Opinion nga Hoxha Justinian Toppulli
Së fundi, duket se delegacioni shqiptar i turpit ka rënë në rrjetën e Hasbaras – mekanizmit të njohur të propagandës izraelite. Për ata që nuk e dinë, Hasbara nuk është thjesht një term mediatik, por një fushatë e organizuar propagandistike që synon të justifikojë politikat e Izraelit, veçanërisht ndaj palestinezëve, dhe të formësojë opinionin publik ndërkombëtar në favor të shtetit sionist.
Vizitat dhe ftesat që shteti izraelit i bën figurave nga vende të ndryshme nuk janë thjesht çështje diplomatike apo kulturore. Ato shpesh kanë qëllim të qartë: të rekrutohen persona publikë dhe institucionalë në mbrojtje të një narrative që shpesh është e njëanshme dhe demagogjike. Shqipëria dhe delegacioni i saj duket se nuk i kanë lexuar mirë këto “rregulla të lojës”. Rezultati? Një pjesëmarrje që, ndonëse e paraqitur si miqësore dhe diplomatike, në fakt shërben si mjet propagandistik pro-sionist.
Kjo nuk është thjesht çështje simbolike. Kur një delegacion shtetëror i bie pre e një strategjie propagandistike, nuk dëmtohet vetëm imazhi i tij, por edhe besueshmëria e shtetit në arenën ndërkombëtare. Çdo fjalë e artikuluar, çdo foto e publikuar, çdo takim i festuar mund të përdoret për të promovuar një narrativë që nuk pasqyron realitetin në mënyrë të balancuar.
Si shqiptarë, kemi detyrë të kuptojmë se diplomacia nuk është vetëm një rrjet takimesh dhe foto për media. Ajo është art i vlerave, i qëndrimeve dhe i integritetit kombëtar. Kur ato manipulohet për të shërbyer qëllimeve të tjera, bëhemi të pafuqishëm për të mbrojtur interesin kombëtar dhe për të ruajtur integritetin tonë moral dhe politik.
Në këtë kontekst, vizitat e Hasbaras nuk duhet parë thjesht si mundësi për PR të lehtë ose marrëdhënie miqësore. Ato duhet analizuar me kujdes, dhe çdo përfshirje shqiptare duhet të shkojë paralelisht me një strategji të qartë që mbron interesat kombëtare dhe që nuk shndërrohet në instrument propagandistik të huaj.
