Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmorën një “fushatë intensive lobimi” ndaj deputetëve të Parlamentit Evropian për të siguruar që roli i tyre në luftën e Sudanit të mos përfshihej në rezolutën e re të institucionit, raportoi Politico të enjten. Rezoluta, e cila kërkon t’i jepet fund konfliktit, u miratua pa asnjë përmendje të drejtpërdrejtë të Emirateve.
Një ditë më parë, eurodeputetja holandeze Marit Maij deklaroi për DW News se parlamenti do t’i kërkonte Komisionit Evropian ndërprerjen e negociatave tregtare me Emiratet “sa kohë që armët vazhdojnë të kalojnë përmes EBA-së drejt RSF-së”, duke iu referuar Forcave të Mbështetjes së Shpejtë të Sudanit.
Kjo thirrje erdhi pas raportimeve të gjera mbi mizoritë e kryera nga RSF-ja gjatë sulmit dhe marrjes së qytetit el-Fasher, të cilat u mundësuan nga armatime të avancuara të siguruara, sipas raportimeve, nga Emiratet.
Megjithatë, pas vizitës së delegacionit emiratas në Strasburg, të kryesuar nga e dërguara Lana Nusseibeh, versioni i fundit i rezolutës nuk përfshiu asnjë referencë për rolin e Emirateve në konflikt.
Raportime të shumta, përfshirë investigime të Middle East Eye, kanë dokumentuar rrjete furnizimi të përdorura nga EBA-ja për t’i dërguar armë RSF-së përmes Somalisë, Libisë, Çadit dhe vendeve të tjera. Amnesty International raportoi në maj 2025 se Emiratet po dërgonin armë kineze drejt grupit paramilitar, një gjetje e cila, sipas Wall Street Journal, u konfirmua edhe nga inteligjenca amerikane në tetor.
Qeveria sudaneze ka ngritur gjithashtu një padí në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke akuzuar Emiratet për bashkëpërgjegjësi në gjenocid.
Sipas Euronews, Nusseibeh u takua me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe me eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike. Amendamentet e propozuara nga grupet e majta, që synonin të përmendnin qartë rolin e Emirateve, u refuzuan nga grupimet konservatore EPP dhe ECR.
Teksti final dënon “vrasjet masive” të kryera nga RSF-ja dhe kërkon sanksione ndaj “financuesve dhe mundësuesve të jashtëm”, por pa i specifikuar ata.
Pas votimit, Nusseibeh përshëndeti rezolutën, duke theksuar angazhimin e Emirateve për t’i dhënë fund luftës. Ndërkohë, gjenerali i Forcave të Armatosura të Sudanit, Yasser al-Atta, akuzoi Emiratet se kanë blerë heshtjen ndërkombëtare “me fuqinë e parave”.
