Ish-mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Herolind Shala, ka ndarë pritshmëritë e tij në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme për “Dardanët”, duke shprehur besim të plotë se ekipi mund të arrijë një tjetër sukses historik, pavarësisht se përballë ka një kundërshtar të fortë si Turqia.
Shala, një nga emrat më të njohur të përfaqësueses që nga pranimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare, rikujton rrugëtimin e tij unik – nga përfaqësimi i Shqipërisë, te vendimi për t’iu bashkuar Kosovës pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA. Që nga debutimi më 10 tetor 2016, ai ka zhvilluar 27 ndeshje me fanellën “dardane”, një numër që, sipas tij, do të ishte edhe më i madh po të mos ishin lëndimet që e shoqëruan gjatë karrierës.
Mesfushori 34-vjeçar, i cili në disa ndeshje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ka një njohje të mirë të futbollit turk, pasi ka kaluar katër vite në këtë vend – një sezon te Kasımpaşa dhe tre të tjerë te Erzurumspor. Pikërisht kjo eksperiencë e bën analizën e tij edhe më të veçantë.
“Nuk do të jetë aspak lehtë, sepse e dimë cilësinë që ka Turqia. Por edhe ne kemi futbollistë shumë cilësorë. Nuk kemi qenë favoritë në shumë ndeshje dhe i kemi fituar ato. Pse të mos e bëjmë edhe këtë herë?”, theksoi Shala, duke reflektuar optimizëm të matur për përballjen vendimtare.
Ai e cilëson arritjen deri në këtë fazë si diçka të jashtëzakonshme për Kosovën.
“Kjo që kanë bërë këta djem është mrekulli. Të arrish deri këtu është diçka e paimagjinueshme. Tani shpresojmë që të hedhin edhe hapin e fundit drejt kualifikimit në Kampionatin Botëror”, u shpreh ai.
Duke kujtuar kohën e tij në Turqi, Shala flet me respekt për përvojën dhe mikpritjen që ka përjetuar atje, ndërsa veçon edhe një moment të veçantë nga viti 2017, kur mori pjesë në një ndeshje bamirësie përkrah emrave të mëdhenj të futbollit botëror si Samuel Eto’o, Wesley Sneijder dhe të tjerë, nën drejtimin e trajnerit Fatih Terim.
Megjithatë, përtej miqësive dhe respektit të ndërsjellë mes dy popujve, ai e bën të qartë objektivin sportiv: “Jemi popuj miq, por në fushë duhet t’i mposhtim dhe të shkojmë në Botëror”.
Shala ndalet edhe te emocionet e përfaqësimit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si ndjesinë më të veçantë të karrierës së tij.
“Kam luajtur për Norvegjinë, Shqipërinë dhe Kosovën, por përfaqësimi i vendit tim është diçka që nuk përshkruhet. Sa herë kam veshur këtë fanellë, kam dhënë gjithçka nga vetja”, theksoi ai.
Ai kujton me nostalgji edhe ndeshjet më të paharrueshme me Kombëtaren, si fitorja 4-0 ndaj Azerbajxhanit dhe barazimi në transfertë ndaj Greqisë, ku mbante shiritin e kapitenit.
Në fund, Shala jep edhe parashikimin e tij për sfidën ndaj Turqisë, duke pritur një ndeshje të fortë dhe të baraspeshuar.
“Besoj se do të jetë një ndeshje pa shumë gola dhe gjithçka mund të vendoset në penallti. Aty kemi një nga më të mirët në botë – Arijanet Muric – dhe besoj se ai do të jetë vendimtar”, përfundoi Shala.
Përballja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën në mbrëmje, nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një duel që mund të shkruajë histori për futbollin kosovar.
