Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka ndërtuar një ushtri moderne dhe profesionale, në përputhje me standardet e NATO-s. Vetëm në katër vitet e fundit janë investuar mbi 450 milionë euro në sisteme armatimi, infrastrukturë, trajnime dhe baza të reja ushtarake.
Në një intervistë për “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, Maqedonci theksoi se progresi më i madh në sektorin e mbrojtjes është arritur gjatë viteve të fundit.
“Janë investuar mbi katërqind e pesëdhjetë milionë euro vetëm për blerje të sistemeve të armatimit,” tha ministri, duke shtuar se investimet përfshijnë edhe infrastrukturë, trajnime brenda dhe jashtë vendit, si dhe baza të reja ushtarake.
Modernizimi i FSK-së: Artileri, sisteme antitank dhe dronë
Ministri bëri të ditur se Kosova ka kontraktuar sistemin amerikan të artilerisë 105 mm “Hawkeye”, duke u bërë vendi i parë jashtë SHBA-së që e ka prokuruar këtë sistem.
FSK-ja ka tashmë tri sisteme antitank dhe është në pritje të sistemit të katërt, duke garantuar kapacitetin mbrojtës të ushtrisë.
Në aspektin ajror, Maqedonci përmendi dronët Bayraktar TB2, sistemin amerikan Puma dhe dronët kamikazë, ndërsa është në proces blerja e helikopterëve multifunksionalë.
“Ne jemi në progres dhe në proces të blerjes së helikopterëve,” theksoi ai.
Mbrojtja gjithëpërfshirëse dhe rezervat vullnetare
FSK-ja ka katërfish më shumë pushkë individuale sesa personel aktiv, në kuadër të programit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse.
“Secili qytetar i Kosovës do të ketë mundësinë të regjistrohet dhe të jetë vullnetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës,” sqaroi Maqedonci, duke theksuar se bëhet fjalë për shërbim vullnetar, jo të detyruar.
Bashkëpunimi rajonal dhe siguria
Ministri foli edhe për bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë, si dhe për kërkesën për dorëzimin e grupit të Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë.
Ai nënvizoi se Kosova renditet sot mes vendeve më të forta ushtarakisht në Ballkanin Perëndimor, duke përjashtuar Serbinë, falë modernizimit të armatimit, trajnimeve dhe strukturës së avancuar të FSK-së.
