Ndonëse ishte paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të ketë një takim ndërmjet liderëve të koalicionit LDK- AAK- Nisma me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me nënshkrimin ose jo të marrëveshjes për bashkëqeverisje, ky takim është shtyrë për nesër në ora 10:00.
“Takimi i sotëm është shtyrë me kërkesë të Bllokut LDK-AAK-Nisma, për arsye private, familjare të tyre. Nesër në ora 10:00 do të mbahet takimi për dakordim përfundimtar”, i ka thënë gazetës Zëri Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Gjithashtu ai ka përgënjeshtruar draft marrëveshjet që po qarkullojnë nëpër portalet e ndryshme. Sipas tij, në media po qarkullojnë dy draft-marrëveshje për koalicion në mes bllokut opozitar LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“ Drafti i parë është propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq drafti i dytë është njëri nga disa draftet e Grupit të Punës. Në këto dokumente ka pika për të cilat është arritur pajtim, sikurse që ka pika për të cilat nuk pajtohemi”, ka thënë Vraniqi. /Zëri/