Ndërsa inteligjenca artificiale po transformon me shpejtësi tregun global të punës dhe po zëvendëson një numër gjithnjë e më të madh rolesh, ekspertët theksojnë se jo të gjitha profesionet janë të destinuara të zhduken. Përkundrazi, disa prej tyre pritet të mbeten të sigurta dhe madje të lulëzojnë për dekada me radhë.
James Reed, drejtor ekzekutiv i kompanisë britanike Reed, ka identifikuar 11 profesione që, sipas tij, janë më pak të rrezikuara nga automatizimi dhe “pushtimi” i AI-së, për shkak të nevojës për gjykim njerëzor, empati dhe ndërveprim real.
Kujdesi shëndetësor dhe social kryeson listën. Edhe pse AI mund të ndihmojë në diagnostikim dhe analiza, Reed thekson se empatia, përkujdesja dhe mbështetja emocionale ndaj të moshuarve dhe personave vulnerabël nuk mund të zëvendësohen nga algoritmet.
Mësuesit mbeten të pazëvendësueshëm, pasi arsimi nuk është vetëm transmetim njohurish. Nxënësit kanë nevojë për motivim, mbështetje dhe ndërveprim shoqëror – elemente që teknologjia nuk i riprodhon dot.
Edhe konsulentët e rekrutimit pritet të mbeten të rëndësishëm, pasi përzgjedhja e kandidatëve kërkon intuitë, ndjeshmëri dhe kuptim të thellë të aspiratave njerëzore.
Në fushën e sigurisë kibernetike, AI shihet më shumë si një aleat sesa zëvendësues. Hakerët përshtaten vazhdimisht dhe nuk ndjekin modele të parashikueshme, ndaj ekspertiza njerëzore mbetet kyçe.
Paramedikët dhe profesionistët e emergjencës nuk mund të zëvendësohen nga teknologjia, pasi reagimi fizik, vendimmarrja nën presion dhe dhembshuria janë jetike në situata krize.
Po ashtu, profesionet teknike si elektricistët, hidraulikët dhe zdrukthëtarët mbeten të sigurta, pasi kërkojnë zgjidhje praktike të problemeve reale në mjedise të paparashikueshme.
Topografët banesorë dhe agjentët e patundshmërisë vazhdojnë të kenë rol qendror, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të gjykimit të tyre profesional në vendime financiare madhore.
Në sektorin e shërbimeve, punonjësit e hotelerisë mbeten të rëndësishëm për shkak të përvojës njerëzore që klientët ende e vlerësojnë.
Sipërmarrësit janë një tjetër kategori që nuk zëvendësohet dot, pasi krijimtaria, rreziku dhe vizioni nuk mund të automatizohen.
Së fundi, kujdestaret e fëmijëve dhe punonjëset e çerdheve konsiderohen thelbësore për zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve – një rol që teknologjia nuk mund ta marrë përsipër.
Ekspertët përfundojnë se, ndonëse AI do të ndryshojë mënyrën e punës në shumë sektorë, profesionet që mbështeten te marrëdhënia njerëzore, empatia dhe gjykimi etik do të mbeten të pazëvendësueshme.
