Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim zyrtar me ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pammer, për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Në një frymë partneriteti, palët shkëmbyen mendime për çështje me interes të përbashkët, duke vënë theksin te nevoja për thellimin e bashkëpunimit mes Komunës së Çairit dhe shtetit austriak.
“Sot mirëprita në zyrë Ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, z. Martin Pammer. Shkëmbim i vlefshëm mendimesh për zhvillimet aktuale dhe mundësitë për ta thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët. Austria mbetet një partner i çmuar dhe një aleat i rëndësishëm në rrugën tonë evropiane”, shkroi Mexhiti pas takimit.
Mexhiti shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i jep Maqedonisë së Veriut. Ai nënvizoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik, veçanërisht në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian, si dhe në zbatimin e projekteve konkrete që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
