Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të shpallur disa degë të Vëllazërisë Muslimane si organizata terroriste ka nxitur reagime dhe shqetësime të thella në qarqet politike, akademike dhe fetare islame. Ky hap, i ndërmarrë në kuadër të axhendës së sigurisë kombëtare të administratës së presidentit Donald Trump, shihet nga shumë vëzhgues si një veprim politik që rrezikon të barazojë islamin politik me terrorizmin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri të ditur se degët e Vëllazërisë Muslimane në Liban, Jordani dhe Egjipt janë futur në listën e organizatave terroriste, me arsyetimin se ato përbëjnë kërcënim për interesat amerikane dhe se kanë ofruar mbështetje për Hamasin. Megjithatë, kritikët theksojnë se këto pretendime mbështeten kryesisht në vlerësime politike dhe jo në procese të pavarura gjyqësore ndërkombëtare.
Vëllazëria Muslimane, e themeluar në vitin 1928, ka qenë për dekada një lëvizje shoqërore, fetare dhe politike, e cila ka vepruar në shumë vende përmes mjeteve paqësore, pjesëmarrjes politike dhe shërbimit social. Në shumë kontekste, ajo ka qenë zë i rezistencës qytetare kundër autoritarizmit, korrupsionit dhe dominimit të huaj. Përkrahësit e saj argumentojnë se etiketimi i të gjithë spektrit të kësaj lëvizjeje si “terrorist” përbën një padrejtësi kolektive dhe një shtrembërim të realitetit.
Vendimi amerikan shihet gjithashtu si pjesë e një tendence më të gjerë për të delegjitimuar çdo formë të organizimit politik islam, veçanërisht atë që gëzon mbështetje popullore në botën arabe. Ky qasje, sipas kritikëve, i shërben regjimeve autoritare në rajon, të cilat prej vitesh e përdorin akuzën për terrorizëm për të shtypur opozitën dhe zërat kritikë.
Për shumë myslimanë, ky vendim nuk është vetëm një çështje sigurie, por një sinjal alarmi për kriminalizimin e identitetit dhe angazhimit islam në sferën publike. Barazimi i Islamit politik me dhunën rrezikon të thellojë ndarjet, të ushqejë islamofobinë dhe të minojë çdo përpjekje për dialog dhe stabilitet afatgjatë.
Në vend të etiketimit dhe ndëshkimit kolektiv, kritikët kërkojnë qasje të drejtë, të balancuar dhe të bazuar në fakte, që dallon qartë mes dhunës dhe angazhimit politik paqësor, në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të së drejtës ndërkombëtare.
