Me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Forumi i Intelektualëve të Shtimes organizoi një tryezë diskutimi me temën “Mohimi i krimeve dhe gjenocidit serb, destabilizim për Ballkanin”, ku u theksua nevoja e domosdoshme për angazhim të vazhdueshëm institucional, shkencor dhe shoqëror për ruajtjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në këtë aktivitet u nënvizua se Reçaku nuk është vetëm një ngjarje e dhimbshme e së kaluarës, por një plagë e hapur morale dhe historike, mohimi i së cilës përbën rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin rajonal. Juristi Arsim Bajrami theksoi se gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë ka qenë një ndërmarrje e organizuar shtetërore, e zhvilluar në tri faza. “Faza e parë ishte planifikimi, e dyta ekzekutimi gjatë viteve 1998–1999, ndërsa faza e tretë është mohimi. Sot po përballemi pikërisht me këtë fazë, ku mohohet edhe Masakra e Reçakut,” u shpreh Bajrami.
Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, tha se brezat që i kanë përjetuar këto ngjarje mbajnë një detyrim moral ndaj viktimave për ta mbajtur gjallë kujtesën dhe për të kërkuar drejtësi. Sipas tij, drejtësia mbetet e paplotë për aq kohë sa autorët e masakrës nuk janë vënë para përgjegjësisë. “Një drejtësi e mangët është një drejtësi e cunguar,” theksoi Milo.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vlerësoi se mohimi i krimeve serbe nuk është vetëm mohim i së kaluarës, por kërcënim për të ardhmen. Ai theksoi se pa ballafaqim me të vërtetën, pa drejtësi dhe pa përgjegjësi, nuk mund të ndërtohet paqe e qëndrueshme dhe as pajtim i sinqertë mes popujve.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, njoftoi se Memoriali i Masakrës së Reçakut është shpallur projekt nacional. Ai theksoi se shteti do të investojë në ruajtjen, dokumentimin dhe arkivimin e të gjitha dëshmive të krimeve serbe ndaj popullatës civile.
Tryeza u pasurua edhe me kontribute nga studiues të historisë dhe jurisprudencës, të cilët trajtuan aspektet historike, juridike dhe politike të krimeve në Kosovë, duke ritheksuar se e vërteta për Reçakun është themel për drejtësi, dinjitet dhe paqe afatgjatë.
