Një ndërhyrje heroike e një civili mysliman shpëtoi dhjetëra jetë gjatë një sulmi në Bondi Beach, Sydney, që ka tronditur Australinë dhe botën. Ngjarja ndodhi gjatë një festimi hebraik të Hanukkah, ku dy sulmues hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve, duke vrarë të paktën 15 persona.
Ahmed al Ahmed, 43 vjeç, pronar dyqani frutash dhe qytetar australian me origjinë nga Siria, nuk u mendua dy herë. Ai u hodh mbi një nga sulmuesit, e çarmatosi dhe e ndali, ndërkohë që u qëllua disa herë. Pamjet e shpërndara në media tregojnë momentin dramatik ku ai rrëzon agresorin dhe merr armën, duke e vendosur më pas pranë një peme, ndërsa kaosi vazhdonte.
Sulmi sipas hetimeve, autorët e tij e pranuan se vepruan nga dhimbja e madhe për gjenocidin dhe masakrat që Izraeli po kryen ndaj popullit palestinez, duke shfrytëzuar këtë festë për të shprehur zemërimin e tyre. Megjithatë, veprimi i tyre shënoi humbje të pafajshme njerëzore dhe terror për komunitetin lokal.
Ahmed al Ahmed u plagos rëndë gjatë ndërhyrjes u qëllua katër deri në pesë herë në shpatull dhe krah – dhe po trajtohet në Spitalin St George në Sydney. Ai iu nënshtrua operacionit të parë dhe pritet të ketë ndërhyrje të tjera.
Reagimet ndërkombëtare kanë theksuar heroizmin e tij. Presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi Ahmedin si “shumë, shumë të guximshëm”, ndërsa kryeministri i New South Wales, Chris Minns, tha se “pa veprimin e tij vetmohues, numri i viktimave do të ishte shumë më i madh”.
Familja e Ahmedit, e ardhur nga Siria vetëm dy muaj më parë, tha se ai veproi instinktivisht për të mbrojtur njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë fetare apo etnike. Babai i tij deklaroi: “I ndihem krenar sepse djali im është hero i Australisë. Ai nuk po mendonte për besimin e atyre që po shpëtonte; thjesht nuk mund të duronte të shihte njerëz që vriteshin.”
Ngjarja është kthyer në simbol të fuqishëm të humanizmit, unitetit dhe trimërisë përballë urrejtjes dhe dhunës. Në një ngjarje që ka rrjedhur nga dhimbja për Palestinën, një mysliman i vetëm u bë barriera mes jetës dhe vdekjes.
