Autor: Fathi Hasan Malkawi, shkurtuar nga Banan F. Malkaw
KAPITULLI I PESTË
Mendimi dhe Gjuha
Aftësitë gjuhësore janë të katër kategorive: dëgjimi, të folurit, leximi dhe shkrimi. Ne nuk mund të imagjinojmë një shkrimtar që shkruan diçka rreth ‘mendimit’ pa menduar për të, dhe pa mendimin e tij që përdor një ose më shumë nga këto aftësi gjuhësore. Gjuhëtarët i rendisin këto katër aftësi sipas radhës në të cilën ato shfaqen në zhvillimin gjuhësor të individit. Dëgjimi dhe leximi janë mjete themelore për zhvillimin e ngrehinës intelektuale të individit. Megjithatë, ne nuk mund ta njohim këtë ngrehinë derisa individi të flasë ose të shkruajë.
Gjuha është një kallep, dhe mendimi është përmbajtja e derdhur në këtë kallep gjuhësor. Përmbajtja merr formën e kallepit dhe përcaktohet nga kufijtë e tij në aspektin e qartësisë dhe cilësisë. Marrëdhënia midis gjuhës dhe mendimit është reciproke dhe integruese. Është reciproke sepse njëra ndikon tjetrën, dhe është integruese sepse secila ka nevojë për tjetrën; kësisoj, pasuria e njërës pasuron tjetrën. Gjuha i shërben mendimit në atë që ndihmon në shprehjen e ideve të njeriut dhe sjelljen e tyre në sferën e ekzistencës gjuhësore, ku ideja bëhet subjekt komunikimi. Mendimi gjithashtu i shërben gjuhës në ndihmën për të zgjedhur artikulimin dhe terminologjinë më precize e më elokuente për të përcjellë kuptimin. Prandaj, mendimi krijon gjuhën, dhe krijohet prej saj, reciprokisht.
Dimensioni Historik i Marrëdhënies midis Mendimit dhe Gjuhës
Kurani nënvizon marrëdhënien midis mendimit dhe gjuhës: “Dhe Ai i mësoi Ademit emrat e të gjitha gjërave” (2:31). Zoti krijoi njerëzit dhe u mësoi atyre bayān (elokuencën në sqarim dhe diksion): “(Allahu) Më i Mëshirshmi! Është Ai që mësoi Kuranin. Ai krijoi njeriun: [Dhe] i mësoi atij elokuencën [bayān]” (55:1-4). Zoti gjithashtu shoqëron gjuhën, një fakultet gjuhësor, me bayān-in: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar përveçse (për të mësuar) në gjuhën e popullit të vet, me qëllim që t’ua bëjë atyre (gjërat) të qarta” (14:4).
Interesi për këtë marrëdhënie daton që nga kohët e lashta në historinë njerëzore, veçanërisht në epokën e Sokratit, Aristotelit dhe filozofëve pasues grekë e romakë. Deri më sot, tri pyetje konvencionale rreth kësaj marrëdhënieje vazhdojnë të debatohen: origjina e gjuhës (nëse është natyrore apo konvencionale), rregullsia e saj dhe struktura e saj. Edhe termi ‘logos’ në historinë e mendimit perëndimor u përdor për të llogaritur njëkohësisht gjuhën, racionalitetin dhe mendimin. Debatet mbi mendimin gjuhësor vazhduan përgjatë historisë; midis gramatikanëve të el-Basrës dhe atyre të el-Kufës, midis gjuhëtarëve nga shkolla të ndryshme perëndimore të mendimit (debati i famshëm midis Jean Piaget dhe Noam Chomsky në 1975), dhe sot, midis gjuhëtarëve modernistë arabë të fokusuar në aplikimin e metodologjive moderne perëndimore në mendimin gjuhësor arab dhe të arabishtes.
Trashëgimia islame është gjithashtu e mbushur me vepra që diskutojnë origjinën e gjuhës njerëzore dhe marrëdhënien e saj me të menduarit, kuptimin dhe perceptimin. Vepra të tilla hulumtojnë strukturën e gjuhës arabe, shkencat e saj dhe rolin e saj në përcjelljen e përmbajtjeve të Kuranit, si veprat e Abu al-Aswad al-Du’ali (v. 69 h.), al-Khalil ibn Ahmad al-Farahidi (v. 175 h.), dhe studentit të tij Sibawayh (v. 180 h.). Kontribute të rëndësishme intelektuale u dhanë nga Al-Jahiz (v. 255 h.), Al-Jurjani (v. 474 h.), dhe Ibn Jinni (v. 392 h.).
Ibn Khaldun i konsideronte gjuhët si zakone industriale (aftësi) që ndërtohen dhe mësohen përmes përvetësimit dhe përsëritjes, të cilat shërbejnë për qëllimin e shprehjes së kuptimit. Cilësia e shprehjes varet nga përsosmëria e këtij zakoni. Al-Ghazali ndriçoi marrëdhënien ekzistenciale midis mendimit, dijes dhe gjuhës, dhe bëri dallimin midis ekzistencës individuale, ekzistencës racionale dhe ekzistencës gjuhësore. Dijetarët myslimanë e shoqëruan gjuhën arabe jo vetëm me mendimin dhe arsyen, por edhe me fenë gjithashtu. Ibn Taymiyyah e konsideronte vetë gjuhën arabe si pjesë të fesë, sepse kuptimi i Kuranit dhe Sunetit është një detyrim që nuk mund të përmbushet pa njohjen e gjuhës arabe. Ai shton: “Gjuha arabe është simboli i Islamit dhe i njerëzve të tij, sepse gjuhët janë ndër simbolet më të mëdha me të cilat dallohen kombet.”
Bayān midis Mendimit dhe Gjuhës
Termi bayān është një fjalë e preferuar në Kuran, duke u shfaqur bashkë me derivate të tjera të rrënjës foljore ‘bāna’ 257 herë në forma të ndryshme emërore dhe foljore për të shënuar qartësinë, shpjegimin dhe dallueshmërinë, si një mjet me të cilin njeriu i bën gjërat të dukshme dhe të qarta përmes gjuhës. Bayān përdoret për të përshkruar vetë Kuranin: ai është një deklaratë dhe udhëzim i qartë e i thjeshtë për njerëzit (3:138). Fjalët dhe shenjat e tij nuk janë enigma me kuptime të fshehura, përkundrazi ato janë vargje të dukshme dhe qartësisht të kuptueshme, të shpallura në shkallë të ndryshme elokuence që mbërrijnë nivelin e cilësisë mrekullibërëse dhe imitueshmërisë.
Dijetarët e gjuhës arabe zhvilluan ‘shkencën e gjerë të bayān-it’, duke detajuar temat, objektivat dhe bazat e saj. Libra të shumtë, si klasikë ashtu edhe modernë, u shkruan në këtë fushë, përfshirë Asrār al-Balāghah (Sekretet e Elokuencës) të Al-Jurjani-t, i cili ndriçon virtytin e bayān-it në referencë të vargjeve kuranore. Al-Bayān wa al-Tabyīn i Al-Jahiz-it e paraqet bayān-in si tregues të kuptimit, dhe tabyīn-in si sqarim të mëtejshëm. Al-Jahiz shpjegon: “Al-Bayān është një emër kolektiv për gjithçka që zbulon maskën fshehëse nga kuptimi dhe shpalos kuptimin e brendshëm… Kjo sepse qëllimi i folësit dhe dëgjuesit është: të kuptuarit dhe të kuptuarit prej tjetrit. Çdo gjë përmes së cilës arrihet kuptimi dhe qartësohet domethënia, ajo është bayān.” Al-Jahiz konsideron modalitetet verbale dhe joverbale (shprehja, gjesti, numërimi me gishta ‘daktilonomia’, shkrimi dhe gjendja emocionale ‘al-nisbah’) si shprehje njerëzore në gjuhë.
Shkrimi gëzon një status të dalluar në artet e bayān-it gjuhësor. Al-Khatīb al-Baghdādī (v. 463 h.) thekson rëndësinë e tij duke cituar hadithin profetik: “Prangoseni [regjistrojeni] dijen me shkrim.” Ibn Khaldun e lartëson rëndësinë e shkrimit, duke e klasifikuar atë ndër zanatet fisnike. Ai thotë: “Arti i shkrimit dhe i prodhimit të librit, që varet prej tij, ruan gjërat që janë shqetësim për njeriun dhe i mbron ato nga harresa… Ai përjetëson në libra rezultatet e të menduarit dhe të studimit. Ai [lartëson] urdhërat e ekzistencës për idetë.”
Teoritë mbi Marrëdhënien midis Mendimit dhe Gjuhës
Mendimi është një aktivitet psikologjik, social dhe gjuhësor; rrjedhimisht, ai është subjekt studimi në psikologji, sociologji dhe gjuhësi, si dhe aplikimet e tyre në disiplina të tjera si media, politika, ekonomia, etj. Shkolla dhe teori të shumta psikologjike perëndimore paraqesin perspektivat e tyre mbi marrëdhënien midis mendimit dhe gjuhës. Për qëllimin e ndërtimit intelektual të individit mysliman, është e dobishme të njihesh me parimet e përgjithshme të këtyre teorive, dhe të merresh me to në mënyrë kritike e analitike sipas botëkuptimit islam. Këtë bën psikologu mysliman Malik Badri në studimet e tij psikologjike dhe praktikën e tij të psikoterapisë. Badri pajtohet se ekziston një korrelacion i fortë midis mendimit njerëzor dhe gjuhës, sepse “gjuha nuk është vetëm mjeti i drejtimit dhe komunikimit të qenies njerëzore, por edhe sistemi bazë i përdorur në të menduar.”
Tabela e mëposhtme paraqet shkurtimisht teoritë kryesore mbi marrëdhënien midis mendimit dhe gjuhës:
| Teoria | Themeluesit | Karakteristikat |
| Bihejviorizmi | Watson/ Skinner | Gjuha është një lloj sjelljeje, e përftuar përmes imitimit, përforcimit dhe përsëritjes. |
| Epistemologjia Gjenetike | Piaget | Gjuha është histori e ideve, ajo zhvillohet bashkë me zhvillimin biologjik. Mendimi shfaqet përpara gjuhës. |
| Determinizmi Gjuhësor | Sapir-Whorf | Funksioni i gjuhës është komunikimi dhe përfaqësimi. Gjuha përcakton të menduarit. Struktura e gjuhës ndikon në botëkuptim. |
| Gramatika Universale | Chomsky | Gjuhët kanë strukturë të thellë dhe strukturë sipërfaqësore. Gjuha është një dhunti e lindur biologjike/gjenetike universale për të gjithë njerëzit. |
Ekziston një mungesë tronditëse e një shkolle islame të psikologjisë sot. Megjithatë, dijetarët myslimanë në të kaluarën kanë paraqitur interpretime të larmishme të marrëdhënies midis mendimit dhe gjuhës. Ibn Jinni, për shembull, debatoi origjinën e gjuhës njerëzore, nëse gjuha u vendos përmes marrëveshjes konvencionale apo frymëzimit dhe shpalljes Hyjnore, apo nëse Zoti i pajisi njerëzit me aftësinë për të mësuar gjuhën? Në këtë marrëdhënie, gjuha është simbolet e shqiptuara, të shkruara, të vizatuara dhe të animuara, të cilat përbëjnë bazën e asaj që një qenie njerëzore zotëron si mendim, dije dhe kulturë, dhe rrjedhimisht: gjuha është nëna e të gjitha simboleve kulturore.
Teoritë dhe debatet e ndryshme që përpiqen të kuptojnë marrëdhënien midis gjuhës dhe mendimit ka të ngjarë të vazhdojnë, qoftë nga një qasje thjesht biologjike, natyrore dhe sociale, apo nga një qasje që merr parasysh interpretimin fetar. Eshtë e pakët gjasat që ndonjë teori e vetme ta vendosë atë në mënyrë përfundimtare, duke pasur parasysh se shkencëtarët që e studiojnë vijnë nga disiplina të ndryshme. Çdo teori thjesht shpjegon një aspekt të subjektit, jo subjektin si tërësi. Çështja ka të ngjarë të mbetet e hapur për përpjekje intelektuale, debat dhe dialog; a nuk është kjo vetë natyra e njohurive njerëzore?!
Sidoqoftë, një grup parimesh mbi marrëdhënien midis gjuhës dhe mendimit mbeten relativisht jokontroverse për qëllimin e ndërtimit intelektual mysliman. Së pari, është e vështirë të parashikohet mendimi njerëzor pa një shprehje gjuhësore të tij, dhe është e vështirë të përjashtohet efekti i mendimit në pasurimin e gjuhës. Kjo marrëdhënie është reciproke dhe integruese. Së dyti, ne besojmë se Zoti krijoi Ademin, babanë e njerëzimit, dhe e pajisi atë me një fakultet gjuhësor. Së treti, ky fakultet gjuhësor (apo zakon) është pjesë e “dizajnit” gjenetik të krijuar hyjnisht të entitetit njerëzor. Ai shoqërohet me mjetet e dëgjimit, shikimit dhe të folurit, të gjitha këto që janë të pajisura për role që lidhen me gjuhën dhe mendimin. Së katërti, është e arsyeshme të imagjinohet se gjuha njerëzore, në gjenezën e saj, ishte një gjuhë e vetme, pastaj ndërsa njerëzit u shpërndanë nëpër zona të ndryshme gjeografike, dialektet u degëzuan, e më pas evoluuan në gjuhë të dallueshme. Së pesti, qeniet njerëzore, përgjatë kohës, mësuan gjuhët dhe i përdorën ato për të shprehur kuptimin e tyre për rrethinën, përmes asaj që dëgjojnë në mjedisin gjuhësor rreth tyre.
Mendimi dhe Progresi në Aftësitë Gjuhësore
Gjuha është një mjet komunikimi, shprehjeje dhe të menduari. Një person ka fleksibilitet në formulimin e ideve dhe shprehjen e tyre qartë, bindshëm dhe efektivisht në shkallën në të cilën ai ose ajo zotëron fjalorin, strukturat dhe tekstet e gjuhës. Interesi për gjuhën arabe, për shembull, manifestohet në përdorimin e duhur të gramatikes dhe sintaksës, veçanërisht rregullave filologjike. Disa ide vendosen rehatshëm në mendje kur formulohen në një mënyrë të ekuilibruar, duke i bërë ato lehtësisht të mbajtur mend dhe të memorizuara si tekst, si për shembull kur formulohen në vargje poezie.
Në gjuhën arabe, recitimi i vazhdueshëm dhe memorizimi i Kuranit është një nga mjetet më të mira për të përparuar aftësitë gjuhësore të njeriut, për të korrigjuar të folurin dhe artikulimin, për të akorduar shprehjen, për të pasuruar mendimet dhe për të lartësuar kuptimin e fjalëve të folura e të shkruara. Ibn al-Athīr (v. 637 h.) shtjellon efektin e Kuranit në rritjen e aftësive gjuhësore. Kjo bëhet duke “njohur vendndodhjet e retorikës dhe sekretet e diskursit elokuent të ngulitur në kompozicionin e Kuranit, dhe [duke e konsideruar] atë një det nga i cili nxirren perlat dhe xhevahiret, për t’i ngulitur në palët e të folurit të vetvetes… Vetëm Kurani mjafton si burim dhe mjet për artet e ndryshme të diskursit.” Shumë mjetet ndihmojnë në lartësimin e cilësisë së shkrimit, e megjithatë Ibn al-Athīr mbështet se “koka, shtylla kurrizore dhe maja e çështjes janë tri mjetet: memorizimi i Kuranit, memorizimi i gjerë i Haditheve Profetike dhe poezia.”
Ndërveprimi intelektual midis njerëzve kërkon përdorimin e mjetev të ndryshme. Secili mjet kryen një rol të veçantë që nuk mund të kryhet nga mjete të tjera. Është e pamjaftueshme, për shembull, të kufizohet një ndërveprim i tillë në komunikimin oral, ose në vend të tij në shkrim. Oraliteti dhe shkrim-leximi janë dy mjete integruese, secili duke luajtur një rol të ndryshëm. Studimet socio-gjuhësore sugjerojnë se origjina e të gjitha gjuhëve është fjalimi oral, e megjithatë vetëm disa gjuhë mbetën nga mijëra të zhvilluara nga shoqëritë njerëzore, sepse ato që u zhdukën janë ato që nuk u shkruan kurrë. Studime të tilla theksojnë se “shkrimi, përkushtimi i fjalës ndaj hapësirës, zgjeron potencialin e gjuhës pothuajse jashtë mase, ristrukturon mendimin… Shkrimi i jep një [gjuhe transdialektore] një fuqi që tejkalon shumë atë të çdo dialekti thjesht oral.”
Vlera e shkrimit manifestohet në ndikimin e tij të vazhdueshëm përgjatë kohës. Edhe kundërshtimi apo zhvlerësimi i plotë i një teksti të shkruar nuk e pengon atë të vazhdojë të ketë efekt. Ndërsa shkrimi lartëson vetëdijen, Ong shton: “Është gjithashtu një arsye pse librat janë djegur. Një tekst që thotë se ajo që e gjithë bota e di është e rreme, do të thotë gënjeshtër përgjithmonë, për sa kohë që teksti ekziston. Tekstet janë në thelb kryeneçë.”
Ndërsa oraliteti është më afër instinktit bazë njerëzor, shkrimi u zhvillua si rezultat i grumbullimit të përvojës njerëzore dhe shpikjes së teknologjive. Teknologjitë e oralitetit dhe shkrimit u zhvilluan më tej dhe u bënë të disponueshme për dëgjim dhe lexim në çdo kohë, me aftësinë për t’u riprodhuar herë pas here. Teknologjitë e reja u lejojnë dëgjuesve ose lexuesve madje të ndërveprojnë me materialin, duke lejuar shprehjen e sqarimit, diskutimit, miratimit ose kundërshtimit. E gjithë kjo është bërë e disponueshme me botimin elektronik, i qasshëm përmes rrjeteve globale, i aksesuar nga miliona njerëz në çdo kohë dhe nga çdo vend. Padyshim, këto mjetet janë instrumentale për përmirësimin e aftësive gjuhësore, si dhe për përmirësimin e ngrehinës intelektuale të njeriut.
Abuzimi Intelektual dhe Gjuhësor
Gjuha përcjell kuptime që variojnë në vlerë dhe besueshmëri. Ky variacion mund të varet nga përdoruesi i gjuhës, dhe synimi i tij apo i saj prej saj. Një frazë mund të jetë e sinqertë ose e rreme. Gënjeshtra mund të jetë rezultat i injorancës ose mund të jetë e qëllimshme. Fjalët e zgjedhura mund të shprehin një qëllim fisnik, ose një qëllim keqdashës. Këto fjalë mund të jenë të qarta dhe të drejtpërdrejta në sipërfaqe, ose mund të kenë qëllime të fshehura të mëtejshme. Disa njerëz i interpretojnë fjalët në një mënyrë që i tjetërson ato nga konteksti i tyre. Këto pasqyrojnë raste të abuzimit dhe manipulimit intelektual e gjuhësor.
Gjuha është gjithashtu një mjet për të sjellë një efekt të caktuar te mendimi apo sjellja e marrësve. Prandaj, specialistët në reklamim, propagandë, media, politikanët dhe predikuesit i kushtojnë vëmendje të madhe zgjedhjes së fjalëve që gjenerojnë një efekt të dëshiruar në zemrat dhe mendjet e marrësve. Graviteti i abuzimit gjuhësor është rritur sot, veçanërisht me teknologjitë e reja dhe mediat që praktikojnë një shkallë të programimit të mendjes dhe shpëlarjes së trurit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se njerëzit do të heqin dorë lehtësisht nga bindjet e tyre të rrënjosura ndaj proceseve të ndikimit gjuhësor, përkundrazi, pritet që shumë njerëz të kenë një shkallë vetëdijeje për synimet e diskursit gjuhësor, duke refuzuar dhe rezistuar kështu atë që kundërshton bindjet e tyre.
E folura e brendshme si Kalām Nafsī
Teologët myslimanë bënë dallimin midis fjalës njerëzore të ndjeshme (gjuha e shkruar ose e folur e dallueshme nga shqisat, al-kalām al-hissī), dhe fjalës së brendshme (al-kalām al-nafsī). Kjo e fundit rrjedh nga përshkrimi i Kuranit si ‘fjala e Zotit’, e cila është e ndryshme nga fjala njerëzore. Ajo është fjala e patregueshme në thelbin e Zotit, e cila është para-eterno dhe pa fillim, dhe nuk është e përshtatur në formën e një shqiptimi apo në shkrim.
Koncepti i fjalës së brendshme Hyjnore u pasqyrua pastaj në fjalën njerëzore. Teologët konsideruan se fjala njerëzore e ndjeshme (kalām hissī) buron nga prania e substancës së brendshme psikologjike dhe shpirtërore. Ata trajtuan natyrën e brendshme, thelbin dhe karakteristikat e kalām nafsī dhe shtjelluan marrëdhënien e tij me kalām hissī. Ndër teologët pionierë në këtë temë janë ‘Adad al-Dīn al-Ījī (v. 756 h.), Sa‘d al-Dīn al-Taftāzānī (v. 792 h.), dhe al-Sharīf al-Jurjānī (v. 816 h.). Ata ishin të vëmendshëm ndaj sistemit të bazave psikologjike dhe mentale mbi të cilat bazohet koncepti i fjalës së ndjeshme. Kjo fjalë e brendshme lidhet me mjedisin e jashtëm, rrethinën dhe fenomenet e vërejtura nga shqisat, gjë që gjeneron reagime psikologjike që çojnë në një shpërthim të fjalës së ndjeshme.
Ekziston fjalë që shqiptohet nga gjuha (kalām lafzī), dhe ekziston fjalë e brendshme ose vetë-folje (hadīth al-nafs) që nuk shqiptohet, të cilën disa e quajnë kalām nafsī ose hadīth al-nafs. Individi i flet vetvetes me atë që nuk e thotë, dhe Zoti e di atë që manifestohet në fjalë dhe atë që mbetet e fshehur në vetvete.
Bilinguizmi, Digllosia dhe Efekti i tyre në Mendim, Kulturë dhe Identitet
Nuk ka një mënyrë të përcaktuar sistemike në të cilën përdoren termat ‘digllosi’ dhe ‘bilinguizëm’, dhe opinionet variojnë sa i përket implikimeve të tyre te individët dhe shoqëritë. Në përgjithësi, digllosia i referohet pranisë së dy niveleve gjuhësore të një gjuhe të vetme, të përdorura në kushte të ndryshme, me varietete të dallueshme të larta dhe të ulëta bisedore, siç është arabishtja fuṣḥā (klasike/standarde) dhe ‘āmmiyyah (bisedore). Bilinguizmi, nga ana tjetër, është prania e dy gjuhëve të ndryshme, njëra lokale dhe një gjuhë tjetër (d.m.th. një gjuhë e huaj e përdorur në fusha specifike, ose një gjuhë e dytë mbizotëruese në shoqëri, ose midis atyre që përftojnë dy gjuhë duke u rritur në një mjedis bilingu ose përmes nxënies). Studime të ndryshme në fushat e psikologjisë, gjuhësisë dhe sociologjisë zbulojnë efekte pozitive dhe negative të bilinguizmit dhe digllosisë në nxënien, personalitetin dhe përkatësinë e individit, dhe gjithashtu në shoqëri, kohezionin e saj dhe stabilitetin e identitetit të saj. Ajo që na intereson këtu është efekti i këtyre fenomeneve në procesin e të menduarit dhe në shkallën e saktësisë e qartësisë në shprehjen e ideve.
Hapësira midis formave bisedore dhe klasike të një gjuhe priret të ngushtohet gradualisht me përhapjen e edukimit dhe rritjen e vetëdijes e njohurive kulturore. Vendimet politike kontribuojnë në urimin e kësaj hapësire dhe zgjidhjen e disa problemeve që lindin nga digllosia. Bilinguizmi, nga ana tjetër, prodhon probleme kruciale gjuhësore, psikologjike dhe sociale për shkak të ndërhyrjes dhe mbivendosjes midis dy gjuhëve. Atrofia gjuhësore është një problem i tillë i cituar gjerësisht.
Bilinguizmi dhe digllosia hedhin dritë mbi një situatë të rëndë ku mospërputhja në gjuhë pasqyrohet në mospërputhje në mendim. Efektet kulturore sjellin ndikime të ndryshme në mënyrën e të menduarit të individit, duke rezultuar shpesh në një ‘digllosi intelektuale’. Malik Bennabi, për shembull, e konsideron përdorimin e një gjuhe të huaj si një implant të erës koloniale që shqetëson strukturat kulturore dhe intelektuale të vendit të kolonizuar. Ai argumenton se bilinguizmi kontribuon në deformimin e termave, ndryshimin e kuptimeve dhe konotacioneve të tyre, dhe gjymtimin e aftësive krijuese, shkurt: “bilinguizmi mund të shkaktojë efekte që janë më të papajtueshme me kulturën kombëtare.”
Kjo megjithatë nuk e minon rëndësinë e mësimit të gjuhëve të huaja në zgjerimin e njohurive kulturore dhe intelektuale. Megjithatë, mbështetja e shpeshtë te termat e huaj, veçanërisht kur flitet, tregon pamjaftueshmërinë dhe mangësitë e personit në aftësinë e tij për të shprehur mendimin e tyre në gjuhën amtare.
HARTËZIMI I NDËRTIMIT INTELEKTUAL DHE NDËRTIMIT TË MENDIMIT DHE ARSYES
