Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka miratuar një vendim të ri për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës në tregun vendor, me synim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë në formimin e tyre.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka nënshkruar vendimin që vendos një mekanizëm të ri për përcaktimin e çmimeve maksimale të lejuara në baza ditore, i cili hyn në fuqi nga data 5 prill 2026. Ky mekanizëm është hartuar pas analizave të vazhdueshme të tregut, duke u bazuar në të dhënat e importit, lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe vlerësimet e institucioneve mbikëqyrëse.
Sipas vendimit, MINTI do të publikojë çdo ditë, jo më vonë se ora 10:00, çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor. Ky çmim do të llogaritet mbi bazën e mesatares së importeve të përditësuara prej 10 milionë litrave për naftën (dizel) dhe 1 milion litrave për karburantet tjera.
Për datën 5 prill 2026, çmimet maksimale janë përcaktuar si vijon: nafta (dizel) 1.86 euro për litër dhe benzina 1.49 euro për litër.
Ky vendim synon të krijojë një qasje më të drejtë dhe të unifikuar në treg, duke shmangur luhatjet e menjëhershme dhe të paarsyeshme të çmimeve në nivelin e shitjes me pakicë. Ministria thekson se asnjë operator ekonomik nuk lejohet të tejkalojë çmimin maksimal të publikuar.
Për zbatimin e këtij vendimi do të rritet mbikëqyrja në terren nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe në koordinim me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës.
MINTI u bën thirrje operatorëve ekonomikë që të respektojnë me përpikëri këtë vendim, duke theksuar se masat synojnë funksionimin e një tregu të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e konsumatorit. Sipas ministrisë, këto masa nuk kanë për qëllim ndëshkimin e bizneseve, por garantimin e barazisë në treg dhe reflektimin e kujdesit në një periudhë të ndjeshme të luhatjeve globale të çmimeve të naftës.
Shkeljet e këtij vendimi do të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
