Prindërit në Shtetet e Bashkuara që kanë borxhe të konsiderueshme për alimentacion rrezikojnë të humbin të drejtën për të udhëtuar jashtë vendit. Administrata e presidentit Donald Trump po zgjeron zbatimin e një ligji federal 30-vjeçar, i cili lejon konfiskimin e pasaportave amerikane deri në shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj fëmijëve.
Sipas ligjit federal të vitit 1996, konfiskimi i pasaportës lejohet kur borxhi për alimentacion kalon shumën prej 2.500 dollarësh. Megjithatë, deri më tani Departamenti Amerikan i Shtetit ka vepruar vetëm në rastet kur personi aplikonte për rinovim pasaporte ose kërkonte shërbime konsullore. Pra, zbatimi i ligjit varej nga vetë paraqitja e qytetarit në institucion.
Kjo pritet të ndryshojë. Së shpejti, Departamenti i Shtetit do të nisë konfiskimin e pasaportave me iniciativën e tij, duke u bazuar në të dhënat e marra nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë amerikanë të njohur me planin, të cilët folën në kushte anonimiteti pasi ndryshimi ende nuk është shpallur zyrtarisht.
Ende nuk dihet saktësisht se sa persona do të preken nga kjo masë, por besohet se bëhet fjalë për mijëra qytetarë që kanë borxhe të papaguara dhe aktualisht posedojnë pasaportë të vlefshme.
Për shkak të numrit të madh potencial të rasteve, autoritetet kanë njoftuar se zbatimi do të bëhet gradualisht. Fillimisht do të preken mbajtësit e pasaportave që kanë mbi 100 mijë dollarë borxh të papaguar për alimentacion.
Kjo masë synon të rrisë presionin ndaj prindërve që shmangin detyrimet e tyre ligjore dhe të sigurojë mbështetje financiare për fëmijët që kanë të drejtë ligjore për alimentacion.
