në kuadër të agjendës së saj diplomatike është takuar me Presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio.
Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani dhe homologu i saj diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Sierra Leones, me theks të veçantë në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Të dy presidentët u fokusuan në rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe krijimin e partneriteteve që sjellin përfitime konkrete për qytetarët e të dy vendeve.
Në bisedë u theksua gjithashtu nevoja për adresimin e sfidave të përbashkëta përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke vënë në pah rolin e diplomacisë si mjet për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe përballjen me çështje globale.
Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ndërtimin dhe forcimin e partneriteteve të forta me shtete në mbarë botën, duke synuar zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë. Ajo nënvizoi se angazhimi i Kosovës në skenën ndërkombëtare është i orientuar drejt paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Ky takim, sipas Presidencës, konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për të thelluar marrëdhëniet diplomatike dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me vende partnere, në funksion të interesave të qytetarëve dhe të forcimit të rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
