Pse dosjet “Epstein” flasin për Papa Benediktin XVI dhe “bankierin e Zotit”?
Pyetja e Jeffrey Epstein rreth dorëheqjes historike të Papa Benediktit XVI në vitin 2013 ka rikthyer vëmendjen te një kapitull i errët i intrigave që lidhin Vatikanin me skandalet financiare.
Në emailet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Epstein kërkonte shpjegime për vendimin e Joseph Ratzinger, duke marrë përgjigje që lidhen me historinë e Banco Ambrosiano dhe vdekjen misterioze të Roberto Calvi-t. I njohur si “bankieri i Zotit” për lidhjet e tij me Institutin për Vepra Fetare (IOR), Calvi u gjet i varur nën Urën Blackfriars në Londër në vitin 1982 – një ngjarje që mbetet e rrethuar nga mistere, duke përfshirë lidhje me Cosa Nostra dhe strukturat e pushtetit.
Interesi i Epstein u shtua nga korrespondenca me gazetarin investigativ Edëard Jay Epstein, i cili argumentonte se ndryshimi më i rëndësishëm në Vatikan nuk ishte largimi i Papës, por transformimi i udhëheqjes në bankën e Vatikanit. Sipas dokumenteve, IOR, si institucion i një shteti sovran, ishte i përjashtuar nga rregullat ndërkombëtare të transparencës, duke u kthyer në një zonë gri për transferta parash pa kontroll.
Në vitin 2012, presidenti i atëhershëm i IOR-it, Ettore Gotti Tedeschi, u shkarkua pas një serie akuzash për korrupsion dhe pastrim parash, megjithëse më vonë u shpall i pafajshëm. Konflikti brenda bankës lidhej me përpjekjet e Benediktit XVI për të reformuar sistemin financiar të Vatikanit, të cilat hasën rezistencë të fortë nga “armiqtë e brendshëm”. Emailet tregojnë se Gotti Tedeschi kishte frikë për jetën e tij pasi zotëronte dosje komprometuese mbi sekretet e Selisë së Shenjtë, që më pas u përfshinë në skandalin Vatileaks.
Emërimi i Ernst von Freyberg në krye të bankës, vetëm disa ditë para njoftimit të dorëheqjes së Papës, shihet si një lëvizje kyçe që parapriu largimin e Ratzinger. Epstein ia dërgoi këto informacione Larry Summers-it, duke treguar sa thellë shtrihej interesi i tij për mekanizmat e pushtetit në Vatikan.
Edhe pse është e vështirë të provohet një lidhje e drejtpërdrejtë midis skandalit të Roberto Calvi-t dhe dorëheqjes së Benediktit XVI, këto dosje dëshmojnë se vendimet më të larta shpirtërore në Vatikan shpesh ndërthuren me interesa financiare botërore dhe luftëra për kontrollin e parave me origjinë të dyshimtë.
