Amerika e Donald Trump-it e bën sërish të respektueshëm Golizmin
Udhëheqësit evropianë, të cilët u mblodhën në Konferencën e Sigurisë në Mynih fundjavën e kaluar, gjetën pak ngushëllim në tonin më pak thumbues të përdorur nga Amerika. Nëse vitin e kaluar zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance lëndoi dhe zhgënjeu aleatët, këtë vit Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u tregua një kritik më i përmbajtur. Megjithatë, ai mbeti një kritik, dhe evropianët u larguan me ndjesinë se, në botën e Trump-it, ata janë të vetëm në rrugëtimin e tyre. Kjo në vetvete është mjaftueshëm tronditëse. Por, teksa tekat e Donald Trump-it ngjallin ankth të thellë tek evropianët, ata po shqetësohen edhe nga një ide tjetër e pakëndshme: një ndjesi acaruese se mbase, në fund të fundit, Franca paska pasur të drejtë.
Asnjë vend tjetër evropian nuk ka qenë vazhdimisht aq skeptik mbi besueshmërinë e aleatit transatlantik dhe nuk ka treguar një vendosmëri kaq kokëfortë për të vepruar i vetëm. Menjëherë pasi Charles de Gaulle u bë udhëheqësi i Francës në vitin 1958, ai paralajmëroi Konrad Adenauer-in, kancelarin e atëhershëm gjerman, se amerikanët “nuk ishin të besueshëm, nuk ishin shumë të qëndrueshëm dhe nuk kuptonin asgjë nga historia apo Evropa”. Duke medituar mbi ndryshimin e ekuilibrave të pushtetit botëror, “gjenerali” i tha një këshilltari: “Në çdo moment mund të ndodhin ngjarjet më të jashtëzakonshme… Amerika mund të kthehet në një kërcënim për paqen.” Deri në vitin 1966, de Gaulle kishte ndërtuar bombën bërthamore, ishte tërhequr nga komanda ushtarake e integruar e NATO-s dhe kishte dëbuar ushtarët amerikanë nga toka franceze.
Emmanuel Macron nuk humbet asnjë rast për të shfaqur “de Gaulle-in” e tij të brendshëm. Për gati një dekadë, presidenti i ka bezdisur udhëheqësit evropianë me thirrjen e tij për “autonomi strategjike”. Përgjigjja e tyre ka qenë rrotullimi i syve ose indiferenca. Kur z. Macron i tha revistës The Economist në vitin 2019 se NATO po përjetonte “vdekje cerebrale”, miqtë e tij e akuzuan atë për një përpjekje për të shkatërruar aleancën transatlantike. Javën e kaluar, ai deklaroi se Evropa po përballet me një Amerikë “haptazi armiqësore” që kërkon asgjë më pak se “copëtimin” e saj, dhe se ky moment përbën “një thyerje të thellë gjeopolitike”.
Në kryeqytetet evropiane me prirje më thellësisht atlantike, perspektiva e të qëndruarit të vetëm pa Amerikën ka shkaktuar shqetësim dhe ankth. Në Paris – i cili mban një forcë parandaluese bërthamore plotësisht të pavarur, dërgon satelitët e tij në hapësirë, e furnizon veten me energji bërthamore dhe ndërton vetë avionët e tij luftarakë – kjo po përjetohet si një vërtetim se kishin të drejtë. E megjithatë, nëse Franca kishte të drejtë gjatë gjithë kësaj kohe për një pavarësi më të madhe strategjike evropiane, pse kjo nuk u realizua? Përgjigjet mund të grupohen gjerësisht në tre pika: Franca kishte të drejtë, por e tha tepër herët; kishte të drejtë, por nuk ishte e besueshme; dhe kishte të drejtë, por u ngriti nervat të gjithëve.
Nëse Franca e bëri këtë thirrje shumë herët për miqtë e saj, kjo ndodhi sepse ata me të drejtë e shihnin Pax Americana-n e pasluftës jo si një rrezik apo poshtërim, por si garancinë që e mbante Perëndimin të bashkuar. De Gaulle doli në përfundimin, veçanërisht pas krizës së Suezit në 1956, se Amerikës nuk mund t’i zihej plotësisht besë. Britania, aleatja e Francës gjatë Suezit, nxori përfundimin e kundërt: duke gjykuar se nuk mund të vepronte pa mbështetjen e amerikanëve, ajo u afrua edhe më shumë me ta. Mosbesimi ndaj Amerikës e shtyu Francën të diversifikonte aleancat e saj shumë kohë përpara se kjo të kthehej në modë. Por Britania e shihte Amerikën si një shtrirje të vetvetes, ndërsa Gjermania ishte e paaftë të afirmonte pushtetin e saj pas luftës. Ata dhe evropianët e tjerë ndiheshin më të qetë duke u strukur nën krahun amerikan dhe e trajtuan përpjekjen e Francës për pavarësi jo vetëm si të gabuar, por edhe të rrezikshme: një lëvizje që mund të përshpejtonte shkëputjen e Amerikës.
Nëse Franca do të kishte ndjekur plotësisht logjikën e saj, ajo mund të kishte shmangur një pjesë të këtij skepticizmi. Megjithatë, prej dekadash, Franca (ashtu si vende të tjera në Evropë) ndoqi politika sociale që dobësuan aftësinë e saj për të ndërtuar “muskuj” strategjikë. Edhe sot, ajo shpenzon çdo vit mbi gjashtë herë më shumë për pensionet sesa për mbrojtjen – dhe merr borxhe të mëdha për ta bërë këtë. Si është e mundur – pyesin kritikët – të pretendosh autonomi strategjike, kur varesh nga tregjet e obligacioneve për të paguar pensionistët e tu? Për më tepër, strategjia e Francës “Bli Evropiane” është konsideruar prej kohësh nga miqtë e saj, të pajisur me armatime amerikane, si një taktikë për të shitur pajisje franceze. Kur Franca bën thirrje për më shumë huamarrje të përbashkët për të riarmatosur Evropën, miqtë e saj dëgjojnë mesazhin: “gjeni dikë tjetër për të paguar”. Kur Franca kërkon më shumë shpenzime për mbrojtjen evropiane, miqtë e saj dëgjojnë: “më shumë kontrata për prodhuesit francezë të avionëve luftarakë, raketave dhe motorëve”.
Dhe pastaj vjen – si ta themi? – toni. Franca e konsideron veten një aleat serioz në Evropë dhe në NATO, dhe nuk e kupton pse idetë e saj ndeshin në kaq shumë rezistencë. Të tjerëve u duket i padurueshëm qëndrimi arrogant me të cilin ajo përpiqet t’i imponojë ato. De Gaulle e la bosh karrigen e tij evropiane në Bruksel për gjashtë muaj, duke bojkotuar takimet, vetëm për të dalë e tija në një grindje mbi rregullat e vendimmarrjes. Evropianët qendrorë dhe lindorë nuk e kanë harruar se si Zhak Shirak (Jacques Chirac), presidenti i atëhershëm, u tha se duke mbështetur luftën e Amerikës në Irak, ata kishin “humbur një mundësi të mirë për të heshtur”. Kur z. Macron vuri syze piloti gjatë një fjalimi në Davos, për të fshehur një sy të gjakosur, kjo ishte tipike franceze: sfiduese, shik, ndoshta qesharake, por pa diskutim diçka që rrëmben vëmendjen e të gjithëve. Disave u pëlqeu. Disave jo.
Ndonjëherë gjërat ecin shumë ngadalë
Sigurisht, Franca ka bërë pjesën e saj të gabimeve. Qëndrimi pompoz i de Gaulle-it ndaj Amerikës ishte pjesërisht një përpjekje për të ruajtur statusin e vendit si një fuqi e madhe, pavarësisht keqmenaxhimit shpesh të dhunshëm të tërheqjes nga perandoria e saj. Pretendimet e saj për ndikim pas-perandorak mund të dështojnë plotësisht, siç ndodhi në Sahel, ku Rusia shfrytëzoi pakënaqësinë ndaj Francës. Franca e mbështet me dëshirë forcimin e Evropës kur i volit dhe e kundërshton pa të keq (për shembull, në marrëveshjen tregtare Mercosur) kur nuk i intereson.
Kapriçoze, krenare, acaruese, ajo shpeshherë është vendi që u ngre nervat të tjerëve. Franca, shkruante gjenerali, “nuk mund të jetë Francë pa madhështinë e saj”. Ndërsa udhëheqësit evropianë përballen me pasojat e përçarjes transatlantike, pak prej tyre ende shpresojnë se ky është një moment kalimtar. Të tjerët tremben nga kostot e rrugëtimit të vetëm. E tallur, e shpërfillur, e përbuzur, Franca ka menduar ndryshe për botën prej kohësh dhe rrallë ka pasur frikë ta thotë këtë me zë të lartë. Mos prisni që evropianët e tjerë t’i japin të drejtë, edhe kur ndajnë të njëjtin mendim.
Nga Foreign Policy, në shqip DO
