Nga Alexander Marrow
16 tetor 2025
Përmbledhje
-
Shkurtimet e vendeve të punës, hapi i parë i rëndësishëm nga CEO-ja i ri Navratil
-
Kompania rrit objektivin e kursimeve në 3 miliardë franga zvicerane
-
Nestle raporton rritje të shitjeve mbi pritshmëritë për tremujorin e tretë
-
Rritja e nxitur nga çmimet më të larta për kafen dhe ëmbëlsirat
AMSTERDAM, 16 tetor (Reuters) – Nestle (NESN.S) do të shkurtojë 16,000 vende pune, njoftoi të enjten CEO-ja i ri Philipp Navratil, ndërsa kompania më e madhe në botë e ushqimeve të paketuara kërkon të ulë kostot dhe të rifitojë besimin e investitorëve.
Vendet e punës që do të shkurtohen përfaqësojnë 5.8% të rreth 277,000 punonjësve të Nestle. Navratil tha se Nestle e ka rritur objektivin e kursimeve të kostove në 3 miliardë franga zvicerane (3.77 miliardë dollarë) nga 2.5 miliardë franga deri në fund të vitit 2027.
Tarifat amerikane të importit janë një pengesë për Nestle, pavarësisht se pjesa më e madhe e shitjeve të kompanisë në SHBA prodhohet lokalisht, ndërkohë që prodhuesit e ushqimit në përgjithësi po përballen me një besim të brishtë të konsumatorëve dhe ndryshim të zakoneve, pasi njerëzit kërkojnë të ushqehen më shëndetshëm.
“Bota po ndryshon dhe Nestle duhet të ndryshojë më shpejt,” tha Navratil.
TRAZIRA TË PAPRECEDENTA NË NIVELIN DREJTUES
Nestle, aksionet e së cilës u rritën me rreth 8% në fillim të tregtimit, ka përjetuar një periudhë të paprecedentë trazirash në nivelin drejtues, ku Navratil zëvendësoi Laurent Freixe, i cili u shkarkua në shtator si shef ekzekutiv për shkak të një marrëdhënieje të pazbuluar me një vartëse të drejtpërdrejtë.
Kryetari i bordit, Paul Bulcke, dha dorëheqjen më herët për t’i hapur rrugën ish-shefit të Inditex, Pablo Isla, dy javë më vonë.
Navratil tha se shkurtimet e 12,000 vendeve të punës në administratë gjatë dy viteve të ardhshme, përveç një reduktimi të mëtejshëm prej 4,000 punonjësish si pjesë e nismave të vazhdueshme në prodhim dhe zinxhirin e furnizimit, ishin pjesë e një përpjekjeje për rritjen e efikasitetit.
‘I HEDH BENZINË ZJARRIT TË RIMËKËMBJES’
Prodhuesi zviceran i çokollatave KitKat, kafesë Nespresso dhe erëzave Maggi ka luftuar për të përmbysur ngecjen në rritjen e shitjeve dhe për të ndalur rënien e çmimit të aksioneve, ndërsa përballet me tarifat amerikane të importit, kostot janë rritur dhe nivelet e borxhit janë ngjitur, duke shtuar presionin nga investitorët.
Rezultatet tremujore të Nestle “i hedhin benzinë zjarrit të rimëkëmbjes,” shkruan analistët e Bernstein në një shënim, duke e quajtur reduktimin e numrit të punonjësve një “surprizë të rëndësishme”.
Një rritje prej 1.5% në rritjen e brendshme reale – një masë e vëllimit të shitjeve – në tremujorin e tretë, shumë mbi pritshmëritë e analistëve për një rritje prej 0.3%, mund t’i ofrojë Navratil-it pak frymëmarrje ndërsa ai kërkon të lërë gjurmën e tij pas promovimit të papritur.
Navratil tha se nxitja e rritjes së bazuar në vëllimin e shitjeve ishte prioriteti më i lartë i Nestle.
“Ne po nxisim një kulturë që përqafon një mentalitet të orientuar nga performanca, që nuk pranon humbjen e pjesës së tregut dhe ku fitorja shpërblehet,” tha Navratil.
Rishikimet strategjike të biznesit të ujërave dhe pijeve premium të Nestle, si dhe të markave të vitaminave dhe suplementeve me rritje të ulët e marzh të ulët, janë në vazhdim, tha kompania.
NESTLE LË TË PANDRYSHUAR PARASHIKIMIN PËR 2025
Kompania zvicerane e mbajti të pandryshuar parashikimin e saj për vitin 2025. Ajo tha se rritja organike e shitjeve duhet të përmirësohet krahasuar me vitin 2024 dhe parashikoi marzhin themelor të fitimit operativ tregtar, i cili përjashton disa shpenzime jo të përsëritura, në, ose mbi, 16%. Për periudhën afatmesme, parashikimi është të paktën 17%.
Parashikimet e marzhit përfshijnë tarifat më të larta amerikane të importit për mallrat zvicerane prej 39%, të cilat hynë në fuqi në gusht, tha Nestle.
Pjesa më e madhe e 3 miliardë frangave zvicerane në kursime pritet të vijë në vitet 2026-27, tha Nestle, me 700 milionë franga zvicerane kursime që priten në total për vitin 2025.
Shitjet organike, të cilat përjashtojnë ndikimin e lëvizjeve valutore dhe blerjeve, u rritën me 4.3% në tremujor, tha Nestle, mbi vlerësimet e analistëve për një rritje prej 3.7%.
Rritja e shitjeve tremujore u nxit nga rritjet e çmimeve në kafe dhe ëmbëlsira, por Kina e Madhe ishte një faktor frenues.
Drejtoresha Financiare, Anna Manz, tha se Nestle ishte përqendruar shumë në nxitjen e shpërndarjes në të gjithë Kinën dhe jo mjaftueshëm në ndërtimin e kërkesës së konsumatorëve.
“Pra, ajo që shihni në Kinë jemi ne që po e korrigjojmë këtë dhe në fakt po konsolidojmë shpërndarjen tonë dhe po e bëjmë më efikase, ndërkohë që ndërtojmë këtë kërkesë të konsumatorëve.”
(1 dollar = 0.7955 franga zvicerane)
